Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Tirana përmes lagjeve të saj

| E hene, 26.03.2018, 08:15 PM |



Tirana përmes lagjeve të saj

Nga Elvi Sidheri

Kur rritesh në një qytet aq origjinal sa Tirana, domosdo, mes shumë detajesh të tjera që të nguliten pashlyeshëm në kujtesë, s’mund të mungojnë veçanërisht emërtimet e lagjeve të saj karakteristike, atyre zonave urbane (o quasi / ose thuajse të tilla) që janë shkelur nga këmbët tona bredhëse qysh në agun e vegjëlisë sonë, e që vijojnë të shkelen prej nesh sa herë të na jepet mundësia, qoftë edhe tani pas betonizimit e ndërtimit masiv të (krye)qytetit tonë.

Tirana faktikisht, nuk do të ishte kjo që është, po të mos ishte dhe për lagjet e saj, për njerëzit, për ngjyrat, për atë tisin e saj karakteristik gri vjeshtor, për shiun, për Dajtin rrëzë të cilit hapet madhështore fusha ku ngrihet qyteti ynë metropol (pa metro), për lumthin tonë të pamungueshëm, Lanën e vockël që na ofron dehjen ujore në një ambient të shumëllojshëm mjedisor siç është Tirana.

Por larmia e Tiranës fundja ngërthehet jo pak edhe në vetë emrat që gjindja, pra populli, banorët e saj, kanë zgjedhur që në dhjetëvjeçarë e më tepër, t’i japin lagjeve të saj.

Duke nisur nga më karakteristikët syresh, nuk do të kish kuptim mos ta fillonim me tre prej tyre:

21 Dhjetori, Zogu i Zi, Brryli !

Pse e nisëm me këto, e jo dhjetra lagje të tjera po kaq të njohura tiranase, është veç rastësi, apo thjesht kërshëri.

Kemi pra, një kryqëzim tejet të njohur kryeqytetas, degëzim rrugësh që mësyjnë ish periferinë Kombinat, dikur të larguar kilometra nga Tirana “mrena Unazës”, e tanimë të përfshirë në kryeqytetin e zgjeruar të mijëvjeçarit të tretë, kryqëzim që të shpie drejt Lanës dhe Tiranës së Re nga një tjetër anë, apo ish daljes së Tiranës te Zogu i Zi nga krahu tjetër, dhe Sheshit Skënderbej nga ana e mbetur.

21 Dhjetori, ditëlindja e Shokut Stalin, udhëheqësit të çeliktë sovjetik, gjeorgjianit (që urrente gjeorgjianët) i cili shpartalloi kolegun e tij diktator Hitlerin gjerman, dhe i cili faktikisht për Shqipërinë nuk bëri ndonjë gjë të veçantë, e që rrjedhimisht për vendin tonë nuk do të duhej të meritonte rëndësi të veçantë, por që habitshmërisht është përjetësuar kryesisht nga kokëfortësia e vetë banorëve të kësaj zone të Tiranës në emrin e pashlyeshëm të këtij kryqëzimi dhe lagjes së madhe përreth tij.

Pak vlerë ka çfarë ndërmarrje është ngritur dikur atypari në kohë të Partisë, ndërmarrje që si shumë të tjera gjithësesi do të kish rënë në harresë si mjaft ngrehina të tjera moniste anembanë Shqipërisë, sikur të mos ishte për këtë “detajin” e ngulitjes së pashpjegueshme të emrit të kësaj ndërmarrje në kujtesën kolektive (sa harraqë janë shpesh shqiptarët, edhe për gjëra me rëndësi jetësore, aq edhe kujtesëngurtë bëhen ata në të tjera raste jothelbësore, si ky i fundit) të banorëve të zonës.

Sot sidoqoftë, edhe në dashtë dikush ta ri-emërtojë këtë lagje (gjë fort e pagjasë, pasi lagjet tiranase historikisht i kanë marrë emrat vetvetiu nga banorët, rastësia apo ndonjë lloj tradite tjetër jozyrtare), prapëseprapë gjindja do të kapet edhe më fort pas këtij emërtimi tashmë në kufijtë e “mitikes” më të pashpjegueshme e të papërcaktueshme, dhe 21 Dhjetori do të vijojë të përdoret si identifikim me këtë lagje tejet të gjerë, sa edhe informale në hapësirën e saj brenda kryeqytetit.

PS: Stalini i çeliktë, drejtpërdrejt nga ferri, padyshim që do të mund të ndihet fort i mikluar me këtë “nderim” kaq të vyer shqiptar për të, ndoshta edhe më shumë se për përgjunjen neveritëse që shoku Enver i kish detyruar të bënin shqiptarët para statujës së tij në sheshin qendror të Tiranës, aty ku sot ngrihet i paepur Skënderbeu, pas vdekjes së udhëheqësit sovjetik nja 60 e ca vite më parë.

Për të kaluar te Zogu i Zi, edhe këtu ç’të themi. Shpjegimet janë nga më të ndryshmit, por në shumicën e rasteve gjindja çoku priret nga versioni më djegës (HOT!!!), pikërisht sipas shijes më burimore shqiptare, për t’i shtuar ca spec (djegës, merret vesh) cilësdo histori apo emri e tradite, që të meritojë vëmendjen e duhur popullore.

Pra, Zogu i Zi si cilësim në kujtesën popullore për një klub të dikurshëm argëtimi (me sfond epshor kryesisht) në Tiranën e gjysmëshekullit të shkuar, gjer në vendosjen e regjimit komunist.

Dhe populli si përherë vështirë harron, sidomos kur çështjet apo toponimet janë kaq pikante, duke i përejtësuar ato gjer në pikën që një pikë hyrëse kaq strategjike të kryeqytetit (së paku deri vonë, para se hyrja e Tiranës në atë drejtim, nga Durrësi, Jug-Perëndimi dhe Veri-Perëndimi, të spostohej më larg, poshtë Sheshit Shqiponja) ta emërtoja vazhdimisht me këtë simbol jo edhe aq entuziazmues.

Por gjindja e tillë është fundja, vetë vendos, vetë quan, vetë kujton.

Më kujtohet në vegjëli, në vitet e fundit të regjimit monist, kur sa herë që përshkonim Rrugën e Kavajës, Rrugën e Durrësit, Rrugën e Elbasanit, Rrugën e Dibrës, pra akset kryesore të Tiranës dikur e akoma sot, pavarësisht zmadhimit të pandalshëm të kryeqytetit, na vinte habi me dualizmin mes emrave zyrtarë të këtyre rrugëve kaq popullore, dhe emrave që gjindja përdorte rëndom për to.

E një ndër pasojat e ndërrimit të sistemeve, ishte dhe emërtimi i këtyre akseve me emrat që populli kish përdorur përherë për to, pa pyetur për dëshirën shtetërore.

E tillë është puna edhe me emërtimet e lagjeve historike tiranase. Sado që emrat e tyre, nganjëherë të na duken pakëz eksentrike, të çuditshme apo pa kuptim, ja që populli nuk pyet vazhdon me të vetën.

Edhe zona e Brrylit e tillë është.

Një kthesë fiks në formë Bërryli, në një lagje më të madhe, njësi administrative, zonë të gjerë të banuar, që gjithësesi famën e saj ia detyron jo pak edhe këtij emërtimi kaq tingëllues.

Jo më larg kemi Vorrin e Bomit, kuptimplot nga emërtimi, shkaku i këtij emërtimi (varreza të vjetra) dhe nga përjetësimi i Bomit (Bamit) që u ka dhënë emrin.

Zonën më të vonë, konglomeratin urban të Komunës së Parisit, që jo rastësisht përkon edhe prirjet politike të banorëve të saj, dhe për të vijuar me frymën frankofone të Tiranës, edhe me Bulevardin Zhan D’Ark anës Lanës, në kujtim dhe nderim të shpirtit revolucionar francez, të transplantuar kaq çuditshëm në kryeqytetin shqiptar.

Nuk mund të harrojmë Rrugët karakteristike si Rrugën Fortuzi (merret vesh, për shkak të familjes tironse me të njëjtin mbiemër), apo Rrugën Bardhyl, Rrugën e Barrikadave (partizane), apo lagje të tjera përbërës të pashmangshëm të identitetit dhe përditshmërisë tiranase, si Lapraka, Porcelani, Kinostudio, Xhamlliku, Alliasi, Pazari i Ri, Pallatet 1 Maji, Pallatet Agimi, Shallvaret, Pallatet Moskat, Pallatet e Aviacionit, Ali Demi apo Blloku Vasil Shanto, si dhe shumë zona të tjera që i japin limfë jetësore këtij organizmi gjigant ku rreh zemra dhe venat e Tiranës.

Tirana nuk do të ishte ky “melting pot”, ky strumbullar ku kondensohen dhe riformësohen papushim tërë shijet, aromërat, dialektet, dritëhijet, të mirat e të këqijat, krahas dokeve, huqeve e sjelljeve më tipike e atipike të një Shqipërie të tërë prej 1920-ës dhe Kongresit të Lushnjes që Tiranën e bëri kryeqytet, nëse nuk do të kishim këto lagje e rrugë që në emërtimet e tyre, kanë shkrirë përvojat, ngjarjet e kujtimet e tiranasve për kaq dhjetëvjeçarë me radhë.

Përmes emërtimeve të lagjeve dhe rrugëve më përfaqësuese të shpirtit tiranas, atij të vjetrit “puro tironc” dhe këtij modernit më shpërfaqës të identitetit tashmë të përzier toskë-gegë-veri-jug-majtas-djathtas të banorëve të Tiranës së sotme, ku ende vijon të qëndrojnë si statuja të parrëzueshme të thelbit të këtij qyteti, mikpritja tironse, butësia e banorëve të saj vendas, buzëqeshja dhe çiltërsia në sytë e tyre, dialekti tirons që i bën ballë kohës dhe prurjeve dialektore nga të katër anët e Shqipërisë, duke u përditësuar me kalimin e viteve, por gjithashtu duke u kthyer në të folurën e bijve dhe nipave të çdo të ardhuri në Tiranë, prej thuajse një shekulli.

Por sakaq lagjet e Tiranës, edhe në aspektin e emërtimeve të tyre, nga ato më historiket e të vjetrat, e deri te më të vonat, që jo rastësisht mbajnë edhe emërtime të ndërlidhura (pazgjidhshëm, na pëlqen apo jo) me periudhën moniste (si pikërisht 21 Dhjetori), shërbejnë si dëshmi të gjalla e gjithnjë në transformim me hapin e kohës, të evoluimit të vetë kryeqytetit.

Evoluim duke iu përshtatur epokave dhe regjimeve, pa harruar edhe kaosin e tranzicionit, aq të prekshëm veçanërisht në arkitekturën tiranase post-1990, duke iu mbivendosur gjurmës arkitekturore moniste (pallatet 4-5 katëshe, parafabrikatet periferike, Piramida, Pallati i Kongreseve), arkitekturës sovjetike (Kryesia e Kuvendit, Presidenca, etj), mrekullisë arkitekturore italiane të viteve 1920-1930 me godinat e Ministrive, Kryeministrinë, akset kryesore, sheshet, Rektoratin, etj, dhe asaj osmane.

Tirana është e tillë, e re, por e lashtë (gjurmë të lashtësisë hasen kudo në kryeqytet, nga Mozaiku i Tiranës te muret e lashta të Kalasë së Tiranës pranë Parlamentit, myslimane dhe e krishterë (Xhamia historike e Et’hem Beut dhe Kisha e Shën Prokopit në kodrat me të njëjtin emër, në zonën e Liqenit Artificial), gege, por edhe toske, as Veriore, as Jugore, por thjesht pikëtakim mes shqiptarësh, e ëmbël si njerëzit e saj dhe dialekti melodioz që flitet rrugëve e lagjeve të këtij qyteti kaq mishërues të gjithë karakteristikave të shqiptarit të sotëm.

Dhe këto lagje janë thelbi i saj.