E merkure, 24.04.2024, 04:52 PM (GMT+1)

Kulturë

Blue Sky: Intervistë me shkrimtaren e mirenjohur Këze (Kozeta) Zylo

E shtune, 13.09.2008, 08:00 PM


Znj. K. Zylo dhe Vera Pelaj

Intervistë me shkrimtaren e mirenjohur Këze (Kozeta) Zylo, e cila në muajin korrik vizitoi për herë të parë Prishtinën dhe Kosovën. 

Zonja Zylo është zgjedhur gruaja e vitit 2008 dhe dallohet për një veprimtari të shquar në shërbim të cështjes Kombëtare. Ajo u prit në presidencë dhe nga Presidenti i Kosovës, z. Fatmir Sejdiu, po ashtu dhe nga personalitete të tjera të fushës së artit dhe kulturës.
Për publikun që na dëgjon dhe lexon ne e kishim të ftuarën e nderit ku i morëm një intervistë për radion Blue Sky në Prishtinë.

Blue Sky: Zonja Zylo, Mirë se erdhët në Kosovë, që është hera e parë që ju e vizitoni, cilat ishin emocionet e para?

 Është e vërtetë që kam kënaqësi dhe emocione të veçanta pasi unë e prek për herë të parë tokën shqiptare në Prishtinë.
Dua ta përshëndes Prishtinën me tërë forcën e shpirtit tim!  Sot në mëngjesin e bukur që më flladiste shpirtin, hapa dritaren e dhomës sime dhe i thashë Kosovës: Mirëmëngjes Prishtinë, Tungjatjeta Princesha ime Kosovë! Ishte një gjë e jashtëzakonshme për mua!
Kurrë nuk do ta harroj zbritjen në aeroport, ku lexova të afishuara në mur urimin për të gjithë vizitorët që zbresin në Prishtinë:
MIRË SE RDHËT NË SHTETIN E KOSOVËS”!
Fjala SHTETIN e Kosovës, më dha emocione të fuqishme, m’i mbushi sytë me lot, më përpiu të tërën brenda saj!
 
Blue Sky: Cili është qëllimi i vizitës suaj në Kosovë, ndonëse, ju keni prejardhje nga Tepelena, keni jetuar dhe punuar në Tiranë, tash sa vite jeni në SHBA, nuk ndaluat në Tiranë, por direkt erdhët në Prishtinë? Pse?

 
Falënderoj Zotin që m’u dha mundësia të vi në Prishtinë, unë nuk e kishja parë kurrë Kosovën martire më parë!
Ka qenë ëndrra ime e kahershme, një ëndërr që ka qenë e ndaluar, por që tashmë u bë realitet, pikërisht nga Amerika. Unë vij nga Amerika të vizitoj Prishtinën për herë të pare, dhe kjo sigurisht është një nga ditët më të vecanta të jetës sime!
Në vitin 1982, ne kabinetin tim të letërsisë në gjimnaz në Tiranë, ku sapo ishja emëruar si mësuese e letërsisë, kishja vendosur një stendë të vecantë, në ballinën e klasës për letërsinë dhe shkrimtarët e shquar të Kosovës.
Nuk ishte e lehtë për atë kohë, por megjithatë, stenda pasqyronte veprat kryesore të autorëve të Kosovës, që e adhuroja dhe i lexoj vazhdimisht!
 
Blue Sky: Dhe si t’u duk Prishtina, për aq sa patët mundësi të shihni?
 
Unë Prishtinën e pashë aq të bukur, aq të mahnitshme, kam qenë aq e emocionuar saqë edhe pluhuri më dukej si një kuvertë ngjyrë ari, që nuk e kisha hedhur kurrë mbi supet e mia.
 
Blue Sky: Jeni një femër krijuese dhe shumë e vyer në shumë sfera te jetes në Amerikë. Si organizohen aktivitetet letrare atje, kur dihet se ka shumë shqiptarë dhe Amerika ju krijon mundësira të mëdha.
 
Përsëri faleminderit shumë. Është një kompliment i madh, në fakt ndjej që nuk e meritoj kaq, por megjithatë unë e kam pasion dhe profesion letërsinë.
Detyrimisht, aktivitetet janë të jashtëzakonshme në diasporë, sepse në radhë të parë ne mblidhemi së bashku, flasim gjuhën tonë amtare dhe ndajmë mendimet letrare së bashku. Ne kemi Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë, me president z.Gjeke Marinaj. i cili para një muaji ka qenë këtu dhe ka promovuar librat, krijimtarinë e tij, ku u prit me mjaft sukses, veçanërisht me librin “Lutje në ditën e tetë të javës”. Presdenti i shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro –Amerikane, tashmë është në vëmendjen e disa nobelistëve.
Në Shoqatën  e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikane, kemi kryetar zotin Dalan Luzaj, poet, 30 vjet i internuar, biri i prof.Isuf Luzaj, që ka doktoruar në Sorbornë dhe është nderuar me medaljen si mësues i Amerikës, medaljon që ia ka dhuruar presidenti Regan. Per ironi të fatit atij ju ndalua ardhja në Shqipëri nga Diktatura.
Njëkohësisht në këto radhë debuton dhe shkrimtari modern Ramiz Gjini, një tregimtar i kohës, ish kryetar i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane. Ndodhet pranë nesh prof.Peter R. Prifti, profesor i letersise dhe kritikes në disa universitete në Amerikë dhe ish sekretar i shoqatës “Vatra”, miku i ngushtë i Fan Nolit.

Blue Sky: Kur flasim për krijimtarinë tuaj letrare duhet të flasim për poezinë, sepse ju e krijoni atë. Keni të botuara librat me poezi “Monumenti i lotit”, “Pranverë pa mimoza”, një cikël me poezi në antologjitë “Zemra Prindërore”, “ Perëndim i malluar”, “ Kur e lë zogu folenë”. Çfarë tematike trajtoni në poezinë tuaj?
 
Në poezinë time kam trajtuar tema nga më të ndryshmet, por më ka tërhequr më shumë tema e atdheut, Kosovës, Camerise dhe lirika, lirika erotike.

Blue Sky: Ju keni ngelur me një shpirt të ri, e cila është ne harmoni te plote me portretin tuaj fizik tejet femëror, si ndiheni për këtë?

Duke pasur profesion mësuesinë, dhe të kem fatin të punoj pranë moshës së artë ( do ta quaja moshën e rinisë) mendoj që shpirti të ngelet i ri derisa mësuesi punon dhe jeton pranë brezit të ri.
Te libri i parë “Monumenti i lotit”, kam dashur të pasqyrojë dashurinë e madhe për atdheun, por edhe dhimbjen, brengën që të lë kur largohesh nga ai. Andaj, nëqoftëse do të mblidheshin të gjithë lotët e popullit shqiptar, lotët e nënave, të grave dhe të fëmijëve, do të krijohej vërtetë një oqean lotësh që nuk është parë asnjëherë në historinë e njerëzimit.
Loti më jep një ndjesi të çuditshme.
Ndersa libri i dyte “Pranverë pa Mimoza”, qe është një titull simbolik, ja kam kushtuar profesionit të shenjtë të mësuesisë.
Duke qenë mësuese, dihet se në çdo 7 Mars mësuesit e Trianës merrnin  tufa me lulet e mimozave nga nxënësit e tyre.
Mimozat të kundërmonin nga era e mrekullueshme, mbushnin klasën me aromën e tyre, shkollat, rrugët dhe pastaj në mbasdite shtëpia ime me të gjitha dhomat  mbushej me erën e mimozave.
Kështu që në Nju Jork, Diten e 7 Marsit, unë e kaloj me një dhimbje nostalgjike, ditë që më dhemb në shpirt.
Edhe pse marr telefonata te vazhdueshme në atë dite nga ish nxenesit e mi, prapë unë e kam të pazëvendësueshme me 7 Marset e Tiranes, pasi nuk ndjej zhurmën e shkollës, nuk shikoj tavolinën time të punës me mimozat, nuk lexoj në dërrasën e zezë urimin me shkronja të mëdha për Ditën e Mësuesit dhe nuk shkoj me kolegët e mi të shetisim buzë Liqenit të Tiranës për të festuar së bashku atë ditë.
Duart dhe krahët e mi në cdo 7 Mars në New York janë pa degët e mimozave!
Pra Pranvera e Nju Yorkut pa mimozat e Tiranës, e ngacmoi fuqishëm muzën time.
 
Blue Sky: Ju keni edhe dy libra gati për botim. A janë edhe këto me poezi?
 
Vetëm njeri libër është  me poezi dhe  në muajin gusht, do të shpërndahet në librari dhe në publik.

Blue Sky: Si titullohet libri?

Libri me poezi titullohet “Mjellmat po te vijne” me parathënie të prof.Peter R.Priftit dhe pasthënie të prof.Sadik Bejkos.
 
Blue Sky: Cila shtëpi botuese, do ta botojë?
 
Do ta botojë shtëpia botuese “Albin” në Tiranë, me botues z. Spiro Dede. Faktikisht e kam ëndërr që të botojë libër në Kosovë, por ngaqë e kam shumë të shkurtër kohën tani, herë tjetër do të vij dhe të bisedojë edhe për këtë.
 
Blue Sky: Për vlerat që keni dhe punën që e bëni në vazhdimësi, si një ndër gratë më të devotshme në diasporë, jeni nderuar si “Gruaja e vitit 2008”. Për këtë çmim keni marr urim edhe nga Ismail dhe Elena Kadare. Si e pritët?
 
Ka shumë gra të tjera që japin një kontribut të vyer në diasporë, ndoshta dhe më shumë se unë, për këtë të jeni e sigurtë se nuk jam vetëm unë.
Të tjerat punojnë dhe më shumë, por unë pata fatin dhe e falënderoj shumë organizatën e gruas “Zëri Ynë”, me presidente Leonora Abdullaun, që më vlerësuan si “Gruaja e vitit 2008”.
Ishte një nder për mua, për familjën time dhe për punën që kemi vazhduar në diasporë. Është detyrë e çdo shqiptari që të punojë me dashuri e pasion për Kombin e tij. Veçanërisht gratë shqiptare janë heroina per punen e tyre të palodhur.
Ishte kënaqësi e madhe kur mora urimin nga shkrimtari i madh, Shekspiri shqiptar, Kadare. Jam shumë krenare për Ismail Kadarenë. Mora e-mail nga  çifti Kadare dhe pata emocion të madh sepse ata janë mit për letërsinë shqiptare, janë mit i kombit shqiptar.

Blue Sky: Ju u pritet dhe nga presidenti i Kosoves, z.Fatmir Sejdiu, c’mund t’i thoni publikut për këtë takim?

Eshtë e pamundur ta shpreh mirënjohjen time në këtë intervistë, për mbresat dhe takimin që patëm me Presidentin e Kosovës, z.Fatmir Sejdiu, vazhdues i denjë i Rugovës.
Presidenti Sejdiu, duke qene nje professor akademik, me nje kulture te gjere te gjithanshme, te imponon vetem respekt si president, por dhe si nje studjues me vlera per ekonomine, e sigurisht si nje udheheqes serioz dhe largpames do ta coje dhe me tej te ardhmen e Kosoves.
Unë u prita në presidencë, së bashku me znj.L.Abdulau, presidente e org.”Zeri Ynë”, ku takimi me z.Sejdiu ishte tejet miqësor, i thjeshtë dhe patriotik.  Takimet dhe bisedat e përbashkëta midis Shqipërisë, Kosovës dhe Diasporës tha Presidenti Sejdiu, kanë rëndësinë e vecantë, sepse Diaspora po shërben si një urë lidhëse midis Kombit dhe Botës.  Z.Sejdiu e cmoi së tepërmi punën e Diasporës dhe vecanërisht të grave aktiviste të saj.
Në fund na dhuroi librat e tij në shenjë respekti dhe një libër me autografin e tij për Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.

Blue Sky: A keni mundësi ta përcillni letërsinë shqipe që krijohet sot në trevat shqiptare edhe në Diasporë, dhe çka mendoni për të?
 
Letersia shqiptare duhet të percillet dhe të transmetohet tek brezat, por ka dhe vështirësitë e veta. Nuk është e lehtë, sepse ka shumë shkrimtarë të shquar që ndoshta nuk kanë mundësinë e parasë edhe ju ngelen librat pa botuar. Akoma shteti shqiptar dhe sponsorizuesit, e kanë shumë pak në qendër të vëmendjes punën e sponsorizimit të librave.
Shteti shqiptar dhe shtëpine e Lidhjes së Shkrimtareve që kishte e ka mbyllur, kurse disa biznesmenë, merren më shumë me restorante, piceri, ndërtime, e me gjëra të tjera, dhe shume pak i lënë kohë librit.
Libri është dije, kulture per Kombin.  Libri është një thesar që i ngelet kombit shqiptar, dhe është një fatkeqësi që shumë prej këtyre shkrimtarëve, librat ju mbeten nëpër sirtare pa botuar për shkak të parasë.
Ky është një ogur i zi, që të botojnë libra vetëm ata që kanë para, pra nuk bëhet seleksionimi i botimit të librit, por ligjin e bën paraja.
Nuk e di kur do të vije dita që shkrimtarët të vlerësohen në bazë të krijimtarisë së tyre, kontributit të tyre për letërsinë dhe artin.

Blue Sky: A mundoheni ta publikoni qoftë me ndonjë libër të përkthyer, qoftë në forma të tjera, letërsinë tonë në Amerikë?
 
Ka shkrimtarë të ndryshëm që mundohen ta përcjellin dhe t’i përkthejnë veprat e tyre në gjuhën angleze. Por, përsëri nuk është e lehtë. Konkretisht nëse flas për librat e mi, sigurisht që kam plane t’i botoj edhe në gjuhën angleze, por në radhë të parë duhet të gjesh njerëz që janë profesioniste të kësaj pune. Nuk është puna vetëm të dish gjuhën angleze, por duhet të jesh profesionist që ta përcjellësh poezinë me poezi. Ndryshe i humb vlera, i humb efekti emocional dhe publiku amerikan, publiku i huaj, nuk mund ta shijojë kurrë nëqoftëse perkthyesi poezinë e transformon. P.sh, në rast se lotin nuk e jep si lot, si kristal, por e transformon në një rrëke, ky përkthim nuk të ngjall emocion, por te merr rrekeja me vehte.
Kështuqë, nuk mund ta ketë atë efekt emocional, siç mund ta ketë në gjuhen shqipe per lexuesin në Shqipëri. I kam planet e mia per perkthime të poezive, po kështu edhe shkrimtarë të ndryshëm kanë planet e tyre për t’i botuar librat në gjuhën angleze, por keto marrin kohë.
 
Blue Sky: Të kthehemi edhe njëherë tek Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikane. Ju jeni nderuar me cmim nga kjo shoqatë dhe njëherit jeni dhe sekretare për shtypin pranë kësaj shoqate. Si vepron kjo shoqatë?

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikane, është në një jetë tejet aktive. Konkretisht me 31 maj, ne promovuam librin e shkrimtarit nga Kosova Adnan Mehmeti. Një shkrimtar jashtëzakonisht i mirë. Ai shkruan:”Diellit ja lashe amanet Kosovën”
D.m.th Adnan Mehmeti është një shkrimtar që premton shumë dhe ishte fat që ne e promovuam librin e tij, në vitin e Pavarësisë së Kosovës siç kam edhe unë fatin që erdha po në vitin e Pavarësisë së Kosovës.
Po kështu kemi dhe shkrimtarë të tjerë të mirënjohur prej Kosove si n/kryetarin e shoqatës, z.Mëhill Velaj, i cili plus librave që i ka dhuruar lexuesve, është njëkohësisht dhe një aktivist i shquar në Diasporë. 
Ai e ka ndihmuar me të gjitha mundësitë cështjen e Kosovës.
Në shoqatën e shkrimarëve është anëtar dhe shkrimtari i mirenjohur prej Kosove z.Tom Mrijaj, i cili ka botuar një sërë librash me vlera historike për Kombin tonë!
Puna e tij e palodhur së bashku me bashkëshorten e tij, një zonjë që na përfaqëson denjësisht ne Bashkinë e New Yorkut, na bën që të ndihemi krenarë me këta anëtarë.
Midis nesh ndodhen dhe shkrimtaret e njohur si: z.K.Kapinova, P.Simsia, A.Bacelli, P.Pali, F.Pajo, V.Lazeri, B.Mezini, V.Fili, S.Kellici, S.Velaj, aktori I.Borova i cili ka pasur radio “Jeta” në Cikago, N.Hila, L.Gjoka, Q.Rrushaj, Gj.Turmalaj, K.Duka, N.Ymeraj, Y.Cela, Q.Rrushaj, Gj.Lacuku, M.Mali, N.Narkaj, P.Hysi, Y.Abdulai etj.
Janë mjaft shkrimtarë që vërtetë premtojnë, po kështu kemi edhe disa gra që janë anëtare të kësaj shoqate si: R.Theohari, T.Shabani, E.Xhajanka, A.Melyshi, I.Sulkuqi, M.McCormack, D.Seitaj, Të gjithë këta, janë shkrimtarë që me krijimet e tyre po lënë gjurmë të pashlyeshme në Diasporë.
 
Blue Sky: Faleminderit znj.Zylo!

Intervistoi Vera Pelaj, gazetare ne Prishtine
Korrik, 2008



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora