Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Mehmetaj: Varret e krushqve në dritën e hënës

| E marte, 06.03.2018, 07:49 PM |


Varret e krushqve në dritën e hënës

Nga Gani MEHMETAJ

Varret e krushqve gjithnjë më kanë hutuar. Një grumbull rrasash ndanë rrugës, të mbuluar me lisa të gjatë qindra vjeçare. Sa me trishtonin këta gur varresh, sa të pakuptim qenë flijimet e dasmorëve, sa e dhimbshme ishte vdekja e nuses. Nuk e di a duhej të vlerësoheshin a të gjykoheshin ata që pushonin në paqe pas një përleshje të egër? Ranë për nder? U flijuan për inatin e të parit që nuk i lëshoi rrugë të dytit? Ishin viktimë e sulmit të cubave? I gurëzoi mallkimi që nuk u zbërthye kurrë? Legjenda nuk e përmend sulmin e cubave, nuk tregon as për praninë e ndonjë ushtrie armike, legjenda rrëfen për inatin e kobshëm të dasmorëve. "Ma lësho rrugën! S'ta lëshoj rrugën!" Dhe nxehen gjakrat.

Pse dasmorët u kthyen të njëjtës rrugës, ndërsa duhej ta thyenin rrugën. I tërhoqi kobi? Nuk i shkëputeshin mallkimit?

Një palë i gjykojnë për tragjedinë (sikur ta kishin të parin me kokë të kthjelluar, do të ktheheshin shëndosh e mirë në shtëpi), sepse kishin shkuar për hare e jo për mort. Të tjerët thonë se ranë në krye të detyrës, mu si ushtarit që i jepet urdhër ta shoqëroj e siguroj një eskortë, ndërkaq ata u vranë që të mbronin nderin e nuses dhe nderin e dhëndrit. Legjenda thotë se u vra edhe nusja.

Asnjë dëshmitar nuk mbeti të tregonte si ndodhi ngjarja, kush e nisi.

Sa herë kaloj pranë këtyre varreve me mbërthen pikëllimi. Nuk e kam biseduar me asnjëri, por sikur kemi frikë që me t'u afruar rrezik të na zë mallkimi. Athua dasmorët e nusen i zuri mallkimi?

Varret e krushqve janë relikte që i ndesh shpesh ndanë udhës. Legjendat të rrëqethin. Sipas legjendës grupi i kalorësve-dasmorë kthehej nga shtëpia e babait të nuses shend e verë. Verë e ushqime patën me tepri. Befas buzëqeshja u tretet në fytyrë, kur shohin përballë grupin e kalorësve dasmorë që ktheheshin me nusen tjetër. Pushojnë zërat, ndalen hapat e kuajve, kalorësit shohin njëri-tjetrin dhe nuk bëzajnë. Prishaqejf e të rrëmbyer, krenarë e të mbushur trimëri nga vera e detyra të mos e turpëronin derën e dhëndrit, u hakërrohen grupit tjetër.

Pastaj nis përleshja deri në shfarosje.

Në asnjërin rrëfim të kësaj ploje nuk thuhet që shpëtoi dikush, të kishte të paktën një dëshmitar, të mbetej gjallë nusja e plagosur me fustanin e përgjakur, të ishte bariu që t'i shihte nga kodra. Heshtje varri. Askush nuk i pa, askush nuk i dëgjoi. Hamendësime, dyshime, frikë nga ndonjë mallkim.

Legjenda thotë se të gjithë vdesin, ndërsa nga betejat më të ashpra që njeh historia, gjithnjë shpëtonte dikush për të treguar. Ndonjëherë legjenda thotë se u vranë madje të dy nuset. Motërzimi i saj në krahinën tjetër thotë se u vra vetëm njëra nuse, tjetra u çmend dhe e mori malin.

Ku qëndron e vërteta? Po dhëndri, ku ishte? Në asnjërën legjendë nuk thuhet se u vra dhëndri, në asnjërin grumbull varresh nuk tregohet se cili ishte varri i tij. Ta ketë pritur nusen në shtëpi? Dhe e priti gjatë, por kurrë nuk e takoi të gjallë, nuk ia pa shkëlqimin e fytyrës.

Në të ngrysur nisi të shqetësohet Ai, i pari. Pastaj shqetësimi i tij u bartë të te tjerët. Fjalët e pritarëve shteruan, secili kur thoshte diçka mendonte: ç' u bë nusja? Pse u vonuan dasmorët? Dhe krushqit nuk vinin, as lajmës nuk nisnin.

Burrat rrinin të ngrirë në dhomën e pritjes. Dhëndri hynte e dilte sa t' ua kujtonte se nusja s' po vinte. Heshtja bëhej e tensionuar.

Dikur njëri nga ta tha si të jepte kushtrimin: çohuni burra se krushqit e humben rrugën. Pritarët ngjeshën armët, shtrënguan parzmorët. Erdhën për gëzime e jo për luftë. Hija e mortit i ndiqte prapa.

Britmat e zërat që kërkonin nëpër terrin e natës rrugës së madhe, nuk ua davarisnin frikën se ishte vonë për ndihmë. Diçka e kobshme i kishte mbërthyer dasmorët e nusen.

Pak hapa ndanë rrugës së madhe, pamja e masakrës nën dritën e hënës dukej makabre: binte në sy fytyra e zbehtë e nuses me fustanin e bardhë me njolla gjaku të sapo përtharë, në gjoks e në barkë. Fytyra e saj e bardhësisë së frikshme e sytë e hapur, tregonte një tmerr të panjohur më shumë se sa tmerrin nga vdekja. Ç'i panë sytë? Ç'kumt i dhanë që nuk e përballoi?

Dasmorët kishin rënë aty ku i kapi vdekja, secili kishte nga një a disa plagë në trup. Pritarët u shtangën: klithmë as pasthirrmë nuk u doli nga goja. Gurëzimi i përjetësoi pranë trupave të vdekur.

Varret e krushqve. Foto: Dukagjin Mehmetaj