E merkure, 24.04.2024, 12:57 AM (GMT+1)

Kulturë

Skënder Hoxha: Poezi për shkrimtarët

E marte, 13.03.2018, 07:00 PM


POEZI PËR SHKRIMTARËT

(Ali M. Lajçi, “Me karvanin poetik”, Faik Konica, Prishtinë, 2017.)

SHKRUAN: MR. SKËNDER R. HOXHA

Gjashtëdhjetë e një poetë janë prezantuar me nga një poezi, disa me nga 5 strofa e disa me nga 4 strofa katërshe, bëjnë lëndën poetike të librit të tetë me radhë të poetit, tashmë të afirmuar, Ali M. Lajçi. Në këtë përmbledhje poetike autori na sjell një mënyrë interesante të vargëzimit të frymëzuar nga dashuria e respekti që ka për miqtë krijues, shkrimtare e shkrimtarë  për të rritur e për fëmijë.

Për 60 shkrimtarët që Lajçi ka shkruar nga një poezi, ku pesëstrofshe e ku katërstrofëshe, të cilat autori i ka thurur sipas titujve të veprave të tyre, po edhe nga ndonjë thënie a varg i atyre autorëve.

Jemi mësuar më parë të kemi në duar libra të ndryshëm që u janë kushtuar shkrimtarëve, antologji, monografi, panorama, etj., por libri më i ri me poezi i poetit Ali M. Lajçi “Me karvanin poetik”, ka veçantitë dhe simbolikat e veta letrare. Në vetë titullin, nocioni “Me karvanin”, na lë të kuptojmë se është fjala për një varg të gjatë, në këtë rast, shkrimtarësh, por, në anë tjetër, këtë mund ta kuptojmë se poeti ka vargëzuar përkushtimisht për ata shkrimtarë që janë anëtarë e asociacionit “Karvani i Shkrimtarëve të Kosovës”. Mirëpo, poeti Ali M. Lajçi, këtu ka bërë një gjithëpërfshirje të shkrimtarëve që kanë shkruar dhe shkruajnë në gjini të ndryshme letrare dhe se janë nga vise të ndryshme shqiptare, ndaj edhe nis librin me këto vargje: (…) “Gjeta plot shkrimtarë/ vargje dhe frymë fjale/ me ëmbëlsirën e tyre/ freskinë si ndër male!...

Ndërkaq, poezitë e përmbledhjes “Karvani poetik” nuk janë thjesht frymëzime përkushtuese për shkrimtarët dhe veprat e tyre , por janë vargëzime të motivuara nga vlerat autentike  të vargjeve të poetëve për të cilët Lajçi ka thurur këto qëndisma poetike, ku sublimohen figurshmëria e gjuhës dhe semantika e vargut përkushtues. Kështu, brenda kësaj vorbulle poetike, shohim poezitë: “Mësoi Adi  shkronjën e parë” (f. 9), është poezia që i kushtohet Adelina Mamaqit; “Lushi në kopshtin e magjepsur”, (f. 16) – Arif Demollit; “Te kroi i fshatit”, (f.22) – Çajupit; “Erdhën mësuesit”, (f. 25) – Ernest Koliqit; “Në ishullin e dallëndysheve”, (f. 30) – Gaqo Bushakës; “Krojet e bardha”, (f. 34) – Hasan Hasanit; “Princesha Argjiro”, (f. 37) – Ismail Kadaresë;  Mos i trego hënës”, (f. 43) – Kismete Hysenit; “Një fyell ndër male” (f. 47) – Martin Camajt; “Legjenda e një shkëmbi, (f. 55) - Odhise Grillos; “Buzëqeshja s’është larg”, (f. 58) – Qibrije Demirit; “Nëpër Lugjet e Verdha”, (f. 60) – Rexhep Hoxhës; “Bilbili i Dushkajës, (f. 68) – Skënder R. Hoxhës; “Si u bë piklorja bletë”, (f. 72) – Zejnullah Halilit; “Dielli i lodrave”, (f. 73) – Xhevahir Spahiut; “Zilja e fëmijërisë”, (f. 76) – Xhevat Sylës; “Zogj merrmëni me vete”, (f. 79) – Veli Veliut; “Ylli ëndërrimtar”, (f. 81) – Ymer Elshanit; si dhe shumë poezi të tjera, vargëzime të cilat Lajçi, i frymëzuar mirë, i ka gërshetuar dhe brumosur me thellësinë e mendimit dhe logjikën e vrojtimit poetik.

Kësisoji, të radhitura sipas një rendi alfabetik dhe të shoqëruara me nga një fotoportret artistik, kjo tufë poezish, librin e bëjnë më të pëlqyeshëm.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora