E enjte, 28.03.2024, 02:34 PM (GMT)

Udhëpërshkrim

Vlashi Fili: Dita e emigrantit në qytetin e Kuçovës

E shtune, 13.09.2008, 02:15 PM


Vlashi Fili
DITA E EMIGRANTIT
NË QYTETIN E KUÇOVËS
 
Nga Vlashi Fili

            Moti me diell dhe temperatura të larta e verës së këtij viti, e vështirësonte jo pak mundësinë e takimit me shokët dhe miqtë e mi në qytetin tim të lindjes, në Kuçovë. Megjithate, nuk mund të më pengonte që në atë kohë të planifikuar për në qytetin tim të dashur, të bëja disa vizita e takime.

            Vizitën e parë unë e bëj, si gjithmonë, në bibliotekën e qytetit ku dhurova librat e mi të botuar së fundi. Është një institucion, vendosur në një godinë jo të madhe , e ngritur vite e fundit mbi gërmadhat e  bibliotekës së vjetër, të djegur e shkatërruar vandalisht gjatë trazirave të vitit të mbrapshtë të 1997. Puna me passion dhe kulturë e drejtuesit të kësaj biblioteke z. Dhimitër Druga, një bir i këtij qyteti, si dhe e grupit të vogël të punonjësve që ai drejton, njëkohësisht edhe me ndihmën e bashkisë, ka bërë që puna në këtë institucion të vihet në baza shkencore, duke u pasuruar vazhdimisht me libra të rinj. Siç më tregon Dhimitri, edhe në këto ditë të nxehta vere, çdo ditë biblioteka frekuentohej nga dhjetra lexues, shumica e të cilëve ishin nga brezi i ri i banorëve të Kuçovës.

            Duke pirë nga një pije freskuese me Dhimitrin, aty pranë bibliotekës, në një nga lokalet e shumta të ndërtuar këto vitet e fundit, mësova prej tij, se për nga numri i popullsisë që ka qyteti, frekuentimi i kësaj biblioteke është në vende nderi në rang republike. Ai më njoftoi se më 15 gusht, për emigrantët e kthyer për pushime, Bashkia e Kuçovës do të organizonte një veprimtari me moton: “Ju të dashur emigrantë nuk e harroni Kuçovën por edhe Kuçova nuk ju harron juve”. Në vazhdim më sqaroi për veprimtaritë që do të organizoheshin në këtë ditë, që ishte pagëzuar me emrin: “Dita e emigrantit në Kuçovë”, si dhe më më bëri ftesë e më porositi që të mos mungoja në këtë ditë, ku edhe do të promovoheshin librat e disa autorëve kuçovas, midis të cilëve edhe dy librat e mi të fundit. E pranova me kënaqësi ftesën që ma përsëriti edhe kryetari i bashkisë, kur u takova më vonë me të.

            Në bashki, ku veç nderit që më bënë kryetari z. Artur Kurti, edhe ky një bir i Kuçovës, duke më ftuar në takim sa herë unë jam në qytetin tim, takova edhe z. Josif Xhako, një tjetër kuçovas i lindur, që drejton zyrën e pritjes së qytetarëve në këtë bashki, i cili veç të tjerave më dha edhe programin e “Ditës së emigrantit”.

            Në këtë ditë takohem për herë të parë dhe njihem nga afër, me deputetin e Kuçovës, z. Pilo Kërri, që është gjithmonë pranë veprimtarive të qytetit banorët e të cilit kanë votuar për të, duke dhënë edhe ndihmesën konkrete.

            Programova që qysh më 14 gusht të ndodhesha përsëri në Kuçovë. Atë ditë në Bashkinë e Kuçovës kishte lëvizje të madhe. Punonjësit e kësaj bashkie me në krye kryetarin e saj, ishin vënë në lëvizje për të realizuar sa më mirë këtë ditë. Megjithëse masat ishin marrë në të gjitha drejtimet, shqetësimi i vetëm ishte se a do të mernin pjesë  në veprimtaritë e programuara, emigrantët kuçovas që ato ditë ishin kthyer për pushime në familjet e tyre. Për këtë ishin bërë dhe shumë lajmërime dhe ftesa personale. Ishte i drejtë shqetësimi, se të organizosh disa veprimtari gjatë gjithë ditës dhe ata për të cilët kushtohet kjo ditë, të mos marrin pjesë nuk është mirë dhe çvlerëson gjithë punën përgatitore. Por ciç u pa të nesërmen, më 15 gusht, vlerësimi i emigrantëve ishte maksimal.

            Në këtë ditë qyteti kishte gjallëri të madhe qe në orët e para. Në ora 9:00 deri 10:00 të paradites, u fillua me atë që quhesh “Dyert e hapura të bashkisë”, ku emigrantët hynin në bashki pa i pyetur njeri se ku do të shkonin. Takoheshin me punonjësit e institucionit, shkëmbenin përqafime, pyesnin njëri – tjetrin për shëndetin, për jetën dhe punën. Njiheshin më nga afër me veprimtaritë e bashkisë por edhe punonjësit e bashkisë njiheshin me emigrantët, vëndet ku jetojnë e punojnë, hallet dhe shqetësimet që kishin, me integrimin e tyre në shoqërinë e vendeve ku kanë emigruar, etj, etj.

            Në ora 10:00 emigrantët mbushën sallën e mbledhjeve ku u bë takimi i Kryetarit të Bashkisë z. Artur Kurti, ideatori i kësaj dite, me të gjithë emigrantët e ardhur. Në atë sallë të mbushur plot, saqë disa iu desh të rinin në këmbë, z. Artur mbasi i uroi mirëseardhjen emigrantëve pranë familjeve të tyre  dhe i falenderoi për pjesëmarrjen në këtë veprimtari kushtuar atyre, paraqiti një pasqyrë të punës në Kuçovë nga bashkia që ai drejton.

            “Tashmë për Kuçovën, rikthimi i emigrantëve për pushime, është një ngjarje e gëzushme, dhe në veçanti muaji gusht shënon edhe kulmin e pranisë suaj midis bashkëqytetarëve. Rrugët dhe sheshet e qytetit janë më të gjalla se kurrë. Kuçova përjeton një gjendje të veçantë dhe pikërisht në këto ditë të gëzushme, ne e kuptojmë më mirë se sa i mungoni ju jetës së qytetit”, ishin fjalët e para të z. Artur para se ai të njoftonte se çfarë ishte bërë në Kuçovë. Pastaj nëpërmjet një pasqyre të hollësishme dhe të qartë, ku dallohej serioziteti i përgatitjes, ai njoftoi për punën e bërë në të gjitha drejtimet e jetës sociale në qytet, si në infrastrukturë, pastrimin e qytetit, ndriçimin, gjelbërimin, në sport, kulturë, etj. Gjithë fjala e tij shoqërohej në ekran me foto respective.

            Z. Artur e mbylli fjalën e tij me thirjen dhe njëkohësisht premtimin, që po qe se kushdo do të kthehet ndonjë ditë përfundimisht në Kuçovë për të hapur biznesin e vet, bashkia do të jet e gatëshme që t’i ndihmojë për ta bërë një gjë të tillë sa më të lehtë.

Pastaj e mori fjalën dhe deputeti i Kuçovës z. Pilo Kërri. Ai përshëndeti emigrantët dhe i uroi atyre shëndet e punë të mbarë kudo ku jetojnë e punojnë.

            Në vazhdim iu dha fjala edhe emigrantëve të cilët shprehën kënaqësinë për organizimin e kësaj dite, çka tregon për atë që Kuçova nuk i harron bijtë e saj që kanë lënë qytetin  dhe kanë emigruar nëpër botë për një jetë më të mirë.

            Ky takim i përzemërt u mbyll me një kokteil të pasur.

            Festa sapo kishte filluar. Ajo vazhdoi në një sallë tjetër, në atë të bibliotekës së qytetit, ku ishte organizuar promovimi i librave të tre autorëve kuçovas. Kështu, inxhinier Palush Ziu u paraqit me librin e tij “Historiku i naftës shqiptare”, Alma Zenellari me librin me poezi “Të ndjej”, kurse autori i këtij shkrimi me romanin “Guva e pyllit” dhe librin me tregime “Përsëri në vendlindje”. Në këtë promovim u bë prezantimi i autorëve, veprimtarisë letrare të tyre dhe konkretisht me librat e paraqitur, nëpërmjet pyetjeve të drejtuara me kulturë, autoreve nga drejtuesja e promovimit, si edhe mendimeve të shfaqura nga disa prej pjesmarësve, që ishin njohur më parë me librat.

            Mbas një pushimi të shkurtër festa e çvendosi qendrën e vet në parkun e qytetit ku biznesmenët e qytetit kishin paraqitur mallrat që trgëtojnë për t’i ekspozuar por edhe për t’i shitur. Kjo i dha gjallëri parkut që dalëngadalë u mbipopullua.

            Finalizimin e kësaj dite e bëri koncerti i madh. Qindra emigrantë dhe familjarë të tyre mbushën plot e përplotë teritorin ku u organizua koncerti dhe ndoqën me kënaqësi për disa orë këngët e bukura shqiptare të kënduara nga këngëtarë vendas por edhe të ftuar si: Ylli Baka, Mira Bregu, Dule Malindi apo Marjola Kaçani.

            Ishte e pamundur që ta ndiqje koncertin pranë skenës të improvizuar, për arsye të numërit të madh të spektatorëve, por artopalantët e vendosur të lejonin që të ndjeje kënaqësinë e këngëve kudo që të ndodheshe. Unë e ndoqa nga larg, prej ku mezi i dalloja këngëtarët, por me shumë kënaqësi në shoqërinë e z. Thanas Diamanti, shokut tim të fëminisë që kisha vite pa e takuar..

            Vonë, kur akrepat e sahatit shënonin11 e 30 minuta, pranë mesit të natës,kur përfundoi koncerti, munda të takoi përsëri z. Artur Kurti, për t’i shprehur kënaqësinë dhe urimet e mia për këtë vëprimtari të bukur gjatë gjithë kësaj dite. Veç falenderimit ai m’u shpreh se: “Ishte hera e parë që organizuam ditën e emigrantit dhe vunë re që disa momente mund t’i kishin organizuar më mirë. Vitin tjetër do ta organizojmë akoma më mirë, mbasi përvoja e sotme do të na ndihmojë shumë”.

            Kështu u mbyll 15 gushti, dita e emigrantir në Kuçovë, ku edhe mori të drejtën e “qytetarisë” së festave për Bashkinë e Kuçovës.

            U largova nga qyteti im i lindjes jo vetëm me kenaqësinë që më dhanë  takimet me të afërmit, shokët e miqtë por edhe me atë të një dite të bukur, të një festë të vërtetë për emigrantët, pjesë e të cilëve jam edhe unë, Vlashi Fili.

Filadelfia, 5 Shtator 2008



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora