Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjekë Gjonaj: Mali i Zi në prag të zgjedhjeve

| E premte, 16.03.2018, 06:54 PM |


Mali i Zi në prag të zgjedhjeve presidenciale

Vonesa e kandidaturave për president  në dëm të shoqërisë malazeze

Nga Gjekë Gjonaj

Qytetarët e Malit të Zi  më 15 prill 2018  do të dalin në vendvotime për të zgjedhur kryetarin e shtetit. Deri në ditën e votimit  mbetën  vetëm një muaj.  Të gjitha forcat politike ende nuk kanë   zgjedhur  kandidatët nga radhët e tyre.  Opozita dhe pozita  një kohë të gjatë  dukeshin sikur të kishin  rënë në gjumë të thellë.  Krahu i opozitës  për  habi   shpenzoi  pak kohë  e energji në kërkim të një kandidati të përbashkët,  i cili sipas tyre do të dilte fitues në këto zgjedhje  përballë kandidatit  të partisë më të madhe  politike në vend , Partisë Demokratike të Socialistëve,  e cila tash  28 vite mbanë timonin e  drejtimit të shtetit.  As PDS-ja nuk u tregua aktive në këtë proces.

Opozita qytetare edhe në këtë rast, sikur në shumë raste tjera të mëparshme, u tregua  e ndarë, jo kompakte dhe e pafuqishme të sjellë vendim të përbashkët serioz, siç është  zgjedhja e kreut të shtetit. Ideja e saj ( opozitës)  për një kandidat jopartiak   për kryetar të shtetit  në zgjedhjet presidenciale  dështoi përfundimisht.  Deri  në mbyllje të këtij shkrimi  nga radhët e opozitës kemi katër kandidatura  të propozuara.

Një pjesë e opozitës,  të cilën e përbëjnë  Fronti Demokratik, Lëvizja Qytetare “ Ura” , Mali i Zi Demokratik dhe Partia Socialiste Popullore,   ka rënë dakord  që kandidati i tyre i përbashkët të jetë ish – deputeti dhe ekonomisti i njohur   Mlladen Bojaniq. Sipas   mbështetësve të tij Bojaniqi  është njeriu i cili  me veprimin e vet të deritashëm në parlament dhe jashtë tij ka dëshmuar se është opozitar i respektueshëm dhe  kandidatë i denjë për president të Malit të Zi.

Deputetja e Partisë Socialdemokrate  prof.dr. Draginja Vuksanoviq do të jetë kandidate për kryetare të shtetit në zgjedhjet e 15 prillit. Kjo është kumtuar  nga partia e Ranko Krivokapiqit. Krivokapiq ka thënë   se Kryesia e partisë njëzëri e ka propozuar Vuksanoviq për  kandidat presidencial.

Lideri i Malit të Zi të bashkuar, Goran Danilloviq, do të jetë kandidat i kësaj parti në zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi. Kjo është kumtuar në konferencën pë media të kësaj parti në Podgoricë. Mirëpo, kryetari   i Malit të Zi të Bashkuar Goran Danilloviq nuk ka qenë i pranueshëm për Frontin Demokratik dhe një pjesë të opozitës qytetare, si kandidat i përbashkët i opozitës për president të Malit të Zi.

Kryetari i Mali të Zi të Vërtetë,  Marko Millaçiq do të jetë  kandidat i kësaj parti për president të Malit të Zi. Kjo është bërë me dije në  Kongresin themelues të kësaj parti në ndërtesën e vjetër të  Qeverisë.

Partia  Demokratike e Socialistëve në pushtet e Millo Gjukanoviqit ende nuk e ka propozuar  kandidatin presidencial. Nga kjo parti është kumtuar se  “ ka filluar faza finale  e zgjedhjes së  kandidatit të PDS-së  për president të Malit të Zi dhe se është  folur për disa propozime cilësore për kandidatë për president, i cili do të fitojë me siguri. ” Në mbledhjen e Këshillit Qendror, e cila do të mbahet brenda kësaj javë, Partia Demokratike e Socialistëve, do të caktojë  kandidatin e vet për kryetar të Malit të Zi”, theksojnë nga PDS-ia.

Komisioni Zgjedhor Shtetëror ka vërtetuar më 6 mars kandidaturën për president të Malit të Zi,  Vasilije Miliçkoviq-njeriu që merret me ekonomi dhe Hazbija Kallaç-kryetar  i Partisë së  Drejtësisë  dhe Pajtimit.

Nga ana tejtër kandidaturën e pavarur  për president të Malit të Zi  e kanë shpallur edhe dekani i  Fakultetit për Studime Shtetërore dhe Evropiane në Podgoricë, Gjorgjije Bllazhiq dhe  Dragan Hajdukoviq.

Vonesa kaq e madhe  e partive më të mëdha opozitare, veçmas e partisë më të madhe në pushtet,   për të  propozuar  kandidatët e tyre për president të Malit të Zi , tregon se  shoqëria malazeze  në përgjithësi akoma nuk është në gjendje të propozojë një   figurë normale politike dhe kjo  situatë nuk është  e dëshirueshme. Bile do të duhej  të jetë shqetësuese.Vonesa  bën pështypje se është në dëm të shoqërisë.

Vlen  të theksojmë se Mali i Zi asnjëherë deri më tani nuk ka pasur president jopartiak.  A do të ketë kësaj herë ?