E premte, 19.04.2024, 05:27 PM (GMT+1)

Kulturë

Vilhelme Vrana Haxhiraj: Tradhtia e Madhe ndaj Kombit

E diele, 28.01.2018, 01:00 PM


Studimi “Tradhtia e Madhe ndaj Kombit” i shkrimtares  Vilhelme Vrana Haxhiraj doli nga botimi

Lexuesve, kolegëve, bashkëpunëtorëve, mediave dhe dashamirësve të librit!

Shtëpia Botuese Nacional në bashkëpunim me Shtypshkronjën Europrint, para pak ditësh nxori nga shtypi, librin me titull “Tradhtia e Madhe ndaj Kombit”- studim  i autores Vilhelme Vrana Haxhiraj “Mjeshtre e Madhe e Penës”. Veç punës së lodhshme kërkimore me fakte e dokumente të shkrimtares, për të dalë në dritë ky libër me 244 faqe, ka vlerë angazhimi i një stafi të tërë, pa punën e të cilëve është i pamundur botimi. Para botimit, madje edhe para redaktimit, dorëshkrimin e lexoi dhe e analizoi Prof.Dr.Eshref Ymeri, meritë e të cilit është parathënia. Profesori i nderuar Eshref Ymeri duke analizuar librin, ka evidentuar dhe plotësuar me fakte të tjera tronditëse parathënien e librit. Një vlerë të veçantë për mua si autore, kanë vërejtjet, këshillat dhe sugjerimet e profesor Eshrefit, të cilat m’i dha me shkrim. Mendja e çdo individi nuk mund t’i thotë të gjitha, ndaj ngelen shumë hapësira edhe për studiues, përsjatës apo hulumtues të tjerë. Ndaj për bashkëpunëtorët shpreh:

Nderim dhe mirënjohje!

Nderim dhe  mirënjohje për bashkëpunëtorët që mundësuan daljen në dritë të këtij studimi, të cilët janë: Këshilluesi Prof.Dr.Eshref Ymeri, meritë e të cilit është parathënia e librit; Redaktori, Mujo Buçpapaj; Dizenjatori Jorgo Saqellari, Shtypshronja Europrint, veçanërisht Zj.Blerina Ndreu dhe Shtëpia Botuese Nacional. Falënderim dhe mirënjohje menaxherit fotografit  personal, mikut të të mirave dhe të këqijave të jetës sonë, bashkëshortit tim Fitim Haxhiraj, si dhe lexuesit të mrekullueshëm si kritiku më i paanshëm i krijimtarisë sime!

Nderime! Vivra.

Të nderuar lexues!

Shqipëria, kombi ynë i lashtë, ka kaluar aq shumë trauma e tragjedi,si nga pushtimet e gjata shekullore dhe nga Diktatura paranojake e partisë-shtet sa duhen enciklopedi të tëra për t’i hedhur në letër. Veçse është e dhimbshme jo vetëm për atë që e lexon, por është tejet tronditëse për autorin, si gjatë punës kërkuese dhe punës në kompjuter,  pasi përjeton ndodhi e ngjarje të kobshme. Studiuesi, veçanërisht kur është i ndjeshëm kalon në pagjumësi, ndoshta edhe në depresion.sepse gërmëzon çdo fjalë, çdo dhembje, çdo vuajtje. Ndaj tragjeditë që janë përshkruar prej tij, i përjeton me dhimbje. Porse ta përjetosh si ndjesi një tragjedi, është shumë larg së vërtetës, vuajtjes, luftës së kaluar fizikisht, sepse është shumë herë më e dhimbshme e jetuara. Dikush që ka hequr mbi shpinë ndodhi makabre, përbuzje, mohim, ka parë me sytë e tij krime brenda familjes, vuajtje të paimagjinueshme për brezat e sotëm, kur u bije një libër i tillë në dorë, ai/ajo e rijeton përsëri të gjallë, sepse skenat i shfaqen para syve si në ekran të gjalla. Ky është përjetim dhe një vuajtje e dyfishtë.

Gjithsesi, duke lënë mënjanë përjetimet, libra të tillë duhen shkruar për të kujtuar të shkuarën e hidhur, që brezat e ri aktual e që do të vijnë, duhet ta njohin ashpërsinë e një pushteti diktatorial dhe pasojat negative të drejtimit të tij.

Në këtë studim lexuesi ballafaqohet me realitetin e hidhur të një kombi vital, ku partia-shtet, jo pak por për gjysëm shekulli,  u shërbeu verbërisht miqësive me Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik dhe me Kinën. Nga një anë u bënte thirrje shqiptarëve në besnikërinë e miqësisë, me tezën “Vëllazërim gjaku”,  me këto shtete të  lindjes, që  formonin Kampin Socialist  me në krye BS, kurse nga ana tjetër zhduku Trurin dhe Palcën e kombit që janë  inteligjencia me kulturë perëndimore dhe fisnikëria. Duke ndjekur shembullin  bolshevik të Stalinit, mes shpikjes më të madhe, Luftës së klasave, më e egra që ka njohur njerëzimi, solli përçarjen mes shqiptarëve , duke i ndarë në dy klasa armike deri në vdekje për njëra-tjetrën.  Me konfiskimet e shpronësimet solli varfërinë materiale  të individit, familjes dhe shoqërisë, e cila solli varfërinë mendore të shtetasve. Kjo politikë antimkombëtare çoi në varfërimin e ndërgjegjes kombëtare.

Duke u nisur nga një politikë e njëanshme për gjysëm shekulli,  unë e kam nisur librin me një kujtesë kombëtare që mendoj se vlen për çdo kohë. Dhe duhet ta lexojë çdo njeri, i majtë i djathtë apo i qendrës, sepse bëhet fjalë për Mëmëdheun tonë.

Prolog:  Ndërgjegjjes së bashkëkombësve!

Kujtesë psiko-kombëtare

Nuk ka këshillë më të keqe se ajo që të shtyn të mohosh kombin tënd!” 
                                                                                        Naum Veqilharxhi

Politikanë, historianë dhe ju, shqiptarë të mirë, kurrë mos harroni se…

*“Atdheu s’është vetëm i imi, as i yti, porse u përket të gjithë bashkëkombasve. Është kjo arsyeja që detyrat dhe përgjegjësitë ndaj tij nuk mbarojnë kurrë.

*Përherë duhet t’i kthejmë sytë nga e kaluara e largët apo e afërt tejet e mundimshme dhe e mbushur plot me padrejtësi që i janë bërë vendit tonë. Harresat historike janë regres dhe dështim kombëtar i garantuar.

*Pësimi për këdo, për politikën apo individët, duhet të shërbejë si mësim dhe udhërrëfyes për të nesërmen që troket çdo çast.Nëse do të kemi parasysh gabimet e së shkuarës dhe të tashmes, e ardhmja e kombit do të jetë e sigurt.

*Të pranosh sfidën në demokraci, do të thotë të jesh i bindur në vetvete se je pajisur me dije shkencore dhe i gatshëm për të përballur të nesërmen dilemë. Kjo vlen për çdo shqiptar që kërkon të ballafaqohet denjësisht me sfidat e kohës, sepse bota është e mbushur plot me të tilla... të këndshme dhe të pakëndshme. Kjo kërkon sakrificë, vullnet dhe punë.

*Po ne kur do të bëhemi si bota? A do të ketë ndonjëherë shtet të së drejtës ligjore që me politikat e tij në çdo fushë të jetës, të pasqyrojë realitetin dhe identitetin tonë kombëtar?

* A do të rishikohen e ndëshkohen ndonjëherë fajtorët e krimeve makabre shfarosëse dhe çkombëtarizuese që u janë bërë shqiptarëve, si dhe vendimet e padrejta ndaj copëzimit të kombit më të lashtë në Europë?Nëse shqiptarët heshtin, gabimet dhe padrejtësitë shndërrohen në faje dhe kombi humbet nocionin e tij.

*Politikanë dhe intelektualë të vërtetë e me gjak shqiptari, mos lejoni që të përsëriten tragjedi të tilla antinjerëzore dhe antinatyrale!

*Po nuk u shkul gozhda e Nastradinit(drejtimi i Kishës Autoqefale të Fan Nolit prej kishës greke) nga trualli ynë, ne do të vuajmë pafundësisht dhe rrezikun do ta kemi gjithmonë pranë!

*Ende nuk u ngopën Fuqitë e Mëdha me lojërat diplomatike e tragjeditë që i kanë shkaktuar dhe po i shkaktojnë Kombit më të lashtë pellazgo-lilir-arbëro-shqiptar ndër shekuj?!

*Dekomunistizimi, dekriminalizimi, dhënia e pronës pronarit legjitim, lufta antikorrupsion pa kompromis, respektimi i votës së lirë, zgjidhje dhe zgjedhje të lira, gjejnë zbatim në një vend ku drejtësia zbaton ligjin.

*Ndarjet klasore ngjallin mllefe, urrejtje dhe hakmarrje. Aty, ku ka drejtësi, pendesë, falje, tolerancë, harmoni, vëllazërim, bashkëpunim dhe dhënie vlerash intelektuale të merituara, është e sigurt rruga drejt mbrothësisë kombëtare.

* Barazia gjinore, integrimi i femrës në shoqëri sipas intelektit, arsimimit dhe profesionalizmit, si segment shumë i rëndësishëm për familjen dhe vlerë e pazëvendësueshme për shoqërinë. Pjesëmarrja e saj në të gjitha nivelet e politikës e të pushtetit:legjislativ, ekzekutiv, juridik, arsimor kulturor, mjekësor, shkencor, art dhe media, do të bëjë të mundur integrimin e shpejtë të Shqipërisë përkrah demokracive të zhvilluara.

*Së fundmi:

Shqipëria ka nevojë për bashkëpunim në çdo fushë jete me demokracitë më të zhvilluara, duke ruajtur integritetin dhe dinjitetin kombëtar në rajon, kontinent dhe atë ndërkombëtar. Kështu rritet autoritetidjhe prestigji i këtij kombi vital.

Këto kërkon demokratizimi i një vendi si Shqipëria që ka kushte tejet të favorshme, poqese ato shfrytëzohen me racionalizëm. Nëse gjejnë zbatim këto kërkesa si: Prona të shkojë tek pronari legjitim, luftë e pandërprerë kundër korrupsionit, Reforma në Drejtësi të bëhet pa kompromise politike deri në një, si dhe misioni i opozitës të jetë me synim për rritjen e nivelit jetik (mirëqënies sociale)forcimi i tolerancës dhe mirëkuptimit social, do të sjellin ndryshime sasijore e cilësore në vend.

Vetëm nëse gjejnë zbatim këto kërkesa, atëherë e ardhmja e kombit është e sigurt.  Vivra

Vlorë-30 prill 2017 



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora