E enjte, 28.03.2024, 12:08 PM (GMT)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: Një tragjedi, dy familje dhe një shoqëri

E marte, 06.03.2018, 09:00 PM


Një tragjedi, dy familje dhe një shoqëri e tërë

Nga Entela Binjaku

Ditën e djeshme në periferi të një qyteti bregdetar dy familje shqiptare humbën fëmijët: njëra prej tyre përjetësisht, tjetra si të ndaluar për vrasje…Ditën e djeshme dy djem humbën përballjen me jetën: njëri në mënyrë të pakthyeshme, tjetri për shkak se “nuk kontrolloi dot gjaknxehtësinë”. Nga dje një tragjedi bëri që të dy të rinjtë i ikën realitetit të një shoqërie që është po aq bashkëfajtore në këtë indiferencë të krijuar. 3 vite më parë njëra prej familjeve përjetoi të njëjtën tragjedi që sot po kalon familja tjetër…

Aktualisht disa nga dukuritë që po shfaq brezi i ri në vendin tonë janë: dhuna fizike dhe verbale, vjedhjet, sjelljet kriminale, prirjet për të shkelur ligjin. Sigurisht…kjo “nuk ndodh vetëm tek ne”, meqë shumë e pëlqejnë këtë mendim mbështetës, por ne për këtë shoqëri tonën po flasim… Sot janë me mijra prindër  shqiptarë që shantazhohen nga kërkesat e fëmijëve të tyre, që intimidohen nga shprehjet “dua” dhe “tani”. Janë me mijëra prindërit shqiptarë që jetojnë të dhunuar nga fëmijët e tyre, që rebelohen me “ikjen nga shtepia”, “me vetevrasje“, “me lënie shkolle” pasi i kanë shantazhuar  në mënyrë të përditshme. Ka prindëri shqiptarë sot që janë në kushtet kur autoriteti ju shantazhohet, nuk ju njihet dhe janë shndërruar thjesht në  sponsor të pretendimeve të fëmijëve. Siç ka shumë prindër shqiptarë që lëshojnë nga autoriteti për shkak se nuk kanë asnjë mundësi të jenë sponsorë të fëmijëve të tyre. Natyrisht, jo të gjithë, por ky është një realitet ndaj të cilit duhet të shqetësohemi…

Prej vitesh të rinjtë tanë janë pjesë e një sistemi arsimor dhe edukues konfuz, të pasigurtë, me një paaftësi të shpërndarë në mënyrë të frikshme, një sistem arsimor që nuk të shpërblen dhe që po degradon edhe familjen. Prej vitesh jemi në pikën kur të rinjtë tanë ose duan tja mbathin,  ose ëndërrojnë të bëhen si disa që për shoqërinë nuk janë askushi. Të rinjtë e sotëm nuk i sheh ndonjëherë të hedhin plehrat, të pastrojnë dhomën ku rrinë, nuk i sheh të shkojnë te blejnë bukën, të thonë faleminderit nënës për tavolinën e përditshme. Fëmijët shqiptarë sot  nëse nuk ju pëlqen diçka shndërrohen në të dhunshëm duke i  shantazhuar prindërit me kërcënimin e largimit nga shtëpia, duke refuzuar çdo formë komunikimi të ngrohtë e  njerëzor, të atij komunikimi që ju dha jetë.

I  kujt është faji që erdhëm deri këtu? Ku i gjejnë modelet të rinjtë tanë në këtë kohë që jetojmë ku nëna dhe babai me formimin e tyre kanë mbetur në vend ose pas, shumë pas? Ku shkolla nuk arrin të kryejë misionin e saj?Ku media të informon për dhunë në mënyrë të rregullt?

Sot për të rinjtë tanë vlerë kanë ata që shfaqen të dhunshëm dhe ndjellin frikë. Më i miri i shkollës është objekt talljeje. Nëse një djalë është i sjellshëm, edhe vajzat nisin tallen me të. Nëse është më i çmuari i shkollës, ai që e ngre rating-un e gjithë të tjerëve  me vullnetin dhe pasionin e tij për dijen, vajzat nuk dashurohen me të. Sepse ato dashurohen me  atë të fortin, që braktis mësimin që parapëlqen kick boxin në vend të vrapit në natyrë. Nëse është më e mira e shkollës ajo do të përfshihet në një grup virtual ku të tjerat do ta vënë në lojë, do ta përjashtojnë prej zilisë dhe ku ajo e vetmuar, do ta kalojë edhe këtë fazë të jetës.

Duke u kthyer tek rasti i djeshëm…le të imagjinojmë për një çast se do të jepet vendimi për të riun vrasës. Pasojat për të do të jenë dramatike! Në burg ai do të mësojë dhunën, tashmë jo më prej gjaknxehtësisë; në vitet e para do ta poshtërojnë, do të abuzojnë dhe do ta nënshtrojnë. Ai nuk di të as të shkruajë artikuj, që ta dëshmojë atë që po i ndodh.  Edhe nëse do të dinte, kush do t’ja botonte?! Ai është thjesht një i ri i dalë nga kontrolli familjar dhe i shoqërisë, me një psikë dhe sjellje të modeluar nga një muzikë, tekste e imazhe që ndjellin dhunë, frymëzuar nga modele që për shoqërinë nuk kanë asnjë vlere. Ai është një i rritur mes dramës familjare që kush e di sa revoltë ka ushqyer, sa depresion ka jetuar…

Tani ai po rritet dhe po ndërton rolin i tij si individ në kushte qelie, me shkelësit më të dhunshëm të ligjit. Pasi t’i kete kryer disa vite,  është ai që do të ushtrojë rregullat e ashpra të mësuara aty, ndaj të sapoardhurve me mendjet e turbulluara nga hashashi. Kur të vijë koha, do të dalë! Me siguri me shumë brerje ndërgjegje, por me gjasa i rekrutuar dhe ndoshta jashtë do të nisë të vjedhë, do të dhunojë dhe ndoshta…edhe do të vrasë. Për ngjarjen e djeshme por edhe të te tjerave më parë, apo të atyre që do të vijnë, fajtorë jemi të gjithë: prindërit që mendojnë se fëmija edukatën e merr në rrugë, ndërsa ata kanë për detyrë t’jua plotësojnë pretendimet. Shkolla, me paaftësinë e saj për ta mbajtur në mjediset e ngrohta dhe mikpritëse, për ta nxitur drejt dijes e drejt besimit te vetja dhe tek një e ardhme që të kërkon afër librit…

Prindërit e djalit që vrau dje janë vetëndëshkuar duke mbajtur gjithë jetën përgjegjësinë e mospërfshirjes së tyre. Nëna dhe babai do të duhej të komunikonin me djalin, të kuptonin a ka ndërgjegje kriminale i biri, ajo zbrazje e dhunshme energjie, nuk lindi dje! Ajo kishte qenë aty kohë para se të gjendej edhe një thikë. Por ata prindër dje, fatkeqësisht, u ndëshkuan për herë te dytë… Sa mundësi mund të kishin pasur ata për ta kuptuar fëmijën e tyre!? Fajtore është mass-media, për vrapin pas modeleve absurde dhe negative që jua kultivon dhunshëm duke i përplasur në fytyrë përçmimin e shoqërisë  për të ndershmin, për të lexuarin, për të diturin, për të vetëpërmbajturin.  Me kolegët e Qëndresës Qytetare nga takimet me të rinj në shkolla kemi kuptuar që rruga që parandalon përshkallëzimin e konfliktit në dhunë është edukimi i nxënësve me kulturën e ndërmjetësimit.  Disa ditë më parë në një nga shkollat e vendit në një takim me gati 100 fëmijë të moshës 12 vjec biseduam rreth burimeve të zenkave mes tyre, rreth keqkuptimeve, rreth mosmarrëveshjeve. Të mësuar me edukatën e të shprehurit në atë mënyrë që “ne nuk kemi probleme”, sikur “problemet I kanë të tjerët”, fëmijët me të drejtë u shprehën se mes tyre nuk kishte asgjë të tillë.

Kur ju kërkua të imagjinonin se pse lindnin këto probleme tek të tjerë, ata nuk reshtën së përgjigjuri…dhe ato nuk ishin me vetëm shqetësimet e bashkëmoshatarëve të tyre, por ishin mbi të gjitha shqetësimet që ata kishin thjesht nevojën e njerëzve të duhur për tjua thënë! Për këtë arsye nisëm fushatën tonë “Ndërmjetësit e Rinj”, dhe në bashkëpunim me Programin e Ambasadës Suedeze për Forcimin e Policimit në Komunitet, si rruga e vetme që i i kthen nxënësit në ndërmjetës dhe jo nxitës së konflikteve mes shokëve dhe u shërben atyre  për të kapërcyer konfliktet.  Tragjedia e ditës së djeshme nuk  preku vetëm dy familje por një shoqëri të tërë…



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora