E enjte, 25.04.2024, 01:13 AM (GMT+1)

Kulturë

Leonora Jakupi

E premte, 29.06.2007, 08:26 PM


Intervistë me këngëtaren Leonora Jakupi

Nuk është mirë që fal aq shumë

Leonora Jakupi është pothuajse si peshku - shenja e saj e horoskopit. Është e ndjeshme, e tërhequr, e përkëdhelur... romantike deri në fund. Teksa bisedon me të, shpesh ajo i kthehet së kaluarës dhe emocioneve që e kanë shoqëruar në jetë

Është vetëm 29 vjeçe dhe gjatë intervistës shpesh ka dëshirë t’i kthehet fëmijërisë së saj, që ka zënë vend emocionalisht tek ajo.

“Nëse e mendoj jetën time që nga fillimi, që kur kam qenë e vogël, e ndiej se kam pasur një fëmijëri shumë të gëzuar dhe të lumtur”, - shprehet ajo. Teksa flet për fëmijërinë, i kujtohet kur shkonte në shkollë dhe dita kur bleu biçikletën me tri rrota. Ajo na thotë se ka qenë fëmijë i hareshëm, i shoqërueshëm, se ka pasur shumë shokë e shoqe dhe është llastuar shumë nga prindërit.

Ka qenë fëmija i parë dhe fryt i një dashurie të një çifti të lumtur. “Më kujtohet kur lindi im vëlla. Unë bëhesha xheloze për faktin se prindërit e mi mund ta donin edhe dikë tjetër, aq sa më donin mua”. Deri në moshën 20-vjeçare ka jetuar në Skenderaj, në një qytezë të Drenicës. Deri në këtë moshë, ka marrë pjesë në të gjitha aktivitetet shkollore: recitim, kor, pikturë etj.

Por nis lufta në Kosovë. I ati i saj pëson aksident jo shumë larg kufirit shqiptaro–shqiptar, ngjarje e cila e ndryshoi plotësisht jetën e saj. Si më e madhja në familje, i bie barra e rëndë e kujdesit për të motrën dhe vëllanë e vogël.

“Edhe sot, pas nëntë vjetësh, më kujtohet udhëtimi për në Tiranë -mikpritja atje, miqtë. Ndihesha plotësisht e pushtuar nga emocionet. E kisha amanet nga babai që të këndoja një këngë për Kosovën, por ndihesha e dërrmuar dhe pa vullnet. Më kanë ndihmuar shumë Agim Doçi dhe Zhulali. Asokohe, banoja përballë shkollës fillore “11 Janari”. Sot, pas nëntë vjetësh, më kujtohet se si nxënësit e asaj shkolle në fillim këndonin këngën “A vritet pafajësia”, më pas këndonin “Himnin e flamurit”. Ata fëmijë, asokohe, më ndihmuan të kuptoj se e kisha plotësuar amanetin e babait...”

Nora, tashmë ka realizuar pesë albume, dhjetë videoklipe, ka një pjesëmarrje të gjerë nëpër festivale dhe ndihet këngëtare e realizuar.

“Dua të punoj përsëri. Më ka ndodhur të kthej edhe këngë nga kompozitorët. Gjithashtu, kam disa këngë që mendoj se mund t’i kisha realizuar ndryshe. E megjithatë, kam edhe këngë që sot nuk do të mund t’i këndoja, ashtu si i kam kënduar atëherë”.

I kushton mjaft vëmendje pjesëmarrjes së saj në Festivalin e këngës në RTSH në vitin 1998. “Ishte hera e dytë që merrja pjesë në këtë festival, pas vitit 1996 kur jam vlerësuar si debutuese. Pra, ishte viti 1998. Ndihesha e hidhëruar dhe e dërmuar nga vdekja e babait. Me gjithë dhembjen, gjeta forcë të këndoja përsëri. Pasi e kisha realizuar këngën “A vritet pafajësia”, xhaxhi Ferdinandi (Deda) më ndihmonte pa përtuar aspak, që të më ushtronte në piano jo vetëm këtë këngë, por edhe këngë të tjera. Kishte shumë dëshirë që të më kthente humorin. Kam pasur shumë emocion. Ndihesha e hutuar. Gati sa nuk kam qarë në skenë. Edhe teksti ka qenë mjaft prekës”, - rikujton Leonora.

Varrin e të atit e ka në Shqipëri, ndaj jo rastësisht ka vendosur që të blejë një vilë në Durrës. “Nuk ishte thjesht ideja e detit apo e pushimeve, sesa lidhja me Shqipërinë. Meqenëse në Shqipëri kemi shkuar shumë shpesh, atëherë menduam që të kemi edhe një shtëpi atje”, - shprehet ajo.
Në Shqipëri ka shumë miq. Vazhdon të bashkëpunojë me Zhulalin dhe Doçin dhe të ketë një bashkëpunim të frytshëm me ta.

Ajo sapo ka hedhur në treg albumin e saj më të ri “Zemra të kërkon” me 10 këngë. Pjesa më e madhe e tyre kanë temë dashurinë por edhe një këngë me temë sociale. “Meqenëse, të gjitha tekstet po ngjasonin mjaft me njëra-tjetrën, menduam që një këngë ta realizonim ndryshe. Kënga për beqarët është menduar si ide më herët. Edhe pse në fillim kam hezituar ca, më në fund e realizova.”

Meqenëse është ende beqare, Leonora e anashkalon temën për jetën private. Është ende vetëm, pasi nuk e ka takuar ende shpirtin e saj binjak. “Koha e paktë të pamundëson lidhjet me njerëzit. Jam shumë e lidhur me familjen. Natyrisht, edhe profesioni im kërkon që shoku im i jetës të ndajë jetën private prej asaj publike. Por më e rëndësishmja është që të përshtatemi në karakter”, - shprehet ajo.
Ajo rrëfen se ka mjaft propozime, madje se i vijnë shumë letra nga adhurues që e duan dhe e simpatizojnë, por ende ndihet e pavendosur. Ajo vazhdon të jetë vetëm.

“Më ndjekin përherë thashethemet, edhe pse dal shumë pak. Njerëzit sajojnë lloj-lloj lidhjesh, madje flasin sipas tekave të tyre. Kur kam qenë më e re, këto gjykime më kanë lënduar. Megjithatë, me kohë e kam kuptuar se, kur vendos të jesh një person publik, duhet të ballafaqohesh me të gjitha gjykimet e mundshme.”

E veshur me një palë xhinse, një këmishe bojëkafe me katrorë dhe me një grim të lehtë, Nora vjen në takim. Është ndryshe nga Nora e skenës: me fustane që janë modeluar vetëm për të. “Skena kërkon një veshje të bukur, ndaj detyrimisht duhet të investosh për të”. Fustanet i modelon në Kosovë, gjithashtu blen edhe gjatë udhëtimeve të shpeshta që bën.

Ajo shprehet se në paraqitjet televizive nuk ka dalë dy herë me të njëjtin fustan. “Shpesh, kam menduar që të formoj një fondacion me emrin tim, që t’i ndihmoj të varfrit. Me aq sa kam mundësi i ndihmoj ata, por nëse do të më jepeshin edhe mundësi të tjera, atëherë edhe ndihma ime do të ishte më e madhe. Gjatë karrierës sime kam marrë pjesë në shumë koncerte humanitare.” Ajo tregon se ka fustane shumë të shtrenjta, por edhe me një vlerë mesatare. Gjithsesi, synimi i saj në një veshje ka qenë se si do të ndihet brenda tyre e jo se sa kanë kushtuar ato.

Për sa u përket të ardhurave të saj, Nora shprehet se nuk ka asnjë lidhje me to. Me administrimin e tyre merret nëna e saj. “Nuk më mungojnë, por edhe nuk bëj gjithçka për para. Paratë janë të mira në jetë, por nuk të sjellin lumturi”, - shton ajo. Në koncertet në Kosovë dhe jashtë saj, zakonisht shkon e shoqëruar nga e ëma. “Nganjëherë dal edhe vetëm, por kjo ndodh rrallë. Më pëlqen edhe vetmia, pasi shou biznesi është shpeshherë shumë i zhurmshëm”, - thotë ajo.

Nora e quan veten një vajzë të qetë, të butë, të ndjeshme dhe që fal shumë. “Nuk di të mbaj mëri, edhe pse nganjëherë më vjen inat që fal kaq lehtë. Do të doja të mbaja më tepër inat, pasi vërtet e teproj me falje. Ka njerëz që nuk e meritojnë, por unë përsëri i fal.”

Na tregon se i pëlqen shumë natyrshmëria. “Përpiqem të jem maksimalisht vetvetja dhe të mos dal jashtë saj. Nëse flasim për pamjen fizike, natyra ime nuk më lejon të bëj ndonjë ndryshim shumë të madh. Si në muzikë, edhe në veshje, moda pak rëndësi ka. E rëndësishme është që unë të jem brenda saj”, - përfundon këngëtarja Leonora Jakupi.

Box
Ka kohë që s’ka marrë pjesë në ndonjë festival me peshë. “Më vjen keq që nuk kam marrë pjesë në festivalin e fundvitit me këngën ‘Zemra të kërkon’, pasi është këngë tipike festivalesh”, - shprehet ajo. Në të ardhmen nuk e përjashton pjesëmarrjen në këtë festival, pasi ende mendon se festivali i RTSH-së është festivali më i mirë shqiptar. “Është festivali më i mirë, por duhet të gjej një këngë të mirë për t’u paraqitur në të denjësisht.”

Box
“Në tregun tonë muzikor është njëfarë tollovie. Është vërtet fatkeqësi e madhe, pasi akoma nuk është miratuar një ligj për mbrojtjen e të drejtave të autorëve. Përndryshe, nëse ky ligj do të ekzistonte, do të filtroheshin vlerat dhe do të fundoseshin të gjithë ata që u mungojnë këto vlera”, - mendon Leonora.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora