E marte, 19.03.2024, 10:14 AM (GMT)

Udhëpërshkrim

Mehmeti: Austri, shënohen datat historike kombëtare

E shtune, 10.02.2018, 05:11 PM


Në Austri shënohen gjithanshëm datat historike kombëtare

10 vjet pavarësi e Kosovës, Viti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu të ndërlidhura me Vitin e Kulturës Shqipëro-Austri

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë

Fillim aktivitet

Ky vit është shpallur Viti i kulturës Austri-Shqipëri. Ambasada Shqiptare në Vjenë dhe Departamenti i Kulturës së Ministrisë Federale për Evropën Integrimin dhe Punë të Jashtme të Austrisë e fillojnë shënimin me koncert të muzikës klasike shqiptare, nga Kuarteti i Harqeve i Orkestrës së Radio Televizionit. Theks i veçantë do jetë bashkëpunimi kulturo-shkencor mes dy kombeve, i kontakteve të dy kulturave dhe një rinjohje e re me moton: ”Rizbulimi i të përbashkëtave”. Në këtë rast do të promovohen vepra ati, nga kultura, shkenca, me përparësi krijuesve të rinj.  Në Palais Echenbach u mbajte  koncerti i klasikes në hapje të të cilit mori pjesë dhe Roland Bimo, Ambasadori i Shqipërisë në Austri. Ishin të ftuar dhe shumë diplomat, miq e veprimtarë nga radhët e vendeve mike. Instrumentistet Albana Kola-Axha, Aristidh Prosi, Gëzim Bulçari e Blerta Ristani- Jakova, luajtën me sukses pjesë nga Prekë Jakova, Valton Beqiri dhe Dmitri Dmitrievich Shostakovich, duke entuziazmuar publikun e cili e shpërbleu me duartrokitje të gjata.

Vit Kulturë dhe ...

I gjithë aktiviteti do jetë gjithashtu i lidhur me  550 vjetori i vdekjes së  Gjergj Kastriotit Skënderbeu dhe 10 vjet pavarësi e Kosovë të cilat do shënohen me shumë aktivitete në Austri të organizuara nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë dhe Ambasada e Kosovë në koordinim me vendorët dhe shoqatat shqiptare.  Të dy ambasadorët z.Roland Bimo dhe z.Sami Ukelli,  me rrethet e tyre përcaktuan strukturë e  programit duke bashkërenduar veprimet me institucionet vendore. Këto dy data historike dhe Viti i Kulturës Shqipëri Austri, jenë momente të mirëseardhura në rikujtimin e rivlerësimin e gjithë atyre veprimtarëve e miqve tanë që dhanë ndihmë për lirinë dhe bërjen e shtetit shqiptar.

Vjena ishte kryeqytet kulture në mes të Evropës ku linden dhe vepruan figura madhore në historinë shqiptare nga të cilët duhet veçuar themeluesin e studimeve albanologjike, Norbert Jockli, i lindur nga prindërit hebrenj, për çka dhe depërtohet në kampet fashiste duke humbë çdo gjurmë rreth tij.  Ai ishte albanologu meritor në hapat fillestar të afirmimit të gjuhës shqipe dhe hulumtimeve albanologjike. Nëse dikush meriton dekoratë nga kombi ynë tani në këto data rikujtimi, është pikërisht ai. Pastaj, Franz Nopesa i njohur me fototekën e tij etnografike shqiptare dhe mik i madh.
     ... gjenitë

Një lidhje e fuqishme respektuese mes dy kombeve janë gjithashtu dy gjeni me origjinë shqiptar Karl Rither Gega dhe Aleksandër Moisiu, kurse katër shekuj më parë kryekomandanti i Ushtrisë Habsburge dhe Guvenatori i Vjenës,  Gjergj Basta. Ai la emër jo vetëm si komandant në luftë, por edhe në artin ushtarak në veprat e shkruara.

...pak histori

Në historinë e kulturën shqiptare Vjena ishte dhe mbetet qendër e respektuar ku vepruan shumë figura të njohura historike nga të gjitha lëmitë. A mund të kalojmë pa përmendur këtu emrin e Norbert Joklit, Franz Baron-Nopsca. Leo Freundlich, Jakob Philipp Fallmaerayer, Johanenes Gerog von Hahn, Gustav Mayer, Jan Urban Jarnik, etj të cilët vunë themelet e njohjeve mbi gjuhësinë, kulturën, etnografinë e historinë e lashtë shqiptare. Ata ndihmuan në hapjen e shtigjeve drejt njohjeve të shqiptarëve nga popujt tjerë, të cilat u vazhduan të pasurohen edhe nga studiues shqiptarë në Universitetin e Vjenës, Gracit e Insbrukut. Nga këtu shndritën dhjetëra emra tani të njohur të kombit shqiptar: Eqrem Çabej, Aleks Buda, Dr. Gjergj Pekmezi, Hil Mosi, etj.

Një shekull më parë studentët shqiptarë themeluan shoqëri të fuqishme, gjurmët e veprimtarisë së të cilave mbetën të ndritura në historinë e formësimit kombëtar. Shoqatat: “Liria” e cila më vonë u quajt “Dija”, “Djalëria Shqiptare” e cila më vonë u quajt “Albania” të cilat botuan revista e gazeta nga të cilat më të njohura ishin revista “Djalëria” dhe gazetat “Ora e Shqipnisë”, “Vëllaznia”, “Minerva” ,,Albanische Corespondenze”, “Bashkimi Kombëtar”, “La Fedration Balcanique”, etj. Aty botuan shkrimet e tyre figura me peshë në historinë tonë kombëtare si: Hil Mosi, Dervish Hima, Dr. Gjergj Pekmezi, Kolë Rrota, Jani Basho, Xhevat Korça, Fuad Asllani, Vasil Laboviti, Lasgush Poradeci, Sokrat Dodbiba, Irakli Buda, Nush Bushati, Gjevalin Gjadri, Kolë Mirdita (Helenau), Rrok Gera, Rrok Maliki, Rrok Kolaj, Filip Papajani, Dr. Omer Hamiti, Sokol Sopoti, Rrok Stani, Terik Bekteshi, Hasan Ceka, K. Hobdari, Gjon Temali, Krist Maloki, Kristo A. Dako, Ndoc Naraçi, Kolë Kodheli, Krist Ndue Paluca, Gasper Mikeli, Kolë Margjini, Gasper Baltoja, Lec Çurçia, Ndoc Krajni e të tjerë.
     Përkrahja e organeve austriake në shkollimin e studentëve shqiptarë, kulturës e gjuhësisë shqiptare vazhdoi pa ndërprerë deri në ditët tona. Kjo u duk në veçanti gjatë viteve të luftës në Kosovë, ku shteti austriak ndau bursa për të gjithë studentët nga Kosova.

Pa dyshim vendi mik në ballë të tribunës së nderit për ne shqiptarët është Austria, i cili në momentet vendimtare e mbështeti kauzën shqiptare. Nga këtu me bekimin e shtetit të Austro-Hungarisë u nis Ismail Qemali drejtë Durrësit e Vlorës për të shpallë mëvetësinë e Shqipërisë në ato pak territore të cilat akoma nuk ishin pushtuar nga forcat grabitqare të shteteve fqinjë. Nga Vjena bisedimet shqiptaro-serbe rreth së ardhmes së Kosovës, doli përfundimi logjik, se Kosova duhet marr rrugën e vet përmes Planit të Ahtisarit, Ky bashkëpunim u vazhdua në hartimin e planit për pavarësinë e Kosovës, ku diplomati austriak Albert Rohan u dallua me qëndrimin e tij konsekuentë, i cili Plan, Kosovës i dha bazën fillestare të shtetit të pavarur.
Politika austriake e shprehur përmes emrave Alois Mock, Vicktor Klima, pastaj Ulrike Lunack dhe publicistëve analitik të njohur mes të cilëve dallohej Christne Von Kohl korrespondente e “Die Presse” në Beograd, përbejnë themelet e respektit tonë, edhe për nesër.

... programi

Aktivitetet programore do prezantohen paralelisht në të dy vendet, nga të cilat për mërgimtarët tanë në Austri, prej atyre në vazhdim do veçonim, diskutimin prezantues “Lider” nga Ministria Federale, “Letërsi, lexim letrar” në Kunst Galeri; “Film për familjet austriake në Shqipëri”,  “Vepra nga Kujtim Çashku”, “Mbrëmje, film dokumentar shqiptar” TV-Shën Tereza- ikonë e shekullit”, Teatër- “ Nëntori Shqiptar”; Ekspozitë e Kolë Idromenos; Alte Schmiede, “Lexim me Ismail Kadarenë”; “Ekspozitë e veprave artistike shqiptare” dhe në përfundim do bëhet vendosja e bustit të Gjergj Kastriotit Skënderbeu në Vjenë.
   Kurse nga Ambasada e Republikë së Kosovës janë paraparë takime me diplomatë dhe media, Ekspozitë rreth raporteve lidhëse historike e kulturore mes Kosovës dhe Austrisë. Nga shoqatat shqiptare në gjithë Austrinë do shfaqen programe artistike e sportive në shënim të 10 vjetorit të pavarësisë.

Albana Kola-Axha, Aristidh Prosi, Gëzim Bulçari e Blerta Ristani- Jakova



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora