E marte, 19.03.2024, 08:07 AM (GMT)

Udhëpërshkrim

Eli Kanina: Shkumbinaset që shërojnë

E premte, 16.03.2018, 06:59 PM


SHKUMBINASET, QË SHËROJNË ME PROFESIONET DHE PASIONIN PËR TË SHKRUAR

Mbresa

NGA ELI KANINA

"Mikroskopi dhe teleskopi janë vazhdimësi e syrit, telefoni vazhdim i zërit, plugu dhe shpata i duarve. Por libri është një punë krejt tjetër, libri është vazhdim i kujtesës dhe imagjinatës..." shkruan Jurge Luis Borges . Është libri ai që na motivon në përditshmëri, miqësi e takime, në punë e aktivitete. Ky libër na veçon, e na bën bashkë në gjithë jetën tonë.

Si dikur në rrethin letrar të shkollës atje në vendlindje, përjetësova të njëjtën ndjesi me miken time Drita Lushi, në Klubin e Poezisë në bar LUX, në Tiranë. Në pritje të mikes tonë poete Lumturi Bersava që nuk mundi të vinte, takohemi me disa prej autorëve që i kemi njohur, lexuar e diskutuar dikur si nxënëse e letrare. J. D. Salinger shkruan se "Kur ke mbaruar së lexuari një libër, dëshiron ta kishe mik autorin që e ka shkruar, që të mund t'i telefonoje dhe t'i tregoje si ndihesh. Kjo nuk para ndodh." Me autorët bashkëkohorë, shanset të mundësohen nga takime të tilla. Pikërisht, ky shans e kjo kërshëri na bën bashkë në një sofër poetike. Me shkrimtarin korçar, skenaristin e filmave dhe përkthyesin Nasi Lera, autori i shumë librave dhe së fundi të romaneve "Kishim një ëndërr" dhe "Sytë e Sofisë". Me autorin e "Vdekja e perëndive", "Kohë e krisur", "Udha", tekstshkruesin e këngëve më të bukura të muzikës së lehtë, autori i "Ferrparajsës" i "Borxhi" apo "Fjala", poetin skraparli Xhevahir Spahiu. Me shkodranin e martuar me poezinë( bashkëshort i poetes së mirënjohur Luljeta Lleshanaku) shkrimtarin Lazer Stani, që pas 10 vitesh nga libri i tij i fundit, sjell librin e ri "Kohë për nuse". Kësaj here, ndryshe nga takimet letrare të gjimnazit, si krijuese, unë dhe Drita mbajmë në duar edhe librat tanë. Ndihemi në një klimë miqësore si lexues e autorë, dashamirës të letërsisë së njëri tjetrit, jetues të të njëjtit realitet shqiptar. Nasi Lera thotë se "autori është opozitar i realitetit. Lufta e talentit me çensurën, sjell letërsinë e bukur." Ndërsa për shkrimtarin Lazer Stani " letërsinë nuk e bën zhurma e një rruge të kryeqytetit, por gjithkund ku gëlon jeta e gjenden njerëzit"

Ndoshta prej atmosferës së Festës, ndoshta pse në botën e letrave ka gjithmonë një kaos frymëzues bisedash, u ndjeva me të gjithë, si me veten. "Të jesh vetvetja është gjëja më e lehtë në botë. Gjëja më e vështirë është të jesh çka të tjerët të duan të jesh. Mos lër askënd të ta bëjë këtë." shkruan Leo Buscaglia.

Interesi ndaj krijimeve tona, ishte një nxitje tjetër, që të ndjeheshim në vëmendje, duke lexuar disa poezi nga librat tanë. Ndërsa Drita vinte me librin e saj të ri "SONATA E SYVE" unë prezantova "KREJTIN KREJT" të botuar së fundi tek MUZGU. Ajri ngrohet nga prezantimet e sejcilit, nga të rejat e ndryshimet, që i sjellin si lajm. Një urim për punën e re të Rexhep Shahu, si këshilltar i sapozyrtarizuar në Bashkinë Kukës. Një shkrimtar e gazetar, publicist, poet, autor i disa librave, së fundi i vëllimit poetik "Qyteti i lutjeve" dhe kryeredaktor i revistës letrare periodike illz, Rexhepit i duhet të sakrifikojë në këtë kohë të vështirë, si të gjithë ne në profesionet tona, krahas pasionit për librat!

Këtu nis biseda për profesionet, Drita farmaciste, unë mjeke promocioni, Izet Duraku babai i një kardiologeje në specializim, apo edhe Xhevahir Spahiu, babai i shokut tim të kursit, doktor Orgesit në Onkologjik, Namik Dokle, babai i profesionistes gjinekologe Anika etj. Diskutojmë për lidhjet e mjekësisë me letërsinë. Autori i disa librave me poezi, esse e publicistikë, së fundi i romanit "Libri i udhëtarit" shkrimtari Izet Duraku nuk le pa përmendur shprehjen e famshme të Çehovit "Mjekësia është gruaja ime e ligjshme dhe letërsia e dashura ime". Miku im Mark Simoni, poet, shkrimtar, redaktor e botues i shtëpisë botuese MUZGU, jep shembuj të panumërt të kësaj simbioze nga letërsia botërore. Më vjen ndërmend një model i suksesshëm shqiptar, aktoria, mjekja, dhe shkrimtarja Anissa Markarian. Psikoterapia e librit mbi ne dhe pasioni ynë për librat, është një motiv udhëheqës në punën dhe në jetën tonë. Shpirti është ai që jep e merr njerëzoren tek profesioni i mjekut dhe pasioni për letërsinë.

Ndërsa Namik Dokle, një ditë pas ditëlindjes, dhe pas turit prezantues në rrethe nga TOENA të librit të tij "Lulet e skajbotës" vjen i tejngopur me veten dhe suksesin e librit të tij, por i relaksuar dhe i vëmendshëm për të tjerët. Sigurisht ka aq shumë të thotë nga eksperiencat e tij ndër vite, por i mjafton të kapet me një varg të poezisë time "o mortje, të hëngërt mortja!" për ta çuar bisedën në tjetër shteg...

Nuk mund të ulesh me shkrimtarë në tavolinë dhe të mos përmendësh edhe një dyzinë të tjerësh, brenda e jashtë vendit, të gjallë a të vdekur, me të cilët lidhet bota e letrave para dhe pas nëntëdhjetës. Dhe mjafton kjo atmosferë, që magjia e shkumbinasve, të kthehet në shkumbinase të magjepsura. "Ashtu si qiriu nuk mund të digjet pa flakë, njerëzit nuk mund të jetojnë pa një jetë shpirtërore." thotë Buddha. Jeta shpirtërore e larmishme, është një burim i pashterur që ta bën të thjeshtë miqësinë me të tjerët. Bekon na mëson se "Të jesh e thjeshtë, s'është e thjeshtë!" ndaj nuk ndihem asnjëherë nën presionin e paragjykimeve apo të keqkuptimeve, me miqtë e librit. Thjeshtësia më ndihmon të pyes, të vlerësoj dhe të marr më të mirën prej gjithçkaje.

Bisedat vazhdojnë me historitë e shkrimtarëve, për studentët e dikurshëm dhe shkrimtarë të sotëm, për librat dhe sigurimin e tyre ndonjëherë duke i vjedhur apo huazuar mes tyre, për mardhëniet mes shkrimtarëve, për favoret e disfavoret e tyre asokohe e tani...

Më duket sikur hapim Arkën e Noes kur flasim për librin në ditët e sotme. Ka kaq shumë të flasësh dhe nuk di nga të kapesh. Si individë të gjithë dimë të shprehemi për shqetësimet, por së bashku nuk ndihemi ende një zë i vetëm e i fuqishëm, që zgjidh diçka në këtë kohë. Më kujtohen thuprat në porosinë e Skënderbeut që nuk mund të thyhen nëse qëndrojnë bashkë, dhe njëkohësisht i krahasoj me klanet letrare. Në Tiranë funksionojnë sipas shtëpive botuese, krahinave, interesave personale, forumeve të frymëzuara nga nisma ndërkomëtare, apo nga rrjetet sociale, por asnjë nuk e ka targin ti bëjë bashkë si një organizëm përfaqësues në letërsinë shqipe... Drita dhe Marku edhe pse prej vitesh miq nga koha e daljes së gazetës muzgu dhe botimet e antologjive, takohen për herë të parë. Drita si një mike e shoqatës për Daniel Gazullin, miqësore me lezhianët, flet me Markun për librat e saj, për ribotimet e librave të Markut. Më pas përfshihen në një bisedë termash letrare, dialektesh, opinionesh dhe konceptesh, diferencat tek përdorimet e fjalëve. Mëndjehapur më shumë, sesa një "mendje e madhe", Drita përshtatet lehtësisht në biseda dhe diskutime me të gjithë bashkëbiseduesit.

Kështu shkon mrekullueshëm koha, dhe duke këmbyer librat, premtojmë takimin e rradhës për librat që nuk u dhamë e nuk u morëm dot të gjithëve në këtë takim . Sepse gjithmonë këto takime kafenesh, kanë mungesën e atyre që pret dhe surprizën e atyre që gjen, dhe kjo i bën interesante çdo herë. "Ditë kafenesh" do të shkruante I. Kadare. Në kafene mund të ndihesh, si në një Lidhje Shkrimtarësh, të munguar në Tiranën e sotme...



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora