E premte, 03.02.2023, 02:36 PM (GMT)

Kulturë

Kadri Tarelli: Isuf Luzaj vjen në letrat shqipe

E merkure, 31.01.2018, 07:11 PM


FILOZOFI ISUF LUZAJ, VJEN NË LETRAT SHQIPE

Nga Kadri Tarelli

Më në fund Isuf Luzaj hyn në Shqipëri nga “dera ballore” e jo nga “dera e fshehtë”. Kështu shprehet dikush, kur ka parasysh ç’është bërë dhe çdo të bëhet në ditët në vijim, për këtë figurë të ndritur të mendimit filozofik dhe të letrave shqipe. Nuk më takon të bëj vlerësimin e këtyre fjalëve, që kanë brenda shumë dhimbje, trishtim e shumë të panjohura, që dalin vrrullshëm nga një shpirt i lënduar, i munduar dhe i trazuar dhunshëm. Ngacmimi, më mirë cimbisja, të çon drejt pyetjeve që dalin nga gryka e thesit të të panjohurës, të habisë, të ulërimës, të pabesisë, paburrnisë dhe mërzisë:

. Kush është Isuf Luzaj, shqiptari nga Kanina, i shpallur si një ndër shtatë filozofët më të mëdhenj të shekullit XX. Atë që e nderuan me tituj nderi, dy ish president të SHBA, Ronald Regan dhe Bill Klinton, njëkohësisht i dekoruar më parë me medalje të artë në Argjentinë dhe që, pati ndrin ta takojë vetë ish presidenti i Francës Sharl De Gol?

. Si është e mundur që, dy kundërshtarë të “Egër” në mendim, në filozofi dhe pikpamje mbi komunizmin, si Zhan Pol Sarter dhe Pablo Neruda, të jenë edhe miq shumë të mirë me mendimtarin tonë I. Luzaj?

. Pse Isuf Luzaj u shpall armik, i dënuar me pshkatim, në mungesë, nga Enver Hoxha. Ky atdhetar i dënuar nga mbreti Zog, i dënuar dhe intrenuar edhe nga italianët, sepse me armë i priti në vlorë. Ç’kishte bërë vallë, që ky burrë i mençur, i dipllomuar në Sorbonë, të përqafohet nxehtësisht në Konferencën e Mukjes, nga Mustafa Gjinishi, Ymer Dishnica dhe Mustafa Kaçaçi, si delegatë e përfaqësues të Frontin N.Çl.?

. Mirë Enveri e kërkoi ta eliminonte, meqë ishin shokë në Paris, kolegë në “Liceun” e Korçës, kur vetë ishte pa dipllomë, ndërsa Isufi me dy doktoratura, të dy kundërshtarë në luftë, njëri me Partinë Komuniste dhe tjetri me Ballin, po Stalini ç’pati që nga Rusia. Nuk i mjafuan milionat e rusëve të vrarë, po deshte edhe gjak shqiptari?

. Ç’ mallkim na ndjek ne shqiparëve, që lufta e klasave vazhdon në heshtje edhe pas rrëzimit të komunizmit dhe mohojmë vlerat e racës sonë? U desh ndërhyrja këmbëngulse e shkrimtares së njohur Vilhelme Vranari (Haxhiraj), për gati 17 vjet, (2000 - 2017), që Isuf Luzajt t’i jepeshin nderimet e duhura nga strukturat shtetërore: “Mjeshtr i madh” dhe “Nder i Kombit”?

. Pse tek ne nuk u fol kurrë një fjalë për këtë atdhetar të zjarrtë dhe mendimtar të njohur, që i përket të gjithë botës, jo vetëm shqiptarëve? Apo, sepse ishte kundërshtar i Fashizmit, Nazizmit, Marksizmit dhe Komunizmit?

Kam përshtypjen, se kjo pyetje e fundit, tingëllon si e tepërt, kur ne bashkëkohësit e dimë që, shumë nga figurat tona u dënuan, apo u lanë në heshtje, duke ngitur dhe mburrur heronjtë e botës, disa armiq të shqiptarizmës, siç ishte Stalini, Miladin Popoviçi, etj, madje edhe me buste e shtatore në sheshet e qyteteve tona.

Me kaninjotin Isuf Luzaj, filozof, profesor, poet e studjues kaq famëmadh në botë, u njoha shumë vonë, ashtu si edhe shumica e shqiptarëve. Në vitin 2015, rastësisht në një bisedë me Sazan Bitraj, ish drejtor i Shtëpisë së Pionerit të Durrësit, kur po fliste për një festival fëmijësh në Prevezë të Greqisë, zhvilluar më 1989, më përmendi edhe takimin e papritur në Janinë, me Isuf Luzaj. Më pas unë botova shkrimin, “Unë takova filozofin Isuf Luzaj. (1) Me deshirë të mësoja më shumë, hyra në internet, gjeta diçka, por nuk u ngopa. Të dhënat ishin fragmentare dhe të cunguara.

M’u plotësua kureshtja, vetëm kur mora në dorë librin “Rrugëtimi filozofik i prof. Dr. Isuf Luzaj”, të autores Vilhelme Vranari (Haxhiraj), me pseudonimin e goditur “Vivra”. Aty u njoha, së pari me analizën filozofike të veprës “Ekzistenca dhe boshësia”, e cila ëshë vetëm njëra nga të 120 libra të filozofit tonë.

Nuk kam ndërmend të analizoj veprën, pasi nuk do mund t’i afrohem autores Vivra. Le t’u mbetet pedagogëve të katedrës së Filozofisë dhe studentëve, që kanë zgjedhur të jenë pjesë e “Filozofisë”, si shkalla më e lartë e mndimit njerëzor. Veç dua të theksoj guximin e studjueses, për të hyrë në kështjellën e Filozofisë, që është tepër e vështirë. Ajo me çiltësi e përmend, se ju deshën plot gjashtë vjet ta përfundonte studimin, duke mbajtur një premtim që i bëri vetes: “Më fal Profesor, më fal! Sa keq më vjen… që s’të njoha dot më parë!”

Nëse pjesa e parë e librit të mundon dhe nuk e përtyp lehtë, pasi duhet të hysh nëpër mendimin filozofik gati të të gjitha kohëve dhe qytetërimeve, dy pjesët e tjera janë më të lehta për t’u lëçitur e përthithur. Veçanërisht interesante është pjesa e tretë, ku ka një intervistë të gjatë të realizuar nga Vehbi Bajrami. Aty gjejmë shumë të dhëna historike, të jetuara, të pa thëna e të panjohura më parë. Kjo përbën edhe një vlerë më shumë për librin dhe autoren.

Gjatë leximit më bënë përshtypje shumë ide, apo thënie të filozofit tonë të ditur e të ndritur, të cilat përfshijnë një hapsitë të gjërë të veprimtarisë atdhetare, filozofike, artistike, pedagogjike, politike e deri tek stili dhe moda. Të gjitha janë visare mendimi dhe këshilla të vyera për jetën dhe atdhetarinë. I lumtur, do të thosha i pasur është ai që, i njeh, i përvetëson dhe i zbaton.

Unë kam përzgjedhur disa, ndërsa lexuesi mund të gjejë edhe plot të tjera, në këtë minierë xhevahirësh:

. Tri dashuritë e mia: Dashuria për atdheun, dashuria për librat, dashuria për shkrimin.

. Pavarësisht se cila qeveri drejton, shtetasit apo qytetarët, duhet të respektojnë dhe të zbatojnë ligjet dhe jo ta shohin bardhë e zi, siç ndodh rëndom sot…

. Kështu ndodh me gjenitë: jetojnë çdo ideal, që e mendojnë pa u përmbajtur prej moskuptimit të të tjerëve, pa humbur kohë në të diskutuar me ata, që nuk e kanë menduar.

. Shpesh, ligjet e natyrës bashkohen me mediokritetin, kundër gjenive dhe fiton shumica.

. Qytetërimin nuk e kanë ndërtuar masat proletare, por e kanë krijuar gjenitë individuale, të pajisur me mbindërgjegje.

. Gjeniu është talenti, që prodhon i pari krijesën orogjinale të ngjitjes së ekstazës, pa vënë fre, regulla e rregullore, ashtu siç nuk i vihet ligj valës së detit.

. Vetëbesimi në vetvete është një ngritje e temperaturës sonë morale. Kur arrin në të kuqen e gjallë, konvertohet në besë, që bën të gufojë e të shkapërderdhet vullneti, me shtytje stuhie polare.

. Një gjellë, që nuk e ke shijuar kurrë, nuk të shkon mendja ta gatuash, se nuk ia njeh shijën.

. Historikisht është vëzhguar, se kurrë dhe askund, regjimet totalitare nuk sjellin përparim, mirëqënie ekonomike, politike dhe zhvillime mendore.

. Perfeksioni ideal i stilit në të gjitha artet, qendron në të edukuarit të shprehjes me mendim, në mënyrë të tillë, që shpërfaqja e ideve të mos jetë e përlyer, kur e mbulon ndjenja e zemrës.

. Stili është dhunti individuale, që nuk mësohet prej të tjerëve.

. Në shprehitë e një artisti, ka aq stil, sa karakter ka në personalitetin e tij.

13. Është pikërisht stili, ai që na krijon mundësinë, për të njohur autorin në një vepër, pa pasur nevojë që ai ta nënshkruajë atë.

. Modelet dhe rregulloret mësojnë vetëm të shprehin korrektësi drejtshkrimi, por ato mohojnë stilin original.

. Ai që kombinon fjalë, ngjyra, tinguj ose vija, për me shpreh atë që s’e ndien ose s’e beson, nuk ka stil, nuk mund të krijojë modë.

. Arti i të shkruarit nuk ka shkëlqim, veçanërisht kur kujdeset të përkëdhelë veshin, apo të gabojë arsyen me sofizma të tërthorta.

. Dituria dhe artet nuk janë monopole të askujt.

. Politika është si femër me dy fytyra. Përpara ka fytyrë të dhimsur nëne, kurse pas, ka fytyrë të një vashëze të përdalë e të papërgjegjshme.

. Disa politikanë e nderojnë politikën, kurse shumica i venë njollën e zezë të turpit, politikës dhe kombit.

. Liria është oksigjeni i shpirtit. E çmojmë vetëm kur na mungon.

. Koha më e përshtatshme për të ndikuar në karakterin e një fëmije, është 100 vjet para se ai të lindë.

. Trishtimi më thosh mirëmëngjez dhe natën e mirë, kur në klasat e mia nuk kisha shqipot dhe shqiponjat e racës sime.

. Objektivi fisnik i mësonjësit është: jo të ndajë me nxënësit diturinë e tij, por të mprehë inteligjencën te ai, që të aftësohet me këmbët e veta në fushën e diturisë.

. Pasuria më e madhe, që njeriu mund t’i dhurojë rinisë së atdheut të tij, është një shembull martiri, si hero ideje dhe hero mendimi, pa njolla interesi.

. Opinioni popullor është gënjeshtra në duar të ambiciozëve të verbuar. Është e turpshme, që nxënësit të provojnë blozën e politikës, që në moshë të njomë.

. Puna dhe kultura janë vijat e Ugarit, ku mbillet fara që quhet kombësi. Është fantazmë çdo shpresë, që s’mund të vihet në veprim dhe shterpë çdo energji, që s’frymëzohet nga një ideal.

. Nëse njeriu s’bën keq se ka frikë nga ligji, ai s’është njeri i ndershëm. Nëse nuk bën keq, se ka frikë nga zoti, ai njeri nuk është i ndershëm. Por nëse njeriu nuk bën keq, pavarësisht nga dy gjykatësit, atëherë ai njeri është virtuoz, mëse i ndershëm.

. Te individi duhet të mishërohen tri gjëra: Jeta, inteligjenca dhe dashuria.

. Përtej së mirës dhe përtej së ligës, qëndojnë: poeti, filozofi, shenjtori dhe profeti.

. Gabimi në filozofinë e pedagogjisë së sotme, qëndron: I mësojnë nxënësit dhe të rinjtë, të zhdukin krimet, në vend që t’i mësojnë, se si të krijojnë virtute. 

Durrës më 26. 01. 2018

1. Shkrimi “Unë takova filozofin Isuf Luzaj”, është publikua në disa gazeta dhe portale elekronike: “Telegraf”, “Dielli”, “Shekulli”, “Fjala e lirë”, “Zemra shqiptare, “Lidhja e Prizrenit”. 22. Shkurt. 2016.

 



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora