E enjte, 25.04.2024, 12:11 PM (GMT+1)

Mendime

Fran Kamshi: Mbulimi i krizës me gjethet e 'reformave'

E diele, 01.04.2018, 09:46 AM


Mbulimi i krizës lakuriqe me gjethet e“reformave”…

Nga Fran Kamshi

Shkodra ka disa javë që është kthyer në një “varkë Noeje” për shkak të shirave që kanë rënë për një kohë të gjatë dhe askush nuk e than dot kryeqendrën e veriut shqiptar, të zhytur në ujë, kaos dhe varfëri ekstreme. Shkodra mbytet, qeveria krihet me krehërin e Narcistit.

Taksat, tatimet, shpronësimet në emër të interesit publik, që nënkupton interesin e oligarkëve, janë pjesë vertikale të një krize të rëndë, që po i rjep përditë shqiptarët dhe po ua bën të pamundur jetën.

Në pikën e kalimit drejt Kosovës, në Rrugën e Kombit, nga banorët e Kukësit dhe të Kosovës u krye një demonstarët e furishme, ku mbetën të plagosur mjaft policë dhe demonstrues, që protestuan për të kërkuar pezullimin e taksës së kësaj rruge nacionale me rëndësi gjithëkombëtare, asksih nuk e vë ujin në zjarr as për përmbytjen eShjkdorës, as për rjepjen e qytetarëve me taksa e tatime të shuëmfishta, as për humbjet e jetëve njerëzore.

Bilancet e humbjes së jetës njerëzore nga mosveprimi, apatia, neglizhenca dhe etja për fitime e atyre që kanë në dorë çelsat e institucioneve tona po bëhen gjithnjë e më të rënda në këtë vend të një mijë e një halleve. Edhe në luftë të kishim qënë, nuk do të vinin kaq lajme tragjike e të trishta, kaq informata për humbje njerëzore dhe materiale. Kjo është ana e dukshme (e padukshmja është e sofistikuar) e një krize të thellë, gjithëplanëshe dhe shkatërruese për shqiptarët dhe Shqipërinë, krizë shpirtërore dhe identiteti ekzistencial, për të gjithë ata që duan të jetojnë me mundin dhe djersën e tyre.

Ajo që është prezente dhe vrastare sot, është padrejtësia, që shumicën popullore e ka lënë në mes të një rruge të pashpresë, të zhytur në krizë që prej shumë vitesh dhe nën efektet e saj. Vetëm (pu)shteti nuk don t’a shoh e t’a ndjejë këtë realitet të trishtë, madje ka shumë “të drejtë” për këtë, sepse për vete e ka gjetur zgjidhjen: Sa herë i duhen para, nxjerr në shitje pasurinë e shqiptarëve, sa herë ndjehet e pasigurt, fal dhe dorovit gjithë ata që kanë magjinë e fshehjes së këtij realiteti të zymtë, si dhe rrit referencat doganore dhe taksat deri në sajimin e tyre, shton tarifa të reja e të tjera mekanizma, që ngjajnë me duart e hajdutit në xhepat e qytetarit.

“Ekonomia jonë” do ta ndjente rënien e saj, apo krizën siç jemi mësuar të thuhet, kur të zvogëloheshin importet, të cilat janë burimi që mbush buxhetin e shtetit dhe kur populli të kundërshtonte pagesën e shumë taksave (që janë vetëm oreks i qeverisë), dhe që në të shumtën e rasteve, janë të padukshme, falë modelit të “dorës së fshehtë” të Adam Smithit. Prej këtij deformimi të ekonomisë dhe tregut, si dhe për mungesë të një zëri të organizuar qytetar, krijohet iluzioni se vendi ynë nuk ka krizë, duke i lënë mundësi e shans kryeministrit dhe shpurës qeveritare, të mburren. Realisht, qeveria nuk ka se si të ndjejë krizë ekonomike, përderisa ushqehet prej buxhetit, i cili nuk shter asnjëherë, përsa kohë ka popull që konsumon prej importeve, prej doganave të tyre, që padyshim i paguan konsumatori dhe me çmime gjithnjë në rritje.

Pra, kriza është sociale, është vuajtja e popullit nën këtë trysni “reformash”, por dhe kjo nuk do të ndjehet për sa kohë populli i thotë peqe – lepe qeverisë, që padyshim është kundër tij dhe shet e grabit pa fre’ pronën e shqiptarëve.

Të gjitha plagët e kësaj shoqërie, që aktualisht ka mbetur jashtë ndërmarrjeve dhe njësive të prodhimit, në papunësi dhe e zhveshur nga prona, bien në kurrizin e njerëzve hallexhinj, si një barrë e rëndë, kryesisht për shtresat e paprivilegjuara të shoqërisë. Ndërsa ata që janë mercenarë e shtetaxhinj (lekaxhinj) të këtij regjimi, nuk shohin më larg se sa brenda oborreve ku kullosin dhe shtojnë përfitimet e pasuritë e tyre. Ata që kryesojnë dhe që na janë shfaqur si çudibërës prej listave me besnikë e servilë të padronëve të politikës (Rama, Meta e Basha), flenë për vite me radhë në naivitetin e tyre dhe mbeten sylidhur përballë të papriturave dhe problemeve në rritje të shoqërisë shqiptare. Ka edhe dallkaukë prej tyre; dhe të tjerë në zinxhirin e llojit të tyre, që njohin vetëm emrat e lokaleve luksoze dhe llojet e verërave, duke u dalluar si mishëngrënës të përditshëm. Të tjerë, madje “profesorë” e “shkencëtarë” mbeten gjithnjë në sipërfaqe të dukurive politike dhe ekonomiko - financiare, duke u kthyer thjeshtë në shërbëtorë primitivë të kapitalit të huaj e vendas.

Dhe atyre, nuk ka se si t’u shkojë në mendje, njohja e natyrës së vërtetë të këtij pushtimi modern dhe të konsultohen me mençurinë popullore, për të gjetur rrugët dhe format më efikase të humbura tashmë!! A thua, se nuk e dinë (realisht shohin vetëm xhepin e tyre), se një grusht njerëzish, një pakicë me fuqi politike dhe ekonomike e kanë “privatizuar”edhe paranë, duke e përdorur këtë instrument themelor të tregut, për arritjen e fitimeve maksimale si në planin global, edhe në planin e brendshëm?!

Sot, është në natyrën bashkëkohore të krizës, krijimi dhe sajimi i reçensioneve financiare, si një instrument i pakicës (sa herë asaj i duhet, për të shtuar pasuritë dhe fitimet), duke u shoqëruar me “aksesorë” politikë, mediatikë e publicitarë, që kultivojnë frikën dhe pasigurinë tek publiku i gjërë. Në krye të kësaj grabitjeje me emrin krizë (dhe që në fakt është krizë sociale, krizë popullore) janë oligarkitë financiare, janë bankat e bankierët. Këto kanë vite që mbledhin pasuri e konfiskojnë kapitale të patundshme, përkundrejt kredive – gracka që japin, të shoqëruara me kriza të prodhuara po prej tyre.

Edhe brenda vendit, qytetarët humbasin shtëpitë dhe garancitë disafish më të mëdha se kreditë e marra, për shkak të krizës që i ka nxjerrë në rrugë, apo ngecjes së të ardhurave të pritshme.Ky devijim i bankave nga qëllimi klasik, si investitore dhe zhvilluese të rajoneve, nuk është i rastësishëm, por është rruga më e lehtë që rrit kapitalet dhe përfitimet e oligarkive financiare. Kjo makineri e stërmadhe, e shtrirë në çdo rrugicë e lagje, që grabit me anë të butonave dhe gishtave që godasin pareshtur tastierat e kompiuterave, gllabëron pa pushim e pa limit popuj e territore dhe ka tendencën e zgjerimeve dhe të bashkimeve nën sigla e flamuj globalë.

Pra, globalizmi është si dikur internacionalizmi, por me qëllime dhe raporte krejtësisht të përmbysura e kokëposhtë, në dëm të interesave popullore.Evropa zgjerohet, sepse duhet të shkarkojë valvulën e krizës tek popujt e tjerë të varfër e të vegjël, për t’u bashkuar më tej edhe jashtë kufijve të saj, ndërsa politikanët tanë ulërasin për të shkuar për atje, vetëm se janë mashtrues e manipulatorë, vetëm se duan pushtet e pasuri.

Pra, kjo është loja e pakicës supermiliardere për t’u bashkuar e fuqizuar në kurriz të popujve dhe jo integrimi apo komunikimi; e leverdia reciproke e popujve, siç pretendonte internacionalja komuniste.Kjo tashmë, është bërë e qartë dhe e dukshme, në politikat financiare që ndiqen, prej Bankës Qëndrore Europiane, që në koherencë të plotë me krerët bossa të shteteve të fuqishme, kanë rënë dakord se “rruga e vetme që të dalim jashtë kësaj krize është të kemi më shumë europë”.

Kjo do të thotë, që sovraniteti të transferohet në kancelaritë e financave botërore, si një mekanizëm super kombëtar, ku popujt dalin jashtë loje dhe sovraniteti i tyre mbetet fallso e tallës.Prandaj kudo në botë, kundërshtohet globalizmi dhe lindin mekanizma mbrojtës për ekonomitë, financat e qytetarëve dhe interesat e shteteve të tyre, ndërsa Shqipëria e shqiptarët mbeten të manipuluar.

Shqiptarëve, kur u kërkohet vota, u thuhet se politika dhe gjithë lukunia e tyre do të bëhen copë e thërrime për interes të integrimit dhe futjes në familjen europiane, ndërsa ngecjet dhe dështimet e njëpasnjëshme këtu, justifikohen me krizën dhe situatën e keqe kudo në botë!! Atëhere, gjithçka është e kuptueshme dhe mashtrimi është i dukshëm!Në këtë mënyrë nuk ka nevojë të lëvizin kufinjtë, nuk ka nevojë të ndryshojë hapësira gjeografike, por lihen në liri të plotë kapitali, mallrat dhe shërbimet, që fitimet e korporatave të jenë në nivele të kënaqshëm për ata që pronësojnë burimet kryesore të kombeve (mjetet e prodhimit; resurset; dhe bankat), ndërsa puna jo vetëm liri nuk ka, por mbetet e “burgosur” dhe shkon aq larg sa mbetet një ëndërr e humbur. Shqipëria, përse nuk u dashka të dyshojë dhe të mendojë me dyshim, përballë politikave të tilla ekspansioniste?!...

Pikërisht, dyshime të tilla janë pjesë e demokracisë dhe kërkojnë të funksionojë ajo me të gjithë elementët e saj, me të gjitha instrumentet mbrojtës, që populli duhet të ketë dhe me emergjencë, duhet të krijojë. T’i ketë dhe t’i krijojë, si instrumenta kundërshtues të këtij realiteti, si një domosdoshmëri që lind nga nevoja për mbijetesë dhe, jo prej kërpudhave që kultivon borgjezia me aristokracinë e vet, por si “antitrupa”që vetë shoqëria duhet të prodhojë në të tilla situata.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora