Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kristaq Turtulli: Apologjia e Nënës

| E enjte, 08.03.2018, 08:00 PM |


Kristaq Turtulli

APOLOGJIA E NËNËS

Fragment nga romani: MISTERET E PARISIT TË VOGËL

Lëviz me nervozizëm rreth vetes. Karfica më pickon përsëri. Dreqja majë karficë, s’ do të qëndrojë në fole.

‘S’më bëjnë këmbët të shkoj, të kërkoj drejtësi te Marko Kalemi, nusedjali në këtë ditë të përçudnuar, me ëndrra të rënda. S’e kuptoj përse e drejta mbahet e lidhur në mijëra vargonj dhe e keqja livadhis azat?! Përse ndëshkohet, nëpërkëmbet dhe vdes herët i miri, ndërsa i ligu zhgërryhet për shtatë palë qejfe mbi dafina?! Na thënkan me qesëndi: I plotfuqishmi Zot i do shumë të mirët, i ka në zemër, prandaj i merr pranë.

Punë e bukur qenka: T’i marrësh të mirit jetën e bekuar që nuk përsëritet kurrë më. Të braktisë dritën e diellit, ujin e kaltër, ajrin e freskët, këngën e bukur, fjalën e ëmbël të mëmës, të shkojë në terr, në errësirë. Atje, nën dhe, në terr, prej nga nuk kthehet më. Hë, a ka bythë vend ku të rrijë?! Domethënë, sipas  budallenjve, moj krushkë shtrigë, drita e diellit, qielli, ajri, ylberi, uji, blerimi, pylli, shpendët, kafshët, e çdo tjetër e gjallë na qenkan për të ligjtë, vrastarët, kurvat e kurvarët, spiunët, maskarenjtë, hipokritët, kodoshët, mosmirënjohësit! Me pak fjalë, mirësia të shpërblehet gjithnjë me të keq?! Hëm! A mos je pak budallaqe, moj grua plakë?!’

Kartoni i dritares rrahu me potere si të më thonte:

‘O grua, akoma nuk e ke marrë vesh që s’ka mirënjohje? S’ka dreqi ta marrë, s’ka dhe, s’ka..! E nëmën, e pështynë e kafshuan dhe në fund e hëngri kuçedra me dy koka.’

-Plasja të preftë!- rënkoj.

Koka më shungullon dhe them me maraz. Si të ngushëlloj veten, pëshpërit:

-Mbase gjendet një që e njeh, e vlerëson mirënjohjen dhe do Zoti ky të jetë Marko Kalemi.

Si përgjigje, fytyra m’u spërkat nga shiu i ftohtë.