Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ukaj: T’i nënshtrohesh politikës totalitariste të Erdoganit

| E hene, 02.04.2018, 11:29 AM |


T’i nënshtrohesh politikës totalitariste të Erdoganit

Nga Ndue Ukaj

T’i nënshtrohesh politikës totalitariste të Erdoganit, dhe, në të njëjtën kohë, t'i aspirosh vlerat perëndimore, ku dinjiteti i personit dhe të drejtat e tij, vlejnë më shumë se çdo gjë, kjo është më shumë se hipokrizi. Kjo është poshtërsi.

Ne, ka kohë që kemi menduar se po e mashtrojmë botën e lirë, me veprime tinzare, por e kemi mashtruar vetveten, ashtu siç jemi mashtruar shpeshherë edhe në të kaluarën.

Me këto veprime, me vetëdije po ikim nga Europa, dhe nga parimet themelore mbi të cilat funksionon ajo.

Ka vite, prej kur një pjesë e rëndësishme e politikës së Kosovë, paturpësisht, i është nënshtruar mendësisë totalitariste të Erdoganit, duke bërë veprime të marra, dhe në dëm të çështjes shqiptare.

Mos të harrojmë, shqiptarët e moçëm, Stambollit e sulltanit, nuk i janë dorëzuar as në kohë shumë të liga, kur janë dhunuar, vrarë e djegur, kur nuk kanë pasë asnjë të drejtë, por kanë gjetë forma për të rezistuar dhe kundërshtuar.

Turqia e Erdoganit, pas njohjes së pavarësisë së Kosovës, u ka kërkuar shqiptarëve në vazhdimësi ta përbuzin vetveten, historinë dhe kulturën e tyre. Me deklarata dhe veprime.

Sot, po kjo Turqi, kërkon nga ne, të heqim dorë nga parimet universale të demokracisë; nga vlerat dhe idealet e lirisë, sepse, na trajton si mbetje osmane.

Sot, sulltan Erdogani, i dha goditje të rëndë të ardhmes sonë, sidomos aspiratave për t’iu bashkuar popujve të përparuar dhe të lirë të perëndimit.

Në të njëjtën kohë, kjo formë e poshtërimit, na ka bërë palaço në sytë e botës.

Duke menduar se po e mashtrojmë perëndimin, ne e mashtrojmë vetveten.

Sot, duhet të gjitha atyre që bëjnë këso avantura duhet t’u themi troç: të kota janë çirrjet për Europë dhe për vlera perëndimore. Sepse, veprimet e juaja janë krejtësisht joperëndimore.

Kjo është neveritëse.

Shqiptarët duhet të zgjohen nga kjo ëndërr e makthshme që vjen Tabir Saraji.