E premte, 19.04.2024, 10:03 AM (GMT+1)

Kulturë

Prend Buzhala: Heroida dokumentare për Zef Oroshin

E premte, 12.09.2008, 06:59 PM


Prend Buzhala
Refleksione leximi

Heroida dokumentare për Zef Oroshin

Tomë MRIJAJ: “Monsinjor Dr. Zef Oroshi, një jetë e shkrirë për fe e atdhe – jetëshkrim”, New York, 2008)

Nga Prend BUZHALA

Duke e lexuar librin “Monsinjor Dr. Zef Oroshi, një jetë e shkrirë për fe e atdhe – jetëshkrim” të Tomë Mrijajt, të duket sikur lexon jetëshkrimet e heronjve të kulturës a të personaliteteve mitike që personifikojnë të arriturat e qytetërimit, i tillë çfarë ishte, bie fjala, Prometheu; apo jetëshkrimet e personaliteteve historike, të cilat, më vonë, përgjatë historisë, janë mitologjizuar. Ndër të tillë personalitete historike dhe, pse jo, edhe të legjendarizuara, spikatin edhe figura klerikësh si kjo e Imzot Dr. Zef Oroshit. Nëse bota e sotme demokratike gjithnjë e më shumë pikësynon themelet dhe zhvillimin e shoqërisë civile, pikërisht nëpërmes procesit përkatës të thellimit të karakterit shoqëror të vlerave qytetare; atëherë Tomë Mrijaj ka arritur t’i pranojë ato, të subjektivizuara në sistemin e përgjithshëm të vlerave. Vlerat e tilla të personaliteteve, sikundër do të nënvizonte mendimtari Thomas Carlyle, nuk mund të përvetësohen drejtpërdrejt, po duke u bërë “pronë” e të gjithëve, shëmbëlltyra shoqërore e nacionale e të cilit e gjen mishërimin a identifikimin e vet tek heroi kulturor.

Modeli i idealitetit dokumentar

Tomë Mrijaj
Dhe heroi i tillë kulturor përkufizohet si model ideal pikërisht për shkak të tipareve apo të arriturave në fushat përkatëse. Në këtë rast, figura e Imzotit Oroshi del në të dy këto plane në vëllimin “Monsinjor Dr. Zef Oroshi, një jetë e shkrirë për fe e atdhe – jetëshkrim”. Populli do të thoshte “Trimi i mirë me shokë shumë”. Tomë Mrijaj, fillimisht mësues, (1948, Zllakuqan i Klinës), ka emigruar jashtë vendlindjes për shkak të përndjekjeve të sigurimit jugosllav që më 1975. Në SHBA ka përfunduar studimet universitare, kurse për 11 vite ishte mik i Zef Oroshit. Ka botuar librat “Dom Anton Kçira, shërbestar i Zotit e i Atdheut” (Shkodër, 2002), “Lidhja e Prizrenit 1962-2002, themeluesi e udhëheqësi Ismet Berisha” (New York, 2004), “Marie Shllaku, bijë e Shkodrës martire ddhe e Kosovës” (New York, 2004) dhe “Ngjarje dhe portrete historike, jetëshkrime të figurave të shquara shqiptare” (Prishtinë, 2004).

Të duket sikur burimet që marrin udhë, takohen diku, dhe, ky vendtakim i përbashkët i të gjitha këtyre personaliteteve dhe bashkatdhetarëve tjerë, është diaspora shqiptare në SHBA. Kurse autori Tomë Mrijaj e posedon edhe një vizion tjetër historik, atë të vendosjes së këtyre figurave në rrethanat shoqërore e historike, kur kanë vepruar e jetuar. Prandaj kapituj të veçantë i kushtohen këtij vizioni historik, sikundër janë “Shqipëria dhe Mirdita”, “Hienat komuniste kërkojnë arrestimin e priftit”, “Një revistë e re në mërgim: ‘Jeta Katholike Shqiptare’ “, “Gjendja e bashkësisë së mërgimit politik shqiptar në Nju Jork”, “Një oazë rilindjeje në diasporë”, etj.

Për deri sa në hapësirat me trashëgimi më të paktë të shoqërisë civile, sikundër është kjo shqiptare, ende bashkëveprojnë sisteme vlerash me heronj të shumtë kulturorë, tek ngërthejnë vlera të ndërsjella e të kundërta; nuk është e habitshme pse kundruall Heroit kërkohet edhe Antiheroi, posi në historinë mesjetare, në të cilën, kundruall Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, kundërqëndron figura e antagonistit Ballaban Pasha, apo e Hamza Kastriotit, apo e sulltanëve turq; apo, sikundër ngjet në epikën shqiptare, në të cilën kundruall arketipit të Heroit mitik Gjergj Elez Alisë, vendoset figura e Antiheroit, e Bajlozit armik. Në përqasje me këtë vizion tradicional të edukimit kulturor kombëtar të autorit Tomë Mrijaj, nuk është e habitshme pse heronj të tillë negativë i dalin komunistët e ateistët në krye me Enver Hoxhën apo fashistët, apo serbomëdhenjtë. Autori përpiqet t’i japë zë vizionit të tij hulumtues, dituror e publicistik: atij të ideologemave të klerikëve shqiptarë për Fe e Atdhe, si dhe mbijetesës së diasporës shqiptare në SHBA e gjetiu. Nëse përfytyrimi për heroin, që nga antika e këndej, mbështetet në trimërinë e tij a në prirjet e tij mbinjerëzore; dhe për këtë shkak ai nderohej posi perënditë; padyshim, që, epoka moderne e ka krijuar mitin për Heroin e Kulturës, pikërisht pse njerëzit e till ngërthejnë forcë të jashtëzakonshme shpirtërore a mendore dhe rrezatojnë me veprën e me jetën e tyre po me këtë forcë në dobi të Atdheut, të Fesë, të Përparimit a të Njerëzimit. Nuk është e habitshme, prandaj, pse motoja “Atdhe, Fe e Përparim” ishte trinomi i revistës së diasporës shqiptare në SHBA, “Jeta Katholike Shqiptare” që e mxirrte Zef Oroshi. Dhe kjo diasporë na ishte më shumë se sa që e thoshte emri i saj i parë: jo vetëm shkapërderdhje e substancës shqiptare nëpër botë, po edhe shkapërderdhje e kulturës. Ishte përpjekja e saj e ethshme për të mbijetuar. Të duket sikur këto burime që arratisen nëpër botë, bashkohen diku. Kurse Tomë Mrijaj përpiqet t’i kapë këto fije e t’i bashkojë në një entitet të përbashkët e që quhet shqiptarizëm, histori e gjakut tonë të shprishur apo histori e kulturë shqiptare e përbashkët.

Via Oroshiensis

Janë aq e aq figura e personalitete, organizata politike e grupe të tëra klerikësh që detyrohen të arratisen nëpër botë, atëbotë kur shumë të tjerë dergjeshin burgjeve, vriteshin pa gjyq e me gjyq, si në Kosovën martire, si në Shqipërinë komuniste. Të tillët, nuk kishin se si të mos punonin për Atdheun për të arritur në ditët e sotme, kur tashmë një cikël historik ka përfunduar me demokratizimin e Shqipërisë e me pavarësimin e Kosovës. Duke e ndjekur modelin ideal të kësaj figure, nga viti në vit e nga dekada në dekadë, Tomë Mrijaj sjell edhe të tjerë bashkëshoqërues apo bashkëpunëtorë të Monsinjorit, sikundër janë figura klerikësh si ato të Fan Nolit, Baba Rexhepit e Imam Vehbi Ismailit; apo të tjerë si Ndre Mjedja, Dr. Antony Athanas, Abas Kupi, Mit’hat Frashëri, Imzot Vinçenc Prennushi, Daniel Gjeçaj, Imzot Rrok Mirdita, Atë Andrea Nargaj O.F.M., Dom Lazër Sheldia, Dom Pjetëpr Popaj, Dom Nikolin Përgjini, Ernest Koliqi, Karl Gurakuqi e bashkatdhetarë të tjerë shqiptarë. Aty gjenden edhe figura ndërkombëtare, si ato të papëve, të diplomatëve amerikanë e evropianë, të figurave të nderuara të klerikëve joshqiptarë që iu gjenden pranë diasporës shqiptare. Aty vendoset e shkëlqen edhe figura e Imzot Dr. Zef Oroshit. Aty defilojnë organizata politike, shoqata kulturore, bashkësi fetare e grupacione të tjera që kanë bërë emër e kanë lënë gjurmë. Pikërisht këndvështrimi i tillë dhe strukturimi i tillë i mbarështrimit të lëndës, këtë libër e bën të jetë një sintezë historiko-dokumentare me vlerë.

Monsinjor Zef Oroshi (1912 – 1989) ishte themeluesi e udhëheqësi i Kishës së Parë Katolike Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka vepruar Në Shqipëri, në Evropë e në SHBA. I doktoruar në teologji e filozofi në Universitetin e Urbinos në Itali, Zef Orishi kthehet në Mirditë si famullitar. Duke i njohur disa gjuhë, si latinishten, greqishten e vjetër, italishten, greqishten e re, serbokroatishten, gjermanishten dhe anglishten, ky personalitet jo vetëm fetar; ai është njeriu, sikundër dëshmon e vlerëson Mrijaj, që la mbas vetes shumë dorëshkrime, shënime, punime cilësore studimore, filozofike, fetare, atdhetare, copëzat e jetës, kujtimet dhe mbresat, përjetimet mes bashkatdhetarëve e të kolegëve të vet meshtarë dhe, mbi të gjitha, ai del “nxënësi shembullor i Fishtës dhe Mjedës”. Meqenëse në vitin 1951 organet e Sigurimit të Shtetit duan ta arrestojnë, ai arratiset, më 1952 gjendet në Kosovë, pastaj shkon në Itali, prej nga shkon në SHBA, ku themelon dhe e drejton shtypin katolik. Bashkëpunon me Shejzat e me Diellin, si dhe me shumë personalitete shqiptare të njohura të kohës. Faqe të tëra Mrijaj ia kushton bashkëpunimit e ndikimit të poetit e meshtarit Ndre Mjeda “në nxitjen e përkrahjen e talentit të Monsinjor Oroshit në lëmin e letrave shqipe”. Përpos trajtimeve teologjike në revistat e gazetat e larttheksuara të diasporës, ai ka shkruar edhe artikuj të mprehtë, me pseudonimet Theologu, Zodiaku, Redaksia, Drejtoria,, D.Z. etj. Duke qenë themelues i revistës “Jeta Katholike Shqiptare” (1966), me trinomin “Fe-Atdhe-Përparim”, ai ka trajtuar tema historike, atdhetare, politike, gjuhësore, tema të administrimit kishtar apo të veprimtarisë shqiptare në diasporë. Të shpeshta kanë qenë edhe polemikat që ky autor ka zhvilluar në shtypin e kohës. Ai ka demaskuar veprimet e diktaturës komuniste në Shqipëri, sidomos vrasjen sekrete të Dom Shtjefën Kurtit (1971). Sikundër dihet, ky i fundit ka qenë meshtar edhe në Kosovë, kur pati hartuar një dokument për qarqet evropiane për të ndërhyrë kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Kosovës  për në Turqi në vitet ’30. Mrijaj jep edhe takimet që Zef Oroshi mbante me Nolin, si dhe veprimtarinë ekumenike e të bashkëpunimit me klerikët myslimanë e ortodoksë shqiptarë. Jep veprimtarinë e tij meshtarake, veprimtarinë në lëmin e përkthimeve, takimet me Nënën Terezë, akademitë përkujtimore për Mithat Frashërin e për figura të tjera të shquara etj.

Votra e shtëpisë dhe shkolla e dishepujve

Së këndejmi, ka qenë po ashtu vizion i shëndoshë i autorit, që historinë e përtashme, pra, të mos e shikojë vetëm nëpërmes legjendarizimit të këtyre figurave, po edhe nga burimet e autenticitetit dokumentar, historik e nga ato të dëshmisë së gjallë. Ani se unik arrin as nuk pikësynon për t’u liruar plotësisht nga këndshikimi i klisheve të formuara për mitin mbi figurat historike; ai, po nga ky këndvështrim, na i vë në pah edhe jetëshkrimet e shumë të tjerëve. Duke e zhvendosur fokusin e gjurmimeve e të hulumtimeve nga historia në të tashmen, ndjehet nevoja që të ndryshojë edhe perceptimi shoqëror e nacional i heroit të kulturës; sepse, në vend të një heroi që i jepte zë një epoke apo një civilizimi të tërë (sikundër ndodhte në të kaluarën), tani kjo gjë në botën bashkëkohore relativizohet, mbasi paraqitet modeli i shumësisë a i pluralitetit të veprimeve nacionale, shoqërore, fetare apo kulturore. Në veprim është tani modeli edhe i shumësisë së individëve veprues. Dhe tani ky vizion zbret në rrafshin e Heroit Konsensual, të Heroit Të Përbashkët a Kolektiv, do të thotë, jo vetëm të Heroit Individual. Nuk është e habitshme, pse në frymën e këtij vizioni bashkëkohor, që, një hero i tillë kolektiv nacional, na del pikërisht kleri katolik shqiptar, me martirizimet e tij të pafund për Fe e Atdhe. Autori dëshiron të na thotë se figura e personaliteti i Zef Oroshit, i shërben kohës së sotme me jetën dhe me veprën e tij; se na është një figurë e personalitet edhe për kohën e tashme të kujtesës nacionale. Duke e gjurmuar, dëshmuar, sqaruar e paraqitur këtë figurë në disa plane komplekse, sikundër janë veprimi në fushën e fesë, shkrimit, publicistikës, letërsisë, përkthimit, fushës kombëtare, politike, apo kulturore; fushës diplomatike apo në fushën e epistolarit; Mrijaj nga pak na shtyn skuqemi e të mendojmë se sa të pakta na janë njohuritë e dijet tona për shumë gjëra; sa të pakta ende i kemi botimet e tilla; se në cilat themele duhet të mbështetemi për t’i bërë tonat të arriturat e civilizimit. Nuk është e habitshme, prandaj, pse Mrijaj, në modelin e tij dokumentar, ndërfut kronikën, memoarin, letërkëmbimin, kujtimet, deklaratat, vijëzimet autobiografike, jetëshkrime figurash historike, përshkrime ngjarjesh, takimesh tubimesh e nismash; bibliografi shkrimesh të Zef Oroshit, apo literaturën e gjerë që e ka përdorur për t’ia dhënë publikut këtë libër, i shkruar, gjithsesi, për vite e dekada të tëra të qëndrimit të tij në SHBA. Në ndihmë autorit i dalin edhe burimet e drejtpërdrejta për hartimin e kësaj monografie, sikundër janë Kapidani i Mirditës, Ndue Gjonmarku, aktivistët veteranë të themelimit të Kishës dhe të buletinit “Jeta Katolike” (1966) e shqiptarëve të New York-ut. Figura e Zef Oroshit del si prototip i klerikut të rrahur nga furtunat e jetës, prototip i meshtarit tipik mirditor, “me sinqeritet e energji të pashtershme”, i njeriut që pikësynon për t’i çuar gjërat deri në fund; i intelektualit me dituri shumëplanëshe, i kundërshtarit të rreptë të ateizmit e të regjimeve komuniste. Është njeriu i formuar, sikundër do të nënvizojë Mentor Quku, në votrën e shtëpisë, ku spikatin traditat etnike e ato atdhetare, dhe në shkollën e dishepujve, ku dalin në pah formimi i tij teologjik e filozofik. Autori, Vatrën dhe Botën e Zef Oroshit, këto dy pika prej ku nisin e mbarojnë udhët e formimit nacional e të atij universal; i sintetizon në këtë mënyrë: “Mirdita është tokë abacish dhe shenjtorësh. Më parë përmendet shenjtori i tyre dhe më pas vendasit autoktonë” (fq. 34). Autori jep edhe një histori të shkurtër të Mirditës që nga shekulli XIII, jep figurat e shquara mirditore klerikësh, shkrimtarësh e kapedanësh, flet për ngjarje e bëma historike, për histori abacish e kishash, rendesh e dioqezash.

Dhe modeli shqiptar i tolerancës ndërfetare, krahinore apo modeli shqiptar i Heroit Koncensual, i Konsensusit Historik Ndërshqiptar, a nuk është një model që i shërben edhe civilizimit modern botëror për zgjidhjen e shumë konflikteve? Ato forca brendakombëtare, që e kanë prishur këtë konsensus, sikundër ndodhi në atë të komunizmit, a nuk e sollën në luhatje vetë qenien tonë nacionale, vlerat e përbashkëta nacionale?

Shenim:

Kjo analizë mbi librin: “Monsinjor Dr. Zef Oroshi - Një jetë e shkrirë për Fe e Atdhe” (New York, 2008) të autorit Tomë Mrijaj, u mbajt nga studiuesi dhe publicisti Prend Buzhala, në Simpoziumin VII “E Djathta Shqiptare në Mbrojtje të Shqipërisë Etnike” në Ferizaj, Kosovë në muajin Korrik 2008.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora