E enjte, 25.04.2024, 04:48 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Engjëll Koliqi: Në Stubëll rimëkëmbet Tempulli i Parë i Arsimit Shqiptar në Kosovë

E merkure, 10.09.2008, 09:00 PM


Në vend të reportazhit – si kronikë e zgjëruar:
NË STUBËLL RIMËKËMBET TEMPULLI I PARË I ARSIMIT SHQIPTAR NË KOSOVË

Presidenti I Republikës – Dr Fatmir Sejdiu me Plisin e Bardhë (dhuratë nga populli i Stubllës)

Engjëll Koliqi
Presidenti i Republikës – Dr Fatmir Sejdiu dhe Kryetari i Komunës së Vitisë – Z. Nexhmedin Arifi, bashkë me Drejtorinë e Institutit BRAKOS – për bashkëpunim Brazil-Kosovë dhe me autoritete të tjera lokale e me intelektualë nga mbarë vendi, më 30 gusht 2008 kanë vënë Gurthemelin e Kolegjit, duke shënuar kështu fillimin e rimëkëmbjes së kolegjit të shekullit XVI, që faktikisht ishte tempulli i parë (i njohur deri më tash) i arsimit tonë kombëtar në Kosovë. Simbas organizatorëve, ky projekt si kompleks përfshin: godinat shkollore që nga niveli parashkollor deri në atë universitar, konvikte, mensa, ambulancë, jetimore, strehimore pleqësh, qendër kulturore, qendër sportive-rekreative dhe një bibliotekë ndërkombëtare.

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Që në start të veprimtarisë së tij, në vazhdën e projekteve zhvillimore në Kosovë, Instituti Brakos – për bashkëpunim Brazil-Kosovë, i është përveshur punës së ngjeshur, në një projekt të madh në Stubëll. Pa zhurmë as pa bujë paraprake janë bërë të gjitha parapërgatitjet, për ta bërë festën e parë në fillimin e rimëkëmbjes së Kolegjit të Shën Lukës, që në shekullin XVI ishte tempulli i arsimit tonë kombëtar, për t’u rikthyer krenaria aty ku kishte vezulluar me rreze atdhedashurie e besnikërie. Në Stubllën Krenare, mbas 424 vjetësh u vu gurthemeli historik, që në fakt është një vulë e pashlyeshme e arsimit dhe e kulturës sonë kombëtare.

Megjithë hezitimet, gjithçka po shkon për së mbari

Kur u kumtua lajmi për binjakëzimin e Stubllës me qytetin mineir – Itabirito në Brazil, shumëkush shprehu skepticizëm, me bindjen se nga ky binjakëzim nuk mund të përfitohet asgjë. Dikush madje shkoi aq larg, saqë u akuzuan aktorët e këtij binjakëzimi, për keqpërdorim të mjeteve financiare shoqërore, vetëm e vetëm pse nga buxheti komunal i Vitisë ishte paguar udhëtimi i delegacionit të parë që udhëtoi në Brazil, në mars të vitit 2007, i udhëhequr nga ish Kryetari i Komunës – Z. Musa Misini.

Nga pritja e delegacionit të parë të Kosovës, në Parlamentin e shtetit Minas Gerais, në Belo Horitonte

I bindur në miqësinë e sinqertë të brazilianëve, në shumë vlera të përbashkëta civilizuese me ne, si dhe në fuqinë ekonomkike-financiare të këtij vendi të madh latinoamerikan, unë personalisht, mbas atij udhëtimi historik, brenda një viti i kam bërë edhe katër udhëtime të tjera, për të vënë në lëvizje shumë motorë, që të nisin për së mbari një makineri të fuqishme – kreatore dhe konstruktive të shumë projekteve zhvillimore dhe kulturore, për t’u realizuar në vendin tonë. N’udhëtimin e fundit, të pranverës 2008, bashkë me miqt tanë atje, e kemi themeluar një institut për bashkëpunim në mes Brazilit dhe Kosovës, që e kemi quajtur dhe i themi Instituti Brakos. Miqt tanë të mirë, të cilët po kujdesen për jetësimin dhe mbarësinë e projekteve tona, nuk pranojnë të përdoret fjala ndihmë, por vetëm bashkëpunim, duke thënë se Kosova e martirizuar dhe e paepur meriton të integrohet në bashkësinë ndërkombëtare, me të drejta të plota dhe me dinjitet të plotë. Kështu pra, në kuadër të këtij bashkëpunimi, kemi filluar t’i bëjmë projektet tona ideore dhe të kërkojmë rrugët e lidhjet, deri në pikat nga ku do të mbërrijnë mjetet financiare për përmbushjen dhe realizimin e plotësishëm të projekteve tona. Faktikisht, janë ndezur shumë motorë miqësie e solidariteti, dhe makineria jonë e projekteve ka filluar mbarë rrugëtimin drejt sukseseve të mëdha, që do të zënë një vend shumë të rëndësishëm në faqet e historisë sonë bashkëkohëse. Tashmë, publikisht kemi filluar dhe me plot sukses po i realizojmë projektet e para.

Instituti Brakos kërkon njohjen e Republikës së Kosovës, në Parlamentin e shtetit brazilian Minas Gerais, në Belo Horizonte

Nga sponatiteti fillestar deri në projektet e mëdha konkrete

Projekti i parë i Institutit Brakos filloi dhe u realizua krejt spontanisht, duke filluar dhe përfunduar me sukses gjithçka brenda 24 orëve. Duke i përcjellur në shtyp dhe në internet veprimtaritë tona, në Belo Horizonte (kryeqytet i shtetit brazilian Minas Gerais), publicisti tashmë i mirënjohur gjakovar – Pal Sokoli, nga Gjermania na e dërgon një kërkesë, përmes postës elektronike. Ai nga ne kërkon, që mundësisht të gjejmë ndoj gjurmë jete (në mos tjetër – së paku varrin) të xhaxhait të tij – Zef Sokoli-t, i cili – si ballist, kishte ikur nga burgu partizan sllavokomunist, në vitin 1944 dhe mbas shumë peripecive të rrugëtimit të vështirë, nëpër Greqi e Itali, kishte mbërritur në këtë vend, pikërisht në Belo Horizonte. Kërkesa e Pal Sokolit na mbërrijti më 14 prill 2008. Menjëherë kapëm gjurmët, për të mbërritur në cak, që të nesërmen – të shtunën e 15 prillit të këtij viti. Mbasi u lidhëm me telefon dhe bëmë terminin, atë pasdite historike të asaj të shtune, në shtëpinë e Tij – në Belo Horizonte, Zef Sokoli na priti me krenari. Ky pra ishte projekti ynë i parë, që lindi dhe u realizua krejt spontanisht dhe Instituti Brakos ia gjeti Republikës së Kosovës birin e saj, mbas plot 64 vjetësh.

Në Ditëbardhën e 15 prillit 2008: gëzime dhe emocione me Patriotin Zef Sokoli

Pa humbur kohë, që në fazën kostitutive, me miqt tanë, në Institutin Brakos filluam me hartimin e projekteve zhvillimore – fillimisht sociale e humanitare, duke u orientuar në fushat e shëndetësisë dhe në atë edukativo-arsimore. Që në praninë e parë braziliane të këtij instituti në Kosovë, kemi shpalosur projektet tona ideore në shëndetësi, që do të fillojnë me donacione barërash dhe të pajisjeve medicinale, për të vazhduar me konstruktimin e qendrave rehabilituese, të kokmplekseve spitalore dhe të industrisë farmaceutike, në vendin tonë. Në këtë drejtim po punohet mirë dhe gradualisht po ecet në konkretizimin e tyre. Tonelata barëra dhe pajisje mjekësore janë grumbulluar në shtetin Minas Gerais dhe tani po punohet në procedurën e organizimit të transportimit të tyre në Kosovë.

Nga një ligjëratë në Universitetin Katolik të Minas Gerais-it, në Belo Horizonte

Të njoftuar me vlerat kulturore-historike të Stubllës, ku ishte tempulli i parë i arsimit shqip në Kosovë, miqt tanë në Brazil kanë filluar hapat e parë konkretë, në projektin e një kolegji në këtë vend, për të rimëkëmbur kështu traditën e shenjtë të arsimit tonë kombëtar, mu aty ku filloi, në shekullin e XVI. Në këtë drejtim janë angazhuar shumë miq dhe Presidenti i Rrjetit Katolik në Brazil – Fra Manoel Alves, i cili, mbasi ka marrë garancinë e donatorëve për investime, i ka kërkuar Institutit Brakos që të vëj gurthemelin për ndërtimin e një kolegji në Stubëll.

Nga takimi me studentët që do të studjojnë në Brazil dhe me prindërit e tyre

Në kuadër të këtyre projekteve zhvillimore, miqt tanë kanë siguruar edhe mundësinë e shkollimit të gjeneratave të reja në Brazil, për t’u kthyer ata si ekspertë fushash të ndryshme e për t’i menagjuar projektet tona dhe veprimtarinë e gjithëmbarshme të Institutit Brakos, në Kosovë. Tashmë jemi në fazën e marrjes së vizave për 14 studentët e parë, të pranuar në Universitetin “Isabella Hendrix”, në Belo Horizonte. Edhe pesë studentë të tjerë janë pranuar në Universitetin Batist dhe së shpejti do të shkojnë atje për studime. Të gjithë do të qëndrojnë atje plot pesë vjet, në kuadër të programit të bijësimit, nëpër familje të zgjedhura, me përvojë të gjatë në këtë drejtim.

Bashkëpunimi i mirë me institucionet shtetërore është garancia e suksesit në projektet e Institutit Brakos

Atje ku është themeluar – në Belo Horizonte, si dhe në qytete të tjera të shtetit Minas Gerais, poashtu edhe anekënd Brazilit, Instituti Brakos është në sintoni të plotë të bashkëpunimit me institucionet shtetërore, që po ndihmojnë konkretisht veprimtaritë tona, në realizimin e projekteve në kuadër të bashkëpunimit Brazil-Kosovë. Vetë institucionet shtetërore të Minas Gerais-it po bëjnë përpjekje maksimale që ta bindin Qeverinë Federale të Brazilit, që ta njoh sa më parë Republikën e Kosovës, për të mundësuar kështu realizimin sa më të lehtë të projekteve të Institutit Brakos në Kosovë, që synojmë të mbërrijnë deri në ato kapitale, me investime të mëdha.

Nga takimi konstrruktiv me Ministrin e Brendshëm – Z. Zenun Pajaziti

Edhe në Kosovë bashkëpunimi me institucionet shtetërore është në nivelin më të mirë dhe Instituti Brakos falënderon Zotin për dhënien e këtij privilegji. Që në praninë e parë të delegacionit të Institutit Brakos në Kosovë (në muajin maj 2008) kemi pasur takime dhe premtime shumë të rëndësishme e të frytshme, duke filluar në nivelin lokal – nëpër komuna dhe institucione lokale shëndetësore, edukativo-arsimore e humanitare e deri në institucionet qendrore, në nivele ministrore e qeveritare dhe deri te Presidenti i Republikës.  E njëjta gjë ka ndodhur edhe në praninë e dytë të Institutit Brakos në Kosovë – në vizitën e këtyre ditëve, gusht-shtator 2008, kësaj radhe nën drejtimin e motorit kryesor – tashmë e mirënjohura Prof Dr Vera Lúcia Alves Neves. Duke filluar nga Këshilli Administrativ i Stubllës, takimet tona – në të gjitha nivelet – kanë qenë shumë të përzemërta dhe frytdhënëse. Pushteti lokal i komunave Viti dhe Kamenicë (Dardanë) ka ofruar bashkëpunim të plotë, falë gatishmërisë së udhëheqjeve të tyre, për të kontribuuar në programet tona zhvillimore. Kemi pasur takime të ndara me drejtorë drejtorishë të këtyre komunave, me interesim të posaçëm në fushat e shëndetësisë dhe të arsimit. Jemi takuar edhe me drejtues e pronarë universitetesh private, si dhe me rektorin e Universitetit Publik të Prishtinës – Prof Dr Enver Hasani-n. Takime konstruktive kemi pasur edhe me ministrat e Qeverisë së Republikës së Kosovës (me ministrin e  shëndetësisë – Dr Alush Gashi, me ministrin e punëve të  jashtme – Skënder Hyseni dhe me minstrin e punëve të brendshme – Zenun Pajaziti), si dhe në Kryeminstri, me zëvendëskryeministrin – Ramë Manaj. Në të dy vizitat në Kosovë, delegacionin e Institutit Brakos e ka pritur edhe Presidenti i Republikës – Dr Fatmir Sejdiu.

Presidenti pret delegacionin e Institutit Brakos, më 25 gusht 2008

Festa e parë për sukseset e Institutit Brakos në Stubëll – ditë e artë në historinë tonë të re

Pak ditë para se të mbërrinte në Kosovë delegacioni i Institutit Brakos, nga Belo Horizonte na vjen lajmi i mirë. Përmes telefonit, Profesoresha Vera Lúcia Alves Neves na njoftoi se Fra Manoel Alves (Presidenti i Rrjetit Katolik në Brazil) ka siguruar dsonacionet financiare për ndërtimin e një kompleksi kolegjor në Stubëll, projekt ky në të cilin Brakos po punon që nga pranvera e kaluar. Fra Manoeli lajmin e mirë e kishte kumtuar nga një kryeqytet europian, ku kishte ardhur për të kërkuar donatorë që do të financonin këtë projekt, për rimëkëmbjen e Tempullit të Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë, sipas idesë dhe kërkesës së Institutit Brakos. Në një takim formal që pata me Presidentit e Republikës së Kosovës – Dr Fatmir Sejdiu-n, më 14 gusht 2008, e njoftova Atë me këtë lajm të mirë dhe njëkohësisht e ftova që ta nderojë Stubllën Krenare me vënien e gurthemelit të këtij kolegji. Ai, pa hezituar, e pranoi ftesën tonë. Edhe Kryetari i Komunës së Vitisë – Z. Nexhmedin Arifi, u gëzua me këtë lajm, sepse kështu brenda pak muajsh ç’prej se Ai na kishte dhuruar rreth gjashtë hektarë truall në lokalitetin e Stubllës të quajtur Kojzak, për realizimin e projekteve zhvillimore të Institutit Brakos, erdhi lajmi i mirë i vendimit për vënien e gurthemelit të parë, që veç tjerash është edhe garanci për hapje të vendeve të reja pune. Me këtë fakt ishim gëzuar edhe ne, sepse kështu po mbyllen gojët e zhurmaxhinjve, që thonin se nuk do të fillohet asgjë, aty në Kojzak. Edhe në Këshillin Administrativ të Stubllës në fillim kishte pak hezitime, me dyshimin se në një vend të vogël siç është Stublla, vështirë të bëhen investime të mëdha.

Presidenti i Republikës dhe Kryetari i Komunës mbërrijnë në Kojzak për të vënë gurthemelin e Kolegjit të Stubllës

Më 19 gusht 2008, në Kosovë mbërrijti delegacioni i Institutit Brakos, me këtë përbërje: Prof Dr Vera Lúcia Alves Neves, Dr Xênia Josefina Ferreira Renna dhe Natalia Alves Werneck. Ky delegacion ka pasur një agjendë të ngjeshur takimesh, krahas përgatitjeve intensive për festën e vënies së gurthemelit të Kolegjit në Stubëll, që do të bëhej më 30 gusht. Në këtë agjendë duhet veçuar sidomos takimet e përzemërta me Kryetarin e Komunës së Vitisë – Z. Nexhmedin Arifin dhe me udhëheqjen komunale të Dardanës (Kamenicës), me Ministrin e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës – Z. Zenun Pajazitin dhe me Presidentin e Republikës – Dr Fatmir Sejdiun. Që të gjithë na kanë garantuar përpjekje maksimale dhe bashkëpunim konstruktiv, në realizimin e projekteve tona në Kosovë. Ishte shumë emocional dhe i përzemërt edhe takimi me studentët që do të studjojnë në Belo Horizonte dhe me prindërit e tyre. Sidomos konstruktiv u vlerësua takimi me Ministrin e Punëve të Brendshme – Zenun Pajazitin, i cili na ka garantuar sigurinë e plotë të investimeve dhe na ka premtuar një përkrahje të përgjithshme në realizimin e projekteve tona.

Foto nga çastet e lumtura të vënies së gurthemelit

Dita e 30 gushtit agoi hareshëm në Stubëll. Agoi dita historike, që po shënon fillimin e rimëkëmbjes së Tempullit të Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë. Që në orët e hershme erdhën skuadrat e para të sigurimit të Presidentit. Në atë mëngjes historik Stubllës ia kishin mësy shumë personalitete të jetës politike, shoqërore, arsimore, kulturore e artistike, nga mbarë Republika e Kosovës. Erdhën shumë njerëz nga komunat e rajonit të Gjilanit, nga Ferizaji, nga Prishtina, nga Prizreni, nga Gjakova... Kanë ardhur të gëzojnë në këtë ditë historike në Stubëll edhe stubllas dhe miq të tyre nga diaspora.

Presidenti i Republikës së Kosovës – Dr Fatmir Sejdiu, me bashkëpunëtorët, pak mbas orës 10 ka mbërritur në Viti, ku është pritur nga Krytari i Komunës – Z. Nexhmedin Arifi dhe mbarë udhëheqja komunale. Mbasi ka bërë një vizitë kortezie në zyrën e Kryetarit të Komunës, Presidenti Sejdiu, bashkë me udhëheqjen komunale të Vitisë, rreth orës 11 kanë mbërritur në Stubëll.

Të gjithë të gëzuar

Në rrafshlartën e Kojzakut ishte gjithçka gati për vënien e gurthemelit të Kolegjit të Stubllës. Ishin mbledhur aty qindëra qytetarë, për ta pritur dhe nderuar Presidentin e Republikës dhe mysafirët tjerë, që kishin ardhur për ta madhëruar festën tonë historike. Kishin ardhur shumë profesorë universitarë, kompozitorë, shkrimtarë, gazetarë, artistë... Interesim i madh i massmediave. Pesë radiotelevizione dhe shumë redaksi gazetash kishin ardhur ta përcjellin këtë manifestim madhështor. Presidenti Sejdiu dhe Kryetari i Komunës – Arifi, me bashkëpunëtorët e tyre, janë pritur nga udhëheqja e Këshillit Administrativ të Stubllës dhe nga intelektualë të këtij vendi – Gaspër Demaj, Marjan Ramaj, Isak Ahmeti, Lluk Pera, drejtori i Shkollës Fillore “Dom Mikel Tarabulluzi” – Fran Gjergji me arsimtarët etj. Në pritje ishin edhe Drejtoria e Institutit Brakos, si dhe prijësi i delegacionit të parë kosovar në Brazil e kryetar i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Viti – Z. Musa Misini. Qytetarët e Stubllës – fëmijë, pleq e të rinj, me plot hare dhe gëzim në shpirt, i pritën Presidentin dhe mysafirët e tjerë me duartrokitje frenetike.

Gëzim i madh edhe për fëmijët

Zëdhënësi i Komunës së Vitisë – Sarë Gjergji, në emër të Këshillit Administrativ të Stubllës dhe të udhëheqjes komunale të Vitisë, ua dha fjalën protagonistëve kryesorë të kësaj dite të madhe. Së pari – Prof Dr Vera Lúcia Alves Neves, duke folur në emër të Institutit Brakos, ka thënë se ky është projekti i parë zhvillimor në kuadër të bashkëpunimit Brazil-Kosovë, që nuk do të cilësohet si ndihmë, por vetëm si bashkëpunim i mirëfilltë, për t’i mundësuar Kosovës dhe popullit të Saj të martirizuar integrimin e plotë në bashkësinë ndërkombëtare, me plot dinjitet, sepse ky popull, që ka vuajtur në shekuj por kurrë nuk është dorëzuar, e meriton këtë. Ajo tha se ky është i pari nga shumë projekte që Instituti Brakos do t’i realizojë në Republikën e Kosovës. Kryetari i Komunës së Vitisë – Z. Nexhmedin Arifi shprehu kënaqësinë dhe gëzimin, që në Stubëll, mbas 424 vjetësh, po rimëkëmbet Kolegji i Shën Lukës, që ishte Tempulli i Parë i Shkollës Shqipe në Kosovë. Ai tha se veç truallit prej rreth gjashtë hektarësh, që kjo komunë i ka dhuruar Institutit Brakos për realizimin e projekteve zhvillimore në Stubëll, Komuna do të jetë në dispozicion të përhershëm, në çdo kohë, për të përkrahur Institutin në rrugët dhe procedurat e infrastrukturës ligjore.

Sarë Gjergji i jep Presidentit dhuratat modeste e simbolike të popullit të Stubllës

Presidenti i Republikës së Kosovës – Dr Fatmir Sejdiu, në fjalën e Tij solemne, ka shprehur bindjen se ky bashkëpunim në mes qytetarëve të Kosovës dhe të Brazilit, do të kontribuojë në njohjen sa më parë të pavarësisë, nga ky vend i fuqishëm latinoamerikan. Ai ka thënë se është nder i madh dhe sukses i pashlyeshëm në histori, kjo rimëkëmbje e traditës sonë kombëtare, në fushën edukativo-arsimore, që po fillon këtu, ku funksiononte para më shumë se katër shekujsh.

Gjatë drekës me popullin e Stubllës - Presidenti i lirë dhe i dashur, me të rinj e me fëmijë

Mbas fjalës së Tij, nën breshërinë e duartrokitjeve frenetike – Presidenti Sejdiu, Kryetari i Komunës Arifi, Profesoresha Vera Lúcia, Doktoresha Xênia Josefina, Drejtori i Arsimit i Komunës së Vitisë – Fehri Qerimi dhe kompozitori i madh – Akil Koci kanë vënë Gurthemelin e Kolegjit të Stubllës, duke shënuar kështu solemnisht rimëkëmbjen  e Tempullit të Parë të Shkollës Shqipe në Kosovë. Maestro Akil Koci i ka premtuar Stubllës një shkollë të muzikës, në kuadër të këtij kolegji.

Këshilli Administrativ i Stubllës i ka dhënë Presidentit të Republikës tri dhurata modeste, por shumë simbolike: Plisin e Bardhë, librin Monografia e Stubllës dhe librin mbi Martirët Shqiptarë të Karadakut, të autorit stubllas Dom Dr Gjergj Gjergji – Gashi. Kur Preesidenti ka vënë në kokë plisin e bardhë, ndër të pranishmit kanë shpërthyer emocione të forta, me duartrokitje frenetike.

Prof Dr Vera Lúcia Alves Neves u shpall Qytetare Nderi e Stubllës

Në këto çaste festive, Këshilli Administrativ i Stubllës ka shpallur protagonisten e parë të Institutit Brakos – Prof Dr Vera Lúcia Alves Neves, qytetare nderi të Stubllës. Ajo, e kapluar nga emocionet, mbasi ka kërkuar leje nga Presidenti dhe nga të gjithë të pranishmit, ka thënë se tashmë ndjehet si kosovare e vërtetë dhe ka garantuar se Instituti Brakos do të bëj çmos që sa më parë që të jetë e mundur, të sigurojë njohjen  e Republikës së Kosovës nga Qeveria Federale e Brazilit. E emocionuar, Ajo ka thënë se atje nuk ka fëmijë natyrorë, por i ka dy bij në Kosovë – Sarë Gjergjin dhe Skënder Korçën (nismëtarët e këtushëm të Institutit Brakos), të cilëve ua ka puthur dorën.

Bukuria Speciale e Festës – Ansambli i Fëmijëve të Dëshmorëve nga Reçaku

Emocione të mëdha ndër të pranishmit kanë shkaktuar edhe fëmijët e Dëshmorëve të Reçakut, të cilët me praninë e tyre kanë madhëruar këtë festë të madhe kombëtare, në Stubëll. Ata, si profesionistë të vërtetë kanë luajtur disa valle me motive patriotike. Prania e tyre ishte simbolike edhe për faktin se për t’u vendosur dhe arsimuar në këtë kolegj, para të gjithëve do të kenë përparësi fëmijët e familjeve të dëshmorëve të Luftës Çlirimtare.

Festën tonë historike e kanë nderuar dhe madhëruar edhe ushtarakë amerikanë të KFOR-it, të cilët kanë përfaqësuar kontigjentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si të dërguar specialë nga komandanti i bazës nga Bondstili.

Në shenjë falënderimi e mirënjohjeje, një foto me ushtarakët amerikanë të KFOR-it

Ka qenë shumë domethënëse dhe emocionuese edhe prania e studentëve kosovarë, që do të shkojnë për studime në Belo Horizonte të Brazilit, bashkë me prindërit e tyre, që poashtu kanë shtuar dinjitetin dhe madhërinë e kësaj feste.

Presidenti me Familjen Krista – fqinjtë e parë të Kolegjit

Mbas solemnitetit të gurthemelit, Presidenti, me kënaqësi iu përgjigj kërkesës së Këshillit Administrativ të Stubllës, që të drekojë në mesin e popullit. Të gjithë mysafirët e ftuar dhe shumë nga qytetarët e Stubllës, u vendosën në restorantin “Jozefi”, ku u shtrua një drekë, për nder të Presidentit të Republikës dhe të Kryetarit të Komunës, me bashkëpunëtorët. Ishte një ndejë e shlirë dhe mjaft intime e Presidentit me malësorët e këtushëm dhe me intelektualë të ardhur nga shumë vise të Kosovës.

Përshëndetje e përzemërt me komandantin e Zonës së VI të TMK-së në Gjilan – Majorin Abdullah Shasivari

Këtë ndejë e kanë madhëruar edhe tingujt e ëmbël të muzikës së lehtë, të Ansamblit Vokalo-Instrumental “Fortuna” nga Stublla dhe vallet e këndshme, me motive patriotike të Ansamblit të fëmijëve të dëshmorëve, nga Reçaku.

Me këtë rast historik, në këtë ditë të madhe festive, shumë fëmijë të Stubllës janë kënaqur dhe janë ndjerë të lumtur nën përqafimin e Presidentit të Republikës – Dr Fatmir Sejdiut, i cili u ka dhënë zemër dhe shpresëmira banorëve të kësaj ane. Fëmijët i kanë dhuruar Presidentit buqeta lulesh të freskëta. Pronari i restorantit – Luz Zefi, në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi, i ka dhuruar Presidentit një kuadër portreti të së Lumturuarës Nënë Tereza.

Një falënderim i përzemërt nga populli i Stubllës u drejtohet Trupave Mrojtëse të Kosovës dhe Policisë së Kosovës, që ishin të pranishëm denjësisht dhe madhëruan këtë festë të madhe.

Nuk duhet harruar kontributin e ndërmarrjeve të Stubllës në këtë ditë të madhe, duke filluar nga ndërmarrja ndërtimore “Kristal” që përgatiti shtyllën dhe themelin, pastaj ndërmarrjet “Elektrostublla”, “Gapi”, “Gjoni”, “Panorama”, “Eurometal”, “Besa”, “Euroalbakos” dhe të tjerat, për sponsorizime.

Presidenti i Institutit Brakos duke e pritur dhe duke e përcjellur Presidentin e Republikës së Kosovës




(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora