Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Në vend të In Memoriam

| E hene, 26.03.2018, 09:18 PM |


Në vend të In Memoriam

DASHURIA HYJNORE DHE DEHJA

E MISTIKËVE NË BABATOMORR

Nga Kalosh ÇELIKU

Unë s`të fal idenë, sepse atë e krijon Ti
Shpirt asaj nuk mund t’i japë asnjë njeri…
Pluhur t’shndërrohesh do të thotë  mos ekzistosh
E në të njëjtën kohë gjithë botën ta pushtosh…

Flora Sela - Kastrati

Pas një sëmundje të rëndë ka ndërruar jetë Flora Sela - Kastrati, njëra nga poetet dhe intelektualet e mirënjohura nga Struga dhe Letërsia Shqiptare. Varrimi i të ndjerës u bë sot në vendlindje me nderime tradicionale të asaj ane shqiptare (25 mars, 2018) në ora 13.00 në varrezat e qytetit të Strugës.

Flora Sela - Kastrati lindi në Strugë më 6 Gusht 1961. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje. Studimet Filozofi - Sociologji në Universitetin e Kosovës në Prishtinë, në fakultetin Filozofik. Në Universitetin e Zagrebit (Kroaci), me sukses e mbaroi temën e magjistraturës: “Pikëpamjet e Korshit mbi historinë” dhe fitoi titullin Magjistër e shkencave shoqërore - humanitare nga filozofia bashkëkohore. Gjatë vitit akademik 2000 - 2001, ka kryer specializimin në Institutin Ndërkombëtar për administratë publike në Qytetin e kulturës (ku gjysma e popullatës krijojnë art, e gjysma tjetër kritikojnë artin (Paris, Francë), në lëmin e administratës publike dhe diplomacisë.

Në vitin 2007 e mbrojti tezën e doktoraturës në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, në Institutin për kërkime Sociologjike Politike e Juridike, në temën “Zhvillimi i demokracisë lokale dhe bashkëpunimit ndërkufitar sipas standarteve të këshillit të Evropës”. Flora Sela - Kastrati e zotëronte rrjedhshëm gjuhën angleze dhe gjuhën frënge, ndërsa në periudhën prej vitit 1982 - 1992 ka punuar si asistente, e më vonë si ligjëruese në Fakultetin Filozofik, Universiteti i Prishtinës. Nga viti 1994 - 1997, Flora Sela - Kastrati ka punuar si mësimdhënse e filozofisë në Universitetin e Tetovës, Fakulteti Pedagogjik. Në vitin 1999 - 2005 ka punuar në Ministrinë e Pushtetit Lokal në Shkup, në pozitën e shefit të kabinetit dhe ka ushtruar detyrën e udhëheqsit të Sektorit për bashkëpunim ndërkombëtar dhe ka qenë përfaqësuese e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë në Komitetin e përhershëm për demokraci lokale dhe rajonale si dhe përfaqësuese në Paktin për Stabilitet në kuadër të tryezës së parë të rrumbullakët Demokracia dhe të drejtat e njeriut. Flora Sela - Kastrati ka publikuar artikuj të ndryshëm shkencorë nga fusha e Filozofisë, Sociologjisë, Etnokulturës, për të mos përmendur numrin e panumurt të botimeve mbi Barazinë Gjinore, si dhe një numër të punimeve të ndryshme që prekin tema aktuale si dhe ka marrë pjesë në Seminare dhe konferenca të ndryshme ndërkombëtare.

Përveç botimeve shkencore ka botuar edhe disa libra me poezi dhe studime letrare në Gjuhën Shqipe dhe frënge: Entre l’amitie et l’amour e përkthyer edhe në gjuhën shqipe (2003), Heu, po më çmend ky infusion (2007), Vazhdoj ta kërkoj të Nesërmen (2009), Borë në mars (studim letrar, 2011), Burrë e kam Liqenin (poezi, 2011) dhe Policia letrare (studim letrar, 2016). Ka punuar si mësimdhënëse e lëndëve Filozofike dhe Socilogjike në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Fakultetin Filozofik dhe në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës.

Vazhdim i Rrugës për në Babatomorr

Poezia është shprehje e artizmit poetik, lojë fjalësh, burimisht që kanë qëllim magjik. Është, thirrje hyjnore, arrin në qiell dhe hedh fuqinë e vet dhe bëhet e fuqishme duke pasur edhe shpirtin e tyre, Hyut. Nuk është ajo e përkushtimeve: prijësve të partisë politike, parullave të thata patetike. Rreth nesh çdo gjë është poezi: toka, qielli, dita, nata, lindja, vdekja, ringjallja. Rrugët, era, zogjtë, lumi… Vetëm, duhet një sy i mprehtë për t’i hedhur në letër emocionet, idetë dhe imagjinata që duhet shkrirë në indin poetik me mjeshtri të jashtëzakonshme.

Dhe, novatorizmi që sjell në këtë libër: Burrrë e kam Liqenin, Flora Sela - Kastrati i cili i ka rrënjët te lirika popullore, që e ka tejkaluar moti pjesa më e fuqishme e poezisë shqipe,  lirika e dashurisë.  Dhe, jo rastësisht Lasgushi është poet i madh. Serembe, Frederik Rreshpja, Teki Dërvishi, Zyhdi Morava, Hida Halimi, Azem Shkreli, Mimoza Ahmeti, Mirko Gashi, Gani Xhafolli etj.

Poezia shqipe është lëruar dhe zhvilluar brenda kufijve politik: Shqipëri, Kosovë, IRJ e Maqedonisë, Mal i Zi dhe Diasporë. Dhe, për çudi, përderisa në Shqipëri ajo është lëruar përkrah poezisë patriotike edhe poezia e dashurisë, në Kosovë, Mal të Zi dhe IRJ e Maqedonisë, është lëruar edhe poezia patriotike. Realitet, që do të thotë se, një popull e manifeston atë që nuk e ka, i mungon me vite, liria. Risi në poezinë shqipe, sot është kombinimi i dashurisë me patriotizmin. Poetët që e lërojnë këtë lloj poezie numërohen në gishta. Megjithatë, kjo është poezia e ironisë, sarkazmës dhe protestës artistike.
Motivet e poezisë erotike te ky libër janë të njohura: besnikëria, tradhtia, ndarjet, xhelozia, malli, sëmundja nga dashuria, mirëpo edhe ëmbëlsia nga dashuria dhe bukuria e trupit të zhveshur. Është interesante se, në rolin e subjektit lirik paraqitet në këto poezi, njësoj shpeshëherë gruaja sikur edhe mashkulli. Për më tepër, mes këtyre faqeve është e përbashkët tema: jeta pas vdekjes. Ringjallja. Dhe, raporti midis jetës dhe vdekjes. Edhe pse, në kohën e sotme ende vazhdon të shkruhet poezia patriotike, ku gjakohet pas lirisë dhe luftohet robëria.

Poezia e Florës, në gjirin e vet e ka edhe tipin e poezisë profetike. Zakonisht, këtë lloj të poezisë e kanë shkruar pak poetë-profetë, që letërsia shqipe i ka pasur edhe para kohës së Romantizmit Shqiptar. Stili i poetes është i përsosur, nuk vajton për të kaluarën, por për të sotmen dhe të nesërmen. Vargu i kësaj poezie e  lufton hipokrizinë, koprracinë dhe grykësinë. Një spektër më i gjerë objektesh paraqitet në poezinë erotike, e cila dallohet fare lehtë nga poezia patriotike. Kështu që mjeshtëria e poetes shprehet me kërkimin e forcave të reja, përsosjen e figurave ekzistuese dhe të proçeseve stilistike duke lejuar shtimin dhe zhvillimin e temave.

Poezia e këtij libri e  ka gjakun dhe shpirtin, që i ecin nëpër damarë. Një përzierje të së resë: dashurisë me patriotizmin. Gjuha e thjeshtë dhe me stilin e qartë, po të thellë është përsosur me imagjinatën e pasur dhe gjuhën e stolisur. Këndimi i poezisë të “Borës në mars”, fillimi Pranverës Shqiptare (borë në mars, nga e cila ajo sot ikë mes dallgëve të Liqenit me stuhi): Pas borës së acartë: Ti vjen si Pranverë/ E nesërmja do të vijë/ me Ty!/ dhe asaj erotike: Shijen e buzëve Tua/ do ta marr me vete. -Po, kam frikë se ma zbulojnë/ Në kufi...! Vdekje dhe Lindje pas Ringjalljes…

Dhe, për mua si poet, poezi e fuqishme është ajo që i qarkullon nëpër damarë dhe shpirt gjaku, i ka rrënjët në poezinë popullore. Dhe, i japin gji: Tri Zana të maleve nën Rrap. Fuqi për luftë si Mujit dhe Halilit...

Ikja nga parullat e thata, patetika patriotike është risi e plotë në poezinë e poetes, sikur është ruajtja dhe ndikimi i poezisë popullore. Poezia e mirë duhet të ketë edhe filozofinë jetësore plot figura poetike. Poetja hedhë farë në tokë pjellore, ashtu si bujku herët në agim, ende pa lindur dielli me hebet në krah farën e drithit në ara, kështu që frutat e pjekur, poezitë i lulëzojnë në libër, Bregliqen…

Armë e fuqishme është edhe lirika satirike, ku poetja përqesh momente njerëzore, politikën “madhore” me prijësit e tyre të partisë, madje edhe vetë fatin e një populli: I flet zemra - zemrës të ruhet prej mërive/ Se bota më shumë kurtha ngriti sesa liri!...

Origjinaliteti i Poetes, fatkeqësisht ende është në kundërshtim me dukuritë imorale dhe idetë e kohës, në të cilën jeton brenda kufijve politikë  e mbyllur nën dry.

Poezia e Flora Sela - Kastrati sa vjen e më shumë demokratizohet dhe misticizmi depërton në art.  Dashurinë ndaj lirisë e paraqet me shprehje plot figura dhe me gjuhën erotike të lirikës së dashurisë. E zhvesh nga trupi ferexhen e zezë patetike dhe parullat e thata dhe i vesh rrobat e Nusërisë:

E, Ti më ke zili,/ për vetminë time./ Është e rëndë ajo/ por/ më i rëndë je Ti!/

Në poezinë e saj, nganjëherë është shumë vështirë të dallohet deri ku shkon alegoria e ku fillon shfaqja realiste. Vetë gjuha shqipe, gjuhë e poezisë ka disa veçori të asaj poetike, e përshtatshme në paraqitjen e dy-tre dykuptimësive të vargut. Megjithatë, në këtë poezi ekziston edhe një rrezik stereotipash, sepse ajo bazohet në disa tema të përsëritura: dashuria, vera, bukuria. Që, poetja e ka tejkaluar me sukses dhe pasuruar me Lumin Sena, Gruan Besnike, vetminë. Varkën e Noes, Burrin, Engjëllit mbrojtës, Nimfën.  Qiririn e Naimit. Natën e gjatë: Nuk jam në gjumë! Jam në udhëtim!/ Pas këngës dhe vargut kam hap duel!/ etj.

Inspirimi i poetes është i sinqertë dhe i thellë duke u shërbyer me shprehje të larta poetike. Formën e një vargu mes legjendave, porosish dhe alegorish: Në bregun e arritjes jam diçka unikate/ Në varkën e Noes - risi!.../  Ose: Rrëzëllima vrazhdësie më dalin në prita./ Vetmia durtrokitë pandalë!...

Tendencë kjo, për të krijuar një rrymë të re letrare me shumë vazhdues dhe përkrahës. Poetja  rebele është e gatshme të rroket fytas edhe me Zonjën Vdekje. Ringjalljen. Lindjen. Robërinë. Lirinë. Shkurt, ballafaqohet me misteriozen: dashurinë qiellore dhe tokësore.

E di se, rrezik për poetët e talentuar me dhunti nga Zoti dhe Natyra, janë poetët e rrejshëm të oborreve të partive politike. Poetë pa talent, por të shkathët t’u vihen pas (edhe, fërkojnë herdhet e Dashit), partive politike në pushtet, si dhelpëra pas tollumbve të Mëzatit, me shpresë se mos i bien udhës. Poetë të këtillë vetëm për një përdorim, letërsia shqipe ka me bollëk, sa kanë të hanë edhe qentë e rrugëve…

Herët a vonë, këto poetë do të dështojnë në poezi. Rrugën do t’ia lëshojnë poetit-profet, lirikut me mendime të thella dhe me talent të madh vrojtues, kur është fjala për situatat e përgjithshme njerëzore, i cili ka qëndruar, në të vërtetë, mjaft indiferent kur është fjala për ngjarjet politike të kohës.

Vargu i saj luftarak, përjeton një lulëzim të ri të lirikës shqipe. I lëshon paragjykimet, maxhen, burgun shtëpiak… Ferexhen e zezë e hudh në përrua… Robërinë... Shkolla është shtegu i saj drejtë Lirisë… Universiteti… Biblioteka… E nxjerrë vargun nga brezi: Filozofinë e jetës sime e ndërtoj mbi Ty.../ Poete me shpirt krenarë dhe e vetëdijshme në paraqitjen e realitetit shoqëror, kështu që për këtë poete rebele jeta e varur nga partitë politike është e huaj. Tentim ky, i komunizmit që tërë jetën e shoqërisë ta ketë nën kontroll. Hap i gabuar ideologjik me të cilin dështoi në parashikime. Tashti e kanë radhën partitë politike “demokratike - neokomumiste”, shkaku se poetët bëhen edhe më të fuqishëm. Stili i tyre është sakrificë, ndjeshmëri e poetit dhe sinqeriteti. Përsëri do të vdesë dhe ringjallet, por kurrë nuk do t’u bie duarve dhe këndojë arritjeve të tyre patriotike-demagogjike.

Shkëputja e poetes nga format klasike poetike nuk qe proces i lehtë, me vete mori edhe shumë viktima. Nuk është punë e lehtë t’u ikësh ndikimeve nga letërsia ruse (Shqipëri) dhe sllave (Kosovë. Mal i Zi e IRJ e Maqedonisë).

Poezia  shqipe moderne sot ka një rrezik nga poetët e oborrit të partive politike “demokratike”. Fatkeqësisht, falë Zotit, në përgjithësi janë poetë të dobët dhe pa talent. Megjithatë, poezia e ardhmërisë do të jetë poezia e verës dhe e dashurisë, që alegorikisht do të paraqesë dashurinë hyjnore dhe dehjen e mistikëve...

Ardhmëria e poezisë shqipe qëndron në traditën e poezisë popullore, Rilindjes Shqiptare, duke u pasuruar me rrugë të reja, për të hipur në Baba Tomorr. Atdheun e Perëndive. Tyrben, ku pihet vera, shkruhet poezia. Dhe, bëhet dashuri…

 

RRËFIM PARA DASHNORIT

 

Edhe një rrëfim. Jo priftit

Edhe ai është njeri.

Një rrëfim dashnorit tim - Liqeni

Që çdo pjesë e trupit tim ka qenë e tij.

 

Një rrëfim: të tradhtova me një Poet…

 

 

E DEHUR NGA DASHURIA

DHE TRADHTIA

 

Pse nuk shkruajnë poetët

Për sy të gjelbërt?

Një pyetje nga një njeri.

Ti e dehur nga dashuria e tradhtia

Largoje shikimin nga syt e mi të zi!

 

Një ditë në Tavernë Liqenin

Vështrojmë në Poradec:

Ti, unë, sugjelbërta…

Që s’e kuptonte që në skaj të Liqenit

Nuk sheh asnjë peshk.

 

Nuk kuptoi gjë. Se, ata vijnë

Të fiertojnë me femrat syzeza.

Edhe peshku kënaqet me thellësinë e tij…

 

 

PAZARLLËQE KORRUPTIMI

 

Dhe, bëjnë pazarllëqe me Ty

Duan të të korruptojnë.

Ti je një tërësi, Liqeni im

Ke dinjitet, nuk ke kufi.

 

Jam dashuruar në Ty

E dashuria nuk ka kufi…

 

 

ZANË E MALIT

 

Derisa dielli bëhej gati të pushojë

Flaka e tij e kotitur të pushtoi.

Po digjet lartëmadhëria ime

Si do të të shpëtoj, të të fus

Në thellësinë e qenies sime?!

 

Ndajmë shtratin e Madhërishmes

Ti je unë, e unë jam Ti.

S’të shndërroj në akull

Si dikur në Dibër

Që shndërrova një Poet.

 

Por, Ty jo se:  je përjetësi…

 

 

LUTJE PËR TY

 

Më dëbo, më largo

Sa herë të jeshë i turbulluar

Me veten i hidhëruar!

Unë do të jem aty

Do të kuvendoj: unë me Veten

Ti me mua.

 

E Ti, do të falësh një pikë loti

Ta marr me vete rrugës.

 

E, do  të lutem për Ty…

 

 

KU MË JE FSHEHUR

 

Dita e tretë.

E mbushur plot me poezi.

E unë bredhi buz Liqenit, në qytet.

Ndoshta, përpara do të më dalë Ai...

 

Dhe, e pyes Liqenin tim,

Mos ke parë një Poet?

Janë shum më tha...

Njëqindepesëdhjetë.

 

Por, liqe: Ai është Një.

 

Po. Po, një natë pranë meje kaloi një njeri,

Mu duk si poet i zhytur në botën e tij,

Ku nuk kish vend as për mua e as për Ty.

Harroe Atë! Ai është një varg e unë poezi

Në këtë qytet Ti je mbretëreshë e unë mbret.

 

Jam paksa xheloze në Atë Poet...

 

 

NË MESNATË

 

Në mesnatë kur gjumit i shkaktoj neveri

Dhe, largohet vrap.

Vjen Ti ngadal me valët mikluese

e më merr në gji.

Fli, më thua fli! Unë dal

në dyluftim me gjumin.

 

Unë jam më shumë se Ai vet,

Ëndërr njëvjeçare, për Ty realitet.

Jam Liqe stoik, që pret edhe pret...

 

Asnjë anije nuk të zbret në  breg.

 

Derisa  ty qerpikët të rëndojnë,

Unë këthehem te shtrati im,

kam frikë se më diktojnë...

 

 

FUND GUSHTI

 

Fund gushti.

E unë përsëri te Ti,

Të vështroj, e ndiej trishtimin Tënd.

Jam këtu, më ndjen e të ndjej

deri në paskajshmëri.

Të kuptoj, e njoh gjuhën Tënde,

shikimin Tënd drejtuar kah Unë.

Dhe, të kaplon një ankth, një frikë.

Jo, nuk ik.

 

Dimër e verë do të më kesh pranë,

Do t’i kryqzojmë gishtrinjtë,

edhe Hëna do të na ket lakmi.

E mandej do t’i puth buzët Tua të lagura.

 

Nesër, do të shihemi përsëri...

 

 

UDHËTIMI I GJATË

 

Udhëtojmë për në Tetovë,

Unë dhe dy vendas të mi.

Llomotitin diçka, e unë i shoh

syt e Tu të kaltërt.

E Ti syt e mij të zi, duke ja mbyllur

njëri - tjetrit, nga një sy.

 

Më përcjell e më uron rrugë të mbarë,

E di Ti, në mbrëmje kthehem tek Ty.

 

Ditë e nxehtë, për në acar,

Do të më mungosh sot deri në shizofreni.

 

Liqe, cili do të ish kuptimi i jetës pa Ty?!…

 

 

VITI 1961

 

Para gjysëm shekulli,

Qiellin, diellin, hënën e nënën

i pash për herë të parë,

Atëherë kur edhe Struga

u shndërrua në poezi.

Ti me qindra vjet ishe aty,

I vetmuar, dikënd prisje,

i pikëlluar, i mbushur me marrëzi.

Të ringjalla përsëri.

 

U bëmë një në vitin 1961...

 

 

KOHA PO KALON

NË HESHTJE

 

Liqe... sa bukur këndon,

por a e di se, koha po kalon?

S`do të jem në bregliqe

një ditë do të të inspiroj,

Simfoni të re të krijosh.

 

Liqe, koha po kalon në heshtje.

 

Unë përkohësi, e Ti përjetshmëri,

Ta kam zili!

Por, e di do të jem në thellësinë Tënde,

Me ty do të jem çdo herë,

E koha si Drini i Zi,

Sa dhimbshëm po rrjedhë.

 

Por kujtimi,

Shndërrohet në përditshmëri.

Liqe, do të jem, deri sa do të jesh Ti...

 

 

EDHE TI JE SI AI

 

Liqe! Më ke lodhë

Edhe Ti je si Ai:

Pas sirenave tjera gjurmon

Mashtron veten.

Të kthehem kur dëgjoj

Klithmat e tua përsëri.

 

E di pse unë e Ti jemi një

Dallgët tua më dërgojnë porosi

Ti më do. Shihemi nesër!

 

Më gllabëro, lodhë me brishtësinë Tënde

Më thirr se do të vij me flatrat e Tua

Të grabisim pak kaltërsi.

 

Atëherë, kur nga dallgët e Tua

Frikëson njeri, do të jem me Ty.

Se më mungon, dashuri e pakuptimtë

Por, Poeti rrebel, a e kutpon magjinë?!…

 

 

AGU PO TË BËN ZË

 

Dhe, a është poezia Ajo

Që të merr në gji,

Të pëshpëritë për dashurinë?

Aurorën e pret me poezi.

 

Jo, në poezi je shndërruar Ti

Agu po të bën zë.

E me zërin humnerë të thotë:

Ke një grua që aq shumë të do.

 

Jemi plakur ne, Mik. E magjia

Mes nesh është e pavdekshme…

 

 

SIRENA E LIQENIT

 

Mos u fut aq thellë

Nënqeshje cinike!

Askush s’e kupton

Unë jam sirenë.

Dhe, i dashuri im Liqe

Më ka dashur e më do.

E Unë sirena e tij,

Edhe kur dielli perëndon

Shkoj e marr në gji.

 

Të gjithë më kanë zhgënjyer

Por, asnjëherë Ai…

 

 

E KUR DO TË BËJMË

DASHURI

 

Më përqafo! Dhe, më ledhato

Puthjen Tënde ta ndjej në çdo qelizë.

Më grabitë e me mua lundro

Ti pandarë valë Liqeni më puth

Se ti Liqe i vetmi je që shqelmon.

Jam dashuruar në Ty.

Unë luanesha zjarr e Ti lot

I lagur me ujë, dashuri e vërtetë.

 

E kur, do të bëjmë dashuri?!...

 

 

SHELGUN PLAK TË DRINIT ZI

A E KA PA NJERI

 

Kafeja e mëngjesit

Edhe është si çdo mëngjes.

Shoqja ime biçikletë

Më shpie drejtë shtëpisë

Te prindërit. E shkreta ajo

Unë i hipi sipër e nuk bën zë

Më dërgo! Kafeja e mëngjesit

Është ftohur, në gusht.

 

Prit, e duro! Aty nëna jote

Të ka përkundur  në djep.

E kafeja ty të njeh. Të ka shoqëruar

Gjysmë shekulli për çdo mëngjes.

 

Sa më shpejtë më dërgo

Jam vonë në çdo dimension.

Shelgun plak buzë Drinit të Zi

Heu, a e ka pa sot njeri?...

 

Oborri nuk ka më trëndafil

Kumbullën time e kanë prerë.

Mamaja dhe babai nuk pinin kafe

Si t’i kthejë, desha të mbes fëmijë?!

Por pllakat e oborrit - akull

Të shndërruara ma vodhën fëmijërinë…

 

 

RRËFIM PARA LIQENIT

 

Më kanë shkelur, përdhunuar

Drobitur. Në leckë shndërruar:

E shashtisur, qerre me ferra…

Çka e çka s’më thanë: Shtrigë

Digjeni në turrën e druve!

 

Liqe, edhe këtë e thanë.

E thanë njerëzit. E Ai

Që i besoja shumë

Në Korçë më mbyti.

Gjithkund kërkonte gjelbërim.

 

S’kam kujt t’i rrëfehem

Veç ty Liqeni im:

Më prit, edhe sonte do të të mikloj!

Ai është përkohësi

E unë në përqafimin Tënd

Të pavdekshëm, gjithsesi…