E enjte, 25.04.2024, 11:27 PM (GMT+1)

Kulturë

Kolec Traboini: Tulipanë dhe gjak

E enjte, 11.09.2008, 07:33 PM


TULIPANE DHE GJAK - nga TRABOINI






TULIPANË
DHE
GJAK


nga KOLEC TRABOINI
__________________________




Ka emra njerëzorë që në jetë të jetëve lidhin emrin e ndonjë luleje, ashtu si tërë jeta e tyre, me pasionin e luleve ka qënë përshkuar. Një nga këto është Lester S. Hanibal, lindur në San Jose, Kalifornia, në stinën më të bukur të luleve, me 14 maj 1908. Që në krye e themi se nuk duhet ngatërruar ky emër me ndonjë emër sportisti në Urugaj, për më tepër me ndonjë personazh filmash horror si Hanibal Lecter,që nën këtë emër të rremë predikonte satanizmin, që ishte kanibal, manipulator i frikshëm e besonte vetëm në kaosin dhe banjot e gjakut. Përkundër kësaj mizorie filmash tmerri hollivudianë, personi për të cilin do të shkruajmë ishte një njeri shpirtmirë që ngjyrën e kuqe të ndezur e preferonte tek tulipanët Amaryllus apo tek zambakët e kultivuar prej dashurisë e pasionit njerëzor. E megjithatë, për këta njerëz me shpirt të artë dihet shumë pak, shumë më pak se për drakula e vampirë që tmerrojnë e trondisin shpirtrat njerëzorë me etjen e pashuar të gjakut.

Lester S. Hanibal, pasionanti i luleve, kishte mendimin se kjo botë ka nevojë më shumë për dashuri se sa për urrejtje. Ishte tip studioz dhe i qetë. Në vitin 1930 mbaroi universitetin e Standfordit në degët e kimisë dhe ingjinierisë mekanike. Pas dy viteve mbaron edhe studimet speciale, duke marrë gradën Mjeshtër i Shkencave Biologjike. Por pikërisht atëherë kur kish realizuar shumë dëshira për shkollimin e tij, çdo gjë i zvenitet. I dukej se kish hipur në majën e malit e nuk i mbetej veç të rrëzohej. Botën e shihte të zymtë e ngjyrat të zbërdhylta.

Kishte studiuar shumë, plot pasion dhe papritur erdhi një çast kur çfarë kish ëndërruar dhe realizuar i shfaqej e rëndomtë. Ishte veç njëzet e katër vjeç, aq sa figurativisht mund të themi, sapo kish nisur fluturimin.
Kaloi nëpër shqetësime depresive për rreth dy vjet. Erdhi një çast që vendosi ta merrte jetën siç i vinte pavarësisht se e kishte ëndërruar ndryshe. E kështu, megjithëse kishte synime shumë më të larta në karrierë, pranoi të bënte një punë disi të rëndomtë për një njeri që kishte dy diploma dhe titullin mjeshtër i shkencave biologjike, të niste pra punën në rafinerinë Union Oil.
Fillimi i punës i solli një ndryshim të madh në jetën e tij, nisi të kishte më shumë besim në vetvete, ta vëzhgonte botën, njerëzit e natyrën si objekt i të bukurës. Ishte kjo kohë kur ai u njoh, ra në dashuri e u martua me Grace( Gresi) Ruhlen në vitin 1934.
I pakënaqur me vëndin e punës ai e braktisi rafinerinë dhe kaloi në kompaninë e plehrave kimike me baze amoni, Shell. Aty qëndroi gjatë, afro15 vjet. Do të shkonte më pas me gruan Gresi dhe tri vajzat Karol, Janice dhe Dorothy në Concord e në vazhdim në Pleasant Hill . Që kur ishte në uzinën Shell rasti e kishte sjellë të lëvizte në rajone të ndryshme. I lind pasioni për lulet Amaryllis lloj tulipanësh si dhe për zambakët, bulbat e të cilave i koleksiononte gjatë udhëtimeve në vende të ndryshme brenda e jashtë Amerikës. Madje deri në Australi do të shkonte për të gjetur lloje të ndryshme tulipanësh dhe zambakësh. Bulbat që mblidhte, i mbillte e me tej nisi të krijonte hibride të reja, disa prej të cilave tashmë mbajnë emrin e tij.
Kishte pasion të madh udhëtimet dhe fotografinë. Mbante shënime dhe nisi të botonte vëzhgimet e veta mbi lulet, ushqimin, rritjen dhe kryqëzimin e tyre për të sjellë lloje të reja më të bukura. Nisi të shfletonte ato çfarë botanistët e shumtë kishin shkruar. U bë i njohur e mjaft aktiv në shoqatën Amaryllis dhe u dekorua me medaljen Herbert nga Shoqata Ndërkombëtare Bulbeve. Ishte gjithashtu anëtar i shoqatës së kërkimeve Sigma XI. Në 1950 nis punën në shtetin e Kalifornias si inxhinier mekanik për analizimin e sigurisë së ndërtesave shtetërore.
Le dhe këtë punë e kalon në Laboratorin e Studimeve për autostradat ku edhe del në pension ne vitin 1970.
Vini re, në asnjë rast ai nuk punoi pranë ndonjë institucioni që kishte lidhje me pasionin e jetës së tij. Dalja në pension ishte për Lester S.Hanibal si një rifillim jete.

Tashmë mund t’ia kushtonte gjithë kohën e vet kultivimit të luleve. E kjo është koha më produktive për të. Gjatë tridhjet vjetëve, pas daljen në pension, ai u gjend në natyrë, mes gjelbërimit, në udhëtime, në kërkime gjithnjë me dëshirë të madhe për t’iu afruar njerëzve rezultatet e punës së tij këmbëngulëse, lule të shumëllojshme, e jo të prera për tryezë, por lule për vazo, për kopështe, duke u afruar pranë tyre lulëzimin, shfaqjen më të bukurën e natyrës.
Më 10 korrik 2001 i vdes e shoqja Gresi, në moshën 90 vjeç. Ajo gjithnjë i qe gjendur pranë, jo vetëm si shoqe jete, por edhe si bashkëpasionante në kultivimin e luleve. E kjo vdekje ishte tepër e rëndë, aq sa mjeshtri i luleve nuk mundi më t’i rezistonte mungesës së Gresit.

Çdo lule që shihte në kopështin e tij i bëhej se dallonte fytyrën e qeshur të Gresit. Ky tulipan Belledona është Gresi. Edhe ky zambak i bardhë, i sjellë nga Australia është Gresi. Me sytë e mendjes kalonte nëpër tërë skajet e botës, ku ai dhe të tjerë kultivues si ai, kishin shkuar për të kërkuar llojet e pafundme të luleve me bulbe, që nga Afrika e Jugut, në Abisini, Azi e Zelanden e Re.
Ai ishte një nga ata që pasionin, kohën, studimet, lodhjen e tërë qëllimin e jetës së tyre e transformuan në petale, në ngjyra, për t’ia lënë shoqërisë njerëzore, duke ua afruar natyrën më pranë, sepse, eh, koha, teknologjia, modernizmi, qytetet e mëdha prej betoni e kishin larguar disi njeriun prej mrekullisë së natyrës, e cila ka fuqi ripërtëritëse edhe atëhere, kur fuqitë të kenë lënë e retë e zymta ta errësojnë madje edhe arësyen...
Tre muaj pas vdekjes së Gresit, pikërisht me datën 10 tetor 2001, mbylli sytë me veshtrimin në kopësht, ku kishte ardhur për ta përshëndetur për të fundit herë me fustanin okërr vjeshta, për të mbuluar nën krahët e saj prej gjethesh, bulbat e tulipanëve dhe zambakëve që do të nisnin gjumin letargjik deri atëherë kur të parat, ende pa u avulluar mirë toka, pa marrë ngrohtësi dheu, do të zgjasin kërcellin e njomë, duke dhënë të parat sihariqin "po vjen pranvera". Deri atëherë edhe unë po fle, tha mjeshtri i luleve, deri atëherë, se pastaj mbase kthehem sërish bashkë me Gresin për të parë mrekullinë e ngjyrave e zgjimin e natyrës prej dimrit të gjatë.Mbylli sytë me pikëllimin për gruan dhe lulet e frymën e fundit e la në erën e vjeshtës, që e ktheu në brymë e pastaj në pika vese, për ta lëshuar mbi tokë, nën të cilat flinin bulbet që u drithëruan.
Jeta e mjeshtrit të luleve, përveç përvojës së çmuar e studimeve të shumta që la pas, është dhe një mësim për njerëzit që në rrethana të caktuara në moshë të re bien në depresion, herë-herë edhe të avancuar duke përbuzur jetën e vet. Pas dy viteve sëmundje të rëndë depresive që i filluan në moshën 24 vjeçare, Lester S. Hanibal nisi të merret me lulet, ndoshta kjo ndonjë këshillë e ndonjë mjeku të mençur të Kalifornias, pasion që iu ndez në rini dhe e shoqëroi gjatë gjithë jetës. Dhe ai jetoi jo pak, por plot 93 vjet.
Mos vallë ishin edhe lulet, zambakët e tulipanët që kultivonte me dashuri ato që ndikuan në këtë jetë të gjatë e të përkushtuar ?
Nuk mund të thuash jo, sa kohë që sheh një tulipan si rubin apo një zambak të bardhë si fytyra e një Natalie të bukur. Apo kur ve re që pas çdo lulje fshihet një pasion, një ëndërrim, një dashuri, që të bën të jetosh e t’i gëzohesh bukurive të natyrës.
Por veç jo rrallë ka njerëz që i harrojnë rritësit e tulipanëve dhe marrakaten pas atyre që kësaj bote i sjellin vetëm vragat e gjakut... Në mes të tulipanëve e gjakut ne duhet të zgjedhin tulipanët, në mes të dy Anibaleve ne duhet të zgjedhin kopështarin...

Shoh lulet, shoh qiellin, diku në mes të hapësirave qiellore dhe të lulëzimit të tokës, nëpër erërat e stinëve që ndërrojnë njëra tjetrën, nëpër peisazhet kalimtare, nëpër sheshe, rrugë, qytete ku lëvizin njerëz në rendje të pareshtur, qëndron i gjallë kujtimi për njeriun e përkushtuar, që para se të ikë përgjithmonë, ka lënë në këtë botë diçka për ata që pas tij, përjetësisht dhe pafundësisht do të vijnë.
Ndaj çdo pranverë, kur nisin e lulëzojnë tulipanët në kopshtin tim në Roslindale( Lugina e Trëndafilave) të Bostonit, tek sodis të parin lulëzim pas dimrit të gjatë nordik, sikur më vjen përmes ajrit transparent të qiellit, si puhizë, kujtimi i largët i Anibal S. Lester e, anipse krejt i vetëm, më duket se ndjej frymëmarrjen e një tjetri dhe nuk ngurroj t’i them atij, që është dhe nuk është në kopështin tim: “Faleminderit mjeshtër!”

Shkruar ditën kur çelën tulipanët e parë të pranverës në kopshtin tim.
E me q
ënë se tulipanet, përjetësisht, çelin e riçelin, ky shkrim nuk mban datë
.




Kthjelltësia është vuajtja që ndodhet më pranë diellit - René Clair  BLOG-PORTA 


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora