Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Timo Mërkuri: Nuk e çon vetullën Idriz Seferi

| E diele, 18.02.2018, 02:25 PM |


Nuk e çon vetullën Idriz Seferi

…ose... një letër për Sabit Rustemin*.

Nga Timo Mërkuri

Drejt e pate o Sabit Rustemi kur i pëshpërite Idriz Seferit të bronxtë …çoje pak atë vetull përpjetë/ le t’ tremen retë/ e dridhe një trohë/sall nji trohë mustaqen…, drejt e ke. Se nuk  bën që aty në mes të Gjilanit, në atë ditë të skuqur flamujsh të 28 Nëntorit, duke ecur mes luleve e kurorave,  Idriz Seferi i bronxtë të shkonte vetullngrysur  për tu ngjitur në piedestal. Dhe ca më tepër të qëndronte aty me atë vetull të ulur  mbi sy sikur  kqyrte  me dhimbje diçka a dikë. ..Sikur të qe e martë, mortja e martë … Si dita kur  mbetëm pa Shkup…Normalisht në këtë ditë Idriz Seferi duhej të dridhte  mustaqen me një farë krenarie duke parë tejë horizonteve, mbi maja malesh dhe jo ta mbante dorën te naganti, gati për ta nxjerrë nga brezi e për ta shkrepur. Sepse ishit në shesh të Gjilanit ku brohoriste një popull i tërë dhe jo në  grykën e Kaçanikut ku shkrepnin dhjetëmijë dyfeqet e Shefqet Dërgut Pashës  mbi Idriz Seferin me dymi-jë e pesëqint male.

Drejt e pate kur i the…Jo nji shesh/por krejt Gjilani i joti asht/ e shqiptaria…se ti na bane me emër/na bane me shpi/edhe mbas njëqint e sa vjete…Kush fole shqip t’qohet n’kamë/ Se ti je themeli i saj…Vërtet drejt e pate. E mua, kur ti dëgjova  ti thoshje …Se ti je themeli i saj, i Shqipnisë,  mu kujtua ai nëntor i largët i 1912 kur Idriz Seferi i thoshte Isa Boletinit…Nisu Isë drejt e në Vlorë te Ismail Qemali, të bëni Shqipërinë për ne e për fëmijët tanë. Ti je më i ri se unë, ndaj nisu shpejt. Unë po mbroj Kosovën nga Sërbi, unë po ju mbroj edhe ju prej këtu. Vërtet o Sabit nuk ishte Idriz Seferi në Vlorë të hidhte një firmë, por po mos të ishte Idriz Seferi në këmbë, nuk do firmosej dot në Vlorë. Prandaj drejt e ke kur i thua se na bëri me shpi e me Shqipëri.

Drejt e pate o Sabit Rustemi, por a e di? Idriz Seferi aty në shesh të Gjilanit nuk u ndje rehat. Jo nga turma popullore që s’ndalte brohoritjet, duke thirur emrin e tij. Ai qe mësuar të drejtonte kuvende burrash si ai i Ferizajt më 5 Korrik 1908, ku të tridhjetë mijë pjesmarësit dëgjonin me frymë të ngrirë fjalën e tij.

Nuk e hutuan as fjalimet e politikanëve (sa  të stërgjatura që qenë ato. S’ditkan  të flasin shkurt këta burrat e sotëm).

Shihe pak me vëmëndje o Sabit Rustemi, shihe  Idriz Seferin. Me atë vetull të ulur  mbi sy, ai nuk po sheh sheshin e Gjilanit por po sheh diku më larg. Sheh në Prishtinë. Diku pa një tym, dëgjoi sherre e britma, kujtoi se nisi lufta dhe mendoi të vraponte për aty.Prandaj e shtrëngoi nagantin fort dhe ju bronxua dora përmbi të. E ku ta dinte se ai qe Parlamenti i Kosvës ku deputetët shqiptarë hidhnin kundër shqiptarëve gaz lotsjellës, duke lotuar gjithë  shqiptarët shpi më shpi. Ai nuk e kuptonte pse bënin kaqë shumë shamatë. A thua nuk kuptonin shqip ndonëse shqipen e flisnin bukur fort.

I hodhi sytë e pa në Tiranë, më mirë mos të kishte parë e dëgjuar. Tym e turp në Parlament.

Burra që shanin nga gratë e gra që qeshnin si burra të dehur, me fjalë turpi.

Pa më thuaj o Sabit Rustemi, pse ta çojë atë vetull Idriz Seferi? Përse ti qeshet syri e ç’farë të shohë me krenari? A mos vallë të shohë atë birbon që hoqi flamurin kombëtar nga sheshi i Prishtinës, që e hoqi zvarrë si një reckë të vjetër e të ndotur? Por a e di ai pis burrë që për atë flamur Idriz Seferi dhe trimat e tij kaluan jetën me nagant në dorë e me syrin në thep të pushkës. A do ja thotë ndokush atij që dha urdhërin se, ai flamur është i kuq jo nga boja por nga gjaku i derdhur mbi të e për të i bijve të këtij kombi.

Dhe ajo shqiponja nuk është një zog koti, por është shpirti ynë i ngjitur në flamur.

Ndaj  këndojmë...Shqipëria shkëmb e gur/ (Ësht’) vrarë e prerë për flamur/ Hasmët hiq e neve vur.

Prandaj o Sabit Rustemi shko dhe njëherë sot në shesh të Gjilanit e shihe prapë Idriz Seferin. Po nuk ka plasur  në njëmijë copa bronxi i tij, nga marazi, të siguroj unë që sytë i ka të përlotur.

(Me sy të përlotur i shkruaj dhe unë këto radhë. Dhe  nuk i çoj dot vetullat  të shoh kënd në sy).

Dhe ngrije atë flamur nga toka   miku im(nuk është bërë pis, jo) dhe me ‘të fshiji sytë e përlotur Idriz Seferit.

Atëherë do shohësh si do ta çojë atë vëtull e do të kqyrë me dashuri.

Sarandë, më 16 Shkurt 2018

*-Për poezinë e tij “Çoje pak atë vetull Idriz Seferi” publikuar në 28 Nëntor 2017