E premte, 29.03.2024, 01:03 PM (GMT)

Mendime

Marjan Sebaj-Sopi: Anëtar i bashkësisë shoqërore

E hene, 26.03.2018, 06:23 PM


BESIMTARI – ANËTAR I BASHKËSISË SHOQËRORE – POLITIKE

Shkruan: Marjan Sebaj SOPI

Nuk janë njerëzit shkaku i shtetit, por shteti është për njerëzit

Sot ka shumë njerëz të cilët janë indiferent ndaj politikës, ndaj proceseve politike, bile edhe siç thonë e deklarohen disa, janë edhe alergjik dhe nuk kanë dëshirë as të dëgjojnë fjalën politikë. Pse ndodh kjo? Pikërisht shkaku i lidershipit politik, të cilët nuk janë dëshmuar se ia dëshiron të mirën apo punojnë për të mirë të qytetarëve të tyre për çka edhe kanë marrë përgjegjësi dhe janë zotuar d.m.th kemi politikaj të pandërgjegjshëm, që mjerisht gjinden sa të duash e kahdo, kurse në masë këta kanë ndikuar dhe ndikojnë shumë keq me premtimet e programet e tyre si dhe (mos) zbatimin e zotimeve për të cilën edhe janë votuar nga masa.  Kështu që sot shumë e njeri pyet vetën; A duhet të merrem edhe unë me politikë? Mirëpo, jo shkaku i privilegjeve e përfitimeve personale, familjare, grupore etj…, por për të ndihmuar bashkësinë, për të ndihmuar njeriun dhe shoqërinë për të arritur të mira të përbashkëta.

Shpeshherë besimtarët e devotshëm duke parë skandale në politikë edhe pyesin vetën e tyre por edhe kujdestarët shpirtërorë të tyre cilët i japin rëndësi moralit, etikës, ndërgjegjes, përgjegjësisë, se; A guxojnë apo a duhet të merren me politikë, dhe si të sillën në momente të caktuara politike? Këtë pyetje e pyetje të tilla kanë shtruar gjithnjë besimtarët e devotshëm e në veçanti këtu veçoj besimtarët katolik, të cilët gjithnjë presin që punët rreth politikës dhe shtetit të i përfaqësoj bashkësia fetare e tyre e cila më së miri i njeh dhe përfaqëson nevojat e besimtarit apo përkatësisë fetare të personit, meqë në këtë rast në shtetet e krishtera e në veçanti ato katolike janë të ndarë Shteti nga Feja. Në të kaluarën duke njohur sistemin tonë komunistë dhe ateistë, diktatorial, të parët tanë të mësuar nga përvojat e këqija dhe të hidhura në politikë, gjithnjë thonin; “Sa më larg politikës aq më mirë!

Mirëpo, sot gjendja ka ndryshuar dhe sistemet diktatoriale e totalitare sikur duket kanë humbur kontrollin mbi popullin, dhe në vend të tyre ka ardhur e gjithnjë më tepër vjen në shprehje rinia më e shkolluar, më e emancipuar, më e vetëdijshme, më e përgjegjshme, demokratike, e me këtë edhe vet demokracia, pra vetëvendosja personale e qytetare në vendimmarrje, kështu që sot duke i parë, ndier, e përjetuar gjitha këto rrethana edhe nuk do ishte mirë që mos të ngritët e dëgjohet zëri i qytetarit (në veçanti zëri i rinisë) si individ dhe në fund si bashkësi e caktuar.

Ne shqiptarët të cilët jemi ende të freskët sa i përket shtetit, demokracisë, dhe sjellës së politikanëve tanë, do ishte mirë të mendojmë shumë dhe njëherë e përgjithmonë të ndahemi nga mentaliteti grumbullor i të menduarit dhe vepruarit, sepse çdo njeri ka dinjitetin dhe personalitetin e vet, të cilin duhet ta shpreh në jetë apo edhe përmes bashkësive të caktuara ku ai gjen vetin. Njerëzit e thjeshtë, masa, duket se gjithnjë e më tepër humbin besimin në njerëz të politikës, së paku kështu është në nën qiellin tonë, dhe atëherë duket se i vetmi besim mbetët e që nga ata edhe presin se çka do të thonë, janë udhëheqësit kishtar e ipeshkvijtë e ku fatkeqësisht shpeshherë edhe keqkuptohet e keqinterpretohet fjala e tyre, porositë e tyre, kështu që në këtë situatë njerëzit e thjeshtë mbesin të hutuar, apo siç themi; „as andej as këndej!“. Kjo huti e pështjellim që ndodh, ndoshta edhe deri diku është i qartë meqë neve shqiptarët nuk jemi mësuar të jetojmë në demokraci e të kemi ndonjë „përvojë demokratike“ kështu që sa i përket opinionit të gjerë në bashkësinë Katolike ka dy pohime të kundërta, një është se: Kisha nuk duhet të merret me politikë, dhe tjetri e kundërta e kësaj, pra;  Kisha duhet të merret me politikë, sepse në mjegullat e kësaj kohe të mosbesimit, të vetmit që i besohet si autoritet moral është pikërisht Kisha e cila është e vetëdijshme se politika në kuptimin e gjerë të fjalës si kulturë politike përcakton vizionin e njeriut, të historisë dhe të botës. Politika duhet të ishte dhe të jetë edhe sipas definicionit të saj; në shërbim të mirës së përgjithshme.[1]

Sot kur duket se ende jemi në transicion që lirisht e them të stërgjatur tek ne shqiptarët në veçanti, dhe kur mungon një pjekuri apo përvojë politike e mirëfilltë demokratike siç cekëm më lartë, do të mundohemi të paraqesim vështirësi por edhe mundësit e personit, nga ana fetare e besimtarit, në raport me politikën që do të thotë se me politikë duhet të kuptojmë rregullimin e jetës shoqërore. Këtu lirisht mund të cekim se pikërisht është krishterimi apo tradita judeo – kristiane ajo e cila e solli demokracinë në politikë siç pohon edhe vet filozofi, historian politik dhe novelisti françes i lindur  me 16 prill 1947 ., Chantal Millon – Delsol, pra; “Me krishterim vendoset barazia deri në shkallën e fundit shoqëror, sepse qyteti pushon së qenuri vendi më i lartë!”.

Pra siç e dimë, shteti e demokracia në te, është e hershme që nga koha Antike, mirëpo këtu mungonte vlera e dinjitetit njerëzor, pra nuk ishin të gjithë të barabartë. Shembull shteti i Athinës së lashtë antike, merret edhe si fillimi i një lloj demokracie, mirëpo prapë aty mungonin të drejtat e përgjithshme. E dimë se në atë demokraci diku vetëm rreth 16% e popullatës kishte të drejtë në votime kurse shembull gratë, skllevërit e të huajit nuk kishin këtë të drejtë. Kurse më vonë në republikën e lashtë të Romës pushteti ishte në duar të aristokracisë d.m.th të fisnikëve.

Ideja e dinjitetit dhe vlera e personit siç cekëm vjen pikërisht nga tradita biblike judeo - kristiane. Pra, me ardhjen e Krishterimit vjen edhe te kuptimi i plotë i dinjitetit njerëzor, sepse Ati krijues, Hyji, shpallet e paraqitët Babë, Atë i mbarë njerëzimit, që kuptohet atëherë se neve mes veti jemi vëllezër e motra e që njëkohësisht i bie edhe të barabartë në gjithçka pavarësisht përkatësisë sonë racore, pra nacionale, fetare, politike apo bindjeve të ndryshme të njeriut. Lidhje me këtë edhe Shën. Pali, teologu më i madh i Kishës, dhe predikuesi i zjarret i Krishterimit edhe në tokat tona, në Iliri, predikonte e mësonte: „Nuk ka më hebre, grek, romak,, skllav, të lirë, mashkull, femër  etj…“ që do të thotë se të gjithë jemi bijtë e të njëjtit Atë Hyj, që i bie siç cekëm më parë, mes veti vëllezër e motra dhe në gjithçka të barabartë. Kuptohet se më pas, pra gjatë historisë sonë, krishterimi vazhdoi të mësoj mbi dinjitetin e pacenuar të njeriun, mirëpo kuptohet dhe e kemi parasysh se shteti në kuptimin global dhe demokracia nuk është diç e përfunduar porse ajo shkon gjithnjë duke hulumtuar, duke kërkuar dhe gjetur mënyra më të përshtatshme të bashkëjetesës së lirë dhe të drejtë njerëzore.[2]

Tani jemi të vetëdijshëm dhe shohim se Bota e sotme, pra bashkëkohore, apo bota post moderne është e ndarë në bashkësi – shtete politike. Mirëpo, pikërisht ky realitet shpeshherë te besimtarët (me këtë rast këtu e kemi fjalën për besimtarët e krishterë, gjegjësisht katolik), paraqet pyetje të vështira, të ndryshme, të llojllojshme, hamendje, po edhe pyetje e probleme kontraverse. Mund të themi se ndoshta në asnjë fushë tjetër nuk është aq vështirë të lidhësh, më mirë: pra, të vështrosh në mënyrë integrale dhe në jetën konkrete vetën tënde, si në këtë fushë – si të jetoj qenia politike në bashkësinë shoqërore – politike në të cilën jeton e vepron. Pyetja shtrohet: A është e mundur të qëndrosh anash? A guxohet të qëndrohet anash? Këtu na shtrohet pyeta e pjesëmarrjes apo mospjesëmarrjes, e anëtarësisë apo mos anëtarësisë, pyetja e përgjegjësisë për bashkësinë etj apo siç thuhet; „Nëse ti nuk merresh me politikë, atëherë ajo doemos do të merret me ty!“

Duke analizuar dhe shikuar gjithë jetën e qenies njeri, atëherë lirisht mund të konstatojmë se; është e pamundur të rrihet (qëndrohet) anash, meqë edhe pasiviteti në një mënyrë mund të jetë politikë! Meqë shpeshherë njerëzit e besimeve të ndryshme, konkretisht ata që i përkasin fesë katolike edhe shtrojnë pyetje të shumta njëri tjetrit dhe vetvetes; A të merrem me politikë? A është vendi im aty? Apo; Kush më përfaqëson mua, pasi e dimë të gjithë se Kisha dhe Politika janë dy pushtete të ndara. Pra, tani shtrohet pyetja; Cili është vendi i të krishterit gjegjësisht anëtarit të fesë katolike, në bashkësinë shoqëroro – politike? Apo; Ku është vendi i Kishës aty dhe në fund, edhe; Çka është politika?

Çka është politika?

Jeta politike është e ndryshme dhe e pasur, e larmishme, por edhe në veti e thellë dhe gjerë. Vetë termi „politikë“ themelin e saj e ka nga termi apo fjala greke „polis“ – që do të thotë qytet apo shtet (pasi në lashtësi qyteti dhe shteti kishin termin dhe kuptimin identik). Pra, në këtë kuptim fjala „politikë“ do e kishte apo shënjonte kujdesin për qytet, përkatësisht shtet, pra kujdesi ndaj shtetit, ndaj jetës brenda shtetit dhe marrëdhënieve të saj ndaj apo me të tjerët.

Mirëpo, qëllimi ynë këtu nuk është të flitet rreth shtetit e themelimit, rreth kuptimit tij etj…, por gjithsesi duhet cekur se qëllimi i shtetit këtu nuk është vet shteti si qëllim, pra shteti qëllim i vetvetes; por se ajo gjitha arsyetimet dhe veprimet e saj i ka në shërbim të mirës së përbashkët qytetare. Dhe ky rend kurrsesi nuk guxon të ndërroj vendin në të kundërtën, sepse duhet ta kemi të qartë gjithmonë këtë; “Nuk janë njerëzit shkaku i shtetit, por shteti është për njerëzit” (pra, shkaku i njerëzve), dhe se pikërisht kjo edhe është një ndër kushtet kryesore për një shoqëri të avancuar dhe të shëndoshë. Politika pra duhet të jetë në shërbim të mirës së përgjithshme.

Shteti dhe Demokracia

Shteti mbledh - tubon njerëzit e lirë, të cilët sipas bindjeve e mendimeve të ndryshme kushtëzojnë dhe bëjnë që të ekzistojnë sisteme të ndryshme, rregullime të shtetit dhe shoqërisë, parti të ndryshme politike, lëvizje, shoqata etj.

Është interesant dhe gjithë jemi dëshmitarë se të gjithë ata deklarohen d.m.th individ, parti politike, shoqata, lëvizje.. se pikërisht ata janë të cilët e kanë për zemre të mirën e përgjithshme të shoqërisë, kuptohet se secili ka programet e veta për të cilët zotohet e garanton se janë më të mirët, dhe se më së miri i shërbejnë qytetarëve apo popullit. Të gjithë mundohen për mirëqenie, për jetën e kënaqshme dhe shërbimin e nevojave të njerëzve, qytetarëve. Mirëpo, sistemet politike janë të kushtëzuar edhe me zhvillimin e mjeteve si shembull të prodhimtarisë dhe shtresimin ekonomiko – social. Dhe pikërisht për këtë në botë edhe mbretërojnë larmi të mëdha të sistemeve politike, ideologjike, partiake etj…,dhe në të gjitha këto lëvizje më së shumti theksohet “Demokracia” që rrjedh nga fjala greke e do të thotë “demos = popull dhe fjala “krate-o” = rregull, që i bie apo do të thotë pjesëmarrje maksimale e popullit në menaxhim - rregull.  Mirëpo, shpeshherë te popujt të caktuar kjo është vetëm lloj fasade pas së cilës qëndron sistem i fortë, i etatizuar apo më mirë thënë sistem totalitar. Pasi që shteti kujdeset për të mirën e përgjithshme, atëherë gjithsesi se duhet tentuar dhe gjetur mënyrën që populli i cili përbënë shtetin, gjithnjë të kërkoj dhe vjen deri te mënyra e vendosjes, shprehjes së mendimit, dhe përcaktimit të tij. Në anën tjetër meqë cekëm, pra kemi totalitarizmin.

Totalitarizmi

Gjithë ne jemi dëshmitarë se gjatë historisë sonë, pra në të kaluarën po fatkeqësisht edhe sot, pra edhe përkundër sistemeve demokratike të shoqërisë politike, njohim edhe diktatura e sisteme të shumta totalitare, kjo është kur një njeri apo një grup njerëzish i imponohen të tërë bashkësisë shtetërore siç kemi shembull sot Koren e Veriut, Kinën, Kubën, Rusinë besa edhe shumë shtete që mbahen për shtete demokratike… si dhe shtete tjera në botën e tretë siç e quajmë kontinentin Afrikan e botën Arabe, si në Lindje të mesme etj. ku thuajse të gjitha shtetet janë totalitare. Mirëpo, mos të harrojmë se më parë kjo dukuri ishte prezent edhe në Evropë kryesisht në Evropën Veri - Perëndimore dhe atë Jug - Lindore apo Ballkan, pra ku dominonin shtetet me sistem komunistë - ateistë siç e kishim edhe vet shtetin tonë amë Shqipërinë për 50 vite, po ashtu dhe Republikën e Kosovës (ndoshta në një diktaturë më të butë apo më të fshehtë) në kuadër të shtetit të përbashkët që atëherë quhej Jugosllavi e deri ditëve të afërta me shembjen apo rënien e komunizmit, që merret si pikënisje nga demonstratat e vitit 1968 në Poloni e të cilat më pas fuqizohen dhe bëhen qendrore ato në Çeko - sllovaki, kur në Pragë, studentë, shkrimtarë, regjisorë, gazetarët dhe e gjithë inteligjenca kërkonin me mish e shpirt po edhe me forcë një demokratizim.

Praga atë vit pranvere të 1968-ës edhe ishte të themi kushtimisht „Qendra e botës“, sepse pak më vonë gjegjësisht në Gusht trupat ushtarake sovjetike hynë në qytet dhe bota demokratike mbeti pa fjalë kur shihte dhe pa të rinjtë çekë dhe sllovakë cilët hipnin mbi tanke në lot, duke pyetur “po çfarë bëni?”. Pikërisht, kjo ishte edhe dita kur komunizmi goditi mbi veten e tij dhe nuk e mori më kurrë veten e kjo zgjati deri në rënie (rrënim) definitiv të komunizmit pra me “shembjen e Murit të Berlinit” viti 1992 cili merret si vit definitiv i rënies së diktaturës komuniste.

Ndoshta për të treguar ndikimin personal të vetin, në mbarë shoqërinë, e për diktatorët se çfarë janë, vlen këtu të cekim fjalët e mbretit françes Luigjit XIV: “L’etat c’est moi” apo në përkthim “Shteti, jam unë”. Këtu pra, personi,  individi, apo grupi, merr për veti gjitha privilegjet e me këtë edhe gjitha të drejtat për vendosjen apo sundimin mbi popullin. Me këtë ngulfatën liritë kushtetuese.

Kushtetutshmëria thuajse gjithmonë janë të formuluar në mënyrë demokratike por që në jetë e vepër (praktikë) shtetet me udhëheqës diktatorë të prirur, punojnë e propagandojnë ashtu që kinse e gjitha ndodhë e bëhet, shkaku i popullit, për popullin, pra në emër të popullit, por ku me akte e veprime të dukshme tregojnë egon e tyre, me cilat automatikisht rrënohen drejtësia, barazia dhe liria.

 

I krishteri është anëtarë i bashkësisë konkrete shoqëroro – politike

Këtu në gjithë atë që cekëm më partë, pyesim; Ku e ka vendin besimtari i krishterë, me theks të veçantë besimtari i përkatësisë së fesë katolike? Mirëpo, më parë t’i shqarojmë disa dukuri lidhje me fetë. Mendimi im dhe i shumë ekspertëve tjerë, teologë, filozofë, historianë etj. të cilët ndajnë mendimin se në përgjithësi Kisha ortodokse, është nën ndikim e plotë të shtetit cilit i takon dhe politikës së saj ditore, shembull Shteti Grek në ndikimin e Kishës Greke apo ndikimi i madhë i kishës Greke në shtet, apo Kisha Serbe ku dëshmitarë jemi vet ne shqiptarët po edhe bota mbi ndikimin e saj në Shtet apo edhe ndikimi i shtetit mbi te,  pra ku ende nuk janë të ndarë pushtetet si Shteti e Kisha (Shteti e Feja), në fakt Kisha e tyre bëhet shërbëtore e politikës së shtetit apo anasjelltas.

Po ashtu, kjo ndodhë edhe në fenë islame ku rryma të ndryshme juridiko fetare brenda saj, ndikojnë jashtëzakonisht shumë në mënyrën e jetës dhe veprimtarisë të besimtarit të tyre ku shtete të ndryshme të tyre shkojnë aq largë saqë edhe etiketohen dhe emërtohen në baza fetare, me identitet fetar si Shtet apo Republikë Islame, kemi shembull Republika Islame e Iranit, Emiratet e shumë shtete tjera..., ku thuhet se pushteti apsolut është i Zotit i shfaqur përmes një njeriu „të përzgjedhur“ (nga kush nuk dihet) i cili duhet të ketë pushtet mbi të gjithë të tjerët e të shprehet kinse vullneti i Zotit përmes tij në popull, këto janë apo quhen shtete teokratike që lidhin drejtpërdrejt besimin pra Zotin me pushtetin edhe politikën e kësaj bote. Në këto sisteme apo shtete, shembull tre pushtete janë në një person - udhëheqës, ku i pari është njëkohësisht; 1. Udhëheqës shteti, 2. Udhëheqës suprem ushtarak dhe 3. Udhëheqës shpirtëror i asaj shoqërie (tre pushtetet apo i gjithë pushteti në një person) pra të tërë pushtetin si atë ekzekutiv etj. kontrollon dhe e mbanë vetëm një person „i përzgjedhuri“ apo „i përcaktuari“, i „shënjuari nga Zoti“, ky vërtetë shembull i vet themeluesit të fesë muhamedane, pra a.s Muhamedit, i cili ishte i pari i ushtrisë, i pari i shoqërisë - shtetit si dhe i pari i fesë të asaj shoqërie të ngushtë e të gjerë, me të gjitha kompetencat dhe të drejtat që ai i parashihte, i rregullonte dhe i zbatonte vet. Këtu shkurtimisht cekëm më tepër vetëm këto fe (besime) cilat janë po ashtu pjesë e botës dhe kulturës shqiptare siç janë Muhamedanizmi, Ortodoksia dhe Katolicizmi.

Mirëpo, kësaj radhe ne do të ndalemi e fokusohemi te jeta dhe veprimtaria e besimtarit katolik në jetën e bashkësisë së tij shoqëroro – politike si dhe në rolin dhe ndikimin e Kishës si bashkësi fetare dhe autoritet moral në jetën dhe veprimtarinë e përgjithshme të njeriut e me këtë edhe në jetën politike tek besimtari i saj.

Pra, thënë të vërtetën, pyetja më e shpeshtë mes besimtarëve të krishterë, me këtë rast katolik është; Ku e ka vendin i krishteri, gjegjësisht katoliku në jetën shoqëroro – politike të bashkësisë që i përket?

Edhe i krishteri, pra anëtari i fesë Katolike, është sikur edhe gjithë njerëzit e tjerë „zoon politikon“ – qenie shoqërore. Është në përputhje të plotë me natyrën njerëzore ku përgjatë gjithë historisë njerëzore në një mënyrë të organizohet, krijon bashkësi, struktura të caktuara ligjore. Meqë çdo shoqëri e përbëjnë personat (individët) atëherë normal se ekziston dëshira që të gjinden struktura të tilla politiko – ligjore të cilat do iu mundësojnë të gjithë qytetarëve, edhe atë pa far diskriminimi, mundësinë e vërtetë të lirë dhe aktive të pjesëmarrjes në jetën politike të bashkësisë, edhe atë para krijimit të themeleve ligjore dhe para drejtimit të shtetit, si dhe para përzgjedhjes së udhëheqësve dhe trupave drejtues ligjor.

Gjithsesi se këtu nuk po hyjmë në gjendje apo situata konkrete se si është e rregulluar dhe realizuar kjo gjë në shtetet e ndryshme, me far formash demokratike e ngjajshem. Por, dëshirojmë në mënyrë të përgjithshme, të theksojmë atë marrëdhënie të individit apo personit ndaj bashkësisë shoqëroro – politike. Secili e ka për detyrë apo obligim të ndërtoj bashkësinë e tyre shoqëroro – politike dhe se të gjithë kanë të drejtë dhe detyrë të shërbehen me të drejtat e tyre, pra të drejtën në votim për të mirën e përgjithshme. Mirëpo, kjo pjesëmarrje duhet të jetë e udhëhequr me vetëdijen personale, kurse pushteti publik duhet gjithsesi t’iu siguroj dhe mbroj të drejtat dhe lirinë e pjesëmarrjes të gjithëve në ndërtimin dhe funksionimin e bashkësisë së tyre shoqëroro – politike. Kjo në rast të parë bëhet përmes shtypit të lirë, përmes paraqitjes së lirë të bindjeve politike të tyre, përmes lirisë së plotë të takimeve dhe marrëveshjeve të tyre mes veti.

I pagëzuari po ashtu është i detyrueshëm me ndërgjegje që sikur të gjithë qytetarët tjerë të ndërtoj bashkësinë e tij shoqëroro – politike! Të krishterët kanë për detyrë që së bashku me gjithë qytetarët tjerë, pavarësisht përkatësisë nacionale, fetare, përkatësisë e bindjeve ideologjike, të janë aktiv në ndërtim të bashkësisë. Ata e kanë për detyrë pjesëmarrjen në jetën politike të bashkësisë së tyre, në vendimmarrje, zgjedhje, sikur që edhe duhet të pranojnë detyrat e obligimet për të cilat i përzgjedh bashkësia. Mbi përgjegjësinë dhe pjesëmarrjen më tepër e më shumë mund të gjeni në librin tim: „Njeriu mes Lirisë dhe Përgjegjësisë”,[3] mirëpo këtu prapë po rikujtojmë dukurinë e shpeshtë e të krishterit me theks katolikut, pra rreth hamendjes së tij, a të merret më tepër e më shumë me jetën shoqëroro – politike të bashkësisë së tij, shkurtë të rikujtojmë palëvizshmërinë e tij, qëndrimin anash, mos aktivitetin e tij shoqëroro – politik.

Pra, edhe ne të krishterët (Katolikët) shpeshherë harrojmë, që edhe ne së bashku me të tjerët jemi përgjegjës për ndërtimin e kësaj bote, përgjegjës që kjo botë të jetë sa më e mirë, sa më e drejtë, sa më e vërtetë. Neve shpeshherë për pasivitetin tonë kemi si „alibi“ përgjigjen se edhe po të merrem me politikë thuajse pak apo asgjë nuk mund të ndryshoj. Këtu mos të harrojmë një thënie të lashtë kineze: „Më mirë është të ndezim po edhe të vetmin qiri që kemi, se sa të qëndrojmë duke sharë terrin, errësirën!“ [4]

Të Krishterët (katolikët) në ndërtimin e botës dhe shoqërisë do të duhet ti afrohen njëri - tjetërit, të gjithëve pa dallime, si besimtarë, si fetarë, duke pasur gjithmonë në mendje që kjo botë të mos shkoj rrjedhës së verbër të rastësisë, por të ketë në mendje e parasysh se Zoti i ynë (kështu na u shfaq në Bibël) është pikërisht Zot i historisë dhe se veprimtaria e Tij shpëtuese apo shelbuese është e lidhur me rrjedhat historike, dhe për këtë pikërisht këtu duhet ta njohim atë, ti njohim shenjat e Tij të kohës, lidhje me angazhimin tonë personal. Dhe pikërisht për këtë nuk ka këtu asnjë sistem as shoqërorë e as politik në të cilin të krishterët gjegjësisht katolikët të mund dhe të guxojnë të qëndrojnë pasiv, porse duhet që së bashku me të të gjithë të tjerët, pra bashkërisht, të ndërtojnë botën, shoqërinë, bashkësinë në të cilën jetojnë. Sepse, nëse me të vërtetë jemi „tharmi“ siç thotë Jezusi, atëherë ky tharmë që të mbruhet duhet fermentuar, duhet të jetë prezent, e jo të qëndroj i pështjellur dhe i izoluar në vetvete, sepse atëherë përmes saj nuk do të ndodhë asgjë!

Të Krishterët gjegjësisht katolikët të shndritur me dritën e Ungjillit, nuk guxojnë atë dritë ta lënë anash, ta fshehin, apo siç thotë Jezusi; „Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur në majë të malit. As nuk ndizet dritëza për ta vënë nën magje, por për ta vënë mbi pishtar për t’u bërë dritë të gjithëve në shtëpi. Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell.”(Mt 5, 14 – 15), dhe për këtë shkak duhet pranuar obligimet e detyrat me të cilat i përzgjedh dhe ngarkon bashkësia sepse pikërisht drita e Ungjillit iu ndihmon për tu përcaktuar përjetësisht për të mirën, për të mirën e përgjithshme të mbarë njerëzimit. Këtë në veçanti e thekson edhe Koncili i Dytë i Vatikanit kur thotë; „ Të krishterët duhet që në bashkësinë politike të janë të vetëdijshëm thirrjes së tyre të veçantë; në të vërtetë ata (pra, të krishterët) duhet të janë shembull duke zhvilluar në veti vet dijen e detyrës dhe angazhimit për të mirë të përgjithshme, kurse me vepra duhet treguar se është e mundur të harmonizohet pushteti me lirën, iniciativën personale me solidaritet dhe nevojat e mbarë trupit shoqërorë, unitetin e nevojshëm me larmi të ndryshme, të frytshme...“. (Krh. Gaudium et Spes (GS) 75).

Këtu në mënyrë të veçantë dëshirojmë të shikojmë marrëdhënien mes bashkësisë politike dhe Kishës.

Kisha për shkak dërgimit të saj që ka, askurrë nuk mund të identifikohet (njëjtësohet) me asnjë bashkësi shoqëroro – politike, as që mundë në dërgimin e saj të lidhët me far do sistemi politik. Vet historia na tregon për pasojat e mëdha që ndoshta edhe sot i përjetojmë e ndiejmë pasojat e saj pikërisht nga ato të cilat dolën e që ishte siç i themi; “Bashkimi Konstantinopolian që dikur ndodhi mes Kishës dhe shtetit.

Meqë Kisha iu është dërguar të gjithë njerëzve pa dallim, atëherë kuptohet se ajo nuk mund të identifikohet me asnjë grupim, sepse atëherë automatikisht do të kishte kundër saj edhe opozitën e të tjerëve, gjersa ajo iu është dërguar të gjithëve, „edhe njërës edhe tjetrës palë “.

Bashkësia politike dhe Kisha janë, secila në fushën e saj, të pavarura njëra nga tjetra dhe plotësisht autonome.

Mirëpo, pasi Kisha dhe bashkësia politike merren rreth të mirës së njerëzve, atëherë me doemos se duhet të shkojnë me një bashkëpunim të shëndosh mes veti, që do të thotë bashkëpunim e jo kurrsesi identifikim apo njëjtësim.

Kisha është e dërguar që në mes të gjitha shteteve dhe sistemeve politike të shpallë thirrjen e saj të amshuar, si dhe të qëndroj e predikoj vlerat e botës së re Hyjnore, Mbretërisë Hyjnore, të cilat me Jezusin vijnë në këtë botë, e këto janë; e vërteta, drejtësia, mirësia, dashuria dhe ajo dashuria ndër njerëzore! Por, para së gjithave gjithmonë duhet dalluar atë që besimtarët bëjnë në emër të tyre personal, në emër të vet, apo si qytetarë të ndonjë bashkësie, nga ajo që bëjnë në emër të Kishës si bashkësi së bashku me barinjtë e saj.

Kisha njëkohësisht lidhje me shpalljen e shpëtimit duhet të bazohet dhe të mbështetët në forcën dhe fuqinë e Ungjillit, e jo në forcën e bashkësisë politike (këtu fatkeqësisht i kujtojmë shembull pushtimet e „misioneve“ evropiane në Amerikë e vende tjera), sepse kur punohet me forcën e Ungjillit – Lajmit të Mirë të dashurisë, atëherë asaj nuk i nevojitët as shpata, as pushka, as pushteti laik. Apo siç shprehet Ungjilltari Shën Mateu; „“Mbretëria e qiellit është e ngjashme me kokrrën e sinapit, të cilën njeriu e mori dhe e mbolli në arën e vet. Ajo është, pa dyshim, më e vogla ndër të gjitha farërat, por, kur rritet, bëhet më e madhe se të gjitha barishtet, zhvillohet në pemë, sa që shpendët e qiellit vijnë e bëjnë çerdhe në degë të tij.” (Mt 13, 31 -32).

Prandaj Kisha kurrsesi nuk guxon që shpresën e saj ta vë në përfitime cilat i ofrojnë fuqitë apo pushtetet individuale politike, në këtë mënyrë duke e vë vetën në pozitë të privilegjuar por duke rrënuar drejtësinë.

Dërgimi i saj është që me lirinë e vërtetë të predikoj fjalën Hyjnore dhe në dritën e saj, mësimin social të saj, e nëse është nevoja edhe të shpreh gjykimin e saj moral po edhe ndaj gjërave që i përkasin rendit politik, rendit social apo shoqërorë, dhe këtë pikërisht atëherë kur janë në pyetje të drejtat themelore të njeriut, kuptohet duke përdorur vetëm ato mënyra dhe mjete të cilat janë në harmoni me Ungjillin.

Marjan Sebaj SOPI

Rostock; 25.03.2018



[1] Më tepër lexo, Libri; „Krishterimi Kisha dhe politika“, Stjepan Baloban (përkthim i Marjan Sebaj Sopi), „Misioni Katolik në Kroaci“ Zagreb - Prishtinë ‘2001, fq. 11-22

[2] Më tepër shih: Libri; „Njeriu mes Lirisë dhe Përgjegjësisë“, Marjan Sebaj SOPI, „Era“ Ferizaj ‘2016 (Parathënie, Dr. don Mikel D. SOPI  fq. 5 – 7 )

[3] . Krh; Libri: “ Njeriu mes Lirisë dhe Përgjegjësisë”, Marjan Sebaj SOPI, “Era” Ferizaj’2016,  fq. 29-38

 

[4] Krh, Libri; „Krishterimi, Kisha dhe Politika“, Stjepan Balloban, „Misioni Katolik Shqiptar në Kroaci“, Zagreb – Prishtinë ‘2001 (Përkthim i librit nga kroatishtja dhe përmbledhje nga Marjan Sebaj SOPI), fq. 67-138

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora