E enjte, 28.03.2024, 04:42 PM (GMT)

Speciale

Jahja Lluka: Rëndësia e Donika Kastriotit

E shtune, 07.04.2018, 07:01 PM


Rëndësia e personalitetit të Donika Kastriotit për arbërit dhe Evropën

Nga Jahja Lluka*

Kur Evropa dhe Vatikani ishin nën hije dhe kur themelet e qytetrimit perëndimor po dridheshin, gjaku i arbërit përveç që mbrojti tokën nanë, dhëshmoi edhe një herë para botës se di ta ruaj qytetërimin e mbi të gjitha njerëzimin, nga sulmet barbare të cilat nuk njihnin ligj tjetër përveç shkatërrimit. Pesë shekuj me rradhë rezistencë dhe luftë kanë bërë shqiptarët që kombi i arbërit të lartësohet në sakrificën e tij. Ka plotë popuj që janë zhdukur pasi nuk kanë mundur t’iu bëjnë ballë luftërave dhe shkatërrimeve, me gjithë mundimin koha dhe rrethanat kanë qenë të pamëshirshme për ta. Por kombi ynë, në tragjeditë e tij nxorri personalitete të mëdha të cilat jo vetëm që i shërbyen atdheut me përulësi dhe nder, por edhe botës duke e përjetësuar emrin e tyre dhe duke fituar respektin dhe admirimin e gjithë botës. E tillë ishte dhe Donika.

Andronika (Donika) Kastrioti ishe vazja më e madhe e princit të shquar Gjergj Arianiti, i cili njihet si një ndër prijësit më të mëdhenj arbëror në luftën kundër pushtimit osman. Gjergj Arianiti, nga dy martesa pati 14 femijë. Ajo u  lind dhe u rrit në Kaninë të  Vlorës. Përndryshe, më shumë njihet me emrin Donika. Si dukeshë që ishte, sipas të dhënave historike, Donika në moshën 23 vjeçare lidhi kurorë me Skënderbeun, më 23 Prill 1451. Skënderbeu ishte 46 vjeç kur u martua. Për këtë dasëm madhështore, e cila zgjati tri ditë (21-23 Prill), janë thurrë legjenda, vargje popullore, fakte historike të cilat janë ruajtur në kujtesën e popullit tonë deri tek pasardhësit.

Thuhet se Skënderbeu mori 500 kalorës për të marrë Donikën për nuse. Nga kënga, vallja dhe hareja gjëmoi kalaja e Kaninës ku u bë shkëmbimi i unazave. Afër Kaninës, në Qishbardhë (Kisha e Bardhë), çifti mori bekimin ungjillor, për të vazhduar më pas në Manastirin e Ardenicës, në afërsi të Lushnjës dhe kalanë e Beratit. Dasma mori jehonë jo vetëm në tokat arbërore, por në Evropë dhe Stamboll. Nga kjo martesë Gjergji dhe Donika patën një djalë, të cilin e pagëzuan me emrin Gjon për nder të të atit.

Vëmendja e gjithë historianëve, artistëve dhe personaliteteve të ndryshme të asaj kohe ka qenë kryesisht e përqëndruar në të bëmat dhe betejat e Skënderbeut kundër osmanëve. Ndaj, mund të themi se një pjesë e jetës private e tij ka mbetur nën hije. Ashtu që për Donikën është e vështirë të hasen dokumente të shumta sepse dihet që qindra  nga to janë zhdukur, qindra  janë dërguar dhe mbajtur fshehur, qoftë në arkivat e Stambollit, qoftë në arkivat e Vatikanit, andaj sot rrallë mund të hasim të dhëna faktike se si ishte jeta  martesore e Skënderbeut dhe Donikës më pas. Por mund të themi se Donika del të jetë një personazh i rrallë ndër femrat e asaj kohe. Si nënë dhe grua fisnike, dhe si princeshë e arbërve, padyshim që gëzoi autoritet dhe admirim në popull, por edhe më gjerë.

Pas vdekjes së Skënderbeut u pamundësuan rrethanat që familja e tij të qëndronte ende përballë pushtimit osman. Toka e arbrit tani vuante pasojat e vdekjes së prijësit sypatrembur ndaj sulltanëve. Më 23 Maj 1468, Donika mbërrijti në Itali dhe u vendos në feudet që mbreti Ferdinand ia kishte dhuruar Skënderbeut. Po në atë vit, më 27 Gusht, ajo niset drejt Napolit dhe vendoset me banim në shtëpinë e juristit të njohur Pietro Cola D’Alessandro, në afërsi të Santa Chiarës. ”Disa vite më vonë pas ardhjes në Napoli të gruas së dytë të Ferdinantit, Giovanna-s, pikërisht më 11 Shtator 1477, në rrethana të panjohura, Donika Kastrioti nisi të shërbente pranë saj, duke luajtur një rol me peshë në oborrin Aragonez”. Këto të dhëna na i sjell Profesori i Universitetit të Salentos, Giancarlo Vallone, i cili në librin e tij “Periudha pas Skënderbeut”, ngre lartë figurën e Donikës si një grua fisnike me tipare të rralla.

Dokumente tjera dëshmojnë se kur në vitin 1496 u rindërtua në Castelnuovo, në rezidencën mbretërore apartamenti i Giovanna-s III-të, zonja Donika kishte një dhomë mbi të, në katin e dytë të krahut perëndimor, si edhe Madona Porfida, që ishte nga dera e Arianitëve dhe kishte lidhje gjaku me të. Duke qenë me prestigj dhe me ndikim të përditshëm në oborr, mbreti tjetër i Napolit, Alfonsi II, i beson zyrtarisht më 20 Tetor 1494 Giovanna-n III, të cilën Donika do të përpiqet ta bindë që të mos e lërë Napolin pas vdekjes së mbretit Ferdinant. Për këto shërbime mbreti i ri i Napolit, Federiko, gjatë një ceremonie në oborr do të përqafohet me: “La mogliere de scannalibecho” (Donikën), dhe do t’i dhurojë asaj feudin e Goglianos më 1 prill të vitit 1498, për shërbimet që ajo kishte bërë në oborr.”

Poashtu gjejmë një tjetër dokument ku shfaqet letra që përfaqësuesi i legatës veneciane në Napoli, Francesco Morosini e shkruan në janar 1501, e cila na njofton për udhëtimin e zonjës Donika në Spanjë, duke shoqëruar tashmë nënën mbretëreshë Giovanna-n e III-të. Në letër gjejmë shënimet e diplomatit venecian i cili thekson se” Giovanna IV ka qëndruar në Napoli, është e veja e mbretit Ferrandino, është e ndershme dhe e kujdesshme; me të është Andronika (Donika), e veja e Skënderbeut, mike e ngushtë e Venecias.”

Sipas dokumenteve, më 1501 Donika mbërrin në Spanjë dhe në atë kohë ajo mushte 73 vjeç, gjë që ishte e pamundur të kthehet në Napoli. “Ajo duhet të ketë vdekur sipas autorit në harkun kohor midis marsit të vitit 1505 dhe Shtatorit 1506. Ky fakt dëshmohet nga testamenti i Giovanna-s së III, në të cilin pohohet se Andronika është varrosur në kishën e Trinisë së Shenjtë në Valencia të Spanjës. Këtë fakt autori e vërteton edhe nga një burim tjetër. Fjala është për një dëshmi që del në pah nga libri i autorit G. A. Summote, i titulluar në italisht “Del Istoria della citta e Regno di Napoli IV”, botuar në Napoli në vitin 1675, ku në faqen 17 të tij pohohet se gruaja e Skënderbeut ishte varrosur në kishën e Trinisë së Shenjtë në Valencia në vitin 1506”. Duke parë rëndësinë e figuës madhore të Donikës është mirë që institucionet shqiptare të marrin iniciativë për rikthimin e eshtarve të saj që të prehen në tokat arbërore.

(*Autori i këtij shkrimi është Këshilltar i Kryeministrit Haradinaj)



(Vota: 7 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora