E enjte, 28.03.2024, 03:50 PM (GMT)

Kulturë

Përparim Hysi: Me krahëmarrje punës

E shtune, 10.02.2018, 04:19 PM


Me krahëmarrje punës

(mikroantologji)

Nga Përparim Hysi

Gjatë jetës kam njohur njerëz që nuk e duan punën a, për t'i përcaktuar më saktë, kanë qenë të tillë që, po të marrë hua një frazë nga kisha, i ruhen punës "si djalli nga temjani". Kam njohur disa të tillë dhe, ngaqë as kanë të bëjnë me njëri-tjetrin, sado të ndryshëm dhe të moshave të ndyshme; sado si njerëz që i kam njohur sy për sy, kanë vetëm një tipar të përbashkët: nuk e duan punën. E nisën dhe e sosën jetën pa punë. Por,për të qenë i ndershëm me ta, por dhe me veten time, që të gjithë personazhet e mi,  në mund t'i quajë kështu, kanë dhe diçka të përbashkët: janë që të gjithë njerëz të mirë që janë gati për ty të flijojnë dhe shpirtin.

*      *     *

Është mëngjes dhe në verandën e klubit të qytetit, ka zënë vend,para të gjithëve, xha Uani. Është pijedashësi më famoz dhe më me humor që ka qyteti. E njohin të gjithë, por dhe ai nuk e ha thatë. Është gojtar i lindur dhe,edhe kur pi, fjalët i ka me kandar. Kurrë nuk shan njeri dhe humorin e ka aq shpotitës që vë poshtë tërë mjedisin. Vendosur  mbi karrike me sytë nga rruga dhe askush muk  shpëton nga "radarët" e tij. "Radarët" e tij kapin"avionë" a"anije të rënda" që i lipsen sot për sot për"betejën" që do zhvillojë.

Ja tek kalon ,doravetë,Komisari i brigadës, me gradën kolonel, por"gjeneral" Uani ka"tapitë" e tij dhe, duke ia njohur kolonelit atë"asin nën mëngë" (qe vërtet pijedashës), bërtet:- Komisar, hajde të kthejmë ndonjë dopio! Komisari bën sikur nuk ia vërshëllen "gjeneralit", por hespaet i ka bërë pa hanxhinë. - Jam për punë,- thotë pak  si me politesë,koloneli.

-Me krahëmarrje punës, komisar!- lëshon britmën xha Uani. - Me krahëmarrje,se ndryshe puna të ha. Dhe komisari u dorëzua. Pagoi taksën që i vu"gjenerali" dhe nxitoi për punë.

*     *    *

Sapo qeshë martuar dhe me timeshoqe hipëm në një"zuk" me  karroceri për të shkuar nga Fieri në Lushnje. Qe pak si perëndimdielli dhe,ndërsa vazhdonim rrugën, hedh sytë dhe shikoj që buzë kanalit të madh të Kolonjës nja katër pesë njerëz me biçikleta dhe petrogazët me vete shkonin për të gjuajtur bretkosa,se jo vetëm paguheshin mirë, por, kështu, shtonin dhe të ardhurat për familjet.

- U lumtë këtyre,- fola unë,- se këta kënaqen  me lekë. Reth nesh ishin gati 10 pasagjerë. Askush prej tyre nuk u ndje dhe thashë se zbraza fishekë kot, kur, befas, më i vjetri prej tyre, më pyeti:

- Çfarë pune bën ti,o çun?

Pyetja qe  fare e lehtë për t'u përgjigjur:

-Unë jam mësues!

-Pësus,- tha si me shpoti,- po thuaj që je budalla!!!

Kur tha kështu dhe ku në sytë e simeshoqe gjithë këtyre të panjohurve,natyrshëm që u pizmosa, por"pësusi" qe ajo "dardha që ka bishtin nga prapa". As vuri re në u skuqa a në u zverdha nga inati unë,por vazhdoi:

- Pa më shiko mua xhixhan, nashti dhe vëre vëth në vesh:

- Una më mirë vdes për bukë,se  sa të vdes nga puna!!!

Sa tha kështu, karroceria e "zukut" u kthye në një skenë humori. Mua jo vetëm më ranë pendët e inatit dhe buza më shkoi vesh më vesh dhe aq më pëlqeu ai plak kokoroç (se i tillë qe:faqekuq,sa po t'i bije në një faqe i pëllciste tjetra),sa u ngrita nga vendi dhe shkova  e përqafova fort. Kjo thënie e këtij plaku faqekuq që nuk kish parë punë me sy, m'u bë si një"kartabiankë" imja në jetë se,edhe unë, nuk e kam ngrënë punën. Kur them punën:punën me krahë!

Sa herë,qoftë dhe në shtëpi kur kërkohej ndonjë punë e rëndë, mbrohesha para simeshoqe:- Të kujtohet ai plaku?

Sa i mirë që qe! Për ta vënë në buxhak dhe të vilje urtësi nga ai. Por sa i pastër: sado fshatar, qe si një rrobë kadife. Kadifesë nuk i ngjiten qimet.

*    *   *

Xha Qamili! I gjatë  gati dymetrosh,me një trup si një lis, babaxhan nga shpirti, urtak nga mendja, rrojti gati 80-vjeç dhe njëherë në jetë të tij nuk zuri punë me dorë. Kish se tetë a nëntë fëmijë dhe,sado që i ati i tyre kurrë nuk punoi, të gjithë ata u bënë njerëz të zotë e shumë punëtorë. I rriti e shoqja që u bë si heroinë vetëm e vetëm për të mbajur familjen gjallë. Nuk do merrem shumë për t'u  folur  për xha Qamilin (ka qenë vërsnik e mik i timeti), por do t'u tregojë veç një pasazh dhe vërjani emrin vet.

Ishte protopranverë dhe, tek rrinte pranë mullarit me kashtë, xha Qamili u shtri sa gjer e gjatë mbi kashtën rreth e përqark. E ngrohu dielli mirë e mirë dhe i dha një gjumë si  pasha. Kur u zgjua, Lemja, e shoqja që kurrë nuk ia prishte ajkën, guxoi e i tha:- Qamil, meqë je aty,pranë mullarit,merr nja dy krahë kashtë dhe hidhja lopës (lopa nuk qe as  dhjetë çapa larg nga mullari).

Dhe xha Qamili:- Leme, ajo që thuaj ti, është punë dhe unë jam betuar në Zot: nga kjo botë do iki pa punuar!!! Dhe jo vetëm lopës nuk i hodhi,por nuk zuri kurrë punë me dorë. Iku i qashtër siç dhe erdhi nga kjo botë.

*    *    *

Ishim në zbor dhe do flinim  jashtë,buzëdetit, në Seman. Komandanti na tha që me"mjeterrethanore" të bënim"dyshek" për shtroje. U lëshuam të gjithë shkurreve dhe,ndërsa krahënjomët bënë goxha shtroje, unë, ngaqë jam pak "qibar" veç  një dorështroje se thashë epo nuk  ka për t'u bërë kiameti. Të gjithë ata(krahënjomët) punonin në fermë dhe qenë  njerëz  të punës. Ramë të flemë dhe në mesnatë dëgjoj komshinë tim që më thotë nën zë:- Nëmë ca nga ato shkarpat se vdiqa së ftohti.

-Ore,- fola unë,- bëj dritë kush je,se t'i kam falur të gjitha,se paska më keq se unë. Shpotia ime i zgjoj të gjithë dhe e gjeta: Mersini qe më dembel se sa unë.

*    *   *

Lamia qe nga ata që nuk punoi kurrë. Por qe dhe pak dinak. E dinte që në ditët kur shiu nuk pushonte,punëtoria në fermë paguhej 80% vetëm që duhej të ishte prezent aty, ai, pikërisht, atë ditë hidhte një lopatë në kurriz dhe dilte mu në  mes shiut dhe kthehej me fytyrë nga ata nëpër strehët dhe thoshte:- Ah, moj e shkretë kohë që na le batall!!!

*    *   *

Bakllavaja hahet në fund. Ky është Laci. Është i vetmi zborist i  repartit në Shëngjin që e mbaj mend me gjithë gjeneralitet: LAC ISMAIL DUSHKU ( të më falin,gjithë tashëgimtarët e tij). Në doni ta njihni, përfytyroni valltarin  e madh BESIM ZEKTHI dhe kini parë Lacin. Zboristët duhen të  bënin 100 duaj shkurre e driza për të marrë një ditë zbor. Drizat e shkurret  i prdornim për të djegur gëlqere për të shtuar të ardhurat e repartit. Unë listën në dorë dhe ata paraqiteshin tek unë, duke u shënuar një për një punën e bërë. Unë rrija aty mbi gur dhe prisja rrëfimet e tyre. Kur ja tek më afrohet një malësor, i veshur si për krushk a kushedi për ndonjë figurant filmi dhe, pasi lëshon përshëndetjen:- Si kini njeh , burra?, ulet mu ballë meje. I moshuar, gati babai im, dhe, tek i rrëfej detyrën, tha vetëm:-Ndasht!

Natyrisht, nuk  mund ta urdhëroja dhe, tek e shihja që nuk e prishte terezinë, zura t'i shtoja shifra fikitve. Aty nga dreka, vjen shefi i shtabit për të kontrolluar punët dhe më thotë:

- Hys, si vete puna?

Zura të raportoja me listën përbri,por ai më tha:- Hys,- më tha,- për të tjerët e mora vesh,por sa duaj ka bërë Laci?

Unë, i zënë ngusht, gënjeva:- Ka bërë rreth 30-duaj!

Hys,- përsëriti shefi,- për ideal do të të fut në burg.Nëse Laci ka prerë dhe një shkurre unë shpohem në hundë!!!

Ku ta dija unë  që shefi im e njihte "sëmundjen" e Lacit. Por shefi qe zemërmirë dhe unë ia  shënova shkurret Lacit,po, kur po ndahesha me të e pyeta:- Mirë këto ditë t'i fali shefi, por çfarë bën për familjen?

- I shes do dele e dal tej matan!!!

E kujtoja gjithmonë atë Lacin aq të  mirë,po,kur i morën dhe delet se u kolektivizua dhe malësia, vallë  si do ia ketë bërë?!!!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora