Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Përparim Hysi: Sykole

| E diele, 11.03.2018, 08:44 AM |


SYKOLE!

Tregim

Nga Përparim Hysi

Kjo rrëfenjë pak baritore, ndoshta do t'ju çudisë disi, por mbresa apo vraga, që më la, është  e tillë që nuk   e mbaj dot për vete. Ka të bëjë me fëmijërinë apo ca më saktë: me adoleshencën time.  Jam aq i mbresuar,sa nën trysninë e kësaj mbrese dhe po tregoj. Natyrisht, nuk marrë  përsipër dhe as ngulmoj që çdo lexuesi që do marrë mundimin  ta lexojë këtë tregim, do t'i pëlqejë. Sidoqoftë, që  edhe në përralla, kur pëlqesa nuk është kaq hipotetike sa në një tregim, thuhet ndonjëherë:"... atje nuk kemi qenë, por kështu na kanë thënë".

*      *    *

Mbrëmë, nëpër gjumë, më erdhi fëmijëria dhe sikur më thirri në vesh:- Ngreu! Babai e mori vedrën dhe po pret që t'i ngasësh dhëntë në shtrungë. Kërceva nga dysheku, si të isha somnabull,u nisa për tek kasollja. Por kjo mbresë që më erdhi në gjumë, zgjati veç një minut dhe,sakaq, më doli të "pirët". Nga e thëna,tek e bëra është një det i tërë në mes dhe,pasi mblodha mendjen, e kuptova që babai im i ndjerë është si"vitedrite" larg nga unë dhe vedra me gjithë shtrungë nuk kanë as nam dhe as nishan. As nam dhe nishan nuk kanë as dhëntë që, me kohë, m'i hëngri "ujku" dhe,sakaq, hapa dritën për të përzënë paksa këtë mbresë nga vetja.

*    *   *

E përzura? Them kështu për t'i bërë qejfin vetes, por e vërteta është krejt  ndryshe. Tek hamendësoja për këtë "ngacmim" që fare nuk  e prisja, zura të udhëtojë në ato  vite, mbi gjashtëdhjetë e ca vjet më parë, kur ruaja dhëntë  e mia. Dhëntë kanë qenë dobësia ime. Pa modesti të rreme: nuk ka  patur në fshat një bari dhënësh si unë. Për dhëntë, unë isha gati të mos lija arë fshati pa kullotur fshehurazi dhe, tërë netët e verës, kur kisha pushimet shkollore e gëdhija me to  jashtë. Të shkretët fshatarë të mi,seç kanë hequr nga një"Robin Hud" jo nga ata të VALTER SKOTIT, por  ca më i rrezikshëm. Ku ishte dëmi që bëja me dhëntë,isha unë dhe jo vetëm kaq: ku qe sherri, isha po unë. Mjafton që delet e mia të ngopeshin dhe as ma bënte tërr syri nga pasojat. Babai ma kish treguar mirë qejfin,për prapësitë e mia, por, meqë është rasti, dua  t'ju besoj një sekret: kur më rrahu së pari, më dhëmbën ca faqet, por, më pastaj, m'u bë si zakon: e bëja me ndërgjegje fajin dhe duroja shuplakat e timeti që,sado që më rrihte, unë vazhdoja ta doja më tepër.

Veç një inat nuk i falja timeti: ndërsa mua më kish bërë si "mësimor", timvëlla,Qazimin, që ish veç dy vjeç më i madh nga unë, mezalla se i vuri dorë ndonjëherë. Epo uthulla e keqe thyen dhe enën e vetë. Epo  se mos bota është kaq e drejtë që të kërkoja "drejtësi" nga babai im.

*    *   *

Thonë që kur vendos për të rrahur djalin e beut, rrije mirë e mirë,se njëlloj do ta paguash "doganën" dhe, pikërisht,për këtë unë do të tregoj për dhëntë e mia. Për dhëntë dhe "fajet" e mia.

*    *    *

Tufa e dhënëve të mia qe aty mbi  50-të kokë. I  njihja një  për një dhe,daç besoni  dhe daç mos besoni, por dhe  ato më "njihnin" mua. Unë dhe, kur i mbyllnim në kasolle dimrit,isha gati të flija mes tyre. Dhe nuk  ka më mirë. Veç të jesh i zoti. Sa do të më pëlqente që këtë tregim  ta lexonte ndonjë bari i sotëm,se vetëm ai mund të më kuptojë  mbresën time që e quaja: të"vdekur". Të vdekur, por ja tek u ringjall.

Jam tek shtëpia ime, atje në fshatin Petovë e Re, në rrethin e Fierit. Shtëpia  jonë ( ne kemi ardhur nga Skrapari dhe imatë i ka hobi lartësitë), është mbi një kodër dominuese,si ajo eArdenicës ku është vendosur ai  Manastiri mb i 600-vjeçar ku ka vënë kurorë SKënderbeu. Në vijë ajrore,shtëpia ime e vjetër me manastirin, janë aq larg,sa,po të shtiesh me snajper,qëllon drejt e në objekt. Me këmbë, rruga është me terren të thyer do nja 40 minuta. Aty  e kemi patur shtëpinë dhe nja 100-m larg kishim  kasollen. Kasollja qe goxha e  madhe dhe me dy hyrje: në hapësirën më të madhe dhëntë, dhe në hyrjen tjetër: dylopët dhe penda e qeve.

*   *   *

Me "hyrjen" tjetër as që kam punë. Punë për mua janë dhëntë. Dhe sikur kam bërë një"marveshje të heshtur" me to.Sa më shohin, zënë e blegërijnë! Por çfarë  thonë, vallë? Ah,sikur ta dija se çfarë kërkonte secila me këtë bëlegërimë? Unë ua dija huqet dhe,për secilën, mund të thosha disa karakteristika,si: a bën zarare? A bindet kur i flet? A pranon të milet a jo? Unë mund të bëja një "guidë" të tërë për to. Se jo më kot m'u shfaqën në gjumë.

Po ta shihni, tregimin e kam titulluar: SYKOLE! SYKOLJA ka qenë delja që më kuptonte mbi të gjitha dhëntë. Qe goxha dele, nga ato që quhet "balli i dhënëve". Ia kisha vënë vet emrin.E quajta "SYKOLE" se mbi  turirin e bardhë qumësht, mu mbi  njërin sy kish një hark të hollë të zi;aq i hollë qe ky hark,sa e bënte si me nishan në ballë. E bëra si ogiçe dhe,po të ndodhte që unë të bija në një greminë dhe të thërrisja"SYKOLE",ajo fluturim e do hidhej pas meje. Mandej, dhëntë instiktivisht  ndjekin të parën e tufës: në hidhet ajo, të  tëra shkojnë drejt  vdekjes. E tillë qe SYKOLJA dhe mua,sa më duhej, aq dhe më lipsej.

*    *    *

Ne, në fshat, kishim 15 ha tokë. Tani është shkurt dhe dhëntë e mia, ngaqë janë dhëntë e para që pjellin në tërë fshatin, sapo i kemi ndarë nga shqerrat dhe, pasi i ka mjel imatë, unë u kam rënë para dhe  i çoj për kullotë. Sot do t'i shpie tek "Bregu". Bregu është ara e fundit jona dhe për të sosur atje, më duhet pa frikë: mbi gjysmë ore. Unë para dhe, pas meje,SYKOLJA (asaj i kam vënë këmborë) dhe dhëntë e tjera,kolonë për një,si milingonat,pas Sykoles. Ara e "BREGUT"  është 10 dynymë dhe  e thurur me gardh nga të katër anët. I çoj atje, në mëngjes dhe i marr errur pa errur mirë. Kur i çoj , jam unë që nuk i lë që të kthehen as majtas,as djathtas. Belaja është për t'i marrë. Por kot e kam SYKOLEN unë. Përtoj ta bëj gjithë atë rrugë në atë terren të thyer (për ta hedhur në hartë,duhen disa lloj lapsash), por ja tek më vjen në ndihmë:SYKOLJA. Dal nga shtëpia,vendosem me front nga ara e "Bregut" dhe zërin që e kam si pushkë,e zbraz:- SYKOOOOOOOOOOOOOLE! Nuk mundohem shumë: dy- tri pushkë të tilla zbraz dhe,sakaq, SYKOLJA  fiu dhe kapërcen shtegun (enkas e kam lënë pak të ulët) dhe këmbora (kush më mirë se ajo di ta tundë atë këmborë) që tundet është sinjali që sikur i thotë tufës:- Pas  meje! Jam i sigurt se SYKOLJA do t'i prijë tufës  drejt meje. Tek  pres të kthehet

"anija 105" nga baza e nisjes, shoh përpjekjet e një shelegu rondokop që jep e merr dhe nuk e kapërcen dot shtegun.SYKOLJA nuk sheh që"rondokopi" atje pas gardhit, është veç fati i keq për të. Por, pas dy-tri orvajtjeve,e hodhi dhe ky, rondokopi, që shpejton këmbët për të zënë tufën. Unë si ai gjenerali që ka goxha "repart" të disiplinuar pres  të marrë "dafinat" e fitores.  Është një "betejë" që e kam fituar vetëm nga  SYKOLJA.

E gjithë kjo mbresë,erdhi dhe më trazoi gjumin. Më,nuk u mbyll syri im. Po si mund t'i mbyllja, kur SYKOLJA më erdhi,si ai ushtari që ka shkuar diku dhe ja tek kthehet. U bëra dhe njëherë ashtu 13-14-vjeçar,qëkur kthehesha nga shkolla në Elbasan, para  se të shkoja në shtëpi,kthehesha tek kasollja e dhënëve. Bërtisja:"SYKOLE" dhe ajo friu, në këmbë.Dëgjohej këmbora dhe,e para,SYKOLJA,lëshonte blegërimën. E dija seç më thoshte:- Ku je,imzot? Dhe ja tek u bëra prapë fëmijë dhe bërtita: SYKOOOOOOOOOOOOOLE! "Pushka" ime, mjerisht, u zbraz kot! Sa kohë që ma ka ngrënë "ujku" SYKOLEN me gjithë tufë!  Mallkim për të gjithë ata që na i morën "SYKOLET" dhe na lanë me gisht në gojë!  SYKOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOLE! Ah,sikur të  kthehesh dhe njëherë,siç u ktheve mbrëmë! Sa të kam dashur! Ama dhe ti  më doje, moj gjenerale e "repartit tim ushtarak" të deleve! Kuj i bëtë dëm, që  ju hëngri"ujku?!"

 

Tiranë, 25 shkurt 2018