E premte, 19.04.2024, 06:56 AM (GMT+1)

Faleminderit

Xhavit Kryeziu: Tefik Jakupi veteran i arsimit

E enjte, 15.03.2018, 08:06 PM


TEFIK  ISMAJL  JAKUPI  (1906-1979)  VETERAN I ARSIMIT

Nga Xhavit Kryeziu

Tefik Jakupi rrjedh nga një familje me tradita atdhedashurie e arsimdashëse. Ai bën pjesë në grupin e veteranëve të arsimit, jo vetëm në komunën e Dardanës,  po edhe në meset e tjera shoqërore, që duke e parë momentin historik se ishte koha, kur fëmijët shqiptarë të mësojnë të shkruajnë e të lexojnë në gjuhën shqipe, prandaj  braktisi ligjërimin e predikimin fetar islam duke rrokur ditarin mësimor për  t`ua  mësuar nxënësve shkrim-leximin në gjuhën amtare. Kështu u përcaktua në ruajtjen, kultivimin afirmimin e vlerave kombëtare e të kulturës sonë. Kanë mbetur të gdhendura në kokën e banorëve të kësaj ane, në kohë e Luftës së Dytë Botërore, kur forcat armiqësore angazhoheshin në asimilimin e asgjësimin e shqiptarëve, për zhbërjen e kombit tanë, në vitin 1942, kur vëllai i mësuesit Tefik, në detyrën e kryetarit të komunës  së Roganës (ish Rogaçicës) – Xhaviti, preferonte ‘...në këtë vend plisbardhi ka jetue dhe plisbardhi ka me sundue’. Nga kjo familje janë shumë shkollarë e intelektualë, si vëllezërit: Tefiku, Faiku e Xhaviti dhe djemtë e mësuesit Tefik: Rexhepi, Sabiti, Naimi, Isa e Enveri që kanë kontribuar në fushën e kulturës e arsimit tanë.

Tefik Jakupi u lind në fshatin Desivojcë të komunës së Dardanës (ish Kamenicës) në vitin 1906. Shkollën fillore dhe Medresenë i kreu në Gjilan. Pastaj ka kryer edhe disa kurse pedagogjike që të kualifikohet për mësues, si edhe shkollën Normale dhe u bë mësues i kualifikuar. Detyrën e mësuesit e filloi në Gjilan në vitin 1941. Ai është mësues i parë i shkollës shqipe në Desivojcë ku mësimi filloi më 12 shkurt 1945.  Për të mbajtur mësimin pengesat ishin të shumta dhe të ndryshme, si mungesa e teksteve e mjeteve mësimore,mungesa e lokalit të duhur mësimor, prandaj rrethanat diktuan që të adaptohen lokalet e mejtepit e të shndërrohen në klasa mësimi. Përkundër vështirësive të shumta,  ai  punoi me vullnet e zell të veçantë që t`i kontribuojë vendit e popullit të vet. Në vitin e parë shkollor në Desivojcë mësimet i kanë vijuar 55 nxënës të moshave të ndryshme, nga mosha 7 deri 15 vjeçare, të gjithë të gjinisë mashkullore,  edhe atë: 27  nxënës nga Desivojca, 12 nga Tërstena, 10 nga Laçiqi, 5 nga Velegllavë dhe 1 nga Zarbinca. Pasi që nxënësit ishin të moshave të ndryshe, ata që ishin më të rritur dhe tregonin sukses më të dalluar, mësuesi kishte të drejtë të bëjë avancimin e tyre. Kështu që në vitin vijues shkollor, 1946/47, nga kjo paralele u avancuan 5 nxënës dhe ata vijonin në klasën e tretë. Nga kjo shkollë dolën shkollarë e intelektualë të profileve të ndryshme, po edhe poet, si: Mehmet Surdulli, Hysen Kqiku, Behlul Gagica, Sali Shkodra e të tjerë që i kushtojnë me respekt vargje mësuesit të tyre. Mehmet Surdulli për mësuesin e tij shkruan:

“Fjala e tij

Ish  fjalë e artë

Për jetë të re

E ngrohtë zjarrtë.”

 

Aty mësuesi Tefik i vuri bazat e shkollimit shqip që kurrë nuk pushoi së vepruar kjo shkollë deri në ditët e sotme duke i përballuar të gjitha vështirësitë, me të cilat u ballafaqua gjatë këtyre decenieve.

Në vitin vijues shkollor, 1946/47, u caktua mësues e drejtor në shkollën fillore të Malishevës së Gjilanit, në të cilën ka punuar disa vite. Numri i paraleleve vazhdimisht rritej, por ishte punë e zakonshme asokohe që mësuesi të mbajë mësimet në të gjitha paralelet e asaj shkolle ku punonte njëkohësisht kryente edhe detyrën e drejtorit po në atë shkollë.

Gjatë shkollimit tim të mesëm në Gjilan, në fillim të viteve të `60 të shekullit XX, mësuesin Tefik pata rastin ta njoh personalisht. Ai na fliste me shumë dashuri për profesionin e mësuesit, për karakterin e vizionin  e tij se ai duhet ta shkrijë veten e tij që gjeneratave të reja t`u bëjë dritë dhe tregonte se për shumë vite mësimin e mbante ai vetë prej klasës së parë e deri në të gjashtën në shkollën e Malishevës, me ndërresa  e duke i kombinuar nga dy klasa së bashku. Kur u formua cikli i lartë i fillores me mësim lëndor aty, nga klasa e pestë deri në të tetën ai e mbante lëndën e Gjuhës Shqipe.

Tefik Jakupi për disa vite  ka ushtruar edhe detyrën e inspektorit për shkollat fillore të rrethinës së Gjilanit së bashku me Hasan Dylgjerin që ishte nga Shqipëria që u angazhua në avancimin e procesit të  mësimdhënies e mësimnxënies. Ai pa përtesë fare e në çdo kohë u jepte këshilla mësimdhënësve të rinj, me qëllim të arritjes së rezultateve sa më të mira, optimale, në procesin edukativo-arsimor. Të gjitha këto i bënte, përkundër asaj se ishte i përcjellë dhe survijuar nga UDBA serbe dhe nën presionin që ushtrohej vazhdimisht ndaj tij,  me qëllim që të largohej nga sistemi i arsimit. Shërbimi sekret serb asokohe hartoi Dosje për mësuesit shqiptarë që përcillte punën dhe veprimtarinë e tyre. Për Rrethin e Kamenicës në Dosje ishin emrat 14 mësuesve e në mesin e tyre ishte edhe emri i mësuesit Tefik Jakupi    (shih në Google: Dosja e UDBA-s për mësuesit shqiptarë 1945-1952), të cilën e kishte sajuar për Rrethin e Kamenicës Mlladen Angjellkoviq. Ky shërbim i rekomandonte organeve të pushtetit të atëhershëm se çfarë masa ndëshkuese duhet të ndërmerrnin ndaj tyre e ato organe i zbatoni rekomandimet e tyre. Masat ndëshkuese ishin : transferim nga vendi i punës, suspendim nga vendi i punës, arrestimi, burgosja e deri tek likuidimi fizik i mësuesit, sikur që ka ngjarë në disa raste. Pra, për ta ushtruar  misionin e mësuesit  kërkohej angazhim  i jashtëzakonshëm, deri në shkallën e sakrifikimit të qenies së tyre.

Vitet e fundit të punës i  bëri në Shkollën fillore “Musa Zajmi” në Gjilan. Aty punoi në klasat e ciklit të ulët të fillores, ndërsa shumë vite ka mbajtur lëndën e Gjuhës e Letërsisë Shqipe deri në pension. Në vitin 1970 u pensionua pasi shumë e shumë gjenerata patën fatin që të kenë një mësues të zellshëm e të përcaktuar shpirtërisht për edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja.

Për përkushtimin e tij , angazhimin e pakursyer në procesin edukativo-arsimor është shpërblyer me mirënjohje të shumta nga institucionet arsimore për kontributin e dhënë nëpër shumë shkolla, si edhe në mbajtjen e kurseve me të rritur për zhdukjen e analfabetizmit, sepse pati fatin të ushtrojë detyrën e mësuesit në një kohë, pas Luftës së Dytë Botërore, ku afër 90% e popullatës ishin analfabet.

Tefik Jakupi, pas një pune të gjatë e shumë të rëndësishme shoqërore në procesin edukativo-arsimor, vdiq, në Gjilan,  më 1979 dhe u varros me nderime të shumta, nga familja, shokët e ish nxënës të gjeneratave të shumta që kishin marrë njohuritë e shumta nga ai.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora