E enjte, 28.03.2024, 05:18 PM (GMT)

Kulturë

Ilnica: Qazim Shehu - Një dritë që s’ndizet për këdo

E merkure, 28.02.2018, 08:00 PM


Recension per librin me tregime

“Një dritë që s’ndizet për këdo” e Qazim D. Shehut

Nga Ramazan S. ILNICA

Libri me tregime i autorit Qazim D. Shehut është botuar në fund të vitit 2017 dhe në janar e kemi në dorë duke e lexuar me kënaqësi, sepse tregimtari na ka dhënë një galeri tipash kryesisht të ditëve tona. Zoti Qazim Shehu, profesori i letërsisë në shkollën e mesme “Ibrahim Rugova” të Kamzës, është një poet dhe tregimtar prodhimtar: tashmë ka botuar 8 përmbledhje me poezi dhe 5 vëllime me tregime. Qazim Shehu gjithashtu është aktiv në kritikën letrare, në studime të kulturës, etnografisë si dhe me shkrime të ndryshme në shtypin qëndror duke botuar me qindra artikuj, shkrime,recensione dhe me redaktime të autorëve të ndryshëm.

Në librin e fundit të Qazim Shehut me titullin “Një dritë që s’ndizet për këdo” ka 36 tregime të shkurtra duke marrë si titull njërin nga titujt e tregimeve të vëllimit.

Një kopertinë vërtet befasuese, por dhe shumë shprehëse: mbi një xokël një llampë e konturuar me dollarë. Është shumë domethënëse në tregimet e Shehut për të sotmen, ku “loja” e parasë bën që të na mbeten në mendje shumë personazhe që janë me lëtyrjen me paratë dhe që luftojnë për jetën e thjeshtë për vetëqenien, për mbijetesën. Autori e ka ngrënë meraku që ka bjerrë shumë humanizmi njerëzor dhe ka shumë raste që varësia ndaj parasë përul dhe besën. Le të shohim një shprehje nga tregimi 5 “Babai”:  “Botën e mbajnë burrat e mirë dhe burrat e mirë nuk kanë mbaruar, ata i përkasin çdo kohe.” Por dhe porosia e babait për gruan është shumë domethënëse: “Merre gruan racë të mirë. Njeriu nuk shihet nga shtati e bukuria, ai është baltë ë zotit, por nga besa e shpirti.” Po, kështu thotë babai, por sot kush e dëgjon plakun? Po kush e lexon tregimin s0t? Një numër shumë i vogël dhe më shumë nga moshat e mëdha se nga të rinjtë dhe të rejat as që bëhej fjalë të lexojnë letërsi. Madje edhe studentë te letësisë dinë vetëm Kadarenë dhe Agollin dhe kaq. Nëpër librari sheh stoqe me libra të autorëve që shkruajnë bukur poezi, prozë a romane. Po, të vjen rëndë që të mbeten ashtu të braktisur, siç kemi parë ne dhe autori i tregimeve të vëllimit tonë. E kemi parasysh se ka dhe një numër shumë të madh librash që as do të lexohen ndonjëherë, sepse janë “të porositur”për njerëz, për fise, për fshatra e të tjera subjekte pa ndonjë vlerë letrare.

Në vëllim te tregimi “Këngëtarja” për Monda A e cila për nder të Publicistit të Lirë dhe redaktorit të intervistës u ka shtruar një darkë. Është një Pazar i zakonshëm për “kokat” e sotme. Kur këngëtarja i jep 100 euro redaktorit për shkrimin, Publicisti i Lirë, duke treguar për “muzeun” me sende të këngëtarëve të shquar, i merr varësen 500-euro dhe dhe orën zviceriane. Publicisti i Lirë i kërkon dhe një fustan të saj. Ja si i përgjigjet këngëtarja: “Ta jepja edhe fustanin, por nuk mund të zhvishem lakuriq këtu…, kjo besoj, nuk do të pëlqente as ty…” Duke e shtyrë më tej këtë tematikë nga vëllimi mund të përmendim tregimin ”Libri i pamposhtur” Niko, shkruesi i librit, thotë: “Është një libër me publicistikë dhe përfshin një numër të madh personalitetesh nga fusha të ndryshme. Një libër i shkruar me gjakun e zemrës. Sot i jap dorën e fundit në shtypshkronjë…” Autori në bisedë e sipër lavdëron shkruesin e librit dhe thotë me mendje: “Në këtë botë ka shumë njerëz që i duan lavdërimet, po në veçanti lavdërimet i duan një pjesë shkrimtarësh, të cilët janë të dobët para tyre.” Shkrimtarin e “Librit të madh” e trishton largimi nga kjo jetë e disa personave për të cilët kishte shkruar, por Zenoja, personazhi i “ngritur” e qetëson me këto fjalë: ”- Do të organizoj edhe unë një farë shitje. Në repartin ku punoj, këta njerëz kanë disa nipër dhe ata nuk do të tregohen aq indiferentë…”

Edhe në tregime të tjera të kësaj tematike trajtohen të tilla halle dhe vëzhgimi i autorit Qazim Shehu kalon deri në tallje e madje dhe sarkazma si te tregimi “Metatezë”: “Dhe ja ku jemi në godinën e Akademisë së Shkencave…., pikërisht në këtë godinë të shenjtë, ku hija e etërve të shkencës dhe fjalës së thellë më duket se është arratisur diku në askund”. Po promovohej një libër për një hero. Folësit japin konsiderata të larta për autorin ca më shumë dhe na vjen në skene folësi me emrin Servet: “E njoh mirë. Ky është nga ata borgjezët e rinj, ka para sa të krip kokën me to. Hiqet si publicist, analist, e vë kandidaturën për deputet dhe ka dëshirë të merret me politikë. Rreth tij turen fjalë të pakursyera, epitete mbresëlënëse që e ngrenë pallë në ajër, po fundja ç’të keqe ka? Ne jemi një shoqëri e pallës dhe e rrumpallës dhe zoti Servet nuk ka faj…”

Autori i tregimit vijon me “tiradat e metatezës së tij: ”- Kjo ngjarje e sotme ka rëndësi; autori Fadil … ashtu si SIFIZI e ngre lart gurin e kulturës dhe e vendos në shkëmb. Ai me dritëpamësinë e vet, me një kualitet shkrimor të hatashëm, na modelon një pamje tjetër nga jeta e heronjve, të cilët përbëjnë krenarinë tonë. Miti i SIFIZIT këtu merr një vlerë të pallogaritshme…” Pas një dite autori takon një shokun e tij gazetar që ishte i mërzitur.

-Ç’ke? - e pyeta…

-Asgjë, - tha. – Bëra fjalë me shokun Servet, tani, … jo se bëra fjalë, po nuk ishte faji im. Unë i shkruaj Miti i Sizifit ai e lexon Miti i Sifizit…” Sarkazma bie si shiu i ftohtë në lëkurën e drithëruar…

Të kësaj tematike janë dhe tregime të tjera, siç është ai me titull”Baladë e grisur”, “Syri tjetër”që na sjellin subjekte interesante të sjelljes së njerëzve që bëjnë sikur krijojnë dhe nuk japin asgjë.

Një vend të veçantë zënë në vëllim edhe tregimet për të kaluarën, të periudhës së Luftës dhe kryesisht të periudhës së socializmit. Janë 2 tregime me subjektenga Lufta dhe 6 të tjera kryesisht të kooperativava bujqësore. Dy tregimet nga Lufta tregojnë : e para për një urë dhe e dyta “Shakaja” dhe janë të dy me vlera të njohjes së të kaluarës.

Ndër tregimet që lënë mbresa te lexuesit është tregimi i parë “Ara e pavaditur”. Grotesku i veprimeve që bëjnë kooperativistët që përpiqen të vaditin me lloj-lloj enësh një arë me misër që ish-kryeministri, një komandant i Luftës së zonës, e bën problem se është pa vaditur. Ndërsa ish-komandanti zihet me një ish-ballist 70-vjeçar i shkojnë sytë te ara me misër:

-Po kjo arë pse s’është vaditur?! – pyeti ai, dhe pa marrë përgjigje vazhdoi:

-Për dy ditë kthehem nga Dibra, dhe nëse ara s’është vaditur, gjeni vend dhe futuni…

Puna natë e ditë e tërë fshatarëve bëri që ara të merrte disa pika ujë dhe fshehja e enëve qe puna e fundit që bënë. Pritnin kthimin e komandantit, kur befas:

“…Dhe ata pritnin me qetësi këtë përbindësh (makinën),të qetë sepse detyrën e kishin kryer. Kryeministri u shfaq në makinë, me fytyrë të ngrirë bust, po makina nuk ndaloi.

-Po tani ç’të bëjmë, - u ndie një zë.

-Tani? Asgjë, - iu kthye përgjigja, -vetëm kam një merak, si do ta marrë vesh kryeministri që ara u vadit…”

Mbyllja e dhënë më sipër është dhe një mënyrë e vënë re te tregimet e Qazim Shehut: si te tregimet e shkrimtarit amerikan O Henry apo tregimet e Shuteriqit të madh. E befta, e papritura në tregime të tilla bëjnë pjesë te stili shumë energjik që lë vragë të thella te lexuesit dhe të shtie në mendime.

Në tregimin metitull “Arrestimi” dhe ngjarjet zhvillohen në një postë kufitare dhe në fshatin buzë kufirit që ndahen me klon me fshatrat matanë dhe ata fshatra shqiptare të lidhur me krushqi të shumta më përpara. Arrestimet bëheshin me urdhra dhe ndonjëherë jashtë sferes së kompetencave. Ja kështu ndodh kur zv. komandanti i postës i thotë komandantit të postës se do të shkonin të arrestonin fshatarin Ajaz Prendin: “Nuk ka qëndrim të mirë politik, është i varfër derdimeni, dhe kujton se do të përmbysë këtë pushtet me zhelet e veta.” Komandanti u çudit pakëz nga ky lajm se pse duhet ta bënin ata këtë arrestim kur ishin postë kufitare dhe mbronin vetëm vijën e kufirit?” Pse të mos e kryente këtë dega e brendshme e Librazhdit. Zv. komandanti ishte njeri i cili merrej me shefin e degës: “Me siguri: zi e më zi, ashtu siç kishte vepruar përherë, po fundja ta shikonte zillëkun e tij”. Edhe thënia e Vegimit që të pinin ndonjë kafe dhe pastaj të arrestonin Ajazin që u dha mirëseardhjen në shtëpinë e tij. Pas pirjes së kafes e rakisë Filipi, komandanti mendoi të ngrihej duke kryer detyrën, por Vegimi e ndaloi dhe hëngrën e pinë me nderimin e të zotit të shtëpisë. Komandanti mendonte: “Sido që të ndodhë, buka vret më shumë se plumbi, buka të zë sytë dhe ta bën shpirtin zeher, kur ti e shkel. Sepse buka është e shenjtë dhe mallkimi i saj kap brezat…” Në mbyllje Vegimi kërkon që ta arrestojnë mikpritësin, ndërsa Filipi  e mbyll me fjalët:

- Nuk arrestohet tjetri kur të jep bukë, - mërmëriti shkodrani…

Është një tregim që na lë mbresa të forta dhe na shpalos dhe anët më të mira të punonjësve të organeve të punëve të brendshme, krahas ndonjë tipi të lig si Vegimi. Kjo na vjen ndër mend kur në gjithë zhargonin gjoja antikomunist të viteve të fundit veç vrer e sharje dëgjohen në shkrimet për ta.

Një tregim shumë kuptimplotë është “Freri”. Mirashi, protagonist i tregimit, është nga ata njerëz që guceshin në sistemin e kaluar, nuk u rrinte goja mbyllur edhe kur nuk u hynte gjë në hise. Ishte burgosur madje për llafet me “spec”, por që nuk ndreqej. Një ditë në dyqanin e tij ku rregullonte makinat e shkrimit vjen një shok i tij i fëmijërisë dhe pa u menduar fare ia hedh llafin kot së koti:

- Ç’të kemi, more vëlla, nuk e shikon si jemi katandisur,ata atje lart mirë e bukur jetojnë për vete e ne jemi bërë të na marrësh e të na përplasësh për faqe të murit e të na ngjitësh në të si plastelinë…

Tronditet dhe nga kërcitja e çatisë (që i sjell ndërmend se survejohej) dhe nga fjalët e vëllait që e lebetit me fjalët e tij se ish-shoku i tij mund ta rraste brenda. Të nesërmen në bisedë me shokun e tij ai i llomotit “të mirat” e atij pushteti: shtyllat e elektrikut, arat me grurë, stallat me lopë qumështore, rruga me asfalt e të tjera “të mira të partisë”. Kur do të ndaheshin kemi këtë mbyllje:

- A sose? – pyeti Meti me qetësi.

- Sosa.., - psherëtiu  Mirdashi.

- Mirë, - tha Meti, të gjitha bukur i the, po pse u lodhe duke më çarë kokën gjer tani?...

Mirë që na paska qenë shok i mirë se burgun radhës së dytë mund ta kishte ngrënë…

Një vend të madh zënë tregimet që kanë në subjekt gratë dhe sjelljet e burrave me to. Të tilla tregime janë: “Instikti i gruas”, “Burrat e murrmë”, “Gratë e zyrave”, ”Ti më the Marina”, “Pas kaq vitesh”, “Syri i keq” etj. që përbëjnë rreth një të tretat e vëllimit. Tregimet kanë subjekte me gra nga ato që quhen qejfllesha, ose nga ato femra që përpiqen të mbajnë veten në kushtet e presionit ndaj tyre apo dhe me gra të njohura dikur.  Subjektet me gra të fshatit kanë në tregime sjellje të çuditshme në rrethana interesante, ndërsa sjelljet e femrave në qytet në ditët e sotme janë siç thotë dhe autori të varura nga rrethanat: dikush qëndron dhe nuk përlyhet dhe disa të tjera që zhyten në sjellje të ulëta për qejf apo për para.

Në tregimin “Instikti i gruas” kemi faqe interesante për dy personazhet e përfshirë në ëndjen për dashuri, të Nadimit dhe Lirës si dhe Sanijes, të shoqes së Nadimit. Gruaja e Nadimit, me instiktin e saj femëror arrin që të ngulfasë trillin e të shoqit dhe të ndalojë një lojë të tij me Lirën. Gruaja arrin të ruajë familjen, burrin dhe dy fëmijët e vegjël, ndërsa Nadimi ftohet krejt kur nga ana tjetër e telefonit, të Lirës, dëgjon një zë burri:

“- More maskara, ti kujton se Lira është një grua rrugësh… Të njohim mirë dhe në rast se guxon ta marrësh në telefon, do të shkosh në të sat shoqeje pastaj…”

I përafërt me këtë tregim është ai me titull “Ti më the, Marina Është një tregim më shumë provokues për jetën tonë dje dhe sot. Marina arrin të bëjë dashuri me Ganon pasi bëri të njëjtën gjë me burrin që e zuri gjumi ose kur ajo bën të njëjtën gjë kur burri me kushërinjtë e vet pinë në dhomën ngjitur. Ikja e Ganos dhe peripecitë e tij nëpër natë me frikën në zemër se mos e ndiqnin, është një fantazmogori me mbylljen:

“Të ngjitej lart për tek rruga nuk kishte më forcë, veçse lëshoi duart prej shkozës dhe ra në ujë. Mendimi i parë që ndjeu pas lumturisë që përftoi se i kishte shpëtuar jeta qe:

A më pate thënë Marina se do të më bëje për ujë të ftohtë?...

Të kësaj tematike pak a shumë janë dhe tregimet ”Mushka xanxare”, “ Era e burrit”, “Pas kaq vitesh” e ndonjë tjetër.

Ndërsa për kohën e sotme lëvrijnë personazhet në tregimet, si: “Burrat e murrmë”, “Syri i keq”, “Totali” e ndonjë tjetër. Kemi dy lloj vajzash: nga ato që duan të ruajnë nderin dhe ato që jepen për para. Te tregimi “Burrat e murrmë”, vajza kamariere lufton për të fituar jetesën me ndershmëri, ndërsa te ”Vetëbesimi” vajza e re rri me burrin me moshë të madhe vetëm për para. Ja dhe mbyllja: “Unë bashkova gishtin e madh me gishtin tregues, i fërkova me njëri-tjetrin duke ia vënë para fytyrës së Nikut dhe i thashë:

- Të do vetëm për para….

- Jo, - tha ai, - s’është e vërtetë, pak i jap, vetëm një mijë euro në muaj…”

Natyrisht problem i ngacmimeve seksuale nëpër zyrat e shtetit apo sipërmarrjeve private në ditët e sotme është një denoncim i fortë i tregimtarit që u del në mbrojtje femrave që janë të detyruara të punojnë nën presion në ato ambjente.

Tregime të tjera me interes për t’u lexuar janë dhe të tilla si: “”Kapuçi i bardhë” dhe “Kulla e Abdulla Pashë Drenit” apo “Eftimi”, “Një grek me çifteli”, “Rruga”, “Atë e bir” që kanë subjekte me interes dhe me personazhe që na mbeten në kujtesë për sjelljen dhe veprimet e tyre.

Tregimtari ka një stil të bukur dhe një mënyrë rrëfimi shumë interesante duke përdorur dhenjë fjalor dhe frazeologji të bukur dhe mbresëlënëse… Të mbeten në mendje tregimet si  ”Rahimi” të cilin e quajnë të çmendur në kohën e kooperativave. Ja se si e përshkruan autori një moment nga mbledhja në fshat me sekretarin e parë të partisë, kryetarin e komitetit dhe të degës së brendshme ku diskutohej për letrat anonime:

- Ata që shkruajnë letra të tilla, janë njerëz jo të mirë dhe partisë nuk i duhen

Ai çmbështolli bukën e grurit, e theu në dysh dhe iu afrua edhe më sekretarit të parë.

- Ja, shoku sekretar, hahet kjo bukë? Me i ra me plumb, plumbi nuk e shpon, gruri është i palarë, kashta e bykut të gërvisht fytin. Unë për vete as lopës nuk ia jap, se kjo e ngordh lopën…”

Është një moment shumë domethënës për t’i çjerrë maskën e “të mirave të socializmit në fshat”. Por dhe tregimet për ngjarje të ditëve të sotme, si formimi i partive të reja, korrupsioni i militantëve e të tjera dukuri të këqija janë në fokusin e autorit duke dhënë një autopsi të rrethanave të dobëta të jetës së sotme.

Vëllimi me tregime i zotit Qazim Shehu është një libër me vlera të mëdha dhe një tregues se në ditët e sotme kemi dhe vepra me vlera artistike që e pasurojnë letërsinë shqipe.




(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora