E merkure, 24.04.2024, 07:28 PM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Tarelli: Kopi Kyçyku - Besim Sahatçiu

E shtune, 24.02.2018, 06:18 PM


Kadri Tarelli, shkruan:

Në sallën e Akademisë së Shkencave, në Tiranë, ditën e premte, datë: 09, të shkurtit, 2018, u organizua përurimi i librit të Kopi Kyçykut: “Besim Sahatçiu. Një jetë për ekranin dhe skenën”, monografi. kushtuar artistit,  regjisorit dhe kineastit të shquar të Kosovës Shqiptare, Besim Sahatçiu.

Mes shumë të pranishmëve që mbushën sallën, po mjaftohem të përmend disa prej tyre, të cilët folën, përshëndetën dhe vlerësuan artistin e madh Besim Sahatçiu dhe autorin e nderuar të librit:

. Kopi Kyçyku, akademik.

. Reshat Arbana, mban titullin “Nderi i kombit”.

. Gudar Beqiraj, Kryetar i Akademisë.

. Vaso Tole, Sekretar i Akademisë. Tiranë.

. Shpendi Topollaj, shkrimtar, studiues, kritik letrar.

. Zenel Hoxha, kryetar i “Dhomës së tregtisë”. Londër. “Konsull nderi” i Afrikës së Jugut.

. Mirçea Perpelea, Ambasadori rumun në Tiranë.

. Kujtim Kapllani. Gjuhëtar.

. Afrim Spahiu, mik dhe bashkëpunëtor i Besim Sahatçiut.

. Valdet Sahatçiu, pjesëtar i familjes Sahatçiu.

. Spartak Topollaj, ish ambasador.

. Dilan Reka, këngëtar. Përshëndeti me këngë të Rita Orës, mbesës së Besim Sahatçiut.

. Silvana Braçe. Drejtuese e veprimtarisë.

Në këtë tubimi kaq të vlerësuar e të mirëpritur, nga figura të njohura të dijes, shkencës, artit dhe letërsisë, pata nderin, që edhe unë të them pak fjalë.

PËRMENDORE LETRARE, PËR ARTISTIN E EKRANIT DHE TË SKENËS

Monografi nga Kopi Kyçyku, kushtuar regjisorit shqiptar të Kosovës, Besim Sahatçiu

Me librin, u njoha nëpërmjet një shkrimi, që studiuesi e shkrimtari durrsak Shpendi Topollaj, publikoi në portalin “Fjala e lire”, në  Londër. Në kënaqësi dhe trishtim, munda të bëj një koment të shkurtër. Dikush mund të pyesë: Pse njëherësh të provosh dy ndjesi, që kundërshtojnë njëra-tjetrën? Ja që kështu ndodh, kur ndeshesh me të papritura.

Unë jam i ndjeshëm ndaj figurave të shquara të shqiptarëve të Kosovës, ndaj të nesërmen, e kërkova me ngulm librin dhe Shpendi, si zakonisht i gjindshëm, u tregua tepër i gatshëm, për të ma dhënë, duke më porositur, se ka vetëm një kopje.

Dua të jem i sinqertë me veten. U mrekullova nga e vërteta, që Besim Sahatçiu, një shqiptar Kosove, i cili pavarësisht pengesave, që i sillte sistemi shtypës jugosllav, mundi të shkollohet e të ngadhënjejë si regjisor, në filma dhe në skenat e teatrit, duke u vlerësuar edhe me çmime nderi. U mrekullova me përmasat e këtij artisti, që të gjithë fuqinë e mendjes dhe të shpirtit e vuri në shërbim të artit dhe kulturës shqiptare në Kosovën e robëruar. U mrekullova nga qëndrimi i tij i palëkundur, për të mos përfillur ofertat, për famë e jetë më të mirë jashtë atdheut, duke mbetur idealist dhe misionar në shpirt, për t’i shërbyer deri në fund, zhvillimit të kulturës së kombit. U mrekullova nga dashuria për punën, për artin, guximin e durimin, njëkohësisht këmbënguljen për përsosmëri në vlerat artistike të ekranit dhe të skenës. Besoj se, heroit tonë Besimit, i shkojnë më përshtat fjalët e thëna, rreth gjysmë shekulli më parë, nga presidenti Xhon Kenedi:  Mos pyet, se çka mund të bëjë vendi yt për ty, por pyet, se çka mund të bësh ti për vendin tënd”.

U trishtova, sepse pas kaq vjetësh, unë, mbase edhe shumë të tjerë si unë, po mund të njihemi me një artist të Kosovës shqiptare, të përmasave të tilla, që i bëjnë nder çdo kombi. Për më tepër ne shqiptarëve, që i kemi me pakicë, por që nuk po dimë, apo nuk po duam t’i vendosim në vendin që u takon, në radhën e personaliteteve më të mira të shqiptarisë. Nuk kam se ç’bëj, sepse nuk më vjen mirë ta besoj e ta pranoj, që të jem në një mendje me Edi Agagjyshin, i cili thotë një të vërtetë trishtuese, që më dhemb: “Është për të ardhur keq, që shoqëria shqiptare në përgjithësi dhe ajo kosovare në veçanti, intelektualët dhe krijuesit e tillë, gjithmonë i mban në margjina, “jashtë” oborrit të saj, sepse siç duket, frikësohet të ballafaqohet me ata”. Pse ndodh kështu? Është pyetje retorike pa përgjigje, për cilindo intelektual me ndjenja sado pak shqiptarie.

Besimi jetoi dhe veproi në kushte shumë të vështira, aq sa e gjithë ajo plejadë intelektualësh, me të drejtë duhen quajtur heronj, dhe janë heronj, sepse secili në fushën e tij, parapërgatiti luftën dhe fitoren, për Kosovën e lirë e të mosvarme.

Nëse Besimi, me jetën e tij, la një histori të lakmueshme, një meritë të madhe, për ta sjellë bujarisht në odën dhe sofrën e kulturës shqiptare, ka Kopi Kyçyku, autori i këtij libri të bukur e të dobishëm. Përshëndetja dhe falënderimi, që shprehim të gjithë, vjen për një arsye fare të thjeshtë: Ai nxori në dritë një flori të fshehur e të mbuluar nga pluhuri i mosdashjes, keqdashjes, harresës apo pakujdesisë. “Floriri mbetet flori, edhe në baltë ta hedhësh”, thotë populli. Po rrëmbimthi lind pyetja: kujt i hyn në punë ky flori, kur nga strukturat, lihet mënjanë si i pavlerë?

Kam lexuar shumë libra të tillë monografi. Vlerësoj jetën dhe bëmat e heroit, si pjesë që mbushin hambarin e historisë. Këtu, akademik Kyçyku e ka kryer më së miri detyrën. Veç dua të ndalem te analiza, që u bën filmave dhe pjesëve të vëna në skenë nga regjisor Besimi. Autori si një shkrimtar, studiues e profesionist i vërtetë arti, i jep vlerësimin që drejtësisht meriton regjisori ynë. Ai në çdo faqe, pasqyron edhe një kulturë të shprehuri bukur, me gjuhë e fjalor të pastër, të ujdisur e krehur me shumë kujdes, aq sa për t’u pasur zili edhe nga kritikët e artit. Autori e vendos veprën e regjisor Besimit në arkën e kujtesës, pikërisht në libër, për t’u mbajtur në dorë nga lexuesi, në bibliotekë nga çdo familjar, në çantë nga shkollari e studenti, në tavolinën e punës, nga zyrtari e specialisti.

Shumë lexues, kur i pëlqen libri, shprehen me një fjali tepër të njohur dhe paksa letrare: “E lexova me një frymë”, si të thuash, në piskun e vapës e piva limonatën me një frymë. Kam përshtypjen, se në këtë rast nxitohen, pasi ky libër, ka brenda punë, përkushtim, krijimtari, jetë, art, letërsi, atdhetari, trishtim e brengë, kënaqësi dhe urtësi, pa harruar edhe mësime për artistët, sidomos për të rinjtë.

Jam i bindur, se lexuesi kur të arrijë në faqen e fundit, nuk do ta mbyllë e ta vendosë librin në raftin e bibliotekës, por do të futet në mendime. Për artistin dhe krijuesin, s’ka lëndina të bleruara dhe rrugë të shtruara. Ka veç mundim e sakrifica dhe, kur arrin të ngadhënjesh, ka kurorë dafine, siç e meriton edhe Besimi. I them këto, pasi cilido që e nis dhe e bitis leximin, do të jetë në një mendje me Cornela Funke, që thotë: “Disa libra shijohen ngadalë, të tjerë përpihen me një kafshatë dhe vetëm disa pak të tillë, përtypen për t’i tretur plotësisht”.

Vetë jeta e Besimit dhe krijimtaria e tij artistike, përbën një shkollë të madhe. Dhe një shkollë e tillë, nuk kalohet me një ditë, me një vëzhgim apo soditje, por kërkon të përpiqesh, të djersish, të ulesh e të studiosh me vullnet e këmbëngulje prej skllavi. Sepse, siç shprehet studiuesi Moikom Zeqo: “Kur një krijues ndahet nga jeta, mbyllet një portë, por ai le me dhjetëra të tjera, që do të hapen nga brezat në përjetësi”.

Në fund po cek një temë, që na pickon të gjithëve ne krijuesit, që mburremi e se nuk i përfillim vitet. Ç’merak i mbeti pa tretur, në gjumin e pafjetur? Vetë libri e ka një kapitull të tillë, që vetiu na fut në mendime e pyetje pafund: Pse Besimit, i cili i kushtoi jetën artit skenik, i mbetën punë e dëshira të papërfunduara? Kush e pengoi? Kjo pyetje e fundit, nuk ka nevojë për shpjegim, kur dihen kushtet e Kosovës së robëruar. Të gjithë kanë ide dhe dëshira të papërmbushura, ca më shumë artistët, me shpirt idealisti dhe ndjenja atdhetare e kombëtare shqiptare.

Ndalova këtu, thjesht për të kujtuar veten dhe të tjerët, me fjalën, që Virgjili na sjell nga lashtësia, për njerëzit e mëdhenj, si Besim Sahatçiu: “Gjithkush ka kohën e vet për të jetuar. Jeta është për të gjithë e shkurtër dhe e papërsëritshme. Të ngresh lart emrin tënd me vepra, vetëm kjo është arritja e virtytit”.

Urime autorit Kopi Kyçyku, që e vendosi në piedestal, “shtatoren” e artistit, Besim Sahatçiu! 

Faleminderit! 

Kadri Tarelli 

Durrës më: 12. 02. 2018. 

Shënim: Nga Durrësi, në kët tubim arti, morën pjesë: Shpendi Topollaj, Kadri Tarelli, Përparim Mane dhe Luan Jaupi (Fotograf). 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora