Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nikë Gashaj: Të drejtat e njeriut dhe gjyqësia

| E merkure, 11.04.2018, 07:42 PM |


TË DREJTAT E NJERIUT DHE GJYQËSIA E PAVARUR

Nga Nikë Gashaj

Pa një gjyqësi të pavarur nuk ka mbrojtje të të drejtave dhe lirive të njeriut, as parakushte për konstituimin e shtetit juridik dhe pushtetin e së drejtës. Në ato shtete të cilat për çfarëdo arsyeje e lënë pas dore gjyqësinë e vet ose qellimisht e bëjnë transmision të vullnetit politik, qytetari si qënie njerëzore u është ekspozuar vazhdimisht padrejtësive, arbitrariteteve dhe katandisjeve. Të drejtat dhe liritë e qytetarëve mbi të cilat mbështetet ideja bashkëkohore e shtetit juridik në realitet mund të sigurohen vetëm në bashkësinë që është e organizuar mbi parimin e pushtetit të së drejtës dhe të ligjshmërisë.

Për ta realizuar ligjshmërinë, shteti medeomos duhet të ketë pushtetin gjyqësor të pavarur, i cili i nënshtrohet vetëm kushtetutës dhe ligjit. Për këtë arsye pavarësia e gjykatave dhe gjyqtarëve bën pjesë ndër ato parime mbi të cilat bazohet pushteti i së drejtës dhe hyn në nocionin më të ngushtë të shtetit juridik. Nga ana tjetër, gjyqësi të pavarur mund të ketë vetëm në shtetin juridik i cili presupozon që çdo pushtet në të është i kufizuar dhe i kontrolluar mirë. Nuk ka gjyqë i cili vetë do të mund me i rezistua pushtetit të pakufizuar dhe të pakontrolluar. Andaj, Nuk ka shtet juridik pa gjyqësi të pavarur dhe gjyqësi të pavarur pa shtet juridik. I themeluar në mënyrë të tillë që të sigurojë ligjshmërinë dhe të drejtat substanciale të njeriut, pavarësia e gjyqësorit me kalimin e kohës është bërë edhe ajo vetë njëra nga të drejtat themelore të njeriut. Deklarata e përgjithshme mbi të drejtat e njeriut nga viti 1948,  parashikon që çdokush gëzon të drejtën plotësisht të barabartë që çështjen e tij, qoftë ajo civile apo penale, ta shqyrtojë dhe ta gjykojë drejt gjykata e pavarur dhe e paanshme (neni 10). Konventa europiane mbi të drejtat e njeriut nga viti 1950 (neni 6) dhe Pakti ndërkombëtar mbi të drejtat civile dhe politike nga viti 1966 (neni 14) ia njohën të drejtën të pandehurit për një gjykim të ndershëm dhe publik, që do të zhvillohej brenda një afati të arsyeshëm dhe nga gjykata e pavarur dhe e paanshme e themeluar me ligj. Prandaj, çështja e gjykatës së pavarur gjatë kohës është bërë shprehimisht çështje politike edhe kriter kryesor për vlerësimin e pozitës së përgjithshme të individit në shoqëri. Mënyra me të cilën ajo është garantuar në ligjet e një shteti dhe mënyra sipas së cilës ajo që është parashikuar me ligj zbatohet në praktikë, sot paraqesin treguesin e nivelit kulturor të mjedisit përkatës shoqëror dhe kriterin nga i cili nxirret kokluzioni mbi karakterin e shtetit dhe të sistemit të tij juridik.

Ku qëndron problemi i pavarësisë gjyqësore? Në shoqërinë që ndodhet në zanafillën e formimit të shtetit juridik, çështja më e rëndësishme dhe më aktuale që del në lidhje me pavarësinë gjyqësore është çështja e aplikimit të saj dhe e krijimit të kushteve të domosdoshme dhe të mjeteve juridike për realizimin dhe mbrojtjen e saj. Gjykata nuk bëhet e pavarur vetvetiu dhe me vullnetin e gjykatësve, as me vetë aktin e shpalljes së parimit kushtetues se gjykatat janë të pavarura.

Njohuritë teorike dhe empirike tregojnë se për pavarësinë gjyqësore janë të domosdoshme parakushtet themelore juridike e politike dhe instrumentet për mbrojtjen e saj praktike.

Zbatimi në praktike i pavarësisë gjyqësore kërkon ndërmarrjen e reformave vëllimore dhe të ndërlikuara në shoqëri dhe në sistemin juridiko-shtetëror. Pavarësia e gjykatave dhe gjyqtarëve nuk varet vetëm nga normat juridike dhe garancitë që përmbajnë këto norma, por një pjesë e mirë e saj varet edhe nga ndërgjegja mbi nevojën e reformave në jetën shoqërore dhe juridike, nga vullneti i forcave politike relevante që këto reforma të ndërmerren, si dhe nga rrethana të përgjithshme shoqërore, nga kultura dhe mentaliteti i qytetarëve, nga shkalla e zhvillimit të vetëdijes juridike dhe nga tradita juridike, ku kultura, vetëdija juridike dhe cilësitë morale të vetë gjyqtarëve kanë rëndësi vendimtare.

Kur kemi të bëjmë me garancitë e pavarësisë gjyqësore, ato janë të shumta e të llojllojshme dhe përbëjnë një sistem të tërë masash të natyrave të ndryshme. Mirëpo, vetëm njëra nga ato, sado e rëndësishme qoftë, nuk mjafton sepse presionet mbi gjykatë, që nuk vijnë vetëm nga një anë, duhet të eleminohen plotësisht.

Megjithatë, këto masa nuk kanë të njëjtën rëndësi, ngase edhe vetë burimet e presionit mbi gjykatë kanë fuqi, rrezikshmëri dhe intensitet të ndryshëm. Sipas këtij kriteri, më të rëndësishmet janë ato garanci që duhet të parandalojnë presionet e pushtetit ekzekutiv mbi gjyqësorin, por gjykata duhet të jetë e liruar edhe nga presionet që mund të vijnë edhe nga shumë anë të tjera me rastin e shqiptimit të vendimit qjyqësor (presionet nga pushteti legjislativ, nga partitë politike, nga individë të interesuar, nga shoqatat, mediat, opinioni publik, nga instancat e larta gjyqësore etj.)

Të gjitha garancitë e pavarësisë gjyqësore, të marra së bashku, duhet të parandalojnë çdo presion të mundshëm real mbi gjykatën, në mënyrë që ajo të mund të gjykojë vetëm sipas kushtetutës dhe ligjit. Në vendet e Ballkanit Prendimor që ndodhen në fillim të procesit të krijimit të shtetit juridik, që nuk kanë ndonjë traditë demokratike dhe në të cilat vetëdija juridike dhe kultura politike ndodhen në një shkallë të ulët, këso garancish duhet të ketë më shumë se zakonisht. Megjithëkëtë, kaherë janë bërë përpjekje që të përcaktohet një minimum i përgjithshëm i këtyre masave që do të duhej t’i kishte çdo shtet me qëllim të mbrojtjes së pavarësisë gjyqësore. Deklarata e Nju Delhit (1959), Konkluzionet e Konferencës së Lahorës (1961), Parimet e Sirakuzës (1981), Të drejtat minimale të Unionit Ndërkombëtar të Avokatëve (1982), Parimet e Tokios (1982) dhe Deklarata universale  mbi pavarësinë e gjyqësorit, e quajtur Deklarata e Montrealit (1983).

Garancitë mund të jenë juridike, që sanksionohen me norma juridike, dhe jashtëjuridike, do të thotë sociale dhe personale, që përmbahen në kushtet e përgjithshme shoqërore dhe në personalitetin e vetë gjyqtarit, të cilat vështirë se mund të përfshihen apo nuk mund të përfshihen fare me normat juridike. Garancitë juridike vlejnë fare pak pa këto të tjerat, por nuk duhet harruar se ngandonjëherë edhe format juridike që i paraprijnë deri diku epokës së vet, mund të sjellin progres shoqëror dhe të kontribuojnë edhe në zhvillimin e kushteve jashtëjuridike të pavarësisë gjyqësore.

Pavarësia e brendshme e gjyqtarit, garancitë e të cilit qëndrojnë në tiparet e personalitetit të tij, e jo vetëm në drejtësi, është posaçërisht e rëndësishme. Ajo është rezultat i shpirtit të lirë të gjyqtarit dhe e moralit të lartë. Kjo pavarësi nuk mund të formohet as të ndryshohet me kurrfarë masash juridike. Për këtë shkak mund të ndodhë që të gjendet ndonjë gjyqtar i varur edhe përkundër të gjitha garancive juridike të pavarësisë.

Parakushtet shoqërore jashtë drejtësisë

Zakonisht konsiderohet që ndër garancitë më të rëndësishme juridike të pavarësisë gjyqësore bëjnë pjesë: parimi kushtetues i ndarjes së pushtetit në atë ligjvënës, gjyqësor dhe ekzekutiv, rregulla mbi përhershmërinë dhe paluajtshmërinë e gjyqtarëve, dispozitat ligjore  mbi kushtet e posaçme, mënyrën dhe procedurën e zgjedhjes dhe shkarkimit të gjyqtarëve, rregullat mbi organizimin e administratës gjyqësore, mënyrën e formimit të buxhetit të gjykatës  dhe pagave të gjyqtarëve, dispozitat mbi përgjegjësitë dhe imunitetet e e gjyqtarëve, ndalimi i ushtrimit në të njëjtën kohë të profesionit të gjyqtarit, të veprimtarisë politike dhe të punëve të tjera, aplikimi i së drejtës për të ashtuquajturin gjyqtar të natyrshëm, me të cilin konstituohet sistemi objektiv i shpërndarjes së lëndëve gjyqësore gjykatës para se të jetë bërë e ditur se me kë kanë të bëjnë këto lëndë me qëllim që të parandalohet mundësia e zgjedhjes së gjyqtarit për rastin konkret të gjykimit, rregullat procedurale mbi përjashtimin e gjyqtarëve etj. Karakteristikë e përbashkët e këtyre instituteve juridike është se nga ato varet pavarësia e gjykatës: nëse ato nuk figurojnë në ligje apo janë dhënë në mënyrë që nuk i është nënshtruar kërkesës për realizimin e mbrojtjes gjyqësore, gjykata parimisht nuk mund të jetë e pavarur dhe anasjelltas, të inkorporuara në legjislacion për këtë qëllim, ato paraqesin garanci parimore të pavarësisë gjyqësore. Pavarësia gjyqësore varet edhe nga parakushtet shoqërore më të gjera, që ndodhen jashtë drejtësisë. Për shembull, nuk ka pavarësi gjyqësore atëherë kur komentohen publikisht gjykimet në vazhdim e sipër (sub indice), sidomos nëpërmjet mjeteve të informimit publik dhe nga ana e pushtetit ekzekutiv dhe ligjvënës, kur të akuzuarit dhe të pandehurit, sidomos në proceset politike i paraqiten publikut në dritën më të shëmtuar të mundshme në komentet në shtyp dhe në televizion, kurse veprat e tyre si vepër tashmë e kryer penale e llojit më të rëndë.

Natyrisht, gjëja më e keqe është kur kjo ndodh me nismën evidente dhe të hapur të pushtetit ekzekutiv dhe të subjekteve politike. Kjo paraqet paragjykimin e rrezikshëm të vendimit gjyqësor, në kundërshtim me supozimin e pafajësisë së të pandehurit dhe presion mbi gjykatën, e cila ka për detyrë të gjykojë në mënyrë të paanshme në bazë të vlerësimit të vetë provave dhe interpretimit të ligjit nga ana e saj, pa kufizime, presione, shtytje, trysni, kanosje, apo përzierje, të drejtëpërdrejta apo të tërthorta nga cilado anë qofshin dhe për çfarëdo arsyeje (neni 2.02 i Deklaratës së Montrealit).

Efekti i terësishëm i jurisprudencës dhe të gjitha deklaratat mbi pavarësinë gjyqësore vlejnë fare pak në qoftëse sistemi juridik nuk përmban garanci të sigurta se do t’i zbatojë vendimet gjyqësore, d.m.th.nëse me vullnetin e pushtetit ekzekutiv apo me vullnetin politik mund të pengohet zbatimi i tyre dhe nëse nuk ekzistojnë masat që kërkojnë vigjilencë me rastin e dhënies së amnistive.

Shteti është i detyruar të sigurojë ekzekutimin e rregullt dhe të drejtë të vendimeve të gjykatës, kurse mbikqyrjen e ekzekutimit dhe dërgimit të tyre duhet ta ushtrojë jurisprudenca (neni 2.47 i Deklaratës së Montrealit).

Po ashtu, Deklarata e Montrealit mbi pavarësinë gjyqësore cakton shprehimisht që me asnjë ligj nuk guxohet të ndryshohen në mënyrë prapavepruese vendimet e veçanta të gjykatës as përbërja e saj me qëllim për të ndikuar në marrjen e vendimit gjyqësor (neni 2. 08).

Siguria materiale e gjykatës dhe e gjyqtarëve është njëra nga garancitë më të rëndësishme të pavarësisë së tyre.

Për të qenë i pavarur, gjykatësi duhet të gëzojë të drejtën për një pagë të mjaftueshme, kurse shteti është i detyruar që materialisht të sigurojë jurisprudencën e vet. Këto çështje duhet të jenë rregulluar paraprakisht dhe në mënyrë të sigurtë me dispozita juridike në mënyrën që garanton pavarësinë gjyqësore, e jo të lihet që nga një rast në tjetrin t’i zgjidhin organet e pushtetit ekzekutiv. Gjithnjë derisa buxheti i gjyqësorit të jetë vetëm një pozicion i buxhetit të përgjithshëm të shtetit që formohet dhe shpenzohet pa kurrfarë ndikimi të pushtetitgjyqësor, derisa shuma e pagës së gjykatësve nuk është garantuar në mënyrë të sigurt dhe nuk është e njohur paraprakisht, derisa varet nga disponimi i qeverisë dhe nga angazhimi i ministrit të drejtësis dhe derisa ajo mund të zvogëlohet dhe të shtohet në mënyrë arbitrare, pavarësia e gjykatave është iluzion i thjeshtë, kurse korrupsioni i hapur ose i fshehur është i pashmangshëm. Në kushte të tilla përhershmëria e funksionit të gjykatësit si garanci e pavarësisë praktikisht nuk do të thotë asgjë, sepse gjykatësit largohen vetë nga gjykata.

Duhet theksuar se edhe shumë çështje të tjera të organizatës së gjyqësorit ndikojnë në pavarësinë e gjykatave. Këtu bjënë pjesë sidomos problemet e arsimimit të juristëve, të avancimit dhe të ngritjes profesionale të gjykatësve, të depolitizmit të tyre, të përgjegjësisë, të imunitetit, të organizimit të administratës gjyqësore , të mbikqyrjes së punës së gjykatës, të garantimit të sigurisë personale dhe të mbrojtjes së gjykatësve dhe të familjeve të tyre etj.

Kushtet e paracaktuara me ligj, mënyra dhe procedura e zgjedhjes dhe shkarkimit të gjykatësve janë garanci e rëndësishme e pavarësisë së gjykatave. Me normat juridike dhe me zbatimin e tyre duhet të sigurohet që gjykatësit të zgjedhen dhe të shkarkohen sipas mënyrës, kushteve dhe procedurave me të cilat garantohet aftësia e kandidatit të zgjedhur për ushtrimin e funksionit të gjykatësit si dhe për pavarësinë e tij gjatë gjykimit. Gjykatësi i aftë për gjykime dhe i pavarur në punën e vet  më lehtë dhe në mënyrë më të sigurtë mund të gjendet në sistemin e emërimit dhe shkarkimit të gjykatësve nga një organ i posaçëm shtetëror i pavarur, kompetent, politikisht neutral, i ndarë nga pushteti ekzekutiv dhe ligjvënës, siç janë bie fjala këshillat shtetërore të jurisprudencës të Francës, Italisë dhe Portugalisë, të përbëra nga përfaqësues të jurisprudencës dhe nga juristë të tjerë të afirmuar dhe të shquar, të cilët me dijen, përvojën dhe personalitetin e vet garantojnë marrjen e vendimeve të mira, objektive dhe profesionale për zgjedhjen e gjykatësve dhe për çështje të tjera të rëndësishme të organizimit të jurisprudencës. Pavarësia gjyqësore kësisoj do të ishte më e sigurtë, por edhe atëherë vetëm me kusht që anëtarët e Këshillit Shtetëror për Jurisprudencë të mos bëhen njerëz besnikë dhe të dëgjueshëm të pushtetit politik.

Po qe se gjykatat e veçanta vendosin sipas diktatit të pushtetit ekzekutiv dhe nën presionin e tyre, atëherë këtu nuk ka as pavarësi gjyqësore, as ndarje të pushtetit dhe as pushtet të së drejtës. Kur populli në dëshprimin e vet dëshiron të shprehë se sa është e papërshtatshme një situatë dhe sa poshtë mund të bjerë një vend duke marrë parasysh gjendjen e ligjshmërisë dhe të pasigurisë së pozitës së njeriut, atëherë përdor shprehjen  “Nuk ka as gjykatë as ligj“. Vështirësitë dhe problemet e vendosjes së pushtetit të së drejtës përndryshe janë të mëdha, e sidomos nëse situata ndokund bëhet e afërt me me këtë vlerësim popullor.