E marte, 16.04.2024, 12:11 PM (GMT+1)

Mendime

Azgan Haklaj: Apel Sulltan Ramës

E hene, 09.04.2018, 08:44 PM


Shqipet e Koshares që shembën piramidat mes shqiptarëve krushq lirie në dasmat e Atdheut

Një Komb të gjallë dhe të vdekur apel Sulltan Ramës:

Jo më kufi mes shqiptarëve

Nga Azgan HAKLAJ

Beteja e Koshares e 9 prillit të vitit 1999 është një nga betejat më të lavdishme të historisë së kohës së re të shqiptarëve.

Ajo është qendra e gravitetit shqiptar, epiqendra e perimetrit ku historikisht shqiptarët janë ndeshur me armiqtë tanë shekullorë.

Në këtë perimeter të lavdishëm janë përleshur Kreshnikët e Jutbinës me krajlitë serbe, Gjergj Elez Alia me bajlozët e detit.

Ketu janë organizuar kryengritjet e para kundër reformave të Tanzimatit, aksionet e para të Lidhjes Shqiptare të Prizerenit për mbrojtjen e trojeve tona etnike nga coptimi, nga traktatet e kongreset e hartuara në kurriz të tyre nga Fuqitë e mëdha, për të paguar haraçet e Perandorisë Osmane të mundur.

Prej ketej e nisën turravrapin drejt Lidhjes Shqiptare të Prizërenit Mic Sokoli, Sylejman Vokshi, Ali Ibra, Haxhi Zekë Byberi drejt Lidhjes së Pejës me betimin"Me Besa Besë".

Nga Tropoja fluturoj Tahir Sinani si shqiponjë për Kosovë, Preshevë , Shkup e Tetovë.

Ketu janë zhvilluar luftrat e përgjakshme të viteve 1909- 1910 në Qafë të Morinës me ushtrinë e Turgut Pashës.

Kosharja shtrihet përballë Shkelzenit madhështorë, qendrës së Shqipërisë etnike.

Aja shërben si kurorë e Junikut të lavdishëm, djepit të Kuvendit të 21-25 majit të vitit 1912 ku u mblodhën 250 delegatë nga të gjitha trojet etnike të Kombit Shqiptarë dhe hartuan platëformen e Kryengritjes së Përgjithshme që çoi në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjen e Flamurit nga plaku i urtë i Vlorës Ismail Qemalit.

Truri i këtij Kuvendi Hasan Prishtina i mbeshtetur fort nga Bajram Curri dhe Isa Boletinin lëshoi proklomatën " Shpetim a vdekje".

Në 100 vjetorin e Kuvendit të Junikut zëri brilant i Shkurte Fejzës evokoi historinë në vargje të poetit Hamit Alija Mjeshter i Madh;

" O Junik me kulla guri

Prej tek ti u nis flamuri

Prej n'Koshare n'Kaçanik

Thërret Kosova o Junik".

Ne Tropojë u mblodh Kuvendi i Bujanit dhe u kerkua bashkimi kombëtar pas Luftës Dytë Botërore sipas paktit të Atlantikut, të drejtës së popujve për vetë vendosje.

Prandaj në luftën e UÇK-së Tropoja u ba mbeshtetja kryesore për të përmbushur ëndrrën e mbetur përgjysmë.

Në Junik ranë heroikisht dragonjtë Bedri Shala, Bekim Berisha, Elton Zherka, Permet Vula me 10 gusht 1998.

Këtë vepër sublime na përcjell me dhimbje e krenari zëri piskamë i kentautorit Ilir Shaqiri:

" Kush vjen nga Tropoja

Nga po vjen ushtima

Thonë vjen Bedri Shala

Thonë vjen Bekim Berisha

Kullat e Junikut nga një gjamë e lëshojnë

Bedriu dhe Bekimi thonë ktu do të luftojmë".

Ne djepat e junikut u përkund Edmond Hoxha I cili ra heroikisht me Zahir Pajazitin e Vushtrisë, dhe Hakif Zejnullahun e Llapit me dt 31 Janar 1997 te cilët ishin pushkët e para të lirisë.

Në odën e Met Shalës në Junik shtrengoj duart me plakun me plis të bardhë e me mustaqe boldazeri i Ballkanit Richard Holbrooche.

Në foto prapa burrit me plis e mustaqe shihet flamuri Kuq e Zi, ndërsa pas shpinës së Holbroochet Flamuri Amerikan, çka do të thotë çertifikim ndërkombëtar i UÇK-së.

Djem e vajza nga të gjitha trojet Iliro- Dardano-Arbërore dhe nga Diaspora u rreshtuan në radhët e UÇK-së dhe qindra prej tyre ranë heroikisht në luftime të përgjakshme me makinerinë e satrapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviçi.

Ata ju kishin përgjigjur thirrjes së Atdheut me moton:

" Një Komb një qendrim"

Jam çlirimtar jam në trojet e mia

Kur thërret Atdheu në këmbë shqiptaria.

Beteja homerike e Koshares me dt 9 prillit 1999

Eshtë më e përgjakshmja, më e vështira për shkak të terrenit të thyer, pozicionit strategjik të rrasës së zogut, 1600 m mbi nivelin e detit, me mbi 1 m borë, dukshmeria e dobët, me forca të pabarabarta, e armatim simbolik përballë ushtrisë serbe ku kishte të inkuadruar edhe oficerë rus.

Luftohej në distancë të afërt dhemb për dhemb e trup me trup, për çdo meter, për çdo pellëmbe tokë.

Operacioni i brigadës 138 titullohej shigjeta, hartuar nga djaloshi i Karadakut Agaim Ramadani me nofkën Katana dhe Sali Çekaj me nofkën Veterani.

Aktet heroike të kësaj luftë na i përcjell kënga popullore:

"Shqip kur flet gur e lis

E çajnë qiellin përmjedis

Për Kosovën jap dy jetë

Vdekjen time e vras vetë

Kush është trim kush është djalë

Zot Atdheut për me i dalë

Pasha qiell e pasha dhe

Plumba s'kanë sa jemi ne".

Kjo luftë spartane, gjakatare, e dhimbshme por heroike na kujton betejën e Termopileve ku Leonidha me 300 spartanë u ndesh me ushtrinë e madhe të persëve të Kserksit.

300 spartanët ranë në fushëbetejë nga i pari tek i fundit.

Ata luftonin pavarësisht humbjes së armëve duke përdorur thonjtë dhe dhëmbët në përpjekje për të kafshuar dhe për të shkuar drejt fitores duke u çjerrë.

Vrisnin vehten e nuk dorëzoheshin të përballeshin me turpin.

Gladiatorët e brigadës 138 Agim Ramadani ngjiteshin rrasës së zogut si shqiponja në gurë.

Ashtu si nënat spartane kur percillnin djemtë për luftë i porisitnin;

" Kthehu me mburojë ose mbi të".

Edhe Ajkunat e Kosovës u kërkonin Omerëve të tyre të shtrenjtë;

" Kthehuni me fitore ose mbeshtjellë me flamurë".

Trimat e Kosharës përseritën epokën e Gjergj Kastriotit ( Skenderbeut)

Ashtu si në Albulenë me 2 shtator të vitit 1457

Heroi ynë me ushtrinë e tij shpartalloj 80000 ushtarë të ushtrisë turke edhe UÇK-ja e lavdishme shpartalloi ushtrinë serbe dhe shembi kufirin.

Operacioni shigjeta ia doli të shembë kufirin mes shqiptarëve e hapi korridorin e furnizimit me armatim e mbështetje logjistike.

Shembja e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë kishte rendësi juridike në të drejtën ndërkombëtare.

Kjo ua bënte të pamundur forcave serbe kontrollin e territorit që ndante një Komb në mes.

Në Koshare u shemb kufiri që ishte thyer me 6 maj të vitit 1997 në Vlahen të Hasit në drejtim të Kuzhinit, që përkon me ditëlindjen e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti ( Skenderbeut)

Forcat okupatore u kishin zënë pritë flakadanëve të Lirisë që u printe Luan Haradinaj.

Luani ishte me Ramushin, Femi e Xhevë Lladrovcin, Emrush Xhemalin, Iliaz Kodrën, , Ali Ahmetin, Selim Krasniqin etj.

Në këtë përleshje të përgjakshme ra Luani dhe u plagosën Ramushi dhe Femi Lladrovci.

Forcat okupatore kishin goditur me armë të rënda altilerie me qëllim për të asgjësuar të gjithë luftëtarët shqiptarë.

Ndonëse i plagosur Simboli i qëndresës shqiptare Ramush Haradinaj përmes plumbave dhe granatave e tërheq trupin e pajetë të vëllait e mban mbi supe për katër orë dhe e varrosin në Vlahen të Hasit për ta rivarrosur me dt 24 gusht të vitit 1999 sëbashku me luftëtarët e tjerë në Gllogjan.

Veprën e Luanit dhembjen e krenarinë për të na sjell zëri i spikatur i Ilir Shaqirit:

"Gjoksi i Luanit një qiell me furtuna

Bëhen tok e rrjedhin dy drinat e Buna

Gurin e kufirit e shkul si dhëmballën

Mbi krater vullkani trimi e hedh vallen".

Trimat e Kosharës shembën kufirin që e kishin thyer në mengjesin e acartë të 14 dhjetorit të vitit 1998 Mujë Krasniqi (Komandant Kapuçi) me 36 luftëtarët e tij të cilët ranë në mënyrë heroike.

Ushtria dhe policia serbe u kishte organizuar pritë në vendin e quajtur "Te likenet e Hasit, në Gorozhup të Pashtrikut.

Mujë Krasniqi ishte komandant i brigadës 113 të zonës operative të Drenicës.

Ai ka qenë pjesëmarrës në daljen publike të UÇK-së në fshatin Llaushë të Drenasit ku në varrimin e mësuesit Haliti Geci vrarë nga forcat serbe, Muj Krasniqi bashkë me Rexhep Selimin dhe Daut Haradinin me dt 28 nëntor 1997 bënë publike daljen e UÇK-së.

Kapuçi ka udhëhequr njësitin e tij në ofensivat e UÇK-së në zonën operative të Drenicës dhe në zonën e Dukagjinit.

Në nderim të veprës së tij në vendlindje, në Klinë organizohet çdo vit festivali " I kendojmë lirisë" me dt 6 ,7, 8 qershor.

Brigada 138 Agim Ramadani që operonte në zonën operative të Dukagjinit me Komandant Ramush Haradinin e përmbushi detyrën, perfundimisht e shembi kufirin.

Me dt 9 prill piramidat ranë.

Për disa ditë eshtë bërë luftë përtej fantazisë njerzore.

Krojet e gjakut rridhnin nepër rrasen e zogut e bashkoheshin me perroin ku trimat çdo mengjes lanin sytë, rruheshin e kriheshin duke u parë në ca pasqyra të vogla që mbanin në xhepa me qëllim që te beheshin të bukur para vdekjes.

Shumë prekse janë pamjet që transmetonin kamerat e vellezërve Ismail e Ilir Buçpapaj,

Në një krah luftohej, në anën tjetër marigotë qendisnin Flamurin Kombtar.

Ashtu si luftëtarët e Aleksandrit Madh, Pirros së Epirit, Gjergj Kastriotit kercenin dhe kendonin para se te hynin në luftë edhe luftëtarët e UÇK- në terren ja merrnin Këngës së Patriarkut të rapsodisë shqiptare Dervish Shaqja:

" Moj Shqipëri mos thuaj mbarova

Se djemt tu hala janë gjallë

Rreptë është çue në kembë Kosova

E bajnë luftën ballë për ballë".

Buçpapajt me kamerat e tyre mbajtën lart moralin e luftës duke transmetuar aksionet heroike të pishtarëve të lirisë.

Gjatë luftimeve ranë në fushëbetejë per të mbetur në altarin e lirisë me dt 11 prill poeti, piktori, anëtari i Akademisë Europiane të Arteve, Komandant Katana Agim Ramadani.

Gjatë luftës u tregua strateg i zoti, i pari që shembi kufirin.

Pas thyrjes së kufirit ra në Zharet për të mos vdekur kurrë e përjetësuar në kengë.

" n' Malet e Koshares shkrep një pushkë e vjetër

Me lirinë moj loke djali po t'vjen n'Zhegër

Prapë në Dardani po bie tupani

Vjen n'dasëm t'Kosovës Agim Ramadani".

Me 14 prill në Majën e Gllavës vritet trimi nga Tetova Mujdin Aliu.

Populli e kendon:

"Jam djalë nga Tetova me ka thirrë Atdheu

Vetë Adem Jashari Gjaku i Skenderbeut

Lamtumirë moj loke e ti babë Qerimi

Vetë me mesuat si duhet Atdheu si bëhet betimi".

Me dt 19 prill vritet Sali Çekaj me nofkën Veterani, intelektuali, juristi, oficeri gueril,, veprimtari i madh që nga protestat e vitit 1981 që diti në menyrë unikale të gjitha cilësitë që kishte ti përdorte pa u kursyer në sherbim të Atdheut e çështjes Kombëtare.

Me 16 maj ra për të mbetur në panteonin e lirisë Abaz Thaçi.

Amanetin e tij e përcjell si piskamë Ilir Shaqiri

" O ju Shqipe qe fluturoni

Në Drenicë kur të shkoni

I thoni nanës mos mbaj zi

Theva kufirin Shqipëri- Shqipëri",

Gjatë luftimeve të ashpra ranë në fushën e nderit 114 deshmorë që prehen në lendinat e Koshares në hijen e lisave.

Ata ranë për të mbetur lisa të rritur mbi eshtra që kanë vetëm një Atdhe.

Lulekuqe që çelin mbi gjakun e derdhur sa herë vjen pranëvera.

Ata janë rreze dielli në sytë e femijëve, kokërr loti në faqet e rrudhosura nga dhimbja të nënave që kanë humbur djemtë, cicërimë zogu, sy shqiponje, vetëtimë muzgu dhe agu, refren kënge, strofë poezie, dyzen çiftelie, akord sharkie, zë bylbyli, baladë lahute, krushq lirie në dasmat e Atdheut, permendore e shpirtit të Kombit.

Çdo vit i kërkojmë tek guri i kufirit, ku reja shkrepi e gjaku rodhi damarëve të tokës.

Në këtë përvjetor të 19- të që përkon me 10 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me 20 vjetorin e Epopesë lëgjendare të Jasharajve dhe Haradinajve, me Vitin Jubile të Gjergj Kastriotit janë Krushq Lirie në sofër të parë.

Nderim të veçantë e përkulje me respekt për protagonistët e kësaj beteje që shembi kufirin mes shqiptarëve.

Mirënjohje për heronjtë e vdekur dhe të gjallë si

Agim Ramadani, Sali Çekaj, Mujdin Aliu, Nuhi Tahiri, Abaz Thaçi, Rrustem Berisha, Hisen Berisha, Mehmet Fetahu, Nasim Haradinaj.

Djemtë e Tropojës Xaj Çela, Rakip Sadiku, vellezërit Kuçana, Bylbyl Breçani, Rexhep Kertoçi Hysni Neziri, Xhevahir Selmani Feriz Trezhnjeva, Avdyl Trezhnjeva.

Gjaku i derdhur për shembien e kufirit, për liri e pavarësi është apel për Sulltan Ramen.

Një Komb i tërë, të gjallë dhe të vdekur i thonë Jo më kufi mes Shqiptarëve.

Një Komb i tërë, të gjallë dhe të vdekur i thonë Edvin Duçes, Edvin Hitlerit nuk mund të vendosesh kurre kufi të shembur me gjak e jetë njerzore të dhena në lule të rinisë.

Shqiptarët të mbështetur nga Amerika dhe NATO-ja nuk do ta lejojnë instalimin e kalifatit tend me mbështetjen e Erdoganit dhe Putinit duke ushqyer neootomanizmin e neobizantizmin.

Shqiptarët do ti thonë Jo Jugosllavisë së re që

Edi Rama po perpiqet ta bejë me Vuçiçin.

Jo shitjes së pasurive kombëtare.

Do të mbrojnë me çdo çmim çështjen Çame e sovranitetin kombëtar.

Da të mbrojnë me çdo çmim simbolet kombëtare e vlerat e demokracisë.

Tani e ka fjalën Sovrani Popull.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora