Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Andrea: Historiani frëng i do Kastriotët me gjak francez

| E marte, 13.03.2018, 07:20 PM |


Me rastin e Vitit Skënderbeu

Edhe historiani frëng i do Kastriotët me gjak francez

Nga Fotaq Andrea

Që shumëkush nga autorë të huaj, sidomos ballkanas, janë orvatur ta “përvetësojnë” qoftë edhe një grimë figurën e ndritur dhe madhështore të Skënderbeut tonë, duke pretenduar për gjoja lidhje gjaku historike të Kastriotëve me familje fisnike serbe, greke, malazeze, etj. –  kjo nuk është diçka e panjohur. Por që çështja të shkonte edhe më tej, për t’i shtënë njëfarësoj Kastriotët në dorën frënge, duke shfrytëzuar për këtë alibinë e lidhjeve të hershme të Normanëve të Sicilisë me Durrazot, të Anzhuinëve të Napolit me Topiajt, të Bukuroshëve (Les Beaux) të Provansës me Balshajt dhe me “Mbretërinë e Shqipërisë” të shekujve XII-XIII – kjo përbën shumë-shumë një çudi më vete, për të mos thënë një risi pretenduese. Për më tepër që ky pretendim apo kjo lakmi përvetësuese ndaj Kastriotëve, e thënë qoftë shkarazi, qoftë edhe në formë hipotetike, vjen nën penën e një historiani frëng, dhe të një historiani jo dosido.

Më 13 dhjetor 1912, pikërisht dy javë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, si shteti më i ri në Ballkan, i parë sa me skepticizëm nga mjaft kancelari perëndimore, aq edhe me entuziazëm e optimizëm nga qarqe dashamirëse proshqiptare, organi prestigjioz francez “Le Figaro” botonte nën penën e historianit Edouard Driault artikullin “Shqipëria në Histori” (L’Albanie dans l’Histoire). Që në fillim, nuk do mund të pritej ndonjë gjë e madhe nga ky profesor historie dhe historian frëng, i njohur mbi të gjitha si “specialist në çështjet e Epirit”, tek do ngarkohej për këtë qëllim me shumë misione në Greqi në vitet 1920-1925, shi në periudhën kur do diskutoheshin e do kontestoheshin aq shumë kufijtë e Jugut të Shqipërisë nga ana e Greqisë. Por, në kulmin e lavdisë së tij, më 1913, kur sapo kishte themeluar “Revistën e studimeve napoleoniane”, e shohim prof. Driault të shkruajë edhe artikullin e tij të radhës te “Le Figaro” për shtetin e ri shqiptar.

Ia nis atëherë artikullit të vet drejtpërdrejt me një pohim të formës deklarative, ku mohon kryekëput përpjekjet shekullore të faktorit të brendshëm shqiptar në shpalljen e pavarësisë: “Shqipëria, thotë ai që krye të shkrimit, ia detyron ekzistencën e saj Austrisë, e cila, tanimë, e përkushtuar ndaj parimit të kombësive, me siguri do t’ia lërë Boheminë çekëve, Transilvaninë rumunëve, Kroacinë kroatëve, Bosnjën boshnjakëve, që janë serbë, dhe do kemi tanimë çinteresimin më të admirueshëm territorial”.

Në fakt, asgjë për t’u habitur në këtë deklaratë me tone ironike, po të nisemi thjesht e realisht nga mendësia e lojës diplomatike të Fuqive të mëdha të kohës, mendësi që shpejt do çonte në Luftën e Madhe botërore që bëri miliona viktima, lojë e ushqyer pikërisht nga lakmitë sunduese e pushtuese për zaptime territoresh dhe zona influencash.

Dhe menjëherë pas kësaj fjalie hyrëse, autori nis e përshkruan pozitën gjeografike të Shqipërisë dhe depërton në thelbin historik të etnisë shqiptare: “E megjithatë, Shqipëria nuk është një shpikje e Austrisë. Ka, mirë e bukur, një Shqipëri; ka në Perëndim të Maqedonisë përgjatë detit Adriatik, në vendin ku, nëpërmjet kanalit të Otrantos, ajo hapet mbi detin Jon dhe Mesdheun, një rajon me male të ashpra nga 1500 deri në 2000 e 2500 metra, një kështjellë e vërtetë shkëmbore, një racë e fuqishme, ku duan të shohin pasardhësit e Pellazgëve, stërgjyshërit e grekëve, raca më e lashtë e Europës që ka dhënë prova për forcën e saj dhe ka ditur të dëshmojë ekzistencën e saj”. 

Shkurt e saktë deri këtu, duke e inkuadruar zanafillën e etnisë shqiptare në lashtësinë më të hershme pellazgjike, por duke na nxjerrë si bisht me një fait accompli ekzistencën e Maqedonisë, tek “harron” të thotë se është thjesht shtet i sajuar dhe pa histori, siç e ka përcaktuar Faik Konica. Dhe autori nuk do vonojë të na bëjë një skicim historik që nga koha e Pirros së Epirit me elefantët e tij për të sulmuar Italinë e Sicilinë, por duke lëshuar si shkarazi e “të dykuptimtë” shprehjen “Shqipëria dhe Epiri”, të para prej tij, ashtu si Athina zyrtare, si “dy etni” më vete: “Dhe shumë shpejt, - vijon ai - Shqipëria dhe Epiri ranë në duart e romakëve, që pushtuan Dyrrahin, Epidamnin e lashtë, Durrësin modern, që ia nisën Vijës Egnantia drejt Manastirit e Selanikut, një nga rrugët e mëdha të vendeve mesdhetare, nga Roma në Kostandinopojë, rrugë e vjetër depërtimi nga Perëndimi në Orient.” Dhe përsëri, më poshtë, një tjetër deklaratë e prof. Driault jo pa paragjykim: “Nën paqen e gjatë romake, malësorët [shqiptarë] nuk patën histori dhe pa dyshim qenë të lumtur” (!). - Ouu, pa shih, vërtet ?! - s’po e përmbajmë dot veten nga çudia. Sepse, në qenkëshin këta “malësorë pa histori” aq “të lumtur”, siç shprehet historiani ynë, e përse atëherë ata nuk u romanizuan “paqësisht” dhe nuk e zhdukën gjuhën e tyre? Apo të paktën nuk e shartuan gjuhën si rumanishtja moderne? Në është fakt historik që u zhdukën Dakia e Thrakia, është po aq fakt historik që nuk u zhduk aspak Ilirikumi i lashtë i qëndresës, i luftërave të pareshtura dhe i perandorëve ilirë të Romës, që nuk u zhduk aspak shqipja që flitej në krejt Ilirinë me tërë doket e saj!

Po fundja, as që ia vlen të merremi fjali pas fjalie me autorin frëng, i cili shpejt do fluturojë në kohë për të ardhur në Mesjetë, që përkon edhe me fundin e Bizantit dhe kohën e kryqëzatave, kur gjithë entuziazëm, ai sheh të zbarkojnë “në brigjet e Alessios. Durazzo-s dhe Avlonës [Vlorës], Anzhuinët e Napolit, Robert Guiscard-in me Normanët, si dhe Bukuroshët e Provansës apo Bajshajt”, të cilët ai i konsideron si “paraardhësit e Mirditorëve” (ashtu sikurse, në parantezë, një tjetër historian frëng, Germain Levèfre Pontalis, i sheh Dukagjinët “të prejardhur” nga dera e fisme e një prej kontëve të Karlit të Madh!) Po këtu, ka rrezik të na dalin gjithë fiset e stërlashta iliro-arbërore-shqiptare me origjinë të huaj, me paraardhës të llojit “Gargantua”, që i vë në lojë aq bukur shkrimtari i madh Fransua Rable.

Kulmi i shkrimit të autorit frëng arrin kur i hyn, me disa paragrafë të shkurtër, qëndresës shqiptare ndaj Perandorisë osmane dhe epopesë skënderbejane. “Ata [turqit], thotë ai, nuk u vendosën aty [në Shqipëri] me lehtësi, iu deshën, përkundrazi, 200 vjet për një vendosje të tillë. Dhe në këtë mes, zë vend saga heroike e Skënderbeut, Aleksandrit të shqiptarëve dhe, për ta rishprehur këtë sagë, do duhej pena e poetit epik. I ati i tij, Jean [Gjon] Castriot – mos vallë do mund të ishte me origjinë franceze? – i mundur, u detyrua t’ua japë pashallarëve turq katër bijtë e tij që u çuan në Kostandinopojë... ” (nënvizimi ynë).

Ja pra ç’na qenka! Gjithë tundimi lakmues i historianit frëng koncentrohet pikërisht në këtë formë pyetësore hipotetike: “mos vallë [Gjon Kastrioti Ati] do mund të ishte me origjinë franceze?” Jo, nuk kemi të bëjmë këtu aspak me ndonjë lajthitje të çastit, cytur thjesht nga forma frënge e të shkruarit të emrit (Jean Castriot) nën penën e tij. Sepse ai e di për bukuri se shkrimi i emrave të përveçëm në gjuhë të ndryshme nuk shpreh asgjë, në mos lojën e vjetër të qëllimeve nacionaliste, që vazhdon sot e kësaj dite sidomos në Ballkan te serbët dhe grekët! Por, duke lëshuar si shkarazi një mendim të tillë, tjetër kund e ka “hallin” historiani frëng : gjen atë mënyrë të vetën “origjinale” për të shprehur tërthorazi një pretendim lidhur me ndonjë origjinë të hamendësuar frënge të Kastriotëve, pasi ka parashtruar tanimë mendimin e vet për origjinat e mundshme frënge të Balshajve apo Mirditorëve.

Por ne që e dimë  ç’janë e kush janë në të vërtetë Kastriotët tanë, nuk ka pse të mos themi, nga ana tjetër, se na vjen edhe mirë që sa shumë na e lakmojnë të tjerët Skënderbeun tonë, sa shumë i ka joshur e i josh madhështia e KryeHeroit tonë dhe Dera (Shtëpia) fisnike kastriotine nga ai ka dalë! Në e do “francez” Skënderbeun tonë prof. Driault, punë për të, po e lëmë të kënaqet me këtë zilepsje e lakmi! Veçse, duke përmendur tërë këto lidhje tradicionale historike albano-frënge, nuk ka pse të mos mendojmë se historiani frëng synon edhe më tej: të riçelë ndoshta, në emër të këtyre lidhjeve një terren të ri për ndikim dhe rol që duhet të luajë edhe politika franceze në shtetin e ri shqiptar. Ashtu siç pat ndodhur në kohën e lidhjeve të Ali Pashë Tepelenës me Napoleonin dhe të dërguarit e tij në pashallëkun e Janinës, apo të lidhjeve të Mirditorëve me Napoleonin III në mesin e shekullit XIX. Dhe fakti është se edhe Franca nuk do vononte “të paraqiste” më 1913, kandidaturën e saj për mbretin e ardhshëm të Shqipërisë nën personin e Dukës së Monpensierit, konkretisht të François Bourbon Orléans-Montpensier. Për më tepër që në vitet e çoroditura të Luftës së parë botërore, Franca nuk do vononte të kishte oficerët dhe trupat e veta në Shkodër e Korçë, të mbështeste dhe merrte në mbrojtje “Republikën autonome të Korçës” si dhe të çelte “Liceun e Korçës”, djepin e ardhshëm të intelektualitetit modern shqiptar. Këto janë merita të padiskutueshme të politikës franceze në Shqipëri gjatë Luftës së Madhe, por ky nuk është objekti i shkrimit tonë.

Le t’i rikthehemi pra artikullit. Si jep, si i plevitosur, me tre paragrafë të kursyer tre “aksione” të Skënderbeut pas marrjes së Krujës ( a. “shfarosi 40 mijë trupa të vezirit të madh; b. shkatërroi ushtrinë prej 100 mijë trupash të Muratit II; c. asgjësoi po 40 mijë trupa të nipit të tij Hamza që e kishte tradhtuar), prof. Driault me kaq i jep fund, si me sëpatë dardhare, epopesë skënderbejane prej një çerek shekulli, duke kontrastuar këtu dukshëm me autorët e shkëlqyer frëngj që kanë shkruar aq bukur për Skënderbeun tonë, nga klasikët Ronsard, D’Agrippa, Montenj, Volter, Lamartin, Dyma, Shatobriand, etj. e deri te Apolineri i fillim shekullit XX, kur daton pikërisht edhe artikulli i prof. Driault. “Më në fund, - e përfundon ai episodin për Skënderbeun - heroi vdiq më 1467 [sipas kalendarit të vjetër turk] në moshën gjashtëdhjetë e shtatë vjeçare. Nuk kishte qenë Aleksandri, nuk kishte qenë as Pirroja, duke mos mundur dot të dalë nga malet e tij, por që boll i kishte vaditur me gjakun e të pabesëve”. – Eh, mor profesor! Edhe meritën e padiskutueshme të Heroit tonë kombëtar që mbrojti fuqimisht vendin e tij pa asnjë qëllim ekspansioni e pushtimi ndaj popujve të tjerë, ju jo që nuk e nxirrni  në pah, por e sfumoni dhe e errësoni figurën e tij me fjalët “duke mos mundur dot të dalë nga malet e tij”!...

Në pjesën e dytë të shkrimit, autori përsëri fluturon përmes historisë shqiptare, si dallëndyshe që frigohet se mos i ikën vera. “Pas tij [Skënderbeut], thotë ai, shqiptarët nuk patën prijës të denjë për vlerën e tyre...”. Dhe si jep skllavërimin e vendit nga osmanët, hakmarrjen e turqve që bënë “mijëra viktima”, konvertimin në myslimanizëm të disa fiseve në “Veri të Skombit” [Shkumbinit], por jo, nënvizon ai, “të Mirditorëve të krahinës së Shkodrës që mbetën katolikë, as të Toskëve në Jug që mbetën ortodoksë”, autori nxjerr si konkluzion: “Ndoshta është me vend të dallohen shumë Shqipëri, sepse kur bëhen kombësitë [nënvizimi ynë],hajt të ndalesh në numrin e tyre të madh” (?!) Me keqardhje, detyrohemi ta kundërshtojmë përsëri autorin, duke i thënë : - Ndoshta, do ishte mirë të ndalnit pak hovin, profesor! Sepse, kombet dhe kombësitë nuk bëhen, ato ekzistojnë! (Dora d’Istria). Sepse edhe ne e bëjmë dallimin ç’është kombi, ç’është feja, dhe e kuptojmë më së miri përmbajtjen e tezës suaj të “shumë Shqipërive”! Është një tezë që bie kryekëput ndesh me konceptin tonë të kombit unik e historik dhe një të vetëm, me doke, gjuhë, zakone, të kombit autokton shqiptar. Por ne e kuptojmë shumë mirë që ju e servirni tezën tuaj për të tjerë, si një tepsi bakllavaje shqiptare në prag të Konferencës së Ambasadorëve tuaj të Londrës.

Më në fund, me një lloj ekzotizmi, si ndalet pak, apo “në një çast lavdie – siç thotë ai” te Aliu i Tepelenit, “epope e mrekullueshme, me gjak, epshe e vdekje”, autori nuk mungon të vërë në dukje se ishte Ali pasha ai që “i kërkoi Buonapartit pushkë” dhe se perandori i dërgoi një nga oficerët e tij, Rosa-n. Kësisoj, me katër-pesë rreshta autori kënaqet ta mbyllë shpejt e shpejt edhe këtë kapitull kaq interesat të historisë së marrëdhënieve të Napoleonit me Ali Pashën, të cilave A. Boppe i kushtoi një libër të tërë ku shfaq historikun e interesave franceze në Egje dhe Jon përballë politikës ruso-turke-angleze për kontroll të Mesdheut.

Duke e pasqyruar Ali Pashën si tipin e xhelatit të suljotëve, prof. Driault e sheh atë edhe  “si mbret të maleve që ëndërronte të përmbyste sulltanin dhe të pushtonte Kostandinopojën dhe Azinë ndoshta, si dikur Aleksandri...” Megjithatë, profesor Driault i njeh Ali Pashës meritën që dha “sinjalin e pavarësisë së tyre” [grekëve], duke e cilësuar në këtë rast edhe “çlirues të Greqisë” (sic!)

Konkluzioni i prof. Driault, me ton akademik është: Edhe pse “këta shqiptarë janë të ashpër”, edhe pse janë “të prirë drejt zakonit të plaçkitjes”, kanë megjithatë “të drejta historike” dhe se “Shqipëria... lypset t’i lihet shqiptarëve... Kjo do të ishte drejtësia...”.

Po cila drejtësi?Ajo e Konferencës së Londrës?! Po cila Shqipëri? Ajo si komb unik me kufij të përcaktuar historikë të katër vilajeteve të ish Turqisë europiane?! Apo “shumë Shqipëritë” e Z. Driault, pa kufijtë e saj historikë? Ja pra, këto historiani frëng nuk i thotë, për t’i lënë gjoja të hapura si çështje... Kur nuk do vononte dhe Konferenca e Londrës do ta copëtonte keq e më keq të vetmen Shqipëri unike, duke i katandisur kufijtë e saj kokoshi një thelë. Por duke harruar nga ana tjetër vitalitetin e kombit shqiptar, kur vetë copëtimi i Shqipërisë do të shndërrohej me kohë në minë me sahat për të hedhur në erë krejt teoritë dhe profkat e “Serbisë së Vjetër” apo “Serbisë jugore”.