Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fahri Xharra: Atë që grekut s’ia mësoi historia

| E enjte, 22.02.2018, 09:14 PM |


Atë që grekut s’ia mësoi historia t`ia mësojë Shqipëria…!”

Shkruan Fahri Xharra

“Genocidi që shteti grek ka kryer ndaj popullit tonë në vitet 1913-1914 e në vazhdim, ndonëse është historia më e dhimbshme e popullit tonë ka ngelur jetime nga shteti, por që është ruajtur dhe trashëguar brez pas brezi nga kujtesa e individëve, familjeve e fiseve dhe e zonave që kanë përjetuar këto krime antinjerëzore. Po ashtu duhen vlerësuar dhe respektuar në maksimum shkrimet e autorëve në gazetat shqiptare dhe të huaja të asaj kohe, si dhe librat që kanë pasqyruar këtë periudhë si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu edhe në Evropë, të cilët kanë dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme duke shkruar deri në intimitet ngjarjet makabre të kryera nga shteti grek. Informacione dhe statistika që fatmirësisht janë dëshmi të vetme, por është një fatkeqësi e madhe për kombin shqiptar që nuk janë studiuar, hulumtuar, saktësuar dhe pasqyruar me hapësirën e nevojshme dhe me vërtetësi në Historinë e Popullit Shqiptar dhe në statistikat e gjenocidit botëror. Masakrimi i popullsisë civile nga ushtria greke në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë jug-lindore në vitet 1913-1914 në Përmet, Leskovik, Kolonjë, Korçë, Tepelenë, Memaliaj, Skrapar, Berat, Gjirokastër, Sarandë, Delvinë etj., pa dallim fetar, myslimanë dhe të krishterë, të moshuar, burra dhe gra, të rinj, fëmijë e të mitur, është bërë në mënyrën më makabre që ka parë e dëgjuar historia botërore ndonjëherë. U kanë çarë barkun me kama dhe thika nënave shtatzëna dhe janë tallur para tyre me fëmijën e gjallë, të palindur. Me sëpata u kanë prerë kokat fëmijëve e të rriturve, me thika e hanxharë u kanë çarë barkun për së gjalli duke u thëne se me zorrët e tyre do t’i varin, u kanë prerë për së gjalli gjymtyrët, i kanë djegur e i kanë hedhur në pus të gjallë duke vazhduar edhe me torturime psikike. Ushtarët grekë i lidhnin me zinxhirë e litar burrat dhe në sytë e tyre u çnderonin nënat, nuset dhe vajzat e mitura ku edhe vdisnin. Dogjën me mijëra e mijëra shtëpi, në fshatra e qytete, vodhën barbarisht të gjithë pasurinë që kishte kjo zonë në shtëpitë e tyre, grabitën bagëtitë e shumta dhe prodhimet bujqësore, dëme dhe vjedhje që i kalojnë me qindra miliona dollarë. Të gjitha këto dëbime e masakrime të kryera nëpër fshatrat e qytetet  juglindore të Shqipërisë, bazuar në Rezolutët  e Asamblesë të Përgjithshme të OKB – 260A që hyri në fuqi më 12 Janar 1915, klasifikohen Genocid për spastrim etnik.

Po ne si i vlerësojmë  këto masakra? Politika shqiptare s`guxon të bëj zë .

Hormova, qyteza më e madhe, me 700 shtëpi dhe 5000 banorë, në Krahinën e Rrëzës, të Tepelenës. Brenda një shekulli, mbi 1000 burra të therur dhe masakruar barbarisht, mbi 5000 banorë të ikur pa kthim,  më shumë se 3000 të tjerë të vdekur dhe të tmerruar rrugëve të mërgimit nga dhuna, uria, malaria, dhe sëmundjet e pashërueshme. Një shembull i rrallë trimërie dhe ndoshta i papërsëritshëm në botë, me 200 dëshmorë… Hormova është bashi i fshatrave të Rrëzës, që mbi kokë ka hieroren e malit të Golikut e gurgullimën e 72 krojeve të saj. Dielli lind pas shpinës së malit, e ndërsa rrokulliset  në hapësirën qiellore, i jep Hormovës një vezullim shpërthyes. Pranvera i hedh supeve këmishën e blertë të gjelbërimit, ndërsa lumi i Drinos, si një shall i mëndafshtë, hap kindat përgjatë rrjedhjes së tij.

Gjenerali De Veer, kreu i Misionit Hollandez, kur shkoi në Hormovë, pa me sytë e vet mizorinë e tmerrshme të grekëve dhe bëri disa fotografi me pamje të llahtarshme. Raporti i tij drejtuar Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, shkruante:

-"Në jug të fshatit gjeta një kishë të vogël në kodër, që padyshim do të ishte përdorur si burg. Muret e brendshme dhe dyshemeja ishin të lara në gjak dhe kudo kishte kësula dhe rroba të gjakosura. Doktori, pjesëtar i Komisionit të Hetimeve pa me sytë e vet tru njeriu e në altarin e kishës gjeti një zemër që ende rridhte gjak. U zhvarrosën 195 trupa, pasi gropa ku i kishin futur ishte e cekët dhe i varrosën në varre më të thellë. Të gjithë trupat ishin pa kokë. Por nuk duhet harruar se këta që ishin vrarë, nuk ishin myslimanë, por të krishterë ortodoksë, që u masakruan për shkak të identitetit të tyre shqiptar. Ky qe kurthi i ngritur nga grekët ndaj këtyre njerëzve të thjeshtë e të pafajshëm, që oficerët kur panë se këta njerëz u mblodhën të gjithë para asaj kishe, ata u dhanë urdhër ushtarëve që t'i vrisnin mizorisht dhe barbarisht me mitraloza, thika, sëpata dhe hanxharë. Falë mbërritjes së Selam Musa Salarisë (Selam Musait) së bashku me 500 trimat e tij të mbledhur nga e gjithë Labëria, që edhe pse mbërriti me vonesë në këtë masakër, prapëseprapë hakën nuk ua lanë pa marrë, duke vrarë me qindra ushtarë grekë dhe luftuan derisa i përzunë nga Hormova dhe Labova”

Kristo Dako i shkruante Aubrey Herbert-it, kreut te Komitetit Shqiptar në Londër:

“Trupat e rregullta greke që morën në zotërim Kodrën, një fshat pranë Tepelenës, ftonin të gjithë fshatarët, burrat, gratë dhe fëmijët, që të mblidheshin në kishën ortodokse. Kur të gjithë u mblodhën, 230 në numër, oficerët grekë urdhëruan ushtarët të gjuanin mbi ta me armë zjarri. Të gjithë u vranë, kokat e tyre u prenë dhe u varën në mure. Gjenerali De Veer i Misionit Hollandez shkoi në këtë fshat, pa këtë mizori të tmerrshme greke dhe fotografoi pamjet çnjerëzore. Në qytetin e Korçës dhe në 8 fshatra përreth, ka njëzet mijë (20.000) refugjatë. Kanë nevojë për ndihmë urgjente, për t'i mbajtur ata në jetë.  Juaji shumë sinqerisht, Kristo A. Dako “

Pra nëse ne heshtim do të heshtë edhe historia . Por deri më sot Grekut nuk ia mesoi historia , sepse greku harron shpejtë : “Më  1 prill 1914 në orën nëntë të mbrëmjes andartët grekë që numëroheshin mbi 2000 trupa,  rrethuan Hormovën. E rrethuan duke mbyllur çdo shteg, Hormova u vu nën një darë të fortë rrethimi. Trupat që mësynë Hormovën ishin trupa me uniformë të rregullt  të ushtrisë greke. Plani ishte i qartë: të çarmatosen hormovitët, të grumbullojmë armët. Tradhtarët janë gjendur në çdo kohë. Listat ishin gati, me emër e mbiemër, për çdo shtëpi. Do të vriteshin, do të thereshin të gjithë burrat e fshatit.  Mizoritë e tyre s’kanë patur ndonjëherë fund. Me shekuj fqinji ynë Jugor, greku, ka zotëruar perfekt dinakëritë, pabesitë dhe i ka përdorur ato për greqizimin e viseve të Jugut të Shqipërisë. Dhe funksionoi hapi i parë i sulmit.

Për pak orë u sollën të lidhur të rrapi i fshatit paria e Hormovës. Ishin paria e fshatit, burrat që krejt të çarmatosur ishin  nën goditjet e bajonetave, thikave e torturave çnjerëzore të andartëve grekë. I grumbulluan  e grupe-grupe,  i nisën drejt fshatit Kodër, pak kilometra  drejt veriut, përballë lumit të Vjosës e Tepelenës.

Materialet për shkrim nga :

- Veledin Durmishi

- Gani Vila

-Elida Jorgoni

Fahri Xharra ,15.02.18

Gjakovë