E shtune, 20.04.2024, 02:57 AM (GMT+1)

Kulturë

Petraq Kote: Portretin e kam varur në muret e kohës

E shtune, 13.09.2008, 01:19 PM


Petraq Kote
Petraq KOTE

PORTRETIN
KAM VARUR
NË MURET E KOHËS                                     

Poezi

Shtëpia botuese Globus R.\ Tiranë 2008

Ia kushtoj këtë libër gjithë shqiptarëve që e rikadastruan kombin e tyre në perëndim ( NATO, BE ).
Kryeministrave, Meksi, Fino, Nano,  Meta, Majko, Berisha,  Bukoshi, Rexhepi, Haradinaj, Çeku, Thaçi.
Presidentëve Rugova, Berisha, Meidani, Moisiu, Topi, Sejdiu.
Zoti i bekoft!

Le degré d’esprit nécessaire pour nous plaire,
est une mesure assez exacte du degré  d’esprit que nous avons. – 1)

Helvetius
Shkalla e nevojshme e shpirtit që na pëlqen,
është një masë e saktë e shkallës së shpirtit që ne kemi.


Përemri unë, më zmadhohet me foljen kam

Pedagogët më të mirë të krimit,
janë krimbat...

Nga gruaja që lë shtatzanë në çdo krevat që pëshpërit heshtjen e prekur,
vij erë nesër.
Fetusin e lirisë,
ma udhëheqin përmendoret kriminele.
Idetë e të pasnesërmes mbjellë përpara çdo shtatore korbi,
në sheshet fytyrë qielli të qyteteve me re, njerëzit
shtruar me pllaka nenesh Justinian,
ku nojojnë ëndërrat e një oqeani trimërie shqiptare që ngre pluhur
jo, dallgë.
Pa shtrirë këmbët dielli,
hëna pa u ankoruar në limanin e apokalipsit.
Unë pa e marrë trenin e qiellit.
Ai puthë duart e jetës që e vret,
ulur në ecjen e safilluar të Shqipërisë që është në këmbët e mia!

Kur fëmija lind në maternitetin liturgjik,
vij erë dje...
bëhem amforë obstetrike në fund të oqeanit me ujra lindjesh Ilirike,
ku anija e verbër,
orientohet me Shqiptar;
që është vepra e tij para Zotit...

Përrenjtë e rreshkur të maleve,
janë rrudhat e fëmijërisë sime të tharë.
Vdekja naive ka mbirë dy brigjeve, atje
me rreshta.
Herë, herë shtrihet zjarri mbi ‘të.
 
Kthyer zjarrndarës,
pa e lënë e shkuara të më mposhtë...
... ku moti s’çel borë,
qielli s’fryn frymë të ngrirë mbi kostumin e brendesisë sime
prerë me Shqipëri,
gjasat pa dërguar përshtypje të dërrmuara;

përemri unë, më zmadhohet me foljen kam!
 
 Tiranë, 28 gusht 2006

Zogjtë

Ia kushtoj  nënës sime, Kalije Kote ( Dumi ) ose judeshës Noemi  në 70 vjetorin e lindjes…

Ajo është Arrë. Degët e merakut të hapura si krahë.
Pretë zogjtë e kohës,
këngët e kënduara në zërat e rinj.
Edhe mua... Kthehem nga fluturimet e shëmtuara të ekzistencës,
pa sqep...
Pastaj bëhet qiell mbushur me re malli...
... dhe s’reshtë shiu.

Vjeshtën që shkoi
e rrëzoi stuhia e gjakut.
Ne, lindjet e saja të konvertuarë në pemë,
u turrëm duke u rikthyer përsëri në zogj me shpëtimin sqep.
 
Pastaj qielli ynë u mbush me re trishtimi e çurgoi kimera cicërimash.
Dhe pse katër, nuk ia mbuluam dot qiellin me drurë të vetëtimur,
të trazuar, të nëpërkëngur.

I vumë një pemë të re mbështetëse... si rruga Ypsilon e plazhit të Semanit,
Afërditën
nusen e dashurisë dhe të vëllait tonë.
E ngritëm... pa një degë...
pa një ligjërimë të pyllit...
pa një hije ku prehen dashuritë e kujtimit “ Todi  “ me diejtë e vdekur.

Ishte dikur zogë dhe nëna jonë,
me pemë nënën e saj...

Oh, këngët!
Tremben nga fletët e librave të mi
e, shkojnë e ulen në buzët e vajzave ( zogëzave ),
mësueseve të reja të kulturës së qytetit tim...

kam një mall përgjysëm. S’kam duar.
Ma zbërtheni gojën ta them!

Sheq Marinas, pranverë 2008

... ndoshta kam marrë formën e librit! - 1

E di! Nesër është edhe oronim i asaj që s’vjen
... e sot,
baladë me vargje Dhoqinë
ose Shqipëri  në gjëmë nëne...
që e dua sa qaj...

Më rritën në formë pushke
në duart e atdheut,
të vrisja armiq...
kisha vrarë miq!
Armiqtë s’u dukën më këtej,
ata të largëtit,
... mbiu fara e tyre ndër ne...
Nëna ime i ngjante grasos,
më mbulonte të mos ndryshkesha nga gjaku.
Po kur  vitet antigradë në rrugë me atdheun më lanë,
na pastroi me lotët e nderit e na futi në gjoksin - depo.

Se nëna ime është dhe nëna e Atdheut tim.

Një mijë e nëntëqindë e nëntëdhjetë e shtata, më shiti...
Tani unë s’kam as nënë, as atdhe, as depo!
Nëna vdiq. Atdheu u roit. Depua u shëmb.
Në liqenin ngjyrë mëngjesi të syve të mi,
janë varri, lëvizjet e Brovnit, gërmadhat…

Të uritur më përdor kushdo.
Thonë se vras armiq!...
por... po filloj të shoh me sytë e mi fushë,
se shqiptarët qënkan prerë nga gjuhët cirilike
dhe plumbat e mi “ internacionalë “!...

ndoshta kam marrë formën e librit!

Se m’u kujtua gjaku i shtëpisë sime të Mesjetës...
 s’e mora kurrë ndër vjedhës... s’kisha kohë. Vrisja miq!
Ndaj kam raporte të pakicës, unë
ku sipërfaqet e mia të egra
janë terminale të butësive të arta,
pa gropa, pa qivure, pa harta...

1) Ia kushtoj pedagogut Ermir Xhindi. Kjo poezi është shkruar në provimin e
Letërsisë Bashkohore, lëndë të cilën e jepte ai, ku fola për Pamuk, Ajlende dhe Braun.

Më thërret krisma...

Thonë se kjo që duket, nuk është bota.
Unë them se vetëm kjo që duket është bota,
ajo që tregojnë të mirët...
Maskarenjtë mbajnë fshehur atë që s’duket,
dhe ka gjasa të jet ajo që s’them unë!

Më thërret krisma,
hëna e vrarë e kopështit tim me emër që s’lëviz,
ethet e të nesërmes me qiellin e konceptit të kthjelltë,
rrugët e mendimit pa etapa.
Shkel!... deri në gjunj gjak,
gjak hëne,
thirrjet e shpuara shqiptare...

luftojnë heronjtë;
vrasin njëri tjetrin, këtu.
 
Më ndjehet helmuar karvani komit i gjakut.
Shëroj planete, tani… gjakhelm!
 
Në ca vende të trishta,
jam kurora dhimbjesh çdo ditë.
Kam varret e poezive atje,
atdheun e fjalëve të vrara si hëna kthyer kopësht, tani..
... I vrasin pa gjyq!... Gjyqet qajnë!

Kohë e pa kohë mbjellë dhe lotë, po, atje.
... duke qënë gjallë për ata që më njohin.
Lulet e lotëve i korrin poetët e rinj,
ua dhurojnë udhëheqsve...
ndaj më shtohen varret e kurorave
 
dhe plumbat e heronjve që më çelin vrima zie!
 
 Diivjakë. Në hotelin e pronarit Shpëtim Rrëza. Vjeshtë e dytë, 2007

Metamorfozë 

Ditës që vdes, i dua sytë.

Shqipëria është fytyra ime me mundësi të penetruar çdo herë,
e pikturojnë sytë e nënës.
Brenda meje bëhet muzikë vallzimi me jehona këmbanash,
që ranë në ditët e lavdive të vrasësve.
Qeshje të shthurura rinie
të dënuara në vitin njëmijë e nëndëqindë e shtatëdhjetë e katër.
 “ Cigania me shporta “ e Maks Velos.
Këmba protezë e arrestuar në Ballësh e Hekuran Qazimit.
Kam dritare që s’flet...
pyeteni dritaren për atë me ( mbi ) emër Dashuri!
si ujë...
shkon në çesmën e lodhur të kujtimit të moshuar të qytetit.
... pinë lëng të lëngshmit.
Të mos vdes nga mosparja e shpinës sime
jetoj në livadh, bar...
përjetësisht
duke vënë jetën  diell në qiellin e Shqipërisë të zi.

Të hënën e mbrapsht
lexoj:
Nënë, ëh!
Në muret e jashtëm,
rrinë varur ikona shenjtorësh kthyer nga ngrica të përjetëshme,
ku falen dhimbjet e mia,
me origjinë prapa vdekjes, sime...
Brenda meje...
shoh një merimangë që shthur rrjetën e art,
të çlirohet hija e ndryshkur,
t’i  flas aramaisht një të dashure – 1)...

si Maria Magdalenës Jezu Krishti!

1) - Gjuha që fliste Zoti Krisht

Fier, dita e fundit e prillit 2008

Fitorja 1)

Fitoret e mia,
nuk bienë shtatzana!...

Marr veten,
iki nga vetja, nga hija ime, nga miqtë, nga armiqtë
nga gruaja e jo urrejtjes,
nga djemtë e mi jo të rastësisë.
Nga pemët, pyjet, puset, vajzat, nënat... nga komshiu,
që një gen e një derë në gen na ndan gjumin, zgjimin,
por sa milje largë afrinë!
Tek vjellë atdhe!...
i bindur keq,
e në trajtat e bindjes,
udhëtoj mbi trenin “ mos! “,
me rrota që djeg Europa shinë,
ose  varret e të vdekurve në të kaluarën që s’vdes.
Sëmundje tashmë.
Rrjedhur prej simptomave fizike,
ku vdekja bashkon njerëzit,
dashuria i ndanë.
Marr veten,
ndjenjat,
në cakun e një morfologjie kapërcyelli,
sa herë më duhet të iki nga toka,
për në ujin botëror ose jetën e marinarëve të pa mbytur,
me dhimbje në sy për një humbje plakë sa atdheu im e vjetër.
Mosvëmendje për një dëgjim - gëzimi që më thotë:
“ ke fituar “!
Besoj!
Fitorja, ka zogj tani në kokën time.
Nuk ka tru.
Këndojnë ata,
mjeshtërisht...

Tiranë, verë 2007

Duke ndenjur përpara sjelljes sime...

Gjëja më e pa drejt është kur njeriun e ha jeta!...

Kujtoja se ndiqja jetën prapa! Pa i thirrur...
duke ndenjur përpara sjelljes sime të thyer.
Vonë e kuptova!
Më ndiqte jeta mua,
unë paralelin e këputur nga tërheqjet ç’ njerëzore...
Pasi iu luta dyzetë e tetë vjet, pa rresht,
brenda meje hyri druri i murrizit,
simboli i shpagimit të kardhiqotëve,
portreti i kalbur i Ali Pashës.
Ç’ rrethanë jam,
përshtypja e tregon!...
... Ca poezi që linda dikur,
janë bërë gurë.
Më çajnë kokën... të më rrjedhin mendtë e liga...

Sa herë ndaloj,
bëj vetëkontrollin...
Brenda lirisë sime, jam.
Në krahët e kombit.
Duke i parë fytyrën e shenjt,
bërë pis nga duart, buzët që e puthim, këmbët tona...
Vrapon rrëpira gjysmë ar e vjeshtës mbi mua,
matanë honi i dimrit nxinë,
liria e tjetrit...

Ishte e pa mundur njeri!
Degët më hante brejtësi “ komshi “.
.. janë krahët e mi nata që s’më flet... ose trojet ballkane.
 
Kur era të lexoj prozën e prerjes,
ose poezinë e zjarrit;
do t’i lutem vetes unë murrizi,
një fëmije  t’i lutet,
brenda të hyj...
jetën të më haj,
se mëzet e reja më hanë barin e shpirtit.
 
 Fier, gusht 2006

 

Gjurmë Kristiane

 Mos më bëni varr,
as pllakë, as  kryq prej zjarri.
Trupin  m’a lini kudo
mbi fjalë, mbi vepra prej të  marri...

1
Në Bibliotekën Kombëtare gjeta përqasjen,
të fotokopjuar...
... besa rënkonte e përsëritur dritë nga llampat elektrike, “ Drita e Partisë “.
Atë çast,
Abysi më kujtonte:
“ Po të jesh njeri,
njeri rri edhe tjetri në fundin tënd!...”

“ Ndjesinë “, ma solli pasi e kishte përdorur edhe ajo,
një e përdalë nga Prishtina.
Ia kishin dhënë rastësisht “ Kryetarët “ ose më sakt ” Kryqtarët “,
në Lidhjen e Krimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë,
që kokëron në trajtë Zgjidhje.
Me një “ Drita “ kokë zezë e pendë kuqe,
me një “ Drita “ kokë kuqe e pendë zezë,
gjendur në dorën e djathtë të gjykatës së Tiranës,
dorashkë.
 
Origjinalin, - më tregoi,
- e ke gjithmonë tek këmbët e shtyllave të Aganotetëve,
në Buleterionin e Apollonisë së Ilirisë.
Ku gjelat shqirak të Pojanit nuk këndojnë por bërtasin,
sa herë shikojnë që ta çojnë atje augustët,
pa oktavian;
me rrënojat e dashurive kur nata ngjit malin e tradhëtive;
këmbë gjarpërinjtë helmonjës të urrejtjes,
mëkuar nga ëndrrat e ëmbëla të farisejve…
 
ndaj mbështetem tek muret që lëvizin, unë tani.
2
… bredh me mua mendja ime.
Fle, zgjohet. Ha, pi. Lahet, vishet… bënë seks ( s’bënë shtet, komb )!
E gjatë sa hapi im, asnjëherë sa hija;
formëzohet qytet, avion, shtëpi ku linda, udhëheqës, zhargon…

Plagët e grave do të ketë rrënj, pylli

Vetveten e shoh fund në gojën varr të perëndive që perënditë s’besojnë.
Lakuriq si shpata e zhveshur, i bindur nga krahu i mendjes lashtësi,
çaj mishin e jetës së re dhe krojet e gjakut në gjoks të një gruaje shkojnë.
Këputen kopsat e bashkimit me diellin. Dielli fillon dhe ngroh pafajësi.

E në çast, porosinë e fëmijëve të pa lindur e dëgjojnë djajtë modern.
Tek lëndina që digjet, lotët, duke poshtruar zjarrin e ujrave, medet!
Ka një erë të marrë tek unë. Fryn tek këpucët e mia të shqyera, western.
Çmendina e nxe. Është më e vogël se shpirti im, era që vjen vajze, vetë.

Këmbët e zjarrit prek me duart e mia të ngrira akull nga prushi, atëherë
Rreh lajmërimin një zile gojëmbajtëse. Thinjat e dhimbjes si borë të bien,
Mbulojnë mosdëgjesën, mosparjen. Shtëpi për ne e ndërtuar me pranverë.

Po mbin një pyll në gjoksin tim brinjë mali, me frikën e zjarrit “ femra “!
Do të vijnë zogj, çelur në buzët e fëmijëve. Me këngë, mallin e prindërve.
Plagët e grave do të ketë rrënj, pylli, dhe dhimbjet e burrave pa emra...

Tiranë, mars 2008

Ja, çmenduria tashmë është kockë

Më kushtoni vëmendje ju maskarenj
që blet vëmendje
por mendje, kurrë!…

Rihyra  me dyzetë e shtatë vjetët për krahu në auditor
e vjetët me “ përsëritjen “, “ dëshirën “, “ ambicien “,
personalitetin tim për dore.
Është po aq i gjërë,
po aq me pluhur shkumësi,
po aq me zhurmë,
po aq i pjerrët
dhe po aq me erë djersë... si i rinisë sime, ai.
Veç pedagogët kanë ndryshuar.
Janë më afër të vërtetës,
tre të katërtave,
enigmës
dhe kërkojnë:
Të mbyllësh gojën,
derën,
e hapësh librat...

të falesh tek zoti, jo!

Isha në brigjet e lumit Akeront.
Frikën e lidhur në breg, ma zgjidhi pedagoge Etjona. Vozitte varkën e Karontit.
Karonti kishte ikur,
me pragun e atdheut tim!
Nuk është lumë, - më tha,- as matanë nuk është ferri...
... ku çojmë të ikurit, të lënët, të lajthiturit, të pethiturit,
çakallozët, të goditurit, të dytët, të pitët, të roiturit, të këmbyerët, ollçakët
që në fund të fundit janë vetëm Një,
të çmendurit!
Dhe që nuk duhet t’i dalin dritës në sy
deri sa të vdesin vdekjen e dytë, të tretë, të katërt... të dhjetë.
Pastaj korbat kockë pas kocke ti nxjerrin prej andej
e t’i tregojnë botës:
- Ja, çmenduria tashmë është kockë... jo, komb.

Tiranë, maj 2007

Lirika dashurie

E dija! Sytë kurrë nuk gabojnë,
të shpirtit parëtar…
Jo! Nuk kam frikë nga dashuria,
por ndarjen pse t’kem varr?!...

Ese trishtimi shkruan vjeshta në ditarin e saj,
që në fakt është shpirti im bocet;
udhëkryqi i dashurive të tua
me kryqe, udhët
ku kryqëzuar rri unë!
Penën erë
e ngjyen në zemrën e universit tonë, pa tap,
që ne i themi diell,
ajo i thotë dashuri...
Shkronjave gjethe nëpër fjalë e fjali,
shenja pikësimi fijet e barit u vë,
pikëçuditëse;
drurët që lëkund tradhëtia pa moshë.

Çdo mbarim,
një nuse i gërris esetë
e po në atë shpirt të letruar shkruan me pushin e saj të turpit,
ngjyer me bojë në shishen brënda vetes,
që ajo i thotë zemër e ne i themi fole,
poezi gëzimi,
deri në mistikë... kur,
këto poezi gëzimi ose fole,
i gërrisin dhe rrëzojnë  vajzat e reja...
me lirika vajzërie... me metrika çmendurie
... pa fole!
 
Tiranë, pranverë 2006


Jam harta e gruas sime

Ç’tokës i kap syri diell,
është harta e diellit.
Ç’diellit i kap syri tokë,
është harta e tokës.

Ajo për emër mbajti vetëm një shkronjë, gonxhe
me këngë si e bashkëtingëllores, “ L “ në korin e grafemave shqipe.
Gjashtë, m’i fali mua në buqetën Gral.
“ Meri, tha, - dhe mos i vyshk si fonema që të dha Albana.
Këputur që në klasë të shtatë,
përdorur që në klasë të shtatë,
dhe vyshkur që në klasë të shtatë!...

Herë shkoj me impresionin “ e “ përpara vetes tek fillesa “ L “
dhe emri i shëndrrohet në lule shqiptare “ Leu Jona “.
Herë shkoj me ekspresionin “ o “ përpara vetes tek emri i saj me mbaresë “ a “
dhe emri i shëndrrohet në lule angleze, Love.

Dhe kur shkoj me realizëm prapa vetes tek emri i saj “ L “
emri i shëndrrohet në sintagmë muzikore… e, unë bëhem hartë e saj.

Tiranë, 26 qershor 2007


Murg Kujtimesh

ZHURITJA pa këmbë kalon përnbi qëndismat e tua me vdekjen, kurriz.
Arealja përse nuk e kuptimon klithmën time të përzënë nga ty?
Netët vetpiqen në skarën e ftohtë të hënës tek hanë pyetjet quiz.
Emblemat thyhen dhe pengojnë copat e këmbëve të mia, pa sy.

Tinëzarja foni, buzët e mëngjesit puth, e fshehtaz majat pështyn,
Altitudën mbi gropën e hapur të ndjenjës së deformuar në qelizë.
Gjelbërimi i plakur, stinën e pranverës nga djepi s’e ngre, por e fryn.
Efekti përsëritje mundon flamurin e prirë drejtë nguljes pa shtizë.

Ka si njerëz në funebret e hapave të kompasit që rrathët dot si mbyllin.
Ah, ky si mot, që si djep përkund fëmijën dashuri sa djepi mbetur!
Dhe qan ninullën e rritjes tashmë dhe nënën e vdekur, tinëzisht dhe pyllin.

Ikur në manastirin e Kujtimit të Dhimbjeve për murg kujtimesh...
Mbjellë çdo stinë harresën me emrin tënd dhe dhimbjet shkul,
Jermit i hedh. Pastaj thërras erën, t’i mbuloj me retë e syve, vërshimesh...

Tiranë, prill 2008

Mishi i qytetit të morgut

Përherë në sytë e çdo shqiptari,
kalëron ushtari  i atdheut,
ose vetja e tyre;
me baltë mbi supe e motrën pas shpatullave…
shkonë tek Atdheu… e pret Mëmëdheu…

Dita vdiq.
Qyteti,
vëllait të saj i zhveshën kostumin e zi të Dhoqinës
me baltë Kostandin,
në krevatin e shtatë të morgut
me numrin 365 lidhur në gishtin e tretë të këmbës së djathtë,
që përkon vjeshtë,
me të cilën gardhin e viteve besë kaloi,
është rënë.
Këmbën e majtë s’e ka patur kurrë.
Minjtë,
ose ndërgjegjet e shpresës
që edhe urinë e tyre brejnë,
hipur mbi dy varre në tentativë duke tërhequr sajën,
ku djali i ri
ose tellalli i ri i dy klarinetave një herësh që u bije,
njërës për vaj
e tjetrës për gaz,
ngordhën…

mishi i qytetit të morgut i vrau.

E lini vdekjen në paqe,
pa armiq
dhe kërkoni një kishë pa bibël!
 
Në mesin e gishtrinjve, frymës, pranverës
mikeshat më ven trëndafil,
prej mjegullës së gjykimit, universit të varrit
këputur…
është vajza e dashura e djalit më të vrarë të qytetit.
Vdiq para klarinetës që qeshte
e lindi prapa klarinetës që qante.

Tiranë, vjeshtë 2006


… thuaju shqiptarëve

Në se bajraktarizmi i shqiptarëve do të vdiste,
shqiptarët do të mbetnin vetëm në shtëpinë e trupit të tyre
dhe sa mirë do të ishte!...

Më vrau shtëpia e shpirtit.
Paska qën shtëpi armike shoku im,
tashmë goditësi im!
Sapo u shova në krahët e diellit.
Më mbuloi me fustan të zi.
Ia zhveshi të zezës natë, të zezë.
Pashë dhe atë, atje
pasgoditje ( se goditjen nuk e pash, ishte tinzare )
hëna, yjet i fashonin plagët besë
me rreze argjëndi
e rrugë Kostandini…
 
nuk ankohem kurrë tek të huajët,
shqiptarët janë vetë të huajtë e Shqipërisë.
Zotit të Shqipërisë i lutem ( se mua s’më dëgjojnë,
jam efeb ):
- Thuaju shqiptarëve se do të jenë gjithmonë
muslimanë,
të krishterë,
të gjithçka
por arabë, turqë, grekë, italianë, serbë, rumunë
kurrë!

U thuaj gjithashtu se
“ eja shkojmë për gjah,
vrasim Shqipëri! “
nuk do ta dëgjojnë erërat,
                           meset e ditëve,
                           pushkët e vitit 1999
e hobtarët do të hanë ëndrra
e në udhë - shishet e markës “ gjueti “ do të pinë vrerën,
jo verën…

Fier – Tiranë, dhjetor  2006


Gruaja ime...

Sa herë i qesh  burgosur shpirtit të tyre
me liri, pa mure,
aq herë më vranë me plumba dashurie,
aq herë më bënë arkivole prej eteri,
aq herë më varrosën thellë, në mendje...
pa emër,
pa mbiemër,
pa epitaf,
pa kryq te koka,
mbuluar varri me dhe’ inati!...

burgu i ri më gjente.
Më nxirrte.
Më ngjallte.
Më fuste në veten e tij.
Më vriste...
më varroste pa numër varri, pa parcelë, pa emër vendi...

Ah, jeta ime!
Burgje,
vrasje,
varre...

në qelinë e dashurisë më mbajti vetëm, njëra...
dhe sot jam gjallë!

Vlorë më 17 06 2007, ora 07: 20: 35
në bar “ Dolce Vita “.


Vitet e rinisë

Të vjetrin engjëll po ngre në gjoks tani,
me sy përlotur dhe shikoj nga ju.
o, vite të rinisë, o, malle gjëmimë mbytur
o, re naive të t’ madhit qiell, blu!

Me gozhdët lotë në gji po u mbërthej
e prapë përlotur unë shikoj nga ju,
o, vite të rinisë, dridhërimë e shpirtit t’njom,
memece mbetura atje, spitalit blu!

Habis me kohën, si ikët ju kaq shpejt,
si ëndërr e ëndrrës një herë veç për t’u parë!
Tërë jet’n e jetës pastaj jeta u thërret
e gatëshme ndërrimin ta bëj edhe me varr…

Të fle më lini, gjumin mos m’a trembëni,
zgjimi i plakur ai t’më tund, t’më shkund.
Të zgjohem, çohem e sikur s’qem ndarë
t’u pi, t’u pi si gotë me vrer, me fund!

Edhe të dehem. Të vdes? Jo! Të marrohem.
Vrerin t’ia zbraz plakë – botës mu në gji.
Pastaj shikimin protezë ta thyej mbi vete
që prapë o vite, të mbushem me rini…

Fier, 1991 - 2007

 

KANË THËNË PËR PETRAQ KOTE

... Poezia e Petraq Kotes është e natyrshme. Autori nuk merr poza kur shkruan. Poezia e tij rrjedh me ndryshmërinë e lindjes së një dite të re apo fluturimin e një zogu. Dhe këtu ai është vetvetja, është Uni i zërit të tij që tingëllon harmonishëm me atë të fisit të poetëve, e, njëherësh i veçant. Ajo është poezi tokësore... të impresionon me konkretësinë e imazheve të përjetuara vrullshëm dhe me itensitet. Ai është përherë në kërkim sepse e di që kështu bëhet poezia e bukur... midis hapsirës së pafundme...

Xhevdet Shehu
Poet, përkthyes
Tiranë, 8 prill 2008

... Petraq Kote i përket brezit të poetëve koherent, modern. Ai erdhi pa bujë në letërsinë shiptare, me unin dhe zërin e tij. Dinjiteti, krenaria, antikonformizmi, janë këmbët me të cilat ecën poezia e tij krenare. Realiteti i sert shqiptar, ballkanik është materiali dhe një kohe punishtja ku ai gatuan artin e vetë, me të gjitha ngjyrat brilante të figuracionit. Klasi i lartë i leksikut, i metaforës, derdhur në vargje e vendos atë në çdo hapsirë lexonjëse elitare. Petraq Kote është semantikë e veçantë poetike. E kam thënë edhe më par
... Petraq Kote është poet i klasit të parë. Poet i dhimbjes kombëtare...

Prof. Adriatik Kallulli
Fier, pranverë 2008

…fjala te poezia e P. Kotes edhe gjen vetveten, edhe ripërmasohet. Ajo shpreh vetë dashurinë, shpreh shpresën, shpreh njerëzoren. Ajo ndalet, merr frymë, do që të urrej,
por ofron miqësinë. Fjala e këtij poeti tashmë të profilizuar plotësisht, metaforizohet në çdo kumt e ndjenjë… Poezia e tij të ngroh, të mbush, të shton ngjyrat në përjetimin e të përditshmes…

Prof. as. dr. Valter MEMISHA
Dt. 09. 11. 2007

… në poezi mishërohen ngjarje me frymë aktuale, Mishërohen tipa e karaktere njerëzish të ndërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm, të sinqert dhe të pasinqert, të moralshëm dhe të pamoralshëm. Ndaj këtyre ngjarjeve autori me vargje spontane dhe origjinale, vargje të realizuara me një kompozicion të mrekullueshëm, me gjuhë e mjete poetike të gjetura me inversion të lartë artistik, reagon dhe shpreh revoltën ndaj kontradiktave, duke shpresuar në idealet dhe shpresat e fuqishme drejt triumfit të të drejtës, së arsyeshmes dhe të virtyteve të njerëzve në përgjithësi… poezia e tij reflekton një varg çeshtjesh, fenomenesh, proekupimesh dhe idesh, të cilat janë vendosur në raport të drejtë midis realitetit ekzistues jetësor dhe realitetit të botës artistike…

Dr. Faik SHKODRA
Gazeta “ Epoka e Re “ Prishtinë

… poeti apolloniat Petraq Kote po ngre një Apolloni të re, Apolloninë Letrare Ilirike. Brezat që do të vijnë do t’i jenë më shumë se mirënjohës, atij.

Ylli Xhaferri poet, prozator, publicist
Radio Tirana, e hënë 4 shkurt 2008, ora 20 : 30’ – 21 : 30’.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora