E marte, 16.04.2024, 08:39 PM (GMT+1)

Kulturë

Sarë Gjergji: Rëndësia e manifestimit shkencor e multikultural ''Takimet e Don Mikelit'' - Stubëll

E shtune, 13.09.2008, 04:16 PM


Sarë Gjergji
RËNDËSIA E MANIFESTIMIT SHKENCOR E MULTIKULTUROR “TAKIMET E DON MIKELIT” – STUBËLL

 

Nga Sarë GJERGJI

 

Kishte shumë arsye për organizimin dhe mbajtjen e një manifestimi shkencor e multikulturor, i cili do prekte anë e aspekte të ndryshme të fushave të shumta të shkencës, artit, letërsisë, shkollës-arsimit, kulturës, por edhe të politikës e të vetë jetës në Kosovë.

Me rrënimin e autonomisë së Kosovës, në vitin 1989, pushteti serb jep sinjalin më bindës për vendosmërinë e tij për zhbërjen e Kosovës. Dhe rrënimi i autonomisë nuk nënkuptonte vetëm privimin a zhveshjen e shqiptarëve nga pushteti, por ajo prekte të gjitha institucionet, shtrihej në të gjitha segmentet e jetës shoqërore, duke përfshirë këtu edhe arsimin, shëndetësinë, kulturën… Të zhveshur kështu deri në palcë, njeriu sikur humb kuptimin e të jetuarit, humb dinjitetin e tij.

 

Manifestimin “Takimet e don Mikelit”, është vështirë ta quash vetëm manifestim shkencor e multikulturor. Është më shumë se kaq, po patëm parasysh gjithë botën që manifestonte dhe mesazhin që transmetonte: është një sistem i tërë i një filozofie të re i injorimit të pushtetit të pushtuesit, i vetëdijesimit dhe i bashkimit të popullit dhe mbrojtjes përmes formave më demokratike e më të avancuara, është një sistem vlerash që sforconte ndjenjën dhe përkushtimin për kulturën, shkollën, arsimin.

E ngritur kështu në shkallën e një sistemi, ky manifestim mbledh njerëz të shtresave, kategorive e profesioneve më të ndryshme dhe nga të gjitha trevat shqiptare, si: Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e Kosova Lindore.

Për më se një dekadë  ky manifestim  ka qenë për njeriun tonë, shprehje e dijes, e moralit, e urtësisë, e kujtesës kombëtare, ka qenë arkivi, kronika e historia e jetës së tij, mesazhi i qartë për vendosmërinë dhe synimet tona, ka qenë vetë shpirti ynë. Ndonëse nën kërcënim të tanksave të pushtuesit dhe përkundër shumë arrestimeve të organizatorëve të këtij manifestimi (më 1990), ky manifestim nuk druhej e as që tërhiqej përpara kësaj makinerie. Për më tepër, manifestimi jepte përgjigje të qartë përballë problemeve politike, sociale e historike dhe si rrjedhim pati bashkimin e shqiptarëve rreth një kauze drejt realizimit të synimeve tona dhe, mirë e mirë propagandonte e trasonte  rrugën e drejtë që duhej të bënte Kosova. Shih për këtë, manifestimi, si të thuash, 

Don Mikel Mësues Tarabulluzi
konceptonte jetën në kundërshtim të plotë me shoqërinë zyrtare, pushtetin e pushtuesin serb. I gjendur kështu, në pozitën e opozitës, manifestimi “Takimet e don Mikelit”, polemizonte në mënyrë të shkëlqyeshme, përmes artit, kulturës e shkencës me klasën pushtuese duke sinjalizuar njëkohësisht edhe dritën në fund të tunelit. Dhe jo vetëm kaq. Manifestimi mbante një qëndrim aktiv e shumë kritik ndaj realitetit dhe asaj  që kishte ndodhur, është prezent në zhvillimin e ngjarjeve dhe, duke vepruar si një organizëm i gjallë, ky manifestim u kthye në një institucion organizues të psikikës kosovare.

Akademia shkencore, ku trajtoheshin tema të ndryshme historike, filozofike, etnografike, sociale, letrare, politike e çka jo tjetër, arti poetik, figurativ e skenik, kënga dhe mesha e shenjtë ishin vlerësimi dhe shqyrtimi më i lartë i realitetit të kohës dhe i gjendjes së përgjithshme në Kosovë, një kronikë e llojit të vet, një protokol i vetë popullit, një laborator, në të cilin  zienin revolta e papërmbajtur e synimi për të ardhmen…(Të përkujtojmë këtu se pikërisht në këtë manifestim, më 1990, publikisht u këndua për Kosovën Republikë, ose thënë më mirë, ajo u promovua  para masës së gjerë,  edhe pse, siç thamë më lart, pjesëmarrësit e manifestimit ishin të rrethuar nga makineria policore e ushtarake serbe).

‘’Takimet e don Mikelit’’ me gjithë dinamikën e saj brenda kohës dhe hapësirës, duke ligjëruar identitetin kombëtar (edhe në raport me të tjerët),  do të dëshmojë se forca e kulturës është e pakontestueshme, e pathyeshme, që nuk njeh kthim prapa. Këto takime edhe pas luftës sonë çlirimtare, vazhdojnë të provojnë nevojën e funksionimit dhe forcën e shkencës, artit, kulturës, politikës parimore, të dijes në përgjithësi për efektin që ushtron në natyrën dhe edukimin e qenies sonë.

Muzeu kombëtar - Shkolla e Parë Shqipe në Kosovë (1584-1905)
Të mos harrojmë se në këtë manifestim mori pjesë elita e shkencës, artit dhe e kulturës nga hapësira mbarëshqiptare, duke krijuar në njëfarë forme edhe një model të ri të një konkurence të heshtur në fushë të dijes. Vetë fakti se  kemi një numër të madh ligjëruesish për fusha të ndryshme të shkencës (në akademinë shkencore), një numër shumë të madh të krijuesve, poetëve (në Orën e Madhe Letrare), shumë artistë të tjerë të artit pamor e skenik është një dëshmi e mjaftueshme se ku qëndron niveli i këtij manifestimi dhe ku konsiston rëndësia e tij. Të shtojmë se, Këshilli Organizativ i këtij manifestimi, përmes çmimit “Agim Ramadani”, që ndan për poezinë më të mirë, një çmim ky pa konkurencë në Kosovë, ka ndikuar që krijuesit të jenë më të kujdesshëm në krijimet e tyre të reja; në manifestim merren ne shqyrtim vetëm poezitë e pabotuara. Këtij çmimi, viteve të fundit i është shtuar edhe çmimi “Akil Koci”.

Një tregues tjetër i seriozitetit të këtij manifestimi është edhe botimi i Buletinit të Takimeve të don Mikelit., pa harruar këtu edhe publicitetin që i japin masmediat e shkruara dhe ato elektronike, këto të fundit edhe me programe dokumentare mbi manifestimin.

 

(Ky shkrim publikohet në prag të manifestimit të sivjetmë, që do mbahet me 27 shtator, me fillim në orën 09:00)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora