E enjte, 09.02.2023, 06:41 AM (GMT)

Kulturë

Ryzhdi Baloku: Vepër që provokon për shumëçka

E hene, 29.01.2018, 08:38 PM


VEPËR QË PROVOKON PËR SHUMËÇKA

Sejdi Berisha:"Përtej shkrimit", botoi "Club Kultura, Pejë",2013.

Nga Ryzhdi Baloku

Libri "Përtej shkrimit", është një përmbledhje me punime të zhanreve të ndryshe letrare të shkruara në periudha të ndryshme kohore nga autori Sejdi Berisha si dhe me një sërë shkrimesh të përzgjedhura që të tjerët ia kanë kushtuar krijimtarisë së tij, apo edhe vetë atij në cilësi të krijuesit, në të cilat i shpërfaqin mendimet e tyre në trajta të ndryshme, si: përshëndetje, urime, përgëzime, falënderime, komente, opinione, biseda, intervista, vështrime, analiza, recensione, madje edhe shkrime të thurura përmes vargjeve poetike etj.

Në pjesën hyrëse të këtij libri, autori Sejdi Berisha, e vë në dukje dashurinë që  ka për krijimtarinë letrare, me ç’ rast thotë: "...Qysh në vegjëli, por edhe gjithnjë, tërë jetën jam përpjekur që njerëzve t’ua bëj jetën të lumtur, me aq mundësi e fuqi që kisha dhe që kam edhe tani. Kjo ishte dhe ka mbetur thesari, kënaqësia, ushqimi im shpirtëror dhe pasuria ime më e madhe, të cilat gjëra, më duket se i kam përjetësi, mu si shtatoren e atij njeriut i cili nuk ekziston, por që botën e soditë nga një lartësi që askush nuk e sheh, askush s'e dikton...", e që nga ky mendim mund të konstatohet se tërë ndjesinë shpirtërore të cilën e posedon, ai e bart në krijimet e tija letrare, si një thesar kreativ e intelektual i cili do t'iu shërbejë lexuesve.

Shkrimet në këtë vepër të larmishme prej 504 faqesh të ndarë në 11 kapituj, mund të lexohen edhe si të pavarura nga tërësia e librit, varësisht nga zhanri, dhe temat që u pëlqejnë lexuesve.

Ese me ngarkesë të pasur kuptimore dhe filozofike

Shkrimtari dhe publicisti Sejdi Berisha e nis librin e tij me shkrimin eseistik të shkruar në vitin 2003 me titull "Ikja e shkrimtarëve", kushtuar (pas vdekjes) krijuesve: Mehmet Kajtazi, Ali Olloni, Ali Sutaj, Ali Musaj, Mirko Gashi, Anton Pashku dhe Zejnullah Halili.

Për shkrimtarin Mehmet Kajtazi, autori, pos tjerash shkruan: "Tani, nuk e di, ...iku apo u preh përgjithmonë në një copë toke kryeneçe. Ishte një varrim modest, ndoshta ashtu e pëlqejnë të gjithë krijuesit, ...", ndërsa për Ali Ollonin, thotë:"Ikja e këtij shkrimtari, ishte pak sa e çuditshme. Porosia e tij për varrimin modest të tij dhe pa praninë e qytetarëve, sikurse hap plagë të reja, të cilat u shtohen të tjerave që akoma as nuk kemi tentuar t'ua gjejmë ilaçin. Është kjo modesti e shkrimtarit për qetësinë e përhershme, apo, protestë për jetën, për krijimtarinë, për mospërfilljen, ...për shembjet".

Vijimësinë e këtij shkrimi-ese, autori e ndërlidh me një ngjarje shqetësuese, por pa pasoja fatale që iu kishte ndodhur në familje, për të vazhduar më tutje me përkujtim të shkrimtarit të ndjerë Ali Sutaj, të cilin krijuesi Sejdi Berisha në moshën e fëmijërisë e kishte pasur mësues, për t'i bashkërenditur në këtë ese pastaj edhe poetët e ndjerë: Ali Musaj, Mirko Gashi, Anton Pashku dhe Zejnullah Halili.

Nga analiza e përmbajtjes së kësaj eseje, shihet se ideja e këtij shkrimi përçon një mesazh në trajtë revolte me ngarkesë të pasur kuptimore dhe filozofike. Esenë autori e rrumbullakos me monologun e gjuhës figurative, duke e përkujtuar amanetin e Faik Konicës  "për dy metra tokë në atdhe!", me qëllim që mandej ta përfundojë me një aforizëm kinez nga Ming Çu: "T'i duash njerëzit e aftë e të talentuar dhe mos t'i nderosh ata, është sikur t'i thërrasësh në gosti dhe t'ua mbyllësh portën për të mos i pranuar".

Në kuadër të këtij kapitulli, ku janë sistemuar dhe renditur edhe trembëdhjetë  tituj tjerë, autori Sejdi Berisha, i qaset pothuajse në njëjtën mënyrë edhe shkrimeve pasuese në të cilat godet me një ton sarkastik dhe dozë zemërimi si me rastin e ikjes nga kjo jetë të aktorit Istref Begolli, të paraqitur në esenë "Harresa shqiptarçe, smira apo nënçmimi", ku në mes tjerash shkruan: "Athua, gjithnjë po u dashka të vdiset, e pastaj për t'u kthyer me kali të bardhë në kujtesën dhe letrat e në mendjen e njerëzve, së pari atyre të artit, të kulturës dhe përgjithësisht të historisë sonë. Po çfarë i duhet kjo Istrefit dhe Istrefave të tjerë?!".

Pos eseve të përmendur, në këtë kapitull janë sistemuar edhe ata për skulptorin Agim Çavdërbasha  dhe piktorin Ibrahim Kodra që me punën e tyre kanë lënë një thesar të çmuar të krijimtarisë në artin figurativ, mandej për nënë Ajshe Gërvallën e Dubovikut dhe dy bijtë e saj, Jusufin dhe Bardhoshin etj.

Shkrime me gjuhë të pasur artistike, tone qortuese e satirë fshikulluese

Në kapitullin e dytë të radhës prej njëzetedy titujsh, autori Sejdi Berisha, i ka radhitur shkrimet e tija në trajtë përkujtimesh, kushtuar personaliteteve të caktuara, të cilët me punën dhe veprat e tyre kanë lënë gjurmë pas vete.

Në këto shkrime ai përdorë një gjuhë të pasur artistike, të ndërthurur me tone qortuese e satirë fshikulluese, kundruall indiferencës, shpërfilljes dhe neglizhencës si dukuri shoqërore, të shpërfaqura ndaj personaliteteve të caktuara të cilët gjatë jetës dhanë një kontribut të çmuar me punën e tyre. Këtë kapitull e nis me esenë "Vdekja, shpeshherë nuk është normale...!", kushtuar akademik Musa Haxhiut, për të cilin në mes tjerash thekson: "Është shprehi mbase edhe sëmundje e shoqërisë se nami i njeriut dhe vlera e tij sikur shtohet kur ai ikën përgjithmonë, dhe sikur kjo tërthorazi na gëzon për varfërimin e bagazhit kombëtar me njerëz të mendjes dhe shkencës, me njerëz të mirëfilltë të majave të diturisë e përmes të cilëve afirmohet dhe njihet kombi dhe vendi kudo në botë. Kjo, kur mendojmë pakëz më thellë, sikur duket e mjerë, dhe është e mjerë, apo edhe ligatinë, shërimin e të cilës nuk e kërkojmë dot.", ndërsa në esenë kushtuar aktorit Faruk Begolli, shkruan: "...ky artist i llojit të veçantë, i cili gjithnjë ishte në radhën e yjeve të rrallë, ka mundur edhe më tej të ngjitet shkallëve të së madhërishmes skenike, por i cili edhe ende nuk është kuptuar plotësisht si emblemë dhe si ikonë e rrallë e kulturës", kurse në esenë kushtuar Bekim Fehmiut, shprehet: "Ti, Bekim,... mbledhësi i puplave,... gjithnjë ke qenë pjesë e mendjes të secilit, sepse, je dhe ke mbetur pjesë e historisë së artit skenik dhe filmit të botës. Ke mbetur histori e pashpjeguar deri në fund të fundit tënd kombëtar, të cilën, kujtoj se nuk ta kemi çmuar aq sa duhet, as nuk ta kemi bërë mall, por as nuk e kemi vënë në kandar vlerën aq të madhe prej aktori me përmasa botërore", për ta vazhduar më tutje mendimin e tij me një ton qortues, thotë: "Sikur askujt nuk ia ndjeu për të gjitha ato që i tregove në dyzet e katër realizime filmike, por edhe lëvizjet, takimet dhe me sjelljet tuaja kudo ishe,... për të gjitha ato që i tregove edhe përmes heshtjes".

Për dukuritë, që në një mënyrë e kanë kapluar shoqërinë kosovare si tërësi në raport me krijimtarinë letrare, shkrimtari dhe publicisti Sejdi Berisha e shpreh revoltën e tij edhe në shkrimin tjetër kushtuar poetit Mehmet Bobi, me të cilin kishte bashkëbiseduar më një rast. Për atë bisedë thotë: "Unë i bëra kompliment se vargu i tij është i mprehtë dhe ka zë, i cili edhe i dëgjohet larg por edhe i cili lë gjurmë të pashlyeshme. Megjithatë, kjo sikur nuk i bëri përshtypje dhe më tha:

-Ka qenë kjo dikur! Nuk ia vlen të shkruash. Por, edhe nëse shkruan, çfarë...".

Shkrimin tjetër të këtij kapitulli, autori i këtij libri ia kushton krijuesit Din Mehmeti, i cili ndërroi jetë në vitin 2010, duke lënë gjurmë të thella në poezinë shqipe. Esenë e titullon "Njeriu i mendjes, Bacloku ynë...!".

Dialogun me këtë krijues, autori e vijon: "...fillojmë bisedën. Së pari flasim për aktualitetin në vendin tonë që po përpëlitet me statusin dhe fatin e tij, por si mish dhie fusim edhe temën e krijimtarisë letrare. Flasim me admirim, por edhe me maturi, sepse, sot punës intelektuale sikur i ka dalë boja", për të     vazhduar më tutje me një konstatim në trajtë monologu: "Por, ç'ë do. Puna intelektuale, libri, rri galuc në shoqëri. S'ka vlerë. Njësoi si lypsit, të cilit tërë ditën askush nuk ia lëshon një cent në dorë, kurse duart i bëhen valë nga acari e këmbët i bëhen cung nga bredhjet". Për ta shpjeguar më tutje rrëfimin e tij, ai vazhdon: "I them se ka radhitur shumë vepra të cilat e stolisin letërsinë kombëtare. Ai, më shikon duke i picërruar sytë dhe sikur donte të nxirrte nga mendja ime, apo, dëshironte të më dëgjonte mendimin tim vijues.

- Ani, çka. Sa para vlen kjo?!

- Ndoshta nuk është ashtu - i them duke pritur përgjigjen hidhërake të tij.

- E, si mund të jetë ndryshe? - ma kthen. Kam shumë vepra që janë radhitur në raft, por,...s'është gjë kjo punë. Më beso, është kështu! - më tha duke çuar me një hurrpamë kafenë që iu kishte bërë akull".

Narracione me gjuhë figurative dhe me ngarkesë të fortë emocionale

Si hyrje, në esenë e radhës me titull "E padrejtë është të vdesësh në dhe të huaj...!", të cilën e ka shkruar në vend të përkujtimit për Rrahman Dedajn, autori në mes tjerash shkruan: "... vetëm vdekja na bëri ta përkujtojmë Abdylaziz Islamin, kontributin e tij në letërsinë shqiptare, në letërsinë për fëmijë, e cila edhe sot e kësaj dite është më se e domosdoshme dhe e nevojshme", për ta vazhduar më tutje narracionin me fjalët: "...ikën edhe shkrimtarët, Murat Isaku dhe Rifat Kukaj", të cilin mendim e përmbyll me fjalinë: "Por, kjo ikje, gjithnjë edhe na qorton për shumë gjëra, ...", ndërsa për Rrahman Dedajn, të cilin ese edhe ia përkushton, autori shkruan: "... çfarë absurdi, vdekja e tij na »detyroi« që ta përkujtojmë krijimtarinë dhe jetën e tij", për ta përmbyllur këtë shkrim me konstatimin metaforik: "»Ikja« e shkrimtarit është e rëndë, sepse në penën e tij përgjithmonë është tharë ngjyra, e të cilin shkrim e lë të pakryer. Është e padrejtë të vdesësh në dhe të huaj,...le të mendojë kush si të dojë. Kjo është e vërtetë që lë hapësirë për komentim".

Nga analiza e përmbajtjes shihet se autori e shtjellon shkrimin me një gjuhë të pasur artistike, të fisnikëruar me figura të shumta letrare.

Po ashtu përmes një gjuhe të zgjedhur figurative, me ngarkesë të fortë emocionale, autori Sejdi Berisha shtjellon edhe esenë "Tani kur ndërroi jetë poeti...!", kushtuar krijuesit Frederik Rreshpja, në vend të përkujtimit, për të cilin, në mes tjerash shkruan: "...ndërroi jetë. Poeti, i cili diti të këndojë atëherë, kur rinia dhe pjekuria e tij prej njeriu ndrydhej dhe shtypej nëpër qelitë e errësirës, ndoshta mu për shkak se ishte fanar i kombit. Është pra ky, Frederik Rreshpja, të cilit, në moshën më të mirë iu rrëmbye e drejta e lirisë, dhe për shtatëmbëdhjetë vjet u gjet nëpër burgjet e vendit të vet, nëpër burgjet shqiptare, por që kjo nuk e pengoi të bëhet poet, vrojtues, vlerësues i letrave dhe publicist, por njëherësh, e tërë kjo ia imponoi hidhërimin kryeneç, gjë kjo e cila e detyroi të rrethakohet dhe të barrikadohet në unin e vet, me zërin plasës për shumëçka dhe deri në zenit".

Që t'ia zgjojë ndërgjegjen lexuesit, në narracionin e tij autori sajon shprehje të ndjeshme, të cilat reflektojnë dhembshuri dhe dinjitet, me ç'rast thekson: "Fytyra e tij tregon thellësinë e dhembjes të këngës së poetit, është pasqyrë e skamjes ekonomike, por edhe e vendosmërisë të krijuesit për t'i lënë diçka kombit të vet,...", ndërsa për ta vulosur mendimin protestues ndaj kësaj papërgjegjësie shoqërore në Shqipëri, ai shtron pyetje, të cilat kërkojnë përgjigje: "...a nuk është dridhje mendjeje e shpirti, kur poeti duhet të trokas në dyert e pushtetit apo të njerëzve për ta ndrequr pakëz »pozitën« e tij sociale. Për ta zbutur varfërinë, ndoshta, edhe për ta siguruar, thjeshtë kafshatën e gojës".

Shkrime që shpalosin ndijimin shpirtëror emocional, të shprehur përmes metaforës

Kapitullin e tretë të radhës prej pesë titujsh, të emërtuar "Emra që s'harrohen", autori i këtij libri, Sejdi Berisha, e nis me shkrimin kushtuar Hivzi Vokshit nga Peja, njeriut që i dha shpirt dhe jetë këngës popullore qytetare, për ta vazhduar mandej me shkrimin tjetër me titull "Dreka e lotëve në shtëpinë e poetit...!", të cilin e ka sistemuar në zhanrin letrar të emërtuar "në vend të reportazhit", kushtuar poetit Asllan Osmanaj nga Bajram Curri, ku e shpalos ndijimin e tij shpirtëror, emocional, të shprehur përmes metaforës dhe një gjuhe të frymëzuar e poetike: "Në oborrin e shtëpisë së poetit ka gurë, ka baltë, ka pjergull rrushi, ka edhe pak borë, që, të gjitha rrezatojnë dashuri, e që janë dëshmi e shpirtit të këtij njeriu të »çuditshëm« e me shumë elan e vullnet jete!", për të vazhduar më vonë: "Në hyrje të oborrit, ndalem dhe shikoj nga afër shtëpinë, e cila, edhe ajo,... më besoni, i ngjante vargut, i ngjante poezisë, ...por, i ngjante edhe faqeve të historisë".

Autori vazhdon narracionin për ta shprehur zemërimin e tij nëpërmjet metaforës, që kulmon në trajtë proteste, më ç'rast thotë: "...ky njeri i cili ka mbaruar tre fakultete, dhe tani »shoqërohet« me delet e veta që ia sigurojnë bulmetin e familjes, »shoqërohet« me pulat e shtëpisë, por shoqërohet edhe perlën e këndimit shpirtëror, me poezinë, e cila i krijon »telashe« shpirtit të tij për t'i kënduar jetës".

Pos shprehjes së mospajtimit ndaj padrejtësisë, në këtë shkrim autori e pasqyron edhe qëndresën e aktorit të këtij tregimi, për të cilin thekson: "U ndamë nga poeti, me një krenari e më një mall për drekën që nuk harrohet kurrë, sepse, ajo ishte bujaria dhe çiltërsia e njeriut tonë, e poetit nga shkrepat buzë Valbonës dhe Shkëlzenit". Këtë shkrim Sejdi Berisha e përmbyll me përgjigje filozofike, me qëllim që ta ngacmojë ndërgjegjen e lexuesve, me ç’ rast thekson: "...ishte dreka e lotëve në shtëpinë e poetit. Këtë drekë, dua t'ua lë tri fakulteteve që i ka mbaruar poeti dhe kohës, që ta shpjegojnë më mirë se unë, nëse munden...!".

Këtë kapitull, autori e vazhdon me shkrimin kushtuar 40 vjetorit të krijimtarisë letrare të krijuesit Prend Buzhala nga Klina, e pastaj vazhdon me shkrimin kushtuar 61 vjetorit të lindjes së krijuesit Gjon Neçaj nga Tropoja, për të cilin në mes tjerash shkruan: "...ky urim për ditëlindjen Tuaj të 61-të le të jetë si pikturë përjetësie që parafytyron hapat e ecjes nëpër kohë, që përkujtojnë edhe vargjet e Juaja për ta shfletuar detyrueshëm jetën dhe fëmijërinë", për ta përfunduar këtë kapitull me shkrimin kushtuar krijuesit Lulzim Logu nga Bajram Curri, me rastin e 30 vjetorit  të krijimtarisë së tij letrare, për të cilin nënvizon: "Ky njeri, i cili, edhe bisedën e thjeshtë të bëhet se e ka varg e poezi, në librin e tij më të ri »Krisht i harruar«, i rri karshi jetës aq dinjitetshëm, sa që vargu i tij shndërrohet në ligjëratë historie, bëhet orë mësimi dhe edukatë që s'të lëshon dot nga detyrimi njerëzor", të cilin shkrim e përmbyll me konstatimin: "...të kalosh kohën duke lexuar dhe duke komentuar vargjet e Lulzim Logut, të bëhet se je duke vrapuar drejt kopshtit me lule, kah drita, të bëhet se je duke ushqyer mendjen dhe shpirtin komplet me jetën e njeriut, me historinë e tij dhe të atdheut".

Në këto shkrime të prezantuara, shkrimtari dhe publicisti Sejdi Berisha, pasqyron botën e tij krijuese dhe thesarin e pasur mendor që posedon.

Dhunti e rrallë, që jetën e përditshme e kthen në poezi dhe mbresat e jetës i bën buqeta vargjesh

Në pjesën e dytë të këtij libri janë sistemuar shkrimet që i dedikohen krijimtarisë, apo edhe vetë autorit Sejdi Berisha në cilësi të krijuesit, që të tjerët ia kanë kushtuar. Këtë pjesë ai e ka ndarë në tetë kapituj. Në këto  shkrime, autorë të ndryshëm shprehin mendimet e veta në trajta të ndryshme shprehëse lidhur me veprimtarinë e këtij krijuesi dhe për personalitetin e tij.

Nga këta kapituj, që në një mënyrë kjo pjesë e librit mund të konsiderohet edhe si antologji shkrimesh, do i shkëpusim disa mendime, të cilat shpërfaqin konceptin reprezentativ, karshi veprimtarisë krijuese të shkrimtarit dhe publicistit Sejdi Berisha.

Reshat Nurboja, poet, shkrimtar dhe publicist, nga Peja, shkruan: "Sejdi Berisha ka lëvizur para, kufirin e artit të fjalës së shkruar në mesin kosovar dhe më gjerë..."; (22 dhjetor 2006).

Lulzim Logu, poet dhe shkrimtar, nga Bajram Curri, shkruan: "... Sejdi Berisha është njeriu që urtëson dhe gjallëron kuvende ..."; (pa datë).

Nazmi Lukaj, krijues dhe publicist, nga Peja, shkruan: "...Sejdiu është shembull se si duhet të jetë njeriu. Se si duhet të jetë krijuesi..."; (26 prill 2008).

Agim DESKU-poet, shkruan: "...E ndjej në shpirtin tim poetik vargun e të madhit Sejdi, dhe kulturën e tij që më mahnit me zemërgjerësinë që posedon. Andaj, çfarë të shkruaj për këtë figurë emblematike që ka dhënë shumë për kulturën dhe është i freskët gjithnjë, në çdo kohë ka potencial poetiko-luftarak prej një kalorësi që shkon përjetësive poetike..."; (pa datë).

Gjon Neçaj, poet, shkrimtar dhe publicist, nga Tropoja, shkruan: "...Sejdi Berisha i takon asaj kategorie krijuesish që ngjallë shpresa, emocione dhe ndjeshmëri për çdo gjë shqiptare, madje edhe për një fije bari..."; (27 qershor 2010).

Hekuran Halili, poet dhe shkrimtar nga Saranda, shkruan: "...Është dukuri e rrallë që jetën e përditshme ta kthesh në poezi, është vështirë që në morinë e gjerave të përditshme të qëmtosh, dhe mbresat e jetës t'i bësh buqeta vargjesh e t'ua falësh edhe të tjerëve.

Kjo është dhunti e veçantë të cilët fati i ka zgjedhur për t'i bërë krijues të vërtetë. Në këtë varg njerëzish bën pjesë padyshim, i dashur Sejdi ..."; (22 tetor 2010).

Zyhdi Belegu, gazetar i RTK, nga Peja, shkruan: "...Shkrimtari dhe publicisti Sejdi Berisha, është një prej figurave më të dalluara dhe më karakteristike..."; (21 dhjetor 2009).

Fatmir Terziu, shkrimtar dhe publicist, nga Londra, shkruan: "...Sejdi Berisha, poeti, hulumtuesi dhe studiuesi i vlerave shqiptare në Pejën historike dhe më gjerë, mbetet një nga figurat qendrore të krijimtarisë sot. Vepra e tij s’do koment"; (28 janar 2012)

Qëndresa Sadrija, poete, shkruan: "...I tërë mozaiku për Sejdi Berishën do të përmblidhej në tri fjalë: Njeri i madh, kulturë e pashuar dhe shpirt engjëllor !"; (02 shkurt 2013).

Në fund mund të konstatojmë se ky libër lexohet me kënaqësi, meqë në tërësi paraqet një gamë të pasur shkrimesh dhe mendimesh të cilat me gjuhën e tyre të pasur artistike pasurojnë dhe fisnikërojnë ndjenjën  e lexuesit me dashurinë për letërsinë, për atdheun, për  njeriun dhe për çdo gjë të mirë që duhet ta karakterizojë atë. 



(Vota: 24 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora