Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdo Harka: Shpirti i trazuar i një poeti

| E merkure, 21.02.2018, 08:18 PM |


Shpirti i trazuar i një poeti

(Shënime për librin me poezi” Qetësojmë shpirtrat e trazuar”të Kujtim  Matelit)

Nga Sejdo Harka

Edhe pse ka kohë që mbi globin tonë fryjnë erëra të ngrohta paqeje dhe lirie, herë pashere ai goditet nga stuhi luftërash, herë të nxehta dhe herë të ftohta, aq sa na bëjnë të pyesim veten: për ku po shkon kjo botë?! Sa shuhet një vatër zjarri, ndizet një tjetër akoma më e tmershme. Koka të ndezura si në përralla me kuçedra ,kërcënojnë me armë bërthamore, kurse qenie të çuditshme njerëzore tjetërsohen në bomba vdekjeprurëse. Lubitë metaforike,të ushqyera nga falangat e krimit dhe djersa e gjaku i njerëzve të pambrojtur, pasurohen e fryhen çdo ditë, si në përralla.Për t`i dhënë përgjigje pyetjes së mësipërme retorike, janë thurur shumë këngë dhe poezi  ,të cilat fiksojnë fatin tragjik dhe dhimbjet e njerëzve të botës së trazuar. Shqetësimi i njerëzimit të sotshëm e ka nxitur ndoshta dhe vjershëruesin Kujtim Mateli të shkruajë një tufë poezish meditative, jo vetëm për t`i dhënë përgjigje kësaj pyetje retorike me  kuptim tepër sugjestionues,por dhe për të amortizuar  pasigurinë e çoroditjen e njerëzve të kohës .Ndërsa,për të lehtësuar sadopak shpirtin e stërmunduar të lexuesëve dhe të vetvetes, këtë vëllim  poetik,icili ka dalë në qarkollim këto ditë ,e titullon “Qetësojmë shpirtin e trazuar”. Por para se të ndalemi tek analiza dhe vlerat e këtij vëllimi poetik, do të tregojmë me pak fjalë se kush është Kujtim Mateli.Krijimtaria e tij poetike zë fill që në vitet `70-të. Kënaqësinë e botimit të një cikli të plotë me poezi, në shtypin e kohës, e shijon në fillim të viteve `80-të. Më vonë ka provuar të shkruajë ese, studime historike dhe analiza letrare. Në vitin 2009 boton vëllimin e parë me poezi “Kur mendon për të tjerët”. Në vitin 2011 dhe 2016, boton në dy vëllime studimin historik “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit” dhe pritet të dalë vëllimi i tretë.Tematika e librit me poezi “Qetësojmë shpirtin e trazuar”, është sa e larmishme aq dhe e gjerë. Autorin e shqetëson jo vetëm e sotmja dhe e ardhmja e vendit tonë, por dhe e gjithë njerëzimit. Varfëria dhe krimi, pasiguria dhe zhgënjimi e bëjnë më të largët dhe më fluide paqen e vërtetë dhe lirinë. I tronditur nga kjo mjegullnajë, përmes së cilës ka nisur të përgjakë këmbët kjo botë, kërkon të qetësojë shpirtrat e lexuesve me një tufë poezish. Përmes vargjeve të ngrohtë, kërkon të shkrijë ngricat shpirtërore të njerëzve dhe të çlirojë shpresat nga prangat e frikës dhe të pasigurisë për të ardhmen. Edhe pse poezitë e këtij libri janë shkruar në kohë të ndryshme dhe për kohë të ndryshme, brendinë e tyre e lidh lëmshi metaforik, që herë mblidhet dhe herë shthuret. Tek shtrirja lineare e këtij lëmshit metaforik, autori sheh se si ingranazhet e historisë , herë ecin përpara, herë ngecin në vend dhe herë rikthehen pas. Historia ka treguar se jo rrallë kolera e luftrave dhe e diktaturave është përsëritur sa herë që ato nënvlerësohen, harrohen dhe ushqehen nga demonët e tyre.Është kjo arsyeja që në poezitë e Kujtim Matelit gjen luftë dhe paqe, liri dhe skllavëri, bollëk të shfrenuar dhe varfëri, heronj dhe antiheronj, engjëj dhe djaj. Sa herë që individi dhe shoqëria dremit, e keqja tinzare zvarritet, kriminelët dhe diktatorët marshojnë si bollë, ndërsa zhgënjimi dhe varfëria zvarriten pa ditur ç`të bëjnë duke rënkuar. Këtë “rënkim”  autori e ka ndjerë jo vetëm në kohë diktaturash, por edhe sot në të ashtuquajturat ditë të demokracisë. Në poezinë “Vite të largëta” heroin lirik e gjen duke medituar“Ulur në degën e kujtesës, /Ku gugatin pëllumbat”, të cilët në vend të këngës ,“Mbajnë në sqep ca vite të grisura”.Vite të tillë kanë bërë që “Dita ta dështojë pjellën e saj.Ndërsa “Mëngjeset mbyten në kurthin e pikëllimit”  (fq.10.)Në brazdat e vargjeve të tillë, sa të drejtpërdrejtë, aq dhe metaforikë, prek si me dorë jo vetëm dhimbjen për vitet e grisura, por dhe për ditët e sotme, të cilat fatkeqësisht tradhëtohen nga kurthet e pabesisë, nga mbytja e lirisë dhe padrejtësia. Për të stigmatizuar elitat gjithëkohore të pushtetit  autori shkruan vargjet pamfletikë “Botë, moj botë! Si dje dhe sot”. Më pas vazhdon me pyetjen sugjestionuese retorike  “Po nesër do të jesh më e mirë?” dhe përfundon me përgjigjen kuptimplote metaforike “Në horizont akulli ende i pashkrirë”,ku është sintetizuar pasiguria për të ardhmen. Përmes poezisë apostrofike “Përtej rrethit të vetmisë”, autori kërkon të këputë falangat e skllavërisë. Që të vrasë  izolimin dhe vetminë autori gjuan me plumba metaforikë idhujt ,të cilët“Dikur i bënë pritë rrezes së mëngjesit”  që liria “të verbohej nga hija e trishtimit”. “Vetmia,- për poetin,-  than shpirtin”. Ajo bën që edhe pemët të mbeten “Pa gjethet e prillit”.(fq.17 ) Në këtë vëllim poetik lexuesi gjen edhe poezi meditative, si ajo me titull “Heshtje që vrasin” ,ku autori stigmatizon  ata që vrasin edhe me heshtjen e tyre. Përmes “Shirave të plumbave të heshtjes vrastare”, është bërë e mundur  edhe kafshimi i hidhur i trojeve shqiptare. Për të shëruar plagë të tilla që mahisin edhe sot, autori përdor shembullin e figurave të shquara të atdhetarizmit dhe krenarisë shqiptare siç është Naim Frashëri,Rexhep Qosja…“Shqipëria -për Naimin- Ishte shpirti, ishte jeta,/ Ishte zë që del nga zemra, /Ishte rrugë tek e vërteta/Ish simbol i lirisë/Ish ikonë e atdhetarisë”. (fq.25) Është kjo arsyeja që populli e thërret me emrin e madh,”Naim Shqipëria”.Në këtë vëllim gjejmë edhe poezi meditative që shprehin dhimbje elegjike  të autorit për nënën, në çastet e ndarjes së saj nga jeta. Ja si e përjton ai këtë çast tepër të dhimshëm: “Pa diell kisha mbetur në këtë kënd të botës,/ Në një rrugë pa krye, fillikat”.( fq.42) Pas këtij çasti të trishtë, i shfaqet nëna e tij e gjallë “me fytyrë engjëllore”, prandaj ai rend “Përjetësisht ta mbajë për dore”.Ndërsa ajo “ Si perëndeshë vazhdonte përjetësisht  udhën qiellore”.(fq.43)Krahas poezisë tregimtare,heroike, të peisazhit, satirike, dhe asaj meditative, në këtë libër gjejmë dhe poezi lirike të dashurisë, që shpesh marin ngjyrime të thella të idileve popullore, siç është ajo me titull “Dale, djalo, dale”. Në qendër të brendisë së saj qëndron dialogu mes dy të dashuruarve, i cili bëhet tejet i ngrohtë përmes paralelizmit figurativ popullor: “Siç rriste pranvera,/ Barin në lëndinë,/ Ti rritje për mua, /Vajzë, dashurinë”.(fq47) Përmes afshit të ngrohtë të dashorisë ,autori kërkon jo vetëm të shkrijë akujt e egërsisë së kohës,por  dhe të kthjellojë shpirtrat e turbulluar të lexuesëve.Së fundi mund të theksojmë se poezia e Kujtim Matelit është në ngjitje. Në luftë me prozaizmin ,ajo është bërë sa e thjeshtë aq dhe e kuptueshme, sa spontane aq dhe e figurshme, me një sistem vjershërimi sa të matur aq dhe të lirë. Përmes gjuhës së pasur dhe figuracionit të gjallë, ajo përcjell tek lexuesit mesazhe të ngrohta dhe shumë shqetësime të shoqërisë  së sotme dhe të ardhme.