E enjte, 28.03.2024, 11:28 PM (GMT)

Kulturë

Remzi Limani: Dufi i një buzëqeshjeje të hidhur

E diele, 25.02.2018, 11:48 AM


DUFI I NJË BUZËQESHJEJE TË HIDHUR

(Ekrem Ajruli, “20 vite me penë”, poezi satirike, shtëpia botuese “ArbëriaDesign”, Tetovë 2015)

Satira e shtjelluar në librin në fjalë, nxjerr në pah strukturën e njerëzve abortarë me dimensione të kufizuara mendore, nga të cilët shqyhen vlerat e mirëfillta të shoqërisë sonë - shoqëri e lënë nën hijen e të marrëve të kohës shterpë...

Shkruan Remzi Limani

Kur flasim për satirën, është e pashmangshme të anashkalohen shtigjet e krijimtarisë së Ekrem Ajrulit në këtë fushë, sepse, krijuesi, Ajruli me sukses e zhveshë kohën dhe njeriun nëpër kohë dhe hapësira të ndryshme, si gjetje dhe bazament kryesor mbi të cilat poeti respektiv ndërton vargun e tij, si reaksion i përditshmërisë sonë të tredhur nga injorantët rreth nesh dhe rreth botës së zgërdhirë prapa supeve të njeriut mendjendritur. Pra, këtu fillon “thyerja” e mendjes së njeriut, i cili mëton të jeton dhe ndërton një shoqëri të qëndrueshme dhe nuk ia del nga matrapazët dhe xhambazët e kahës njerkë... Mbi këto, të themi udhë lakadredhake, të cilat na shpien të ecim dhiareve të ngushta, poeti Ekrem Ajruli, nëpërmjet Satirës, Ironisë, Sarkazmës dhe mundin prej Sizifit për ta rrokullisur gurin e kohës së rëndë, na jep një pasqyrim lucid mbi shoqërinë; sulltanat e rremë, karrieristët, narcisoidët, servilët e kohës dhe individin e ulur në fronin e uzurpuar...

Tani, të ndërtosh vargun satirik nuk është punë e lehtë por, është një skalitje formash ndër më të ndryshmet nga të cilat nxirret arti i fjalës që godet me dufin e një buzëqeshjeje të hidhur... Për këtë, autori i librit në vargun e tij nxjerr fjalëformime të qëndrueshme siç janë: Zgjebeproletarët, Vandërnguli, Sandërshkuli, Kolltukofagët, Zemërlepur, Mendjedhallë etj... me të cilët bën identifikimin e pjesës së burokracisë së mykur duke na thënë: Patkonjtë nëpër këngë/Barleti dhe kronikat/Humbin në harresë/Isait iu zbardhën/Tirqit galan/Varur kafeneve/Opingat iu copëtuan/Nga gotat e thyera t`viskit/Mic Sokolin e mbyti/ Tymi i duhanit në çajtore/Hasan Prishtina shikon rreptë/Nipin e stërnipin/Tek luajnë lojën e dajanit/Ismail Qemali sodit/Mallëngjyeshëm flamurin/Kur e ngremë dhe na e ulin/Në kolibë bostani... Pra, poeti, Ajruli qëllimisht vë në skenë figurat kombëtare dhe sakrificën e tyre, të cilat, të sotmit e vonuar, me këmbëngulje mundohen ta veshin gëzofin e tyre, i cili nuk u bie tamam - veqsa i kompromitojnë figurat e tyre madhore deri në bastardim e tyre... Në këtë kontekst, të së vërtetëve dhe kopjeve të zbehta, autori i librit “20 vite me penë” bën një lloj sintakse krahasimore mes engjëjve dhe djajve - figurave të cilat lozin në vallen e tupanxhiut jargavec...

Së këndejmi, satira e shtjelluar në librin në fjalë, nxjerr në pah strukturën e njerëzve abortarë me dimensione të kufizuara mendore, nga të cilët shqyhen vlerat e mirëfillta të shoqërisë sonë - shoqëri e lënë nën hijen e të marrëve të kohës shterpë...

Dhe, krejt në fund, këtë shkrim modest do ta përmbyllim me një thënie të vetë autorit të këtij libri: Për të parët e Ballkanit, fe është bërë valuta. Për çështje vitale, flasin nëpër skuta...!



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora