E premte, 29.03.2024, 01:33 AM (GMT)

Kulturë

Nebi Dragoti: Nesër më bukur do këndojnë poetët

E shtune, 07.04.2018, 06:33 PM


NEBI DRAGOTI

 

NESËR MË BUKUR DO KËNDOJNË POETËT

 

DARDANI*

 

Tokë dhe qiell Dardanie

mbjellur me yje dëshmorësh prush,

njomur me gjak sacrifice.

 

Thellë, thellë

me rrënjë, me degë, me trung

lidhur mish e thua

bërë grusht

pjesë shkëmbi solid Shqipërie.

 

E ke emrin Dardani,

por… ti Dardani,

je Shqipëri!

*Shënim: Dardani emer ilirian. Rusët, për qëllimet e tyre i vunë emrin sllav Kosovë.

 

 

NESËR MË BUKUR DO KËNDOJNË POETËT

 

Poeti burimin e kohës kurrë s’e shteron…

…Ç’ duhej thënë për kohën s’është thënë,

se të pafundmet burime ka çdo kohë,

burimi i poetëve , jo, kurrë s’ mbaron…

 

Shekulli i Migjenit me rrjedhën e vet:

plagë e gjak, varfëri kohë e migjenit;

të gjitha dyzet e shtatë kilshi në peshë,

nuk i këndoi hallet e fshatit e qytetit…

 

Sado gjatë të jetojë poeti në moshë

i ngelen shumë, shumë për të shkruar.

E tejngopur, përplot, me derte ajo kohë,

la shumë, shumë këngë la pa kënduar.

 

Do të bënte akoma më tepër Dritëro Agolli,

vetë e shprehu mendimin në epitaf:

Luftoi e luftoi me vdekjen madhështori,

por nga dora i rrëmbyen penën , s’e lanë…

 

Poeti burimin e kohës kurrë s’e mbaron,

ç’është për t’u thënë, të gjitha nuk i thotë,

se edhe bilbili, që mbi trëndafil këndon,

do  ta mbarojë këngën, por e ka të kotë…

 

Jo, jo, si dje Bota nuk është sot;

si sot, jo, Bota nesër nuk do të jetë…

Mbushur plot burime frymëzimi kjo Botë,

saqë nesër më bukur do këndoj çdo poet.

 

 

KA DALË BAJLOZI

 

Ooo, ka dalë Bajlozi nga deti!

Bukur Gjergj Elez Alia me topuz

i doli për zot këtij mileti

e reptilit ia çau kokën me ushtë.

 

Bajlozi i zi për njeriun qe tmerr,

por njerëzimi lind Gjergj Elez Alia..

Div të tillë mitollogjik, figurë me vlerë,

ah, ah me shumicë të kishte politika!

 

E, s’po e di kush është Bajloz sot,

kultivues të kanabisit, djalli Bajloz,

që kërkon shfarosje jete në këtë Botë

dhe Botën ta përmbysi kokë poshtë…

 

Koha është të lindin Gjergj Elez Alia,

Botës mbarë ta shpëtojnë njerëzimin;

vigjilent e me topuz në dorë shoqëria

thellë me thonjë t’i bëjë varrimin.

 

 

REALITET DIMRI

 

Hej, ky peizazh bore

nesër nuk do të jetë më,

as fluturat e saja lodertare

parashuta të vogëlza qiellore.

 

Shih, qielli krejt

formatuar me lulka të bardha

a me fustan nusërie

shkundet dhe qesh.

 

Do të jenë shkrirë

në sytë fytyrë qeshur të fëmijëve

skuqur nga gëzimi.

Po, po këtu operon dielli

pa asnjë iluzion mendimi.

 

Ja, ky shtrat i butë qefini,

ja , dorë e kujdesshme pastrami

vret mushkonja , parazitë,

ç’ të keqe ka toka.

Ja, këtë punë me vlerë

e bën dimri.

 

 

DYZET SARANDA

 

Dyzet vajza nisen për në Sarandë,

o, bukuroshet zana ç’ emër që kanë.

Zbresin këto dardane, fis ilirian

për vizitë bregdetit kaltërosh shqiptar.

 

Gurgullon gjak Dardanie e gjak Shqipërie

tek pëllumbeshat me emrin Sarandë.

Hej, hej, shih, ç’ lidhje të thellë historie

e rrënjë të thella ka fisi ynë ilirian!

 

Shekujsh, jo, nuk thahen këto rrënjë,

këto emra femrash: dyzet Saranda,

dallandyshe pranvere kompozuar këngë

qiellit këngë shqiponjash plot flatra.

 

 

POPULL

 

…Praktiko, o popull,

praktiko:

zgjedhje për zgjidhje…

 

Ke marrë zhgënjime,

ke kohë:

ke bërë

ZGJEDHJE PA ZGJIDHJE…

 

Zgjuarsi,

taktikë,

kurs

ndrysho!

Tregohu më i mençur,

se zuskat, partitë politike…

 

Popull martir, për ty,

lart, vargjet i ngrej këmbanë

në token e pasur dhe të bukur,

në qiellin paqësor shqiptar.

 

 

“VLERËSIM  LEXUESI”

(Në facebook)

 

Lexojmë vjershë

siç lexojmë fjalë tek e tek:

(fjalë varg e strofë pa kuptim)

dhe, ama, nuk prishim qejf…

 

-E kemi të njohur zemre:

ferrës i themi trëndafil;

nuk e kemi të njohur

i shkoftë krijimi në skëterrë!

Këtu trëndafilit i themi ferrë…

 

Në qiell vjershën e mikut,

në qiell e bejnë brilant…

Në realitet, faktikisht

mbetet:

…mjerë, mjerë

krijimi brekë grisur në ferrë!

 

Dhe…krijimi trëndafil i vërtetë

kënaq gjithsecilin

sot dhe nesër

me bukuri dhe me erë.

 

 

KËSHILLË POEZIE

 

Çfarë bën , poet?

Ma ke ngushtuar rrugën,

gjoksin dhe frymëmarrjen;

ma ke shkurtuar shikimin,

ma ke zënë diellin, idealin,

ma ke zvogëluar hapin, ritmin! (…)

Poet, çfarë bën?

 

Dëgjomë, poet:

…gjoksin ma zmadho,

shikimin ma zgjat,

ma rrit hapin, ritmin,

frymë thellësisht të marr,

azmatik e miop nuk jam.

(Jam për lexuesin aleat)…

 

 

BËMË, POET, ME ART!

 

PROFKAXHINJTË

Rreth nesh ka profkaxhinj

që nxjerrin nga nofullat profka,

zhurmues zhurmojnë si mullinj

me mendimet e tyre krejt të kota.

 

Profkaxhinjtë mund të jenë deputet,

ka gabimisht të zgjedhur profkaxhinj

që mburren me profka se do ulin retë,

por…vetëm të mbulojnë çdo krim…

 

Sot profkaxhinj ka ca poetucë,

sot ka dhe ca kritikë profkaxhinj

që me vepra profkash bëjnë zhurmë,

fare bylmez, thjesht, “kalemxhinj”…

 

Si profkat e tyre janë të lehtë,

janë si profka fshikate në zabel;

lëshojnë erë si pordha në brek,

me kokën lart, veç goja u pjerdhë.

 

Vajmedet sikur të hipin në detyrë,

përpjet i ngrejnë profkat mullar;

janë pa vlerë si buburrecët në pyll,

janë pa vlerë si bretkocat në moçal.

 

 

AUTOPSI XHEPASH

 

Kredhur jam plotësisht

në kategorinë e poetëve të varfër,

e, veç krijimtarinë e kam të pasur

ta dini këtë, ta dini,

ju, lexues të mirë, të dashur.

 

Se ç’ dreq m’i ka mallkuar xhepat?! (…),

Xhepat m’i ka marrë lumi…

xhepat, xhepat, xhepat,

ç’ dreq agjentësh

m’i ka sulmuar,

sa janë shkundur,

sa janë grisur,

sa janë tundur,

sa nuk kanë as pluhur…

 

Nuk kam të pi një kafe me shokë,

me miq e mikesha të vete në Bar lulishte,

kam harruar e ti që më ke mallkuar

i mallkuar qofsh!...

 

Gjithandej situatë e vështië.

Gjendja sociale kritike gjithandej.

Shtetarë zyrash të korruptuar

i bëjnë sytë xixa

tek xhepat e mi të shpuar,

xhepat e mi të mallkuar,

xhepat e mi, xhepa pensionisti…

 

Eh, kjo kohë,

ka e ç’ nuk ka:

burokracia më ha mua, ty,

burokracia shtetin ha!

 

Kur vdiq Serembja i varfër,

në xhep i gjetën cirong të tharë,

të nxirë

dhe asnjë kacidhë…

 

Ç’ është kjo?!

Ka poetë të nderuar,

që, për veprat e tyre

si “lëngaraq”

shtrijnë duart e fjalës si lypsarë,

lypin pare

për t’i botuar.

Kjo si spjegohet?!

 

Autopsi xhepash:

xhepat bosh

e i pashpresë,

nuk pres

t’i mbush e të bëhem i kamur.

 

Kredhur jam plotësisht

në kategorinë

e poetëve të skamur.

2018.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora