E marte, 19.03.2024, 03:43 AM (GMT)

Mendime » Fetahu

Adil Fetahu: Deklaratë për hegjemonizimin panserb

E hene, 05.02.2018, 08:50 PM


DEKLARATË PËR HEGJEMONIZIMIN PANSERB

Nga Adil FETAHU

Karakteri i Deklaratës?

Udhëheqësit politik, shtetëror, kishtar e kulturor të  Serbisë gjithnjë kanë pasur opsesion atavist,  një lidhje të vazhdueshme të  ideve të vjetra në hartimin e programeve nacionale, si udhërrëfyes për aktivitetet  shtetërore, politike e kulturore në “mbrojtjen e të  drejtës  etnike dhe historike”, në shtrirje horizonale në hapësira të gjëra, dhe në shtrirje vertikale në thellësi historike. Ato programe duhet të shërbenin për unitetin shpirtëror, politik, fetar, kulturor dhe mobilizimin e serbëve, kudo që ata ndodhen. Dihet programi  i Ilija Garashaninit “Naçertanije” (1844), për Serbinë e Madhe, pastaj “babai” i kulturës dhe alfabetit serb, autodidakti Vuk S. Karaxhiq, e kishte hartuar programin: “Serbët, të gjithë dhe kudo” (1896). Në vitin 1915, Stanojeviq shkruante: “Në popullin serb përherë është ditur dhe ndier, se shteti i lirë serb mbanë lidhjet dhe kujdeset për ata serbë që janë “të robëruar”, që ai gjithnjë të kujdeset për ta dhe se gjithnjë do të punojë për t’i çliruar ata…”. Vijnë pas tyre varg e vi  shumë programe e projekte tjera nacionaliste serbe, të publikuara e të papublikuara, deri te Memorandumi i AShA të Serbisë (1986),   që ishte detonatori i ndezjes së  katër luftërave dhe shkaktar i shkatërrimin të përgjakshëm të Jugosllavisë,  si dhe “Programi (serb) për realizimin e paqes, lirisë, barazisë, demokracisë dhe prosperitetit në KSA të Kosovës” (1990).

“Babai  i kombit” serb, Dobrica Qosiq (1992) deklaronte: “Intelektualët serbë  gjendën para sfidës historike, të shpalljes së një programi të ri nacional”, ndërsa kolegu i tij nga Akademia e Shkencave të Serbisë, Vasilije Krestiq  thoshte: “Programet nacionale janë   ‘acta secreta’ (akte të fshehta), të cilat duhet t’i dijnë vetëm udhëheqja më e ngushtë” (1992). Filozofi serb Mihajllo Markoviq sugjeronte: “Programi nacional është vepër e disa personaliteteve të urta përgjegjëse, nga radhët e intelektualëve dhe të politikanëve” (1994).

Kryetari aktual i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, nuk di a po pretendon të jetë në rolin e “babait” apo “birit” të kombit (“babai i kombit”, gjithëherë merret në konotacion negativ, ndërsa “biri i kombit” ka konotacion pozitiv),  veçse vitin e kaluar inicoi dy nisma, që mund të karakterizohen si programe aktuale  nacionale serbe.

Pas fillimit të “Dalogut të brendshëm për Kosovën”, të cilin e inicoi Vuçiq, më 24 korrik 2017, vetëm dhjetë ditë më pas (4 gusht), u inicua një nismë tjetër: hartimi i Deklaratës për mbijetesën e popullit dhe  të kombit serb.

Sikur që çdogjë në Serbi bëhet në koordinim  me Kishën Ortodokse Serbe, edhe inicimi i Deklaratës u bë me bekimin dhe pjesëmarrjen aktive të kreut të shtetit dhe atij të Kishës, Alleksandar Vuçiq, e patriarkut Irinej, ku përbërja do ishte e magët po të mos ishte  aty edhe ai kryemadhi i të ashquajturës “Republika Sërpska”, Millorad Dodik. Në atë takim ishin ftuar dhe morën pjesë përfaqësuesit e diasporës së serbëve të rajonit e më gjerë, përveç përfaqësuesve të serbëve të Shqipërisë!

Një ditë para se në Kroaci ta  shënohej 22-vjetori i  aksionit “Oluja” (shq. Stuhia), kur forcat kroate çliruan Kninin dhe zhbënë të ashtuquajturën “Republika srpska krajina” (shq.Republika Krajina Serbe),- me organizimin e strukturave shtetërore, kishtare e të tjera, në kryeqytetin e Vojvodinës (Novisad), u mbajt një protestë  komemorative “popullore”, në shenjë kujtimi të shpërnguljes së serbëve nga Krajina e Kroacisë (5 gusht 1995).  Para se të fillonte protesta, kreu i shtetit dhe ai i kishës, bashkë me kreun e serbëve të Bosnjes, në një takim me dijasporën serbe, në ndërtesën e Kuvendit të qytetit të Novisadit, u morën vesh për hartimin e Deklaratës për ruajtjen e ekzistencës së popullit dhe të kombit serb.  Nuk ishte zgjedhur rastësisht Novisadi që aty të mbahej protesta dhe të inicohej Deklarata për mbrojtjen e kombit serb, sepse aty janë grumbulluar numri më i madh i ardhacakëve agresivë nga shpërnguljet e serbëve prej Kroacisë dhe Kosovës. Pasi u morën vesh për Deklaratën, të gjithë sëbashku dolën dhe iu bashkuan protestuesve, që me retorikën e tyre të ngritin temperaturën politike midis Beogradit e Zagrebit, dhe jo vetëm midis tyre, e cila edhe ashtu nuk është shumë e ultë.

Pas takimit në Novisad, megafoni i atij takimi, gllavonja (kryemadhi) i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, në intervistën dhënë mediave serbe, deklaroi: “Jashtë dy shteteve serbe, në rajon jetojnë  1.750.000 serbë, dhe se ata janë në rrezik të asimilimit  e ta humbin identitetin serb, prandaj kjo Deklaratë nuk është ndonjë projekt për Serbinë e Madhe, veçse do të jetë program nacional për shekullin 21. Qëllimi ynë është që në fillim të këtij shekulli ta kemi një dokument që do t’i qëndrojë kohës e t’iu mbetet pronë gjeneratave serbe kudo që të jenë, si orientim për veprim nacional e politik. Shekullin e kaluar serbët mund ta shpallin si shekulli i viktimizimit, gjë që duhet të na shërbejë si vërejtje dhe obligim për t’iu shmangur viktimizimeve të reja dhe njëkohësisht të forcojmë identitetin tonë kombëtar dhe kapacitetin e shteteve tona nacionale – Serbisë dhe Republika Sërpska”.

Kështu, Dodiku haptas dhe publikisht deklaroi shkëputjen e entietit serb nga Federata e Bosnje-Hercegovinës, gjë që është në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit, dhe që destabilizion rajonin dhe rrezikon paqen.

Dr. Borisav Joviqi, funksionar i lartë serb në regjimin e Titos, në librin e tij më të ri: “Kako su Srbi izgubili vek” (Si e humbën Serbët një shekull), botuar 2016, pasi shkruan për ‘viktimizimin njëshekullor’, duke ngritur shumë çështje në stilin serb të lamentimit, insiston në “hapjën e një dialogu panserb, si rrugëzgjidhje të katarsit nacional në ballafaqim historik, në rrugën e kohës së humbur, në mënyrë që të mos e humbin edhe shekullin e filluar”.

Fillimisht, kur u paralajmërua hartimi i Deklaratës, ishte thënë se me te do të përcaktohen: 1) e drejta e përdorimit të gjuhës serbe dhe alfabetit çirilicë; 2) e drejta e mësimit dhe kultivimit të kulturës serbe; 3) e drejta e mësimit të historisë dhe kultivimit të traditës historike dhe të lirisë së popullit serb; 4) e drejta e mësimit të gjeografisë nacionale (?); 5) e drejta e ruajtjes dhe mbrojtjës së trashëgimisë kulturo-historike të popullit serb në hapësirën kulturore;  dhe 6) e drejta për informim në gjuhën serbe. Në grupin e ekspertëve për hartimi e Deklaratës ishin caktuar: prof.dr.Lilana Markoviq, dekane e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Beogradit, prof.dr. Sima Avramoviq, profesor i Fakultetit Juridik, prof.dr Mirko Vasileviq, nga i njëjti Fakultet, Dragan Staniq, kryetar i Amëzës Serbe, në Novisad, dhe ekspertë tjerë të sllavistikës, të kishës dhe të fushave tjera, nga Serbia dhe nga “Republika Sërpska”. Punën e grupit të hartuesve do ta koordinojë Kabineti i Kryetarit të Serbisë, konkretisht  Nikolla Sellakoviq, sekretar i përgjithshëm i kryetarit Vuçiq.

Ka qenë paraparë që Deklarata të promovohet e shpallet më 1 nëntor 2017, në 100-vjetorin e bashkimit të Vojvodinës me Serbinë, pastaj u shty për 1 dhjetor 2017, në 99-vjetorin e formimit të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, dhe me që  as kjo  nuk u realizua,  tash, po flitet se pasi që ta miratojnë Kuvendi i Serbisë dhe ai i “Republika Sërpska-s”, të shpallet më 15 shkurt 2018,  që lidhet me njëfar date të mitologjisë serbe që quhet “Sretenje” (Takimi), të cilën, prej vitit 2002, e kanë caktuar edhe si ditë e shtetësisë së Serbisë, pasiqë atë datë (15 shkurt 1804) ka filluar kryengritja e parë serbe kundër Perandorisë Osmane, ndërsa më 15 shkurt 1835 në Kragujevc është miratua njëfar “Sretenjski ustav” (Kushtetuta e “Sretenjes”),  pasi Perandoria Osmane ia ka dhënë Serbisë njëfar statusi të principatës, prej kur Serbia në kontinuitet ka bërë spastrimin etnik të qytetarëve joserbë, e që mori hov me shpërnguljen në mënyrën më brutale e mizore të  Shqiptarëve autoktonë nga Sanxhaku i Nishit (1878).

Me qenë se paralelisht me Deklaratën për mbrojtjen e popullit dhe të kombit serb, në Serbi është duke u zhvilluar i ashtuquajturi “Dialogu i brendshëm për Kosovën”, duket se edhe vonesa e shpalljes së Deklaratës lidhet me këtë dialog. Sepse, është paraparë që dialogu i brendshëm të përfundojë në muajin shkurt (2018), dhe pasi t’i mbledhë të gjitha mendimet, sugjerimet, opsionet dhe propozimet prej atij dialogu, kryetari i Serbisë të del publikisht (apo në Kuvend), me një propozim të tij për çështjen e Kosovës.

Në ndërkohë, kryetari i entitetit serb të Bosnjës, Millorad Dodik, tash thotë se Deklarata do të quhet Aneks-Marrëveshjes së lidhjeve paralele midis Serbisë e Republikës Sërpska, e cila është lidhur së pari në vitin 2001, e pas ndarjes së Malit të Zi nga Serbia (2006), është rilidhur në korrik të vitit 2007.

Çfarë efekte do të ketë Deklarata për mbrojtjen e kombit serb?

Pavarësisht se çfarë është publikua fillimisht apo në ndërkohë për qëllimet e Deklaratës, nëse miratohet në kuvendin e shtetit,  mund të thuhet se ajo do të jetë një dokument orientues politik e juridik i shtetit, i politikës, i kishës, i diplomacisë, i shkencës dhe i kulturës së shtetit e të popullit serb, se si të sillën e veprojnë në të ardhmën, gjoja për mbrojtjen e identitetit, gjuhës, kulturës, traditës, trashëgimisë serbe në vendet ku ata jetojnë jashtë Serbisë.

Askush nuk po e rrezikon diasporen serbe, as nuk po ua mohon të drejtat elementare të përcaktuara me standardet ndërkombëtare: gjuhën, kulturën, traditën, tashëgiminë. Bile, janë  qytetarët më të privilegjuar në krahasim me diasporat dhe minoritetet tjera. Por këta kërkojnë diçka që nuk iu takon sipas asnjë standardi. Çka do të thotë, “mësimi i gjeografisë nacionale”, që përcakton Deklarata,  apo rritja e kapacitetit të shtetit serb, që e potencon Dodiku? A s’është ky pretendim mbi territoret e shteteve fqinje dhe formimit të Serbisë së Madhe?!

Inicimin e Deklaratës e kanë kritikuar kundërshtarët politik të regjimit aktual, sado që shumica prej tyre janë edhe më të këqij se vet regjimi,  po edhe qarqe tjera, duke theksua se askush nuk po ua rrezikon gjuhën, alfabetin, kulturën. Ata thonë se pushteti aktual, me Deklaratën e inicuar, po përpiqet të fitojë simpati dhe poena politikë, dhe po ia  tërheqë vëmendjen popullit nga problemet e përditshme. Vuçiqi me këso iniciativa: Dialogun e brendshëm për Kosovën  dhe Deklaratën për mbrojtjen e popullit dhe kombit serb, po e promovon vetveten si lider i serbizmit, si  mesii, shpëtimtar e “nestor”  i të gjithë serbëve në rajon e më gjerë, si një trashëgimtar i dinastisë së Nemanjiqve (për këtë dinasti  edhe po xhirohet një serial televiziv në Serbi).

Në mentalitetin “tariguz” serb, që moti është moto e tyre se “ku është një serb, apo një vorr serb, aty është Serbi”! Ata manipulojnë për qëllime politike, hegjemoniste e nacionaliste, duke mbledhur të gjallët e të vdekurit. Në vitin 1989,  i shetitën eshtrat e princ Llazarit, duke iu kënduar “tallkinin” nëpër kisha e qendra të ndryshme  anembanë ish-Jugosllavisë! Nga diaspora (nga Britania e Madhe) e kthyen trashëgimtarin e fronit mbretëror, Aleksandar Karaxhorgjeviqin, ndërsa nga Amerika e sollën  Millan Paniqin, një biznismen amerikan nga Kalifornia, e bënë kryeministër të Jugosllavisë së cunguar, dhe kur e vërejtën se nuk do të jetë në shërbim të synimeve të tyre, e përzunë andej nga kishte ardhur, duke e etiketuar si spiun amerikan.

Duke e mitizuar diasporën, serbët përpiqën ta shërojnë kompleksin e kombit të vogël, duke pretenduar krijimin e Serbisë së Madhe, me të gjithë serbët e  gjallë e të vdekur, brënda e jashtë Serbisë. Në këtë projekt, Kisha Ortodokse Serbe, gjithandej ku ka serbë nëpër botë, ka luajtur dhe luan rolin më të madh në ruajtjen e identitetit, homogjenizimit, ideologjisë e politikës hegjemoniste serbe, e më së paku merret me çështjet që i përkasin kishës në një shtet laik.

A do të jetë kjo Deklaratë një projekt i ri për Serbinë e Madhe, apo një Memorandum i ri, pak ma ndryshe nga ai i Akademisë së Shkencave të Serbisë, i vitit 1986, që u bë detonator për shpërthimin e luftërave dhe shkatërrimin e përgjakshëm të Jugosllavisë, mbetet të shihet. Teksti autentik i Deklaratës nuk është publikuar akoma. Ata thonë se teksti është përgatitur, veçse nevojitën edhe ca korrigjime të vogla, para se t’iu dërgohet kuvendeve për miratim.  Sido që të jetë, konturat e saj janë dhënë në gjashtë pikat e përmendura më sipër, dhe ato sugjerojnë se çka do të përmbajë teksti. Në kohën e komunizmit, kur shqyrtohej ndonjë raport apo material tjetër, dikush nga udhëheqësit kishte thënë: “Materialin nuk e kam lexua, veçse kam vërejtje të shumta dhe serioze në te”!  Aludimi është i qartë.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora