Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vjollca Pasku: Adoleshenca e papërsëritshme

| E hene, 12.02.2018, 06:07 PM |


ADOLESHENCA E PAPËRSËRITSHME

Tregim nga Vjollca Tiku Pasku

Vetullat e diellit përkëdhelën me një nuancë të kuqërremtë flokët e gjatë të Elenës, teksa ajo po sodiste perëndimin nga veranda e shtëpisë së saj. I pëlqente ky imazh, i cili dukej si një eksplozion flakërues mbi valëzimet e detit, që koteshin qetësisht në muzg. Shtëpia e saj në Patra, ndodhej në pikën më të lartë të qytetit, në Kastro (kështjellë). Në mbrëmje dritat e kështjellës dukeshin si yje të vegjël, gdhendur në muret shekullorë të Patras. Nga shtëpia e saj, ishin afërsisht shtatëdhjetë shkallë të gjera,që të zbrisnin në qendër të qytetit. Në muzg, llambat e ndriçimit përgjatë shkallëve, dukeshin si xixëllonja të mëdha që nuk shuheshin, deri poshtë në kishën e Angjiu Nikolait. Kjo rrugë e drejtë, të shpinte në portin e qytetit, e cila shërbente si nyje lidhëse me qytetet e tjera në rrugë ujore. Të vjetrit thoshin se, kjo bukuri në formën e një gjysmë këpuce të artë e qytetit, ishte krijuar sepse dikur Patra kishte qenë e zhytur nën ujë. Elena kishte mbaruar gjimnazin shkëlqyer dhe hyri në vitin e parë në lice. Ishte vajza e dy emigrantëve shqiptarë nga Berati. Mamaja e saj, Shpresa, bënte dy punë në ditë, paradite në një tavernë mëngjesore dhe pasdite shërbente në disa familje, si ndihmëse në punët e shtëpiake. Gjithmonë kthehej e lodhur nga puna. Babai i saj, Shpëtimi, punonte në ndërtim me orë të zgjatura. Elena mundohej ta ndihmonte të ëmën, me sa mundej në punët e shtëpisë dhe më pas i kushtohej mësimeve. Shtatori erdhi dhe shkolla filloi me gaz të hareshëm. Në klasë ajo kishte një djalë, që quhej Jani. Ai i afrohej, me pretekstin e mësimeve dhe i bënte komplimente. Elena e bukur, me shtat të hollë, me sy të mëdhenj, me një buzëqeshje, që i mbetej mbi buzë, si vezullimi i një rrezje magjike, nuk fliste, por tërhiqej e mblidhej kruspull, njësoj si lulja “mos më prek”. Kostandina, një vajzë me flokët e ngjyer në të verdhë, të prerë shkurt, që ishte mikja më e afërt e saj, i kishte thënë se Jani ishte djalë i mirë, arvanitas. Të gjitha shoqet e saj, jo vetëm që kishin nga një të dashur, por në fundjavë, ato ishin edhe të lejuara nga prindërit të shkonin “për një gotë”e të vallëzonin nëpër pabe, deri në orët e vona të natës. Për shkak të ndrydhjes së saj, Elenës i kishin vënë në klasë nofkën “e prapambetura”. Por asaj nuk i bëhej vonë shumë për atë nofkë, se sa për simpatinë që kishte filluar të ndiente për Janin. Ajo vinte re se dielli ishte fiksuar buzëve të tij dhe kur fliste ai, rrezatimet atij djali e përvëlonin. Po ç’ishte ky përvëlim që i ndodhte herë pas herë?!... Ajo asnjëherë më parë nuk ishte ndier kështu?... Mos vallë kjo ishtë ajo ndjenja që kishte lexuar aq shumë nëpër libra?!…. Nuk guxonte t’ia përmendte emrin... Po ç’mund të ndodhte po të afrohej shumë me të?... Jo, jo, ajo duhej të mësonte, të arrinte diçka në jetë, të bëhej dikush dhe jo të humbte kohën me ëndrra.. Një ditë, në pushimin ndërmjet orëve të mësimit, Jani i tha: -Elena mund të më ndihmosh në ushtrimet e matematikës? Elena pranoi duke luhatur vetëm kokën. Në klasë ndodheshin vetëm ata të dy. Jani u afrua dhe vazhdoi t’i thotë, duke vënë buzën në gaz: -Është matematika e zemrës që dua të më shpjegosh... Sa herë ndodhem pranë teje, zemra ime shumëzon rrahjet e saj. Kur s’të kam pranë, ndihem krejt bosh, pa jetë. Atë çast një erë magnetike fryu në gjithë qenien e saj. Liqeni i ndjenjave, valëzoi lëkundjen e zambakëve rozë të buzëve të saj, që kërkonin të çiknin qiellin. Një ngrohtësi e pazakonshme i përshkoi zemrën. Donte të mohonte gjithçka, por Jani s’i la kohë. Ai e tërhoqi drejtë vetes, prej belit të hollë dhe me duart që i dridheshin, i përkëdhel fytyrën dhe afroi buzët e tij tek të sajat, për të thithur të gjithë aromën e zambakëve ujor të ndjenjës. -Oh, jo, është gabim! –tha Elena, duke u tërhequr me frikë. -Më fal, po nuk e kuptova gabimin, ta përsëritim edhe njëherë, më mirë, ama? – i tha Jani duke qeshur dhe e rrëmben sërish nga beli, duke e ngjeshur trupin e saj të hollë rreth vetes së tij. Elena ngriti dorën ta qëllojë dhe i tha: -Na, këtë, që të mësosh të mos vjedhësh!… Jani i zuri dorën me buzëqeshje, ia mbështeti pranë zemrës së së tij dhe iu përgjigj: -Dëgjo këtu, që të mësosh si po ndihet zemra ime për ty!... Sinjali elektrik i ziles ndërpreu dialogun e ëmbël të tyre, ndërsa shoqet që hynë befas, e vështruan me një buzëqeshje djallëzore. Që nga ajo ditë Elena u tërhoq nga Jani, dhe shtirej indiferente, por ndjenja që ndezi ai brenda saj, nga thëngjill u bënë dallgë flake. Megjithatë, në shpirtin e saj, luftonin dy ndjenja, ajo e dashurisë se zemrës dhe e logjikës që i thoshte, jo. Nga kjo ndjesi e kundërt, ajo u tërhoq dhe po shtirej indiferente. Atëherë Jani filloi t’i drejtojë buzëqeshjet e tij, tek një vajzë tjetër,që quhej Afroviti... Dhe kjo kthesë e tij, ia bënte zemrën cope Elenës. Tani ishte gati ta pranonte, por përsëri diçka e frenonte… Duke kundruar, si zakonisht, detin e mbrëmjes, asaj iu bë sikur pa në ujëra, formën e syve të kaltër të nënës së saj dhe tha me vete: “Oh, sa nevojë kam për ty, mama. Ti vjen e lodhur nga puna aq sa dhe këmbët s’të mbajnë. Ti përpiqesh të më plotësosh gjithçka, që të mos ndihem inferiore nga të tjerat. Por tani do të doja diçka më pak, vetëm të kisha këshillat e tua. Sa shumë kam nevojë, për afërsinë tënde në këto çaste... Ky është thesari që mund të më dhurosh. Ti ndoshta më mendon ende të vogël e të përkryer. Kënaqesh me rezultatet e mia. Por ti nuk di mendimet e mia. Si të veproj, kur të gjitha shoqet rendin pas dashurisë. Asnjë shkollë apo fakultet, nuk të mëson si të veprosh në këto raste. Zemra ime, duhet t’i nënshtrohet arsyetimit tënd, që të mos gaboj... Ka ardhur koha të them, se unë dua të shoqërohem me një djalë por nuk guxoj...Ti s’do ta pranosh kurrë, madje as të më dëgjosh. Vetëm vëmendjen për mësimet, shoh në mendjen tënde...Po tani unë dua të kuptoj, pse duhet të “mos gaboj?”... Dua të di, a është gabim të pranosh atë që ndjen?. Këtë e pres nga ty, ndërsa me babin as që bëhet fjalë të bisedoj...Të lutem kupto shpirtin tim, mama! Aty brenda ka shumë stuhi dashurie dhe një yll ndjenje, që më vezullon natë e ditë…Nënë të kam pranë, por jemi një qiell larg... Me këto mendime në kokë , ajo shkoi të flejë. Profesoresha Haraja, ishte kujdestarja e klasës. Ajo ishte një zonjë e thjeshtë dhe e komunikueshme, tepër e përgatitur për çdo lloj pyetje nga ana e nxënësve të saj. Ajo e thirri Elenën, t’i ndihmonte në këndin e lajmërimeve të shkollës. Elena kishte një stil të shkruari aq të bukur, sa Haraja i thoshte: “Ke një kaligrafi margaritarësh”. Kur mbaruan së ngjituri me merak të gjitha lajmërimet, profesoreshë Haraja, e falënderoi: -Shumë mirë, Elena, Faleminderit… - por befas iu kthye: - Ah, Elena, po vë re një luhatje të lehtë të notave të tua në mësime. Ke ndonjë gjë? -Jo, zonja Hara, asgjë! -Atëherë më dëgjo! Kam një vajzë në moshën tënde dhe ajo është shumë mirë me mësime. Kohën e lire studion muzikë dhe pikturë. Asnjëherë nuk e ka gdhirë natën jashtë, si shumë të tjera. Dëgjova një epitet për ty. Të jesh e virgjër, pra, e “prapambetur”, në këtë rast është virtyt. Shumë vajza të moshës tënde, vuajnë pasojat e veprimeve të tyre, duke rrezikuar jetën nga sëmundjet e ndryshme , apo nga aborti, kur përkushtimi i moshës tënde duhet të jetë vetëm mësimi. Ti çupka ime, duhet të jesh më e mira, sepse e ke mundësinë. -Faleminderit zonja Hara , kisha shumë nevojë për një këshillë të tillë.- Ajo e përqafoi dhe shkoi në klasë e lehtësuar. Atë çast mendoi, sa mirë që ka edhe njerëz të tillë bota. Ajo është profesoresha më e mirë , jo si ajo profesoresha raciste e matematikës, që ngre vetullën e djathë sa herë më bën pyetje, tha me vete Elena. Afroviti shkoi në klasë dhe u tha: “ Ej, fëmijë , javës tjetër do vemi në Sandorini. Përgatituni. Një ulërimë e zgjatur u dëgjua nga e gjithë klasa. Të gjithë e pritën me gëzim, ditën e nisjes. Deri në Athinë shkuan me autobus, ndërsa në Pirea, i hipën tragetit për në Sandorini. Jani i shkathët, gjatë rrugës, vështronte vazhdimisht Elenën, me një shikim pëllumbi, ndërsa ajo kthente kokën nga ana tjetër. Ai me Afrovitin nuk fliste, diçka kishte ndodhur në mes tyre. Kostandina i tha se ishin ndarë, pasi Jani nuk i duronte dot tekat e Afrovitit. Dhe ajo ishte betuar, se do të hakmerrej, prandaj Elena që e tërhiqte Janin, duhej të kishte kujdes, se djalli kishte endur mbi bukurinë e saj femërore gjithë frymën e ligë. Por Elena nuk ja vuri veshin shoqes së saj. Fundja, e ç’do bëjë Afroviti?, mendoi ajo. Trageti çante detin si shqiponjë ujore. Tani para syve të tyre shtrihej ishulli i bukur i Sandorinit. Forma e tij, i ngjante një patkoi me zemër të zjarrtë, ku vibronin shkëmbinjtë nënujorë vullkanik, por pa shpërthyer në sipërfaqe. Zemra e Elenës ishte e njëjtë me atë të ishullit. Me rënien e diellit në horizont, dukej sikur deti vishte mantelin e tij të bukur, me ngjyrën blu në gri, enkas për muzgun. Hoteli ishte si një shtëpi shpellash, i punuar me mozaik të mëdhenj gurësh, të kombinuar me të bardhë, që shikonin nga deti. I gjithë peizazhi i tij, dukej sikur u uronte mirëseardhjen vizitorëve në këtë ishull misterioz, dhe ndoshta të rrezikshëm. Në mes ishte një pishinë si nje pikëz e lëngëzuar e qiellit, që tërhiqte shumë zëra nate, për të mundur pagjumësinë. Të gjithë u futën në restorantin e hotelit, të shoqëruar vetëm nga katër profesorë. Megjithëse, nuk e kishin arritur moshën e alkoolit, një gotë verë, nga vreshtat e ishullit, ishte falas. Kamerieri, një djalë i shkathët, filloi të servirte verën të parën. Afroviti u ngrit dhe pa rënë në sy, diku u zhduk, teksa vera e kuqe si lëng yjesh përkundej nëpër gota. Elena, me gjithë kundërshtimin që s’donte të pinte , me këmbënguljen e shoqeve, vendosi ta provonte. Një gëzuar midis tyre dhe gotat e verës u kthyen përgjysmë. Më pas sallata me domatet e ishullit, djathin e bardhë të tharë në diell, bukë elbi e shoqëruar me peshkun e zgarës dhe garniturat e zbukuruara me gëzof natyre, shoqëruan bisedat e tyre. Pas asaj gote, vështrimet u ndezën. Elena u afrua me Janin dhe filluan të putheshin. Por edhe të tjerët nuk ishin në gjendje më të mirë. Në një moment ata të dy u ngritën dhe shkuan nën strehën e një pjergulle, që ndodhej pranë. Në valëzimin e erës dy frymë të ndezura nga dehja, valëviteshin në krahët e njeri-tjetrit. Rënkimet e ashpra i dëgjonte shkëmbi dhe pjergulla që krihej nga frymëmarrja e vështirë e tyre... Kënaqësi dhe dhimbje, njësoj, sikur qielli me vetëtima puthte tokën dhe bëhej njësh me të. Vetëtimat e kuqe të buzëve, puthnin gjithë afsh dy kodërzat e vogla ku në majë kishin dy lulëkuqe. Më pas ai vazhdoi duke eksploruar deri në ekstazë, atë fshehtësi parajse që e kishte vetëm ajo... Dehur nga vera dhe kënaqësia, ai ndjente dëshirë për të ripërsëritur aktin, sikur të ishte dita e fundit, derisa të këputur i zuri gjumi. Në mëngjes, Elena me një dhimbje koke të tmerrshme, e pa veten e saj lakuriq, pranë Janit. Nga njollat e kuqe të gjakut, nëpër kofshët e saj, dhimbja në të gjithë trupin, sidomos , në fundin e barkut, kuptoi se ç’kishte ndodhur. Lotët e saj kulluan bashkë dhimbjet. Iu duk, sikur ajo lëkurë transparente e qelqtë, që i jepte emrin vajzë, u thye pa dëshirën e saj. Ciflat e qelqta i hynë në zemër. Dhimbje flakëruese e kishin mbërthyer trup e shpirt. Ajo dashuri që kishte ndier për Janin, tani u shndërrua në dhimbje. U vesh me zor dhe ndërkohë u bë gati të merrte rrugën jashtë hotelit. Jani, u zgjua pothuaj në të njëjtën gjendje. Atëherë Elena iu kthye ashpër: -Nuk do ta fal kurrë poshtërsinë tënde! Të urrej!... - Elena, nuk mbaj mend asgjë. Mua edhe tani koka po më çahet. Vetëm kaq , pimë një gotë verë. Përse duhej ta bëja një poshtërsi të tillë, pa dëshirën tënde... Unë gjithmonë të kam dashur. S’do të bëja kurrë keq ty. Kur nuk më pranoje , kam përgjuar çdo lëvizje tënden. Do më çahej zemra sikur të doje ndonjë tjetër. Shoqërohesha me Afrovitin, vetëm të të bëja ty xheloze. Nëse të them më fal që të lëndova, kjo fjalë është e varfër. -Je njeri agresiv!- i tha ajo me zemërim të madh. -Të lutem më dëgjo! – iu përgjigj Jani. Por ajo iku duke fshirë lotët. Atë çast grushti i pendimit të tij, qëlloi me forcë shkëmbin, derisa dora po i pikonte gjak. Si ishte e mundur të dehej vetëm me një gotë verë?!... Me sytë që i lëshonin zjarr, vrapoi tek restoranti, pa kamerierin që i serviri verën dhe e kapi prej gryke. -Ç’farë hodhe në gotat e verës mbrëmë?... Fol, ndryshe do të denoncoj , servire verë në moshat e parritura, më pas diçka u hodhe në gotat e verës. Kam dëshmitarë… Kamerieri i frikësuar u justifikua: -Nuk e di, por di vetëm që ajo bukuroshja, me emrin Afroviti, më puthi dhe diçka kishte në dorë... Një grusht pasoi fuqishëm në fytyrën e kamerierit, i cili u plas përdhe, duke rënkuar… Jani shkoi të gjente Elenën, dhe e pa tek cepi i hotelit që debatonte me Afrovitin. -Si ishte shëtitja e dashurisë, nëpër natë, e dashur? - e pyeti ajo me irtoni Kam fjetur gjumin më të rehatshëm në dhomë përbri tëndes. – u përgjigj Elena… - Dukesh nga rrobat me njolla vjollce dhe nga flokët si algat e detit e dashur. -Mbase nuk më sheh mirë, sepse e ke shikimin e turbulluar nga Maksi... -Maksi është një mashkull i mrekullueshëm, ndërsa Jani, pa përvojë. Por mos u mërzit, nëse do, i jap unë eksperiencë. -Je një specialiste që grasaton çdo lloj rrote që të vjen, por kujdes, se do të nxijë ndryshku i ndonjë rrote! - ia ktheu Elena dhe iku…. Jani me flokë përpjetë nga xhindet qi kishin hipur, iu përvesh thotë Afrovitit: -Era jote ishte erë virgjërie, a s’doje këtë ti? -A mund të kuptojë, një putanë si ti, që i ke marrë djemtë me radhë, nga Athina në Patra , se ç’është dashuria. Ti di vetëm të hedhësh helme nëpër gota, por një ditë ai helmi yt, do të mbysi. -Pse, - u tall ajo, - a nuk kalove mirë mbrëmë, oh, helbete, e virgjër, por do kalosh edhe me mirë pa “melhemet” e mija, tani që u hap rruga. Të bëra nder...Tani po iki se po më kërkojnë. -Më e mirë është një e rrugëve, se sa ti që ia ke shitur edhe shpirtin shejtanit. Do të denoncoj...

- Do takohemi përsëri, shpirt! - i tha Afroviti duke qeshur, por nuk mund të më akuzosh mua për ç’farë ndodh rreth e rrotull... Kur Afroviti, iku, Jani vuri re një të njeri të veshur me uniformë policie. Disa të dehur nga vera, të tjerë nga hashashi, që ishin bërë tapë dhe kishin bërë rrëmujë. Në raste të tilla ndërhynte gjithmonë policia e ruajtjes së rendit. Por këtë radhë u mjaftuan vetëm me disa vërejtje, pa marrë asnjë në rajon. Pronari i hotelit i kishte krahët e ngrohta, sepse vet i biri punonte shef në polici. Ndërsa të katër profesorët, ishin çiftuar dy nga dy, si minjtë, kur gjejnë rast dhe nuk kuptuan asgjë ç’bëhej. Kështu çdo gjë u mbyll e u harrua. Por plaga e Elenës, ishte një shtrëngatë e heshtur. Ajo në ditët e tjera, u bë e krejt e mbyllur, dhe shkëlqimi i syve i humbi. Shkollës u afrua fundi, notat e saj linin për të dëshiruar. Para se të shkonte në shtëpi, po bënte një xhiro tek porti, ulej aty dhe qante e trishtuar. Ajo nuk ndihej mirë aspak. Një dyshim i tmerrshëm i shkonte në mend. Një herë i erdhi për të vjellë, dhe doli pa marrë leje, duke zënë gojën me dorë. Dyshimet e klasës dhe të profesoreshës së biologjisë, ajo i mbuloi se kishte “helmim ushqimi”. Nuk guxonte t’i hapej askujt, madje as nënës së saj. Mori raport të mos shkonte ditët e fundit në shkollë. Dyshimi i saj, u vërtetua plotësisht, kur pa e tmerruar testin që ishte shtatzënë. I dukej vetja, më e vetmuara në botë. Shkonte te shkëmbi i saj dhe i ankohej detit. Së pari, humbja e padëshiruar e virgjërisë, nëpërmjet intrigës dhe tani një shtatzëni, pa shkelur akoma as në gjashtëmbëdhjetë vitet e saj. Dukej sikur vetëm deti dhe shkëmbi i lotëve i përkisnin, të ishin të sajat... Një zë i butë i foli mbrapa krahëve:

- Elena më shqetëson, çdo ditë dhe orë që përhumbesh këtu. Ç’farë po të ndodh ty?

Ç’po më ndodh?- ktheu kokën e trishtuar, - Ke qejf ta dëgjosh, jam shtatzënë, që nga ajo natë.

Jani shqeu sytë, por nuk e dha veten. Për Janin Elena ishte nga ato vajza, që sa më shumë e refuzonte, aq më shumë këmbëngulte ai në dashurinë e tij. -Mos u mërzit, - i tha ai, - një zgjidhje do të ketë. Do flasë me mamanë time, ajo do na kuptojë... Këto fjalë ishin si një ngrohje për të. A nuk duhet, që të kishte edhe ai pjesën e tij në përmbajtjen e kësaj dhimbjeje?.... Nëna e saj, si gjithmonë ishte e largët, nuk i vërente ose nuk donte t’i shikonte ndryshimet e vajzës së saj. Atë mbrëmje Elena u kthye vonë në shtëpi. Po dëgjoheshin zërat e ngritur të prindërve të saj. Ajo dëgjoi se nëna e saj, disa kohë më parë, ishte përdhunuar nga tre njerëz të panjohur, kur kishte zbritur për të vajtur në farmaci, të blinte një bar për nënën e saj të sëmurë. Kështu kishte ngelur shtatzënë me Helenën. Shpëtimi, burri që gjithmonë e kishte dashur, e kishte falur dhe kishte pranuar shtatzëninë e saj. Por Shpresa, asnjë herë nuk u shërua nga traumat që pësoi në një natë të vetme. Prania e Elenës i kujtonte gjithmonë atë natë fatkeqe. “Të lutem më fal, dëgjohej zëri i Shpresës, të bëra edhe ty edhe atë fatkeqe!”... Elena u drodh duke menduar, Ja, si kalon fatkeqësia në breza. Më mirë të më kishe vrarë që në embrion… Pas këtij fakti që dëgjoi, Elena e ftohur nga të gjithë, nga ndjenja e saj , nga nëna viktimë e një përdhunimi, nga babai që sillej mirë, por që nuk ishte babai i saj, vendosi të mos sillte në jetë asnjë krijesë, nëse do i mungonte dashuria. Të dyja të këqijat janë njësoj, mendoi. E ëma, u mundua ti qëndronte afër, kur mësoi një lajmë të tillë. Shtatzënia u ndërpre, si rezultat i gjendjes së pavetëdijshme gjatë së cilës ishte ngjizur ky embrion. Fatkeqësia e mamasë së Elenës, neglizhenca e mamasë së Afrovitit , besimi i tepruar i mamasë së Janit, ishte rezultati, që fëmijët e tyre adoleshentë, të ishin të paformuar për fazën e moshës që po kalonin. Elena vazhdoi shkollën dhe u bë një psikologe e mirë, ndërsa Jani u bë një inxhinier ndërtimi. Ata u martuan bashkë, por nuk mund të kishin fëmijë, për shkak të pasojave që pësoi Elena, kur abortoi. Për këtë ndodhi të trishtë jetësore, ajo shkroi një libër “Adoleshenca e papërsëritshme” ku mori një çmim kombëtar. Sot vazhdon punën e saj si psikologe nëpër shkolla, për të ndihmuar gjithë brezat e adoleshentëve.