E enjte, 25.04.2024, 12:46 AM (GMT+1)

Kulturë

Tomë Mrijaj: Një libër që të lë mbresa të pashlyeshme

E premte, 12.09.2008, 09:49 PM


Një libër që të lë mbresa të pashlyeshme

(Refleksione rreth librit: “Hedhje dritë rreth shtrembërimesh historike” të studiuesit Mërgim Korça)

Nga Tomë Mrijaj, New York

Tomë Mrijaj
Hedhje dritë rreth shtrëmbërimesh historike”. I tillë është libri i ri, që ka për autor studiuesin dhe publicistin e palodhur z. Mërgim Korça. Në këto këndvështrime shumë të rëndësishme historike, hidhet me të vërtetë dritë e plotë dhe e qartë si drita e diellit, rreth shum ngjarjesh tmerrësisht tragjike që përjetoi populli shqiptar gjatë afro 47 vitëve (1944 – 1990) të rregjimit komunist.

Është një libër që rrezaton: kulturë, pse përmbanë një njohje të thellë të të gjitha ngjarjeve që përshkruan; vërtetësi, për saktësinë e padiskutueshme të këtyre ngjarjeve; histori, pse na jep të gjallë zhvillimin e ngjarjeve ashtu siç kanë ndodhur dhe na mëson, se si duhet të shkruhet historia e vërtetë e pa anëshme e pa ndikime ideologjizmash e subjektivizmash; etikë, ku na jep parimet e shëndosha morale, mbi të cilat duhet të mbështetet historiani i mirëfilltë, studjuesi dhe letrari i çdo lamije artistike e shkencore; estetike, me përshkrimet e një niveli aq të lartë artistik të vendeve që ka vizituar, të veprave të artit në gjinitë e pikturës dhe skulpturës, të arkitekturës dhe të operave ndër më të bukurat të interpretuara nga soprano shqiptare me famë botërore.

Por me gjithë këto ndjesi të mrekullueshme, që rrezaton në shpirtin e lexuesit  ky libër, prap se prapë, kur e mbaron së lexuari, nuk mund të mos mbetet në shpirt edhe një ndjenjë e urrejtjes së thellë për atë klikë gjakatare komunistash, si: Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Bedri Spahiu, Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Liri Belishova, Kadri Hazbiu, Liri Gega, Arianit Çela etj., që i shkaktuan aq shumë vuajtje dhe mjerime të papërshkrueshme për afro një gjysëm shekulli popullit tonë; megjithsëse edhe këta përfunduan duke “ua hanger rrashtat njerit mbas tjetrit” udhëheqësi i tyre i dashur Enver Hoxha.

Shqipëria, ishte kthyer në një ferr të vërtetë, ku në çdo piramidë kufitare të saj mund të shkrueshin pa as më të voglin ekzagjerim, pak a shumë ato fjalë që Dantja i madh pati vënë në gojën e Virgjilit, kur I thotë Dantes në hyrje të veprës së famshme “Ferri”:

Këtej kalohet në vendin e dhimbjeve,

Këtej kalohet në vendin e vuajtjeve të përjetshme,

Këtej kalohet ndër njerëzit e humbur…”

Lini çdo shpresë ju që hyni”.

Mjafton të lexohet edhe vetëm shkrimi: “Ndërrimi i jetës së një vajze 23 vjeçare e bën shkembin të përlotet e jo nënën, po kur nëna është zonja Liri Belishova duhet gjykuar më gjërë”, ku jepet një panoramë e gjallë e dhunës se egër të rregjimit komunist, që përbente esencën e atij sistemi.

Ky shkrim - për mendimin tim – është ndër më të goditurit e këtij vëllimi, sepse aty jepet me një forcë jashtëzakonisht të madhe bindëse e realiste, tragjedia e rëndë shpirtërore dhe fizike e nënave dhe e grave shqiptare, që ia kalojnë disa herë asaj të zonjës Liri Belishova, siç ishte rasti i asaj gruas malësore, nuse e re, me burrë të pushkatuar, të cilës i vdesin të dy fëmijët binjakë në internim, prej urijet dhe të ftohtit, njëri në mëngjez dhe tjetri në darkë; e ajo fatzezë, nga dëshpërimi çmendet dhe vret edhe veten. Apo rasti i Adelina Çelikut, të cilën,  hetuesi Zamir Stefani e detyroi me dhunë që t’i dalë dëshmitare akuzet bashkëshortit të saj e, kur ajo nuk pranoi, vajti në shtëpi dhe (që pas kësaj ngjarje ajo) vari veten.

E këto nuk kanë qenë të vetmet raste, por janë me dhjetra e me qindra!

Të tilla krime a nuk të bëjnë që të rrënqethet mishi!?

Mërgim Korça
Me sa pasion, përkushtim, vertetësi dhe ndërshmëri lufton autori, për t’ua hequr baltën e hedhur për vite me radhë disa figurave më të ndritura të kombit, e, në mënyrë të veçantë  atë të hedhur kundër Mustafa Krujës, duke u bazuar në fakte e dokumente origjinale, të cilat historianë të tipit Kristaq Priftit e Kristo Frashërit me shokë, u përpoqën t’i varrosin sa më thellë, që e vërteta të mos dalë kurrë në dritë.   Para dy netësh, në intervistën e dhënë zotit Blendi Fevziu, profesor Kristo Frashëri theksoi se historiani duhet t’i tregojë anët e mira të personaliteteve e gjithashtu ato të këqijat.   Vetëm pas një analize të tillë duhen gjykuar ata.   Por në vazhdim ai harroi se si ai pozicionim ishte sa për t’u shitur i paanshëm dhe kur u pyet se ç’mendim kishte për Mustafa Krujën tha “ Megjithse ai mua më ka bërë mirë se më liroi nga burgu, por ai ishte spiun i fashizmit ”.   Çdo njeri i ndershëm nxjerr pavonesë dy përfundime :

1- Bënu mirë njerëzve bukë-shkalë si profesori në fjalë, dhe shiko si t’a shpërblejnë ata. 

2- Po vlerat e Mustafa Krujës si nënshkrues i Aktit të Pamvarsisë, hartues i materialeve për Konferencën e Paqës, ministër në qeverin’e Durrësit, shpëtues i drejtpërdrejt’i hebrejve të Kosovës, vlerat si gjuhëtar niveli botëror që i ve në dukje (simbas autorit të librit që komentojmë) gjuhëtarja Zonja Ledi Shamku, etj. etj. si i le në heshtje profesori gjuja asnjanës dhe  del me përfundimin e tij aq të neveritshëm e të ulët për kët njeri të madh?!

Por “Dielli nuk mbulohet me shoshë”. Dhe z. Mërgim Korça, na zbulon këtë figurë madhore brezave të rinj, që nuk patën rastin ta njohin, ashtu të pastër siç ishte në të vërtetë, si një shqiptar i madh, gjuhëtar i madh, idealist i kulluar dhe intelektual I madh!

Urrejtjes dhe mallkimit të rëndë, nuk mund t’i shpëtojnë as ata historianë servila e sahan lëpirësa, që jo vetëm shtrembëronin, por e fallsifikuan në mënyrë flagrante historinë, duke shkelur çdo normë morali dhe drejtësie dhe çdo kriter shkencor, për të nxirë dhe poshtëruar me qëllim dhe ndërgjegje të plotë figurat më të ndritshme të kombit, si: Mit’hat Frashëri, Mustafa Kruja, Lef Nosi, At Anton Harapi e plot të tjerë, që janë nderi dhe krenaria e të gjithë shqiptarëve.

Çdo shqiptar, i çfarëdo niveli kultural, ka se ç’të mësojë nga ky libër, ku do të gjëjë fakte dhe ngjarje të panjohura më parë, sepse autori, duke qenë bir i një luftëtari, patrioti dhe intelektuali të madh si Xhevat Korça, që bënte pjesë në elitën e figurave të shquara të kombit dhe në sajë të njohjeve të tija personale, ka patur rastin me dëgjue apo me qenë i pranishëm në shumë ngjarje të rëndësishme për fatet e kombit, të ndodhura mbrenda asaj elite apo edhe rrethit të tij shoqëror.

Është kjo arsyeja, që ky libër, bëhet tërheqës me larminë e ngjarjeve dhe kurioziteteve që përmban.

Të tilla janë p.sh. përshkrimet me një forcë kaq të madhe artistike të vendeve që ka vizituar, sa të duket sikur je duke i vizituar edhe ti bashkë me të, ato ishuj të Greqisë, Egjiptin me piramidat e lëna pas doret; Stambollin e mrekullueshëm me xhamitë madhështore dhe të pashoqe për nga struktura dhe arkitektura e tyre, por njëkohësisht lexuesi shijon edhe leksjonin se si të pasqyrohen të vërtetat krahasuese historike.

E ç’të thuash pastaj për Las Vegas – in, që vetëm duke e lexuar mbetesh i befasuar nga mrekullitë e tij; e të duket vetja sikur je në nje botë fantastike, ireale, kaq të mahnitëshme janë arritjet e shkencës, teknikës, arkitekturës, të gjitha gjinive të artit, të ndërtimeve fantastike, sa vështirë se mund t’u gjinden shoqet e tyre në botë.

Natyrisht, jo çdo kush do të mund të na jepte me një forcë aq të madhe artistike të gjitha ato mrekullira, që ka mundur t’i imagjinoj mendja dhe të ndërtojë dora e njeriut.

Si të gjitha shkrimet e këtij libri, mjaft prekës dhe mbresëlënës është edhe ai kushtuar Loro Kovaçit, ku na zbulon disa anë të personalitetit të tij, të panjohura prej shumë kujt deri më sot (përfshi edhe autorin e këtyre radhëve), siç janë humanizmi dhe fisnikëria e shpirtit të këtij artisti të madh të skenës.   Sa leksjon i fortë për historianin trajtimi nga autori si i figurës autorit të monografisë së Loro Kovaçit, regjisorit e shkrimtarit Lec Shllaku, por nga ana tjetër edhe diferencimi që bën z. Mërgim Korça në gjykimin e t’infiltruarve të Sigurimit të Shtetit në çetën e Gjergj Nikollës.  

Ky vëllim nuk është tekst i mirëfilltë historie, por një udhërrëfyes për historianët se si krahas gjurmimit të dokumentave historikë të hyjnë thellë në rrethanat kohore të situatave që trajtohen.   Shembull tipik është analiza që i bëhet Kanunit të Maleve, ku dukshëm bije në sy se si duhet trajtuar paanësisht një kapitull aq i përfolur i Kanunit si gjakmarrja.  

Veç të tjerave, përgjatë leximit, atje mësojmë edhe se si duhet bërë një polemikë niveli shkencor!  

Ja se duke i mbyllur këto pak mendime të mija, për librin e z. Mërgim Korça, do t’u sugjeroja të gjithë shqiptarëve, që dëshirojnë t’i shtojnë edhe diçka të re e të bukur bagazhit të kulturës së tyre shpirtërore, ta lexojnë me vemendje librin: “Hedhje dritë rreth shtrembërimesh historike”!   



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora