Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vangjush Saro: Kthim apo krim në identitet(?!)

| E diele, 01.04.2018, 09:50 AM |


Kthim apo krim në identitet (?!)

Nga Vangjush Saro

Ky term kaq posesiv e shpresëdhënës (Kthim në identitet) është përdorur përpara disa vitesh edhe nga kryeministri aktual i këtij vendi, kur ai, i sapokthyer nga Franca, ku ishte emigrant, u thirr të drejtonte Ministrinë e Kulturës dhe më pas Bashkinë e kryeqytetit. Ishte fjala që Tirana të mos bëhej pre e orekseve të ndërtuesve e politikanëve dritëshkurtër; ishte fjala që kryeqyteti, ashtu si shumica e kryeqyteteve dhe qyteteve të njohur në vende të tjera të Evropës, të mos bëhej beton; në një rreze të caktuar, ai, kryeqyteti, të mbante një pamje që të fliste për identitetin e tij, pa ndërtime të larta, pa objeksione që do t’ia rrëmbenin çdo vlerë e kujtim e bukuri të të qenit një qytet i jetueshëm dhe i bukur; me një histori të vetën.

Është e tepërt të rikthehem në episode që i kam cekur edhe herë tjetër, por që i kanë trajtuar gjithashtu, mbase edhe më mirë, shumë kolegë, pavarësisht kahjes së tyre, pavarësisht edhe përfshirjes në klane a interesa politike dhe ekonomike. Mirëpo këta të pahir, domethënë politikanët e çdo krahu e race, i shkelën me këmbë dhe me prapanica këto premtime e këto modele qytetarie, duke e betonizuar kryeqytetin, si edhe qytetet kryesore e mandej bregdetin, në atë farë feje, që tani vetëm për identitet nuk mund të flasim. Po atëherë për çfarë mund të flasim? Për krim, pse jo. Për krim(e) në identitet. Nuk mund të thuhet ndryshe. Nga pikëpamja ekonomike, edhe pse qarkulluan lloj-lloj parash, edhe pse ofruan argumente për “zhvillim”, ata krijuan precedentin e antiekonomisë, si dhe atë të thyerjes së ligjeve e të premtimeve; dhe kjo është më e rëndë se vetë betoni i pafund që derdhet në atë qytet. Nga pikëpamja ekologjike, sociale, e shndërruan kryeqytetin në një fjetinë gjigande të pajetueshme - në mos gaboj, ky është përcaktim i F. Lubonjës - ndërkohë që vetë ata dhe familjet e tyre, si edhe pasunarët e tjerë, zunë kodrat dhe rrëzën e Dajtit, ku gjithsesi, ka ende ajër… (“Liria ka patur gjithmonë si kufi, lirinë e të tjerëve.” A. Kamy)

Kohët e fundit, është bërë njëlloj simboli në këtë temë Teatri Kombëtar. Unë mendoj se duhet të jemi tolerantë dhe të gjerë kur diskutojmë e flasim për punë e njerëz. Duhet të vlerësojmë çdo përpjekje dhe çdo arritje, pavarësisht bindjeve. Kështu. Ja po e pranojmë se godina aktuale e Teatrit Kombëtar nuk është më e mira, në fasadë dhe në brendi, pasiqë ajo (si dhe godina në krah të saj)  nuk janë nisur për teatër, por janë ndërtuar si qendra dëfrimi në kohën e pushtimit italian të vendit. Edhe si e tillë, ndoshta duhet të ribëhet dhe të modelohet në përputhje me kohën dhe parimet e arkitekturës dhe artit në tërësi. Por çështja është te vija, te prirja. Këta të pahir - thonë që shumë prej tyre do të ballafaqohen me drejtësinë - kanë marrë përpara, me buldozerin e interesave, vlera dhe histori. Kanë devijuar pamjet dhe konceptimin e një jetese normale me punë të ndershme dhe qetësi. Ata dhe lakejtë e tyre, kanë ndërtuar keq e ngjitas e për turp. Kanë shkatërruar dhe zhdukur edhe vepra të mirëfillta arti e të destinuara për artin, bie fjala Kinema “17 Nëntori”, siç quheshin dikur, ajo dimërore dhe ajo verore, Kinema “Republika”, po ashtu dimërore dhe verore; ato ishin të paprekshme dhe, në të njëjtën kohë, të riparueshme. Ato ishin kinema, nga çdo pikëpamje.

Mbaj mend, por nuk e them për nostalgji, kam parë disa herë filma në këto kinema, sidomos në anekset verore të tyre; edhe pse në ekranin e madh, në beze domethënë, shfaqeshin shpesh vepra të rëndomta, mund të shijoje njëherësh edhe të tjera gjëra: qetësia në pjesën e pandriçuar, ajri, qielli i hapët, të paktët që e ndiqnin filmin nga ballkonet e shtëpive përqark, njeriu që kishe pranë, shok apo mikeshë. Të gjitha këto ndjesi, ishin një gjë aq e bukur; vetëm arti dhe një kinema e vërtetë mund ta përcjellin. (“Nuk pritet kumbulla se i bën hije kungullit.” Popullore.) U zgjata? Mirë, ika edhe nga nostalgjia. Po këta të pahir, këta të pangopur, shkuan e ngritën atje kulla, fjetore… Po ashtu ndodhi me ish-Kinostudion, që e coptuan dhe e shqyen pjesë-pjesë, pa asnjë plan, pa asnjë ide, por sidomos… pa asnjë mëshirë. Duke shkelur mbi atë pak histori që kemi. Është për të ardhur keq.

Këta të pahir thonë se duan ta bëjnë të bukur qytetin, thonë se po e bëjnë të bukur, e përsëris, po e “zhvillojnë” kryeqytetin. E të tjera e të tjera. Dhe kritikuesit, sipas mendjes së tyre, “nuk marrin vesh”. Jo jo, nuk dinë ata asgjë, nuk kanë parë asnjë vend tjetër, asnjë qytet tjetër, janë ndoca humbameno, që rrinë aty te klubi i fshatit dhe bëjnë lloqe Kavaje. Kurse “zhvilluesit”, vetëm ata kanë parë botë me sy. Kanë parë vërtet birbot, edhe Botë po, por ca më shumë dhe sidomos… xhepat e tyre dhe të pjestarëve të klaneve që udhëheqin apo ku bëjnë pjesë. Paraja i shastis njerëzit, i çmend, i tjetërson. Dhe kështu, nga iniciativa, premtime e vizione të tipit “Kthim në identitet”, shkojmë te ajo që mund të quhet “krim në identitet”. Dhe e keqja tjetër më e madhe: Ekspertët rrinë gojëkyçur, kurse ata duhej të vendosnin; por ja, vendosin për ta zyrtarët e lartë, disa herë të zënë në korrupsion e mediokritet. Dhe asnjëherë të ndëshkuar.

Por ani; mendoj se çështja është edhe më e thellë sesa etja për para dhe për t’u dukur “zhvillues”. Kam ngulur këmbë në këtë temë disa herë; dhe prapë “bërtas” se në këtë mes, gjëja më e rëndë, më e papranueshme, është harresa, është shkelja mbi gjithçka, për shkak se na mungon ndjesia e respektit për të shkuarën, për traditën, për… hë, erdha sërish në temë, për vetë identitetin tonë. Nuk di sa mund t’i kujtohet lexuesit, por para disa kohëve, ndërsa po kremtohej një përvjetor i Kongresit të Lushnjës, në sallë u dha për një copë herë… muzikë dasme. Besoj, lexuesi i kultivuar i kësaj gazete, e shikon atje tej simbolikën e këtij rrëfimi. Po ashtu, mund të kujtoj se si mjedise zyrtare të rëndësishme, si pallate qeveritare, janë dhënë gjithashtu për dasma; një poshtërim që, nuk di, por besoj se nuk ndodh askund. Për fat të keq, në atë vend, vazhdojnë të prodhohen aq shumë: fryrje dhe… fyerje.

Mund të jenë rregulluar atje disa punë e disa zyra; e ceka edhe diku më lart nevojën për vlerësime të payshtura. Mund të ketë edhe disa arritje në fusha të caktuara, edhe në vetë Bashkinë e Tiranës. I shoh me pozitivitet. Por është po kaq e vërtetë që i gjithë relievi është në një dinamikë frike dhe pasigurie. Lexova këto ditë në shtyp për lojërat e drejtësisë në lidhje me lejën për ndërtim hidrocentrali në Valbonë, çështje që tashmë është bërë mjaft e përfolur. Por kjo tematikë dhe kjo brengë, shtrihen në vite e në shumë objekte të atij vendi: monumente, nëndetëse, stacione hekurudhore, shtëpi patriotësh e shkrimtarësh të shquar, universitete dhe kampuse  të poshtëruara, si Qyteti i Studentëve në Tiranë, i rrethuar batërdish; apo Universiteti Bujqësor i Kamzës, një qytet-universitet madhështor i kohës që shumica e marrin me yyy-ja(!) duke mos ia bërë mirë hesapet, për çfarë ajo kohë dhe ai rend mund të vlerësohen e për çfarë mund të harrohen…

Është e vështirë të kesh një qeveri që të ngrihet mbi milionat dhe mbi urinë e përhershme të klaneve për pushtet dhe për para. Ja disa fjali emërore të shqiptuara me dhimbje: Shkatërrimi i kanaleve kulluese, rezervuarëve, fabrikave dhe fermave. Piramidat. Gërdeci. 21 janari. Kullat. Hidrocentralet e lavatriçet mbi çdo lumë. Guroret mbi çdo mal. Droga. Lufta e përjetshme Partizan/Ballist.

Pa shiko, pa shiko! Mjaft e pasur edhe historia… tranzicionale, gjithsesi.