Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Valon Jashari: Mesazh simbolik anti-shqiptar

| E premte, 30.03.2018, 05:45 PM |


Fluturimi i avionëve ushtarak serb mbi Preshevë, një mesazh simbolik anti-shqiptar dhe amerikan në rajon

Nga Valon Jashari

Ky akt terrorizmi nga ana e shtetit serb ndaj popullatës civile shqiptare në Kosovë Lindore, Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë përmes demonstrimit të forcës si reagim i ngjarjeve politike të ndodhura ditë më parë në Mitrovicë,  po shpërfaqë politikën e hapur të terrorit, frikës dhe ankthit ndaj kësaj popullate shqiptare.

Fluturimet e kryera në lartësi aq të ulët, gati mbi pullazet e shtëpive  shqiptare, të ndjekura dhe të koordinuara nga ushtria tokësore serbe, me arësyetimin se gjoja për “parapërgaditje ushtarake” janë një justifikim i paqëndrueshëm dhe një keqpërdorim i hapësirës ajrore. Athua shtetit serb iu deshën  kilometrat ajrore të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, për demostrim të forcës ushtarake?! Apo, ishte një hakmarrje primitive e Beogradit ndaj shqiptarëve, të Kosovës Lindore si kundërpërgjigje ndaj  arrestimit të ultranacionalistit Djuric në Mitrovicë?!

Po këtë ditë në Mitrovicë  u publiku Stema mbi Asociacionin e Komunave Serbe, që është anti-Kushtetuese, Stemë që shkelë Ligjet e Republikës së Kosovës, për faktin se përmban në vete katër S-të.  Ky shpërqendrim i vëmendjes nga Veriu (përmes Asociacionit-Stemës) në Lindje (Manovrat me avion ushtarak mbi Kosovë Lindore) është një taktizim me prapavijë të qartë politike, që në fakt po e pëson popullata shqiptare në të dy rastet.

Ky skenar i një konflikti real për situatën në rajon është shumë serioz duke marrë për bazë edhe ndikimin rus në rajon kohëve të fundit. Kjo tendencë e shtetit serb po bën përpjekje që edhe në politikën ndërkombëtare të balansoj situatat e interesit të fuqive, veprime të ngjajshme me ato që Rusia kohë më parë po testonte forcat e NATO-së, duke shkelur vijat ajrore me avion ushtarak Rus të disa shteteve të BE-së. Kjo metodë e njejtë e ndjekjes së provokimeve ndërkombëtare sikurse ato të Rusisë, tregon se shteti serb është i kapur dhe ndërlidhur me interesat  politike të përbashkëta sllavo-ruse.

Fluturimi i avionëve ushtarak serb mbi Kosovë Lindore,  konsiderohet një provokim edhe ndaj bazës Amerikane në Ferizaj që është pak kilometra distancë nga kjo zonë. Provokimet e turpshme të Beogradit janë një  përpjekje e shtetit serb duke pretenduar si një  “faktor i rëndësishëm” në rajon dhe duke u munduar që të nxitë shtetet e BE-së në “prag të rrëshqitjes së ndikimit kah Rusia”  që të vë në lëvizje edhe BE-në, sa i përket kritereve të saja për antarsim, duke dashur që të favorizohej  shtetin serb, dhe ti lehtësoj rrugën e hyrjes në BE edhe pa kushtin e njohjes së Kosovës.

Përdorimi i avionëve ushtarak në shumicën e shteteve të ndryshme në botë dhe fuqive të mëdha, sidomos në momente të krizës, përdoren për të treguar forcën ushtarake. Si një praktik e zakonshme për demostrim të forcës dhe slloganet që gjith herë përdoren karshi opinionit, se janë pjesë e ushtrimeve, fsheh në vetëvete qëllime dhe mesazhe të qarta politike.