E enjte, 25.04.2024, 11:03 PM (GMT+1)

Faleminderit

Drejtuesit më të lartë të shtetit përkujtojnë dhjetë vjetorin e vrasjes së Liderit të Dhjetorit, Azem Hajdari

E shtune, 13.09.2008, 02:44 PM


Berisha: Nderojmë veprën dhe kujtimin e tribunit të lirisë

Lule në memorialin e Azem Hajdarit, nderime të përzemërta tribunit të lirisë, djaloshit, politikanit dhe personalitetit, që me guximin e tij të jashtëzakonshëm dhe me trimërinë legjendë, do të bënte të mundur në vitin 1990 që shqiptarët të njihnin, të takonin dhe të preknin lirinë. Ishin këto fjalët, të cilat kryeministri Berisha shprehu me nderim të përulur në kujtim të dëshmorit të demokracisë, Azem Hajdari, në ditën e 10-vjetorit të ekzekutimit të tij. Pas vizitës në familjen Hajdari, ku ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha, kryeministri vendosi një buqetë me lule në memorialin e Azem Hajdarit dhe Besim Çerës në afërsi të selisë së Partisë Demokratike. Duke e cilësuar vepër sublime kontributin e pazëvendësueshëm të Azem Hajdarit për lirinë e të gjithë shqiptarëve, kryeministri vlerësoi se në këtë ditë shqiptarët nderojnë guximin e djaloshit që bëri për herë të parë reale ëndrrën e të gjithë shqiptarëve, lirinë. Gjatë homazheve, kryeministri Berisha shoqërohej dhe nga drejtues të Partisë Demokratike, ministra të kabinetit qeveritar, etj. "Sot, në 10-vjetorin e ekzekutimit të tij, në këtë vend, ne nderojmë veprën dhe kujtimin e tribunit të lirisë, të djaloshit, politikanit dhe personalitetit, që me guximin e tij të jashtëzakonshëm dhe me trimërinë legjendë, do të bënte të mundur në vitin 1990 që shqiptarët të njihnin, të takonin dhe të preknin lirinë. Në vitin 1990 Shqipëria dhe shqiptarët erdhën pas diktaturës më të egër që Evropa ka njohur në historinë e saj, pas një rendi të vërtetë skllavërues, erdhën nga koha kur gjenerata të tëra ishin lindur, rritur dhe përjetonin vetëm shtypje", ka vlerësuar kreu i qeverisë në fjalën e tij. Pikërisht në vitin 1990, tha kryeministri, Azem Hajdari shfaqet me guximin dhe trimërinë e tij në krye të lëvizjes studentore, lëvizjes më emancipuese në historinë tonë kombëtare, lëvizjes që me votën e lirë do të shembte diktaturën më të egër që Evropa kishte njohur, lëvizjes që do të ripërtërinte dhe do të rivendoste doktrinën e rilindësve tanë, doktrinën e vokacionit perëndimor të kombit dhe do të shpallte, si të parë, çështjen kombëtare. Në këtë kontekst, tha kryeministri, shqiptarët do të nderojnë Azem Hajdarin dhe veprën e tij, për sa kohë ata do të nderojnë lirinë, frymën, shpirtin dhe vlerat e saj.

Topi: Pa Azemin kemi humbur një zë të fortë të demokracisë

Dhjetë vjet pa Azemin janë shumë dhe janë pak. Dhjetë vjet janë shumë, sepse demokracia ka humbur prej dhjetë vitesh një zë të hapur. E, dhjetë vjet janë pak, sepse ai është gjithmonë i pranishëm në çdo aktivitet politik dhe shoqëror. Dhjetë vjet pas vrasjes së një ndër figurave më të spikatura dhe me kontribut të çmuar e të pamohueshëm në lindjen e pluralizmit dhe konsolidimin e demokracisë në Shqipëri, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, së bashku me bashkëshorten e tij, Teuta Topi, zhvilloi dje një vizitë për homazhe në familjen e Azem Hajdarit. Me një vlerësim të lartë dhe emocion të veçantë, Presidenti Topi, gjatë bashkëbisedimit me familjarët, kujtoi dhe ndau me ta disa prej momenteve më të vyera dhe të pashlyeshme të punës dhe të miqësisë me Azem Hajdarin, duke theksuar forcën e tij të personalitetit, kurajon dhe besimin tek populli dhe tek e ardhmja demokratike e Shqipërisë, çfarë e vunë Azemin në krye të lëvizjes studentore të viteve '90-të, që do të mbetet në memorien tonë historike si një themel i fuqishëm i një epoke të re të zhvillimit kombëtar. Familjarët e të ndjerit Azem Hajdari falenderuan Presidentin Topi dhe Zonjën e Parë, duke shprehur njëkohësisht edhe një herë mirënjohjen për Urdhrin e lartë "Gjergj Kastrioti Skënderbeu", që iu akordua dy ditë më parë nga kreu i shtetit në një ceremoni të veçantë të zhvilluar në Pallatin e Brigadave. Mirënjohjen dhe vlerësimin për këtë figurë të shquar të historisë së demokracisë shqiptare, kryetari i shtetit e shprehu dhe gjatë një prononcimi për mediat ku theksoi se, "Dhjetë vjet sinqerisht janë shumë në kuptimin e viteve që kalojnë, por pa Azemin dhjetë vite konsiderohen shumë pak. Shumë pak, sepse jemi mësuar vazhdimisht në të gjithë aktivitetin tonë shoqëror dhe politik, që Azemin ta kishim afër, jo si një person thjesht në qëndrimin e tij fizik, por ka qenë vërtet një lider". Jemi mësuar ta quajmë liderin e demokracisë, tha kreu i shtetit, por ai kishte brenda një periudhe shumë të shkurtër, e kam thënë dhe vazhdoj ta them, një intensitet dhe një frekuencë të lartë në rritjen e pjekurisë së tij politike dhe shoqërore. "Në kuptimin tjetër, dhjetë vjet pa Azemin janë shumë, sepse brenda dhjetë viteve, Azemi i ka munguar në radhë të parë familjes. Fëmijët e tij janë rritur pa Azemin, por janë rritur me figurën e Azemit. Dhjetë vjet pa Azemin janë shumë, sepse demokracia ka humbur prej dhjetë vitesh një zë të hapur, një zë të vërtetë, një zë të drejtpërdrejtë, një zë shumë të guximshëm. Kështu që pas dhjetë vitesh unë e kujtoj Azemin me shumë mall, me shumë vlerësim dhe natyrisht atë që japim nëpërmjet dekoratave, janë shumë pak për një figurë të tillë historike. Sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë vlerësohet Azemi. Kjo është arsyeja që të gjithë jemi bashkë për ta kujtuar", ka bërë të ditur presidenti Topi në fjalën e tij.

Topalli: Azem Hajdari, politikan me intuitë

Në kuadër të homazheve dhe nderimeve në 10-vjetorin e ekzekutimit të Azem Hajdarit, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, zhvilloi një vizitë në shtëpinë e heroit të demokracisë. Gjatë kësaj vizite, ajo zhvilloi një bisedë miqësore me bashkëshorten e të ndjerit Hajdari, Fatmira Hajdari, fëmijët dhe të afërmit e tjerë të familjes. "Azem Hajdari ishte një politikan me aksion dhe intuitë të fortë politike, cilësi të rralla në kohët e sotme. Edhe pse ai jetoi në ditë sfidash, mundi të përballojë me kurajo dhe besim çdo ngjarje të asaj kohe", ka vlerësuar kreu i legjislativit shqiptar. Në kujtimet mbi karrierën politike të Azemit, familjarët e tij së bashku me Kryetaren Topalli, përmedën ndër të tjera, idetë e tij novatore në politikë dhe vullnetin e një politikani të palodhur për më shumë liri e demokraci. Në përkujtimin e 10-vjetorit të vrasjes së Azem Hajdarit, një nga figurat më të rëndësishme të politikës pluraliste, kanë marrë pjesë politikanë, intelektualë nga të gjitha fushat dhe personalitete. Hajdari u qëllua për vdekje pranë selisë së Partisë Demokratike, në 12 shtator të 1998, së bashku me truprojën e tij, Besim Cerja. Azem Hajdari luajti një rol kyç në vitet e para të demokracisë. Ai ishte një nga studentët e dhjetorit dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike. Me rastin e përvjetorit të 10-të të vrasjes së tij do të organizohen disa aktivitete, që do të nisin me një ceremoni pranë memorialit të tij. Tre ditë më parë Azem Hajdari u dekorua nga Presidenti Bamir Topi me Urdhrin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" për kontributin e tij në forcimin e demokracisë.

Pollo: Të përpiqemi t'i afrohemi idealeve të Azem Hajdarit

"Gjithmonë duhet të përpiqemi t'i afrohemi idealeve të Azem Hajdarit. Tema e demokracisë është një temë e gjatë dhe them që roli i Azem Hajdarit ka sjellë mundësinë, kurajon dhe një objektiv politik shumë të veçantë". Ky ka qenë vlerësimi i zëvendës/kryeministrit Genc Pollo, për figurën e çmuar të heroit të demokracisë, Azem Hajdari, në 10-vjetorin e vdekjes së tij. "Strukturat janë të rëndësishme në jetën e një partie politike, por debati politik janë vet personalitetet, janë lidhjet e tyre, aksionet e tyre, të partive që ata përfaqësojnë, që vendosi rregulla dhe objektiva. Azemi, si një student i dhjetorit, duke qenë në moshë më të pjekur dhe me familje ndryshe nga studentët e tjerë, mori përsipër rolin kryesor të lëvizjes së dhjetorit për ta udhëhequr drejt një ndryshimi epokal në ndryshimin e historisë së Shqipërisë", ka vlerësuar Pollo në fjalën e tij. Duke vlerësuar se kjo është një meritë e jashtëzakonshme dhe një kurajo e veçantë, sepse në ato momente regjimi, Pollo tha se në ato momente nuk i dihej nëse komunizmi do të vazhdonte tërheqjen graduale ndërkohë që ekzistonte mundësia e rezistencës për të ngritur krahun e fortë mbi studentët, personalitete, të cilët kërkonin ndryshimin e atij regjimi dhe që formuan një parti që e solli këtë ndryshim. "Atëherë askush nuk e dinte. Por jo vetëm mençuria e një personi në moshë, por ishte i jashtëzakonshëm guximi që të sjell mosha prej 18 apo 24 vjeç, si dhe moskonsiderimi i rrezikut që mund të sillte ajo kryengritje. Pikërisht ajo trimëri vinte nga besimi se Shqipëria në atë formë dhe në atë regjim nuk kishte asnjë të ardhme, përkundrazi po shkonte gjithmonë e më poshtë", ka nënvizuar më tej zëvendëskryeministri.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora