E premte, 19.04.2024, 06:59 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Gjuetarët e terrorizmit në internet

E shtune, 13.09.2008, 11:30 AM


Për vite Al Kaeda dhe grupe të tjera terroriste kanë ndjerë nevojën e të qenit të pranishëm në internet. Po ashtu edhe shërbimet sekrete në ndjekje të tyre. Por veçanërisht dy kompani "SITE" dhe "IntelCenter", kanë mundur të hyjnë më thellë në rrjetin e terrorit se pjesa më e madhe e agjencive sekrete të sigurisë.

Kur u themelua Al Kaeda, Xhosh Devon ishte nëntë vjeç. Ben Venzke ishte 15-vjeçar. Në vitin 1988 Devon dhe Venzke kishin ndaj liderit islamik OPsama Bin Laden të njëjtin interes që kishte edhe ai për këta dy fëmijë amerikanë.

Tani, pas dy dekadash, gjërat kanë ndryshuar. Devon dhe Venzke ushqejnë shumë interes ndaj terrorizmit dhe e kanë konvertuar këtë interes në karrierë. Ndërkohë që Al Kaeda mban shënim me kujdes çdo arritje të tyren.

Dy të rinjtë janë më të zotët ndër "gjuetarët e terrorit" në gjithë botën. Në shtetet e Bashkuara të Amerikës, si edhe në shumë vende të tjera, me këtë term kuptohet ai komunitet njerëzish që i shpenzojnë orët e ditës në gjurmimin e shenjave që lënë në internet Al Kaeda dhe organizatat e tjera terroriste.

"IntelCenter" dhe "SITE Intelgroup" janë dy kompanitë e themeluara respektivisht nga Venzke dhe Devon. Gëzojnë reputacion të shkëlqyer brenda komunitetit të vogël të ekspertëve të terrorizmit. Përtej kësaj, janë virtualisht të panjohur.

Fjalët e Bin Ladenit

Dy kompanitë ushtrojnë influencë të jashtëzakonshme në gjithë botën. Agjenci lajmesh, agjenci shërbimesh sekrete dhe organizma për ruajtjen e rendit nga gjithë bota perëndimore janë ndër klientët më të rregullt të Venzke dhe Devon. "IntelCenter" dhe "SITE Intelgroup" e dërgojnë produktin e tyre - informacionin - via përmes postës elektronike, telefonit apo faksit, apo drejtpërdrejt nëpër telefonave celularë të klientëve.

Thuajse çdo deklaratë e Bin Ladenit, sa për të marrë një shembull, bëhet fillimit publike në sitet e "IntelCenter" dhe "SITE Intelgroup". I gjejnë deklaratat në rrëmujën e siteve të internetit që kanë të bëjnë me Al Kaedën, dhe brenda pak sekondash ua dërgojnë pjesët e para të deklaratave klientëve të tyre. Brenda pak minutash mësojnë në vija të trasha atë që thuhet në deklaratë dhe në pak orë përkthehet që nga fillimi deri në fund, përfshi edhe analizat përkatëse.

Pasi zor që agjencitë e lajmeve, gazetat e revistat kanë në gjendje të marrin apo ta ekzaminojnë vetë këtë lloj informacioni.

Është një ditë e nxehtë qershori në Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vendndodhja e saktë e kompanisë "SITE Intelgroup" nuk mund të bëhet publike. Është vendosur në një ndërtesë shumë normale zyrash - nuk ka asnjë shenjë të kompanisë.

Edhe pamja e ambienteve të brendshme nuk përmban asnjë shenjë që të shërbejë si indikacion për fushën delikate ku operon kompania. Zhosh Devon, i fton vizitorët në një sallë konferencash ku muret janë të veshura me harta. Pikërisht në këtë sallë informon agjentët e FBI-së. 29-vjeçari mban veshur një bluzë të bardhë dhe xhinse. Kur e themeloi "SITE Intelgroup" bashkë me Rita Katz ishte vetëm 23-vjeçar.

"Thjesht ju vumë pas"

"Thjesht ju vumë pas xhihadistëve", thotë për të përshkruar idenë e themelimit të kompanisë. "Shkonim aty ku shkonin edhe ata". E ka fjalën në internet.

Kur nisi bashkëpunimin me Rita Katz ishte ende student në degën e Studimeve për Lindjen e Mesme, ndërkohë që bashkëpunëtorja e tij qe kthyer në legjendë. Që nga vitet nëntëdhjetë, Katz, thuajse e vetme, ka arritur të zbulojë një numër të konsiderueshëm rrjetesh islamike. Katz, me origjinë hebreje dhe e lindur në Irak, u infiltrua brenda disa organizatave islamike e veshur si myslimane dhe falë arabishte së pastër, regjistrimet që bëri shërbyen për zhdukjen nga skena të një serie organizatash.

Më pas 11 shtatori

Pak kohë pas sulmit në kullat binjake, Rita Katz dhe Xhosh Devon qenë ndër të parët që vunë re praninë e Al Kaedës në Internet. themeluan kompaninë (akronimi i "Kërkime Entitetesh terroriste Ndërkombëtare") dhe nisën të navigonin papushim në internet në kërkim të gjurmëve të organizatës. Një prej klientëve të parë ishte një revistë amerikane. Shpejt u kontaktuan nga disa agjenci qeveritare në Zvicër dhe nga familjet e viktimave të 11 shtatorit. Kompania hyri në biznes.

Sot, kjo ish-organizatë jofitimprurëse është kthyer në sipërmarrje fitimprurëse. Por Rita Katz dhe Xhosh Devon e shohin punën e tyre më shumë si një pasion se biznes. Janë jashtë internetit vetëm kur udhëtojnë nga zyra në shtëpi e anasjelltas. Dhe suksesi ka qenë jo i paktë.

Rreziku i daljes zbuluar

Në "SITE Intelgroup" nuk u pëlqejnë të sqarojnë metodat e punës që aplikojnë. Por nuk është e vështirë të merret me mend se punojnë duke naviguar në rrjet si xhihadistë. "Në një farë mënyrë është e njëjta gjë", shpjegon Katz duke pasur parasysh misionet e mëparshme ku maskohej si grua myslimane, "pasi në të dyja rastet je i detyruar të mos tregosh identitetin tënd të vërtetë dhe të mos bësh asnjë veprim që të të zbulojë maskimin".

Gjatë viteve të fundit, vullnetarët e Al Kaedës kanë krijuar një strukturë të mirëfilltë rrjetesh në internet. Boshtet e tyre qendore përbëhen nga një grup forumesh në gjuhën arabe ku mbështetësit e terrorizmit zhvillojnë diskutimet e tyre. Gjithsesi, në të shumtën e rasteve, administratorët e këtyre siteve i lejojnë organizatat terroriste të publikojnë fjalimet dhe marrjen përsipër të përgjegjësive të sulmeve apo të akteve të tjera terroriste.

Që të hysh nëpër forume duhet të kesh në dorë fjalëkalimin, por kjo është veç pengesa e parë. Faza më e rëndësishme është gjetja e kontakteve të duhura me pjesëtarët e forumeve, si dhe bindje e tyre që po flasin me dikë të besuar. Fitimi i besimit të pjesëtarëve më aktivë por sidomos ai i administratorëve të siteve është faza më e rëndësishme. Vetëm ashtu bëhet e mundur përfshirja në ndonjë rrjet me lidhje shumë të afërta me Al Kaedën dhe organizatat e tjera përreth saj, rrjete ku shfaqen videot e terroristëve, ku koordinohen fondet e parave, ku mund të merren edhe adresat e vërteta të e-maileve të njerëzve kyçë në këto forume.

Ajo që e bën kompaninë e tyre kaq të aftë është se kanë hyrë në treg përpara agjencive qeveritare. Sipas një zyrtari evropian shërbimesh sekrete, Devon dhe Katz operojnë në këtë fushë 4-5 vjet më parë se shërbimet e fshehta të shteteve.

Puna e kompanisë për llogari të agjencive qeveritare është gjithnjë konfidenciale, e bazuar te detyra specifike dhe konkrete. Në produktet e tyre përfshihen të dhëna mbi aktivitetet e talebanëve, situata në Irak dhe lajmet më të fundit të zbuluara nëpër forume. Gjithashtu njoftojnë edhe për "atmosferën" komunitetit terrorist në internet.

Kompeticion në gjuetinë ndaj terrorizmit

"SITE Intelgroup" përdoret rregullish si referencë nga gazeta si "New York Times" dhe "Washington Post". Por më së shumti të dhënat e grumbulluara nga ekspertët e kompanisë lexohen pa cilësuar burimin nga vijnë, ndërkohë që tani kërkon më pak publicitet nga më parë. "SITE Intelgroup" është gjithashtu edhe një pikë ku agjencitë e ndryshme të shërbimeve të fshehta këmbejnë informacionet.

Sigurisht çdo agjenci shërbimesh të fshehta për të qenë i ndjek terroristët në internet për llogari të sajën. Por "IntelCenter" dhe "SITE Intelgroup" janë shumë shpesh më të shpejta, dhe informacioni i tyre në të shumtën është edhe më i vlefshëm.

Por eksperti holandez i shërbimeve të fshehta Magnus Ranstorp ka bindjen se aktiviteti i kompanive sjelle edhe probleme. Ai mendon se kompanitë si "SITE Intelgroup" i kanë komercializuar ato lloj të dhënash që duhet të mbeten sekrete dhe se influencojnë analistët me raportet që publikojnë. E megjithatë eksperti holandez thotë se e mira e të mirave do të ishte që këto subjekte të qenë më të shumta: "Do rritej konkurrenca mes tyre".

Në fakt "SITE Intelgroup" ka vetëm një konkurrent serioz: Ben Venzken. Në fund të korrikut shtiu në dorë një informacion shumë të rëndësishëm në çastin kur zbuloi një video në internet në të cilën Partia Islamike e Turkestanit kërcënonte të kryente akte terroriste gjatë zhvillimit të Lojërave Olimpike në Pekin.

Edhe pse nuk duket aq i ri sa Devon, nuk të krijon ende përshtypjen e njeriut që furnizon rregullisht Fbi-në me materiale sekrete. Por ishte edhe më i ri se Devoni (vetëm 16 vjeç) kur 19 vjet më parë themeloi "IntelCenter".

Terroristët janë gjithkund në rrjet

Motoja e tij është: "Që një shoqëri të funksionojë, njerëzit duhet të ndihen të sigurt. Jeta duhet të mbushet me filma e muzikë të bukur, e jo me shqetësimin për godinat që shkatërrohen".

Dy kompanitë ngjasojnë shumë me njëra-tjetrën, por edhe ndryshojnë në disa aspekte. Që të dyja janë gjendje të shtijnë në dorë çdo komunikatë të rëndësishme të Al Kaedës, me raste edhe para se kjo të publikohet. Që të dyja dërgojnë me shpejtësi të përkthyera materiale të rëndësishme të terroristëve, përfshi video fjalime dhe marrje përsipër përgjegjësish mbi akte terrori. Që të dyja punojnë për klientë të ngjashëm. Por "IntelCenter" jep të dhëna më të detajuara mbi aktivitetin paraprak të infiltrimeve për llogari të shërbimeve të fshehta dhe ushtrisë.

Të përfshirë në thuajse të gjitha krizat e pengjeve

Katalogu personal i Venzkes e ilustron më së miri këtë aspekt të punës së kompanive. Sipas asaj që tregon vetë, është kontaktuar nga qeveria amerikane thuajse lidhur me çdo pengmarrje.

"IntelCenter" duket se vepron më shumë se "SITE", për llogari të agjencive qeveritare. "Pjesën më të madhe të asaj që bëjmë ne janë në gjendje ta realizojnë edhe vetë, por shpesh kemi më shumë përvojë në zonat tona specifike dhe jemi më të shpejtë e më pak të kushtueshëm", tregon Venzke. Tregon gjithashtu se ka investuar fort në infrastrukturë për të përmbushur kërkesat e komunitetit të shërbimeve të fshehta, duke blerë pajisjet më moderne. Disa klientë kërkojnë të dhëna të papërpunuara, ndërsa të tjerë kërkojnë analiza të detajuara. "IntelCenter" i ofron që të dyja opsionet.

Pjesa e fshehtë dhe sekrete

Kompeticioni mes dy kompanive ka shumë të ngjarë të jetë i shëndetshëm. Kritikat normalisht bien mbi aktivitetin në tërësi të dy subjekteve, por sigurish pa prekur sekretet, të fshehtat e tyre. Në fund që të dyja fitojnë më shumë me bashkëpunimin e vazhdueshëm me agjencitë qeveritare dhe biznesin se sa me mediat.

E megjithatë, krahasuar me kompanitë e sektorit privat që kontraktohen rregullisht nga Cia, Pentagoni e të tjerë, "IntelCenter" dhe "SITE" mund të konsiderohen transparente, me përmasa të vogla dhe thuajse pa kurrfarë influence. "Kurrë nuk mundoj për influencë që mund të kemi", thotë pa të keq Xhosh Devon. "Thjesht përpiqemi të bëjmë sa më mirë atë që dimë të bëjmë".

E megjithatë që të dyja bëjnë pjesë në atë oligarki të informacionit e cila zor se mund të monitorohet nga dikush në hemisferën perëndimore. Dhe teoritë e konspiracionit, sipas të cilave videot e Bin Ladenit janë falsifikuar nga ekspertët e të dyja këtyre subjekteve, do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Ndërkohë që Katz, Venzke dhe Devon do të vazhdojnë t‘i marrin me të qeshur këto teori: Po, ky është shtabi i përgjithshëm i Mosadit. Tamam kështu!

Por në atë çast një tingull elektronik njofton se një terrorist po dërgon një mesazh. Dha ata menjëherë zhyten në zbardhjen e atij informacioni. Dhe gjuetia do vazhdojë përsëri e përsëri.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora