E premte, 29.03.2024, 12:45 PM (GMT)

Speciale

Arben Hoxha: Principet metodologjike të prof. Eqrem Çabejt...

E premte, 12.09.2008, 07:02 PM


Eqrem Çabej
Principet metodologjike të prof. Eqrem Çabejt në punimin "Romantizmi në Europë lindore e juglindore dhe në literaturën shqiptare"

 

Nga Arben Hoxha

 

Hyrje

 

Çështja e vështrimit të metodologjisë së hulumtimit të një shke­ncëtari në fushë të shkencës së letërsisë domosdoshmërisht shtron nevojën, apriori, të hulumtimit të konceptit metodologjik, mbi bazën e të cilit ai e hulumton objektin letrar.

Nisur nga definicioni i njohur se metoda (në këtë rast me­to­da në fushën e shkencës së letërsisë) është mënyrë, rrugë, pro­se­de, të cilën e shfrytëzojmë për të arritur deri te njohja, për ta zbu­luar një të vërtetë, në punimin "Romantizmi në Europë lin­do­re e juglindore..." të Eqrem Çabejt, në mënyrë të vetvetishme shtro­hen një varg pyetjesh paradigmatike:

- në çfarë raporti është hulumtuesi me letërsinë: afektiv apo racional;

- se sa afektivitetin ka arritur ta racionalizojë, d.m.th. se sa ar­syeja ka arritur ta mbisundojë përjetimin subjektiv në rrugën e shtje­llimit, përimtimit të objektit letrar deri në ngritjen e tij në shka­llën e njohjes logjike – objektive;

- në këtë rrugë kërkimi a ka aplikuar një metodë apo një mo­ri metodash;

- fenomeni letrar a është konceptuar si "fakt shoqëror", d.m.th. si epifenomen i realitetit shoqëror, apo është vështruar jash­të relacionit me faktorët e jashtëm?

Vetë shumësi i togfjalëshit në titullin e këtij punimi "Prin­ci­pet metodologjike..." në mëyrë implicite përmbledh prirjen, afi­nitetin dhe dëshirën tonë për të dhënë përgjigje në pyetjet, të cil­at i parashtruam më lartë, rreth punimit të prof. Eqrem Çabejt "Ro­mantizmi në Europë lindore e juglindore dhe në literaturën shqip­tare".

 

Epistemologjia metodologjike

 

Thuhet se numri i lexuesve të pasionuar, të vëmendshëm, i lexuesve të vërtet - ashtu si edhe numri i shkrimtarëve të talentuar, shkrimtarëve vërtet të mëdhenj - është i vogël.

Për prof. Eqrem Çabejn prej gojës së kolegëve, të bashkëpunëtorëve të ngushtë të tij, në televizor dhe në radio, shpeshherë kemi dëgjuar konstatimin se, edhe pse vokacion të parë kishte punën kërkimore shkencore në fushë të gjuhësisë, ai, njëkohësiht, ishte edhe një lexues i pasionuar i letërsisë. Dëshmitë e kolegëve të tij, sot pas vdekjes së tij, i përforcojnë, i plotësojnë dhe i argumentojnë vetë shkrimet e Çabejt për letërsinë: atëherë kur lexojmë shkrimet për gjenezën e literaturës shqipe; për poezinë e De Radës; për Fan Nolin e Lasgush Poradecin; për poezinë popullore të arbëreshve të Italisë etj. Të gjitha këto shkrime e vështrime në fushë të letërsisë, sot na e përforcojnë bindjen se Prof. Eqrem Çabej ishte në një lidhje afektive, pasionante me letërsinë. Pra, ishte një lexues i vërtetë, një nga ata lexuesit e rrallë të letërsisë, tek të cilët kënaqësia e perceptimit të aktit estetik shoqërohet, sikur Dante nga Virgjili, edhe nga një vetëdije e lartë kërkimore, hulumtuese për dukuritë dhe fenomenet letrare.

Gjerësia dhe thellësia njohëse e romantizmit, si epokë letrare, në studimin "Romantizmi në Europë lindore e juglindore dhe në literaturën shqiptare" : mënyra kauzale e të menduarit në kërkim të gjenezës, pastaj, përdegëzimit dhe përhapjes së romantizmit në vende të ndryshme të Europës, njohja e specifikave, karakteristikave, të veçantave dhe të përgjithshmës, ngjashmërive dhe dallimeve në vende të ndryshme; flet se Çabej në rrugën e hulumtimit të fenomenit letrar (romantizmit) nuk mbetet në nivelin e lidhjes afektive që ka si lexues me letërsinë. Në rrugën e hulumtimit të shfaqjes së romantizmit dhe njohjes së karakteristikave të tij, Çabej njohjen empirike letrare e gërsheton me njohjen teoriko-estetike të problemeve letrare. Gërshetimi i tillë i njohjes empirike me njohjen teoriko-estetike të problemeve letrare dëshmon për aspiratën e Çabejt që objektin e hulumtimit (romantizmin) ta ngrej në nivel të njohjes logjiko-objektive. Niveli i njohjes së tillë logjiko-objektive përcaktohet nga vetë koncepti metodologjik që ai aplikon, si mënyrë e mbarështrimit të lëndës kërkimore: të grumbullimit të fakteve, seleksionimit, analizimit dhe eksperimentimit për të arritur deri tek sinteza e tyre.

Cila është pikënisja metodologjike, të cilën Eqrem Çabej e aplikon në studimin "Romantizmi në Europë lindore e juglindore dhe në literaturën shqiptare"?

"Dy lëvizjet mendore të mëdha të Europës perëndimore në shekullin XVI, humanizmi dhe renesanca, në lëmën kishtare, reformacioni dhe kundërreformacioni... pasojat e Kryengritjes frënge...ushtruan ndikimin e tyre të thellë në Europën lindore e juglindore dhe kontribuan këtu në mënyrë të fortë në lartësimin e shpirtërave." 1

Ajo që na tërheq vëmendjen në këtë konstatim të Çabejt është raporti i faktorëve hitoriko-shoqëror ( të cilët ndikojnë në lartësimin e shpirtrave) me frymën. Domethënë që në fillim vijëzohet raporti i dy përbërsëve kryesorë: faktorëve historiko-shoqëror dhe frymës, të cilët ndikojnë dhe e kushtëzojnë reciprokisht njëri-tjetrin, për të ndikuar dhe për ta kushtëzuar, pastaj, formësimin e qenies shoqërore, dhe, për rrjedhojë, sistemin e kulturave në vende të ndryshme, e me këtë, në këtë rast, të krijimit të veçorive tipologjike të romantizmit, si epokë letrare, në ato vende.

Pikërisht relacioni i faktorëve historiko-shoqëror me frymën, si kategori antropologjike e një entiteti, është shtylla kryesore e epistemologjisë metodologjike, të cilën e aplikon Çabej në studimin "Romantizmi në Europë lindore e juglindore dhe në literaturën shqiptare". Në këtë pikëpamje mund të thuhet se Çabej frymën e koncepton si përcaktues të përmbajtjes së kulturës, por, e cila jashtë ndikimit dhe veprimit të faktorëve historiko-shoqëror është e pafuqishme që ta realizojë atë. Në të vërtetë, sipas këtij koncepti, fryma përfaqëson faktorin determinues të kulturës, ndërsa faktorët realizues të saj shtrihen në sferën e thellë afektive dhe në kushtet historiko-shoqërore dhe janë, pikërisht, ata që vendosin se çfarë nga mundësitë objektive të kulturës mund të realizohen. Prandaj, vetëm nën ndikimin e fraktorëve historiko-shoqëror fryma merr forcë (lartësohet).

Duke iu përmbajtur principit të metodës deduktive, Çabej faktorët historiko-shoqëror i sheh si promotor lëvizës të frymës, si kategori antropologjike, të cilët, pastaj, në bashkëveprim me njëri-tjetrin, i përcaktojnë tiparet dhe veçoritë tipologjike të romantizmit në rrugën e përhapjes së tij në vende të ndryshme. Kështu, për shembull, duke bërë fjalë për përhapjen e lëvizjes së reformacionit në Evropën veriore dhe të mesme, Çabej konstaton se kjo lëvizje u zhvillua në ato mjedise, ku popujt ishin të besimit katolik, ndërkaq në Gadishullin e Ballkanit kjo lëvizje nuk arriti të depërtojë, sepse në pikpamje gjeografike ndodhej larg nga djepi i lëvizjes fetare, pra, nga Gjermania. Nga ana tjetër popujt e Gadishullit të Ballkanit ishin pjesëtar të kishës ortodokse, ndaj së cilës nuk ishte drejtuar lëvizja e reformacionit. Pra, me një fjalë, mjedisi i Gadishullit të Ballkanit ishte i papërshtatshëm për lëvizjen e reformacionit.

   Duke e parë raportin e frymës me faktorët historiko-shoqëror, si pëcaktues të lindjes së romantizmit, Çabej shfaqjen e epokës letrare të romantizmit e zhvesh prej çfardo koncepti idealist e metafizik, si prodhim të frymës produktive të gjeniut të reflektuar nga mëshira e Qenies Absolute, e koncepteve të tjera të ngjashme.

Duke bërë fjalë për shfaqjen dhe përhapjen e lëvizjes së reformacionit, lëvizje kjo jo vetëm fetare, si faktor kushtëzues i përhapjes dhe krijimit të dallimave tipologjike të romantizmit, si epokë letrare, në vende të ndryshme të Evropës, Çabej niset nga faktori mjedis. Ndërkaq, dallimet nga pikëpamja e poetikës së romantizmit të Evropës lindore dhe të Evropës perëndimore, Çabej i sheh në "mungesën e shpirtit spekulativ", si veçori e faktorit frymë, që i karakterizon popujt e këtyre vendeve. Përmes sintagmës terminologjike "shpirti spekulativ", Çabej orientohet në përvijëzimin e dallimeve ontologjike të romantizmit në Evropën perëndimore dhe atë lindore. Në këtë kontekst, pikënisje e hulumtimit të dallimeve ontologjike të romantizmit perendimor dhe lindor është faktori racë. Në qoftë se pajtohemi me konstatimin e Lukaçit se faktorët racë dhe mjedis, si dy faktorë kryesor të metodës deterministe të aplikuar nga Ypolit Teni, përfaqësojnë faktorët socialo-historik, atëherë mund të themi se Çabej shfaqjen, përhapjen dhe veçoritë tipologjike të romantizmit i sheh në kuadër të proceseve të përgjithshme historiko-shoqërore, si aspekt i qasjes makrosociologjike të metodës së sociologjisë empiriste të letërsisë, ku nga aspekti i lidhjeve kauzale ekzogjene depërtohet në aspektin endogjen, nga aspekti i jashtëm në veçoritë e përmbajtjes dhe të formës së romantizmit në vende të ndryshme të Evropës. Këto aspekte të romantizmit në studimin "Romantizmi në Evropë lindore e juglindore dhe në literaturën shqiptare" Çabej i vështron përmes metodës krahasimtare, si metodë ndihmëse, interdisiplinare.

 

Metoda krahasimtare

 

Është krejtësisht e natyrshme që Çabej për ligjshmëritë dhe veçoritë e romantizmit shqiptar të flas, a posteriori, pasi t'i hulumtojë shkaqet e para të shfaqjes së tij, pasi ta gjejë burimin për ta parë, pastaj, atë në rrjedhën e tij.

Kur themi natyrshëm kemi parasysh dy shtyllat kryesore mbi të cilat mbështetet koncepti metodologjik i Çabejt:

a) konceptin që ka Çabej për natyrën e letërsisë, dhe

b) epistemologjisë metodologjike që aplikon.

Çabej natyrën e letërsisë nuk e kundron përmes optikës së filozofisë idealiste apo metafizike, përkundrazi, ai letërsinë e koncepton, në radhë të parë, si fakt shoqëror (Dyrkem), mbi bazën e së cilit, pastaj, i veneron kontigjencat e ligjshmërive të brendshme të saj, gjithnjë në relacion me faktorët e jashtëm shoqëror. Domethënë pika e vështrimit bartet nga aspekti historik dhe makrosociologjik me qellim të kërkimit të gjenezës dhe të përhapjes së romantizmit, në aspektin e brendshëm të hulumtimit të dallimeve tematologjike dhe të konvencave krijuese të romantizmit në vende të ndryshme. Me këto tërësi raportesh, në hulumtimin e fenomenit të romantizmit, Çabej operon përmes metodës deduktive, ku epoka e romantizmit, paraprakisht, vihet në raport vertikal me proceset e përgjithshme historiko-shoqërore, dhe në raport horizontal gjeografik. Gjerësia e hulumtimit brenda një sistemi të tillë koordinativ, ku nuk përfillen as kufijtë gjuhësor, është karakteristikë e metodës krahasimtare, aplikimin e së cilës, në mënyrë eksplicite, e sinjalizon vetë titulli "Romantizmi në Evropë lindore e juglindore dhe në literaturën shqiptare".

Përmes metodës krahasimtare, si metodë ndihmëse, interdisiplinare, Çabej i kundron të veçantat dhe të përbashkëtat, dallimet, veçoritë dhe karakteristikat tipologjike të romantizmit perendimor, lindor, juglindor dhe atij shqiptar. Dallimet e tilla tipologjike Çabej e sheh si produkt të kushtëzimit të faktorit shoqëror, të frymës dhe të tipit të zhanrit letrar. Në të vërtetë përmes tri fushave "të kushtëzimit", si dimensione të metodës krahasimtare të letërsisë, del në pah ideja se ngjashmëritë dhe dallimet poetologjike janë të kushtëzuara nga dimensioni historik. Në këtë pikëpamje, metodën e historisë krahasimtare të letërsisë, Çabej, e gërsheton me dy aspektet të poetologjisë krahasimtare: përmbajtjes dhe formës. Kështu, për shembull, në vertikalen historike të vështrimit të dallimeve tipologjike mes epokës letrare të romantizmit dhe klasicizmit, Çabej, fillimisht, niset nga faktori i dimensionit historik, prej nga romantizmin e cilëson si pjellë të Kryengritjes frënge dhe epokës së Napoleonit, për të kaluar, pastaj, në faktorin frymë. Derisa, konstaton Çabej, përfaqësuesit e klasicizmit, në pikëpamje kohore, anonin kah antika, ndërsa në pikëpamje frymore kah paganizmi antik; romantikët në pikëpamje kohore anonin kah Mesjeta, ndërsa në pikëpamje frymore kah krishterizmi. Çabej dallimin e tillë ndërmjet romantizmit dhe klasicizmit, si epoka letrare, e sheh përmes optikës së kushtëzimit historiko-shoqëror të tipologjisë, si dimension i metodës krahasimtare.

Duke bërë fjalë për dallimet e romantizmit në horizontalen gjeografike, si: Gjermani, Francë dhe Angli; Çabej konstaton se edhe pse poetët romantikë ishin pjellë e të të njejtës frymë të kohës, megjithatë mes tyre veçohen disa tipare nacionale. Pikërisht përmes vetëvullnetit dhe individualitetit, si kategori të metodës interdeterministe, Çabej dallimet e tipareve nacionale të romantizmit në vende të ndryshme i sheh si dallime, në radhë të parë, në rrafshin e përmbajtes - si dimension i dallimeve estetike të romantizmit. Derisa, për shembull, literatura e romantizmit gjerman karkterizohet për thellimin në jetën e brendshme të individit dhe, si e tillë, ka për objekt dramën e njeriut përkundër mjedisit; literatura e romantizmit francez karkterizohet për notën e thellë sociale, luftën për idenë e lirisë dhe për të drejtat e njeriut; ndërkaq, literatura e romantizmit anglez karakterizohet për simbiozën e dy poleve të skajshme të veçorive përmbajtësore të literaturës së romantizmit francez dhe atij gjerman. Në këtë mënyrë Çabej, përmes optikës së kushtëzimit psikologjik të tipologjisë, si dimension i metodës krahasimtare, në planin e përmbajtjes, i sheh dallimet, si aspekt estetik, të romantizmit në vende të ndryshme të Evropës.

Për dallim nga romantizmi i Evropës perëndimore, i cili "shenon vetëm një epokë letrare", në Evropën lindore e juglindore, Çabej konstaton se " po t'i përjashtojmë shkrimet liturgjike në këtë kohë nuk ekzistonte edhe një literaturë në kuptimin e vërtetë të fjalës"2. Pra, ekziston mungesa e traditës së literaturës letrare, e me këtë edhe mungesa e kultivimit të zhanreve letrare. Në këtë pikëpamje Çabej, përmes optikës së kushtëzimit të tipologjisë së zhanrit letrar, i sheh dallimet e natyrës endogjene të romantizmit në këto vende. Mbi këtë bazë, dallimet e romantizmit në literaturën gjermane dhe atë të vendeve skandinave, Çabej e sheh në formën epike të trajtimit të materialit letrar:

"Ndërsa gjetiu autori zgjedh dhe qet në pah një periodë të njeriut, atë që atij i duket më e rëndësishmja, dhe këtë periodë e trajton, shkrimtarit nordik i pëlqen të këndojë jetën e njeriut si të tillë që nga fillimi duke e ndjekur nëpër etapa të ndryshme të saj, gati si një dramë me shkallë kohësore të ndryshme."3

Pra, përmes optikës së kushtëzimit të tipologjisë së zhanrit letrar, si dimension i metodës krahasimtare, Çabej dallimet në planin e konvencave krijuese të romantizmit, si epokë letrtare në këto vende, i sheh nga pikëpamja e ndërtimit kompozicional, si aspekt i dimensionit estetik. Këto dallime të natyrës endogjene, Çabej nuk i cilëson si dallime kualitative, por vetëm si dallime tipologjike.

Përkundër kësaj, duke bërë fjalë për ndikimin e poezisë persiane në poezinë e Naim Frashërit, si përfaqësues kryesor në literarurën e romantizmit shqiptar, Çabej konstaton:

"Në epet e tij në pikëpamje formale, duhet shënuar... gja­të­sia e tyre. Në vend që të zgjedheshin ngjarjet poetikisht më krye­sore dhe të nxirreshin këto plastikisht në pah, poeti sipas mo­delit të epikës përse përpiqet të arrijë plotësi të ka­ll­zi­mit...Kjo natyrisht është në dëm në pikëpamje estetike, sepse epi­ka në këtë mënyrë rrezikon të bëhet një kronikë në rimë".4

   Në këtë rast, dallimet në planin e ndërtimit kom­po­zi­cio­nal, Çabej i përcakton jo vetëm nga aspekti i tipologjisë së zhan­rit, por edhe nga aspekti aksiologjik i tyre. Prandaj, më shumë se sa për "natyrën e një epoke të shkrimtarisë", përkundër romantizmit në literaturën e Evropës përendimore, e cila shoqërohej nga një traditë e pasur në kultivimin e literaturës, Çabej konstaton se rëndësia e romantizmit në Evropën lindore "qëndron më fortë te nxitja që dha për një përlindje letrare", e me këtë të fillimit të diferencimit të trajtave ligjërimore dhe, përgjithësisht, të zhanreve letrare.         

 

Përfundim

 

Vështruar në tërësi, në studimin "Romantizmi në Evropë lindore e juglindore dhe në literaturën shqiptare" Çabej niset prej dy aspekteve të metodës së sociologjisë së letërsisë:

a) aspektit historik, ku përfshihen aspektet jashtëletrare të shfaqjes dhe të përhapjes së romantizmit, dhe

b) aspektit estetik, si aspekt i qasjes së brendshme të romantizmit, i cili vështrohet në dy nivele: të përmbajtjes dhe të formës

Një reduktim i tillë i qasjes së brendshme në këto dy aspekte është karakteristikë e metodës pozitiviste, e cila letërsinë e veneron brenda kontekstit historiko-shoqëror dhe si epifenomen të proceseve të përgjithshme historiko-shoqërore. Prandaj, është krejtësisht e natyrshme që Çabej romantizmin ta vështrojë më shumë si epokë letrare - si fenomen që përcaktohet nga koha - sesa si formacion stilistik, domethënë nga aspekti i tipareve artistike që mund të jenë karakteristike edhe për epokat dhe drejtimet tjera letrare, të cilat, si të tilla, s'mund të përcaktohen nga koha, si kategori historike.

Duke u mbështetur në tre faktorët kryesorë të metodës deterministe të Ypolit Tenit: racë, mjedis dhe moment; është e natyrshme që konceptit të autonomisë së letërsisë t'ia zë vendin koncepti i heteronamisë së letërsisë, ku strukturat letrare dalin në varshmëri dhe të kushtëzuara nga strukturat e shoqërisë. Në këtë kontekst, historia e letërsisë shihet si pjesë dhe produkt i historisë së përgjithshme të shoqërisë.

Mbi bazën e kësaj metode procesi i evolucionit të brendshëm të letërsisë nacionale, më shumë se në raportin reciprok, shihet në raportin e varshmërisë me evolucionin e letërsisë së përgjithshme, ku në mënyrë implicite del në pah tendenca për kultin e "letërsive të mëdha". Për pasojë, me aplikimin e një metodeje të tillë, më shumë se analizë të autorëve dhe të veprave të veçanta, kemi grumbullim faktesh të shfaqjes dhe të përhapjes së romantizmit, grumbullim modelesh dhe ndikimesh të romantizmit nga "letërsitë e mëdha" në ato të "voglat"; më shumë se analizim dhe eksperimentim të atyre fakteve, kemi përshkrim të tyre, veçori kjo e metodës pozitiviste, e cila, si e tillë, e ngushton shtegun për arritjen e një sinteze të plotë të objektit të hulumtuar: romantizmit.



2 Po aty, fq. 78

3 Po aty, fq. 74-75

4 Po aty, fq. 111



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora