E enjte, 25.04.2024, 05:15 AM (GMT+1)

Kulturë

Gjon Ivezaj: Gjurashajt, Trieshi dhe bijtë e tij krenarë

E diele, 28.01.2018, 01:23 PM


Gjurashajt, Trieshi dhe bijtë e tij krenarë

Nga Prof. Gjon Frani Ivezaj

Ju sjelli përshendetjet më të përzemerta dhe vleresimet më të larta mirëseerdhet pjesëtarët e familjes patriote të Mal Vuksanit dhe fisit kreshnik të Gjurashajve, dhe të gjithë fiseve të Trieshit dhe mbarë Malësisë.

Ju falënderoj,që më keni ftuar të jem sot këtu dhe më keni përzgjedh me respekt dhe nderim të veçantë, për të mbajtur kumtesën historiko-shkencore, përkushtuar burrave më të shquar, patriotëve të flaktë të çështjes kombëtare.

Kam nderin, privilegjin dhe kënaqsinë si një nip i fisit të Gjurashajve, të paraqes në mënyrë të përmbledhur një histori të shkurtër të këtij fisi. Theksoj me mburrje, se kam kënaqsinë të rinxjerrë në dritë luftrat e trimëritë e këtyre personaliteve të shquara Gjurashajve të Trieshit, që ende sot jeta dhe vepra e tyre jeton me nder dhe respekt në zemrat e bashkëkombasve dhe bashkëvendasve të mi.

Rreth prejardhjes së trieshianëve ka mendime të ndryshme. Disa historianë dhe hulumtues pohojnë se një pjesë e trieshianëve janë autoktonë, kurse pjesa tjetër janë të ardhur. Sipas burimeve  të Venedikut, Trieshi përmendet në vitin 1416. Në burimet turke përmendet në vitin 1485.

Sipas gojëdhënës shumica e trieshianëve e ka origjinën nga Ban Keqi. Por   origjina e vërtetë e këtyre banorëve të ritit të krishterë, të cilët sipas disa studiuesve  janë të fisit ilir labeat, të ngulitur nga lashtësia në këtë vend pasiv shkëmbor,  pa burime ujore, me prodhimtari të kufizuara, mbetet e diksutueshme.

Nga Trieshi, gjatë shekujve dolën shumë intelektualë se në çdo bajrak tjetër i Malësisë, në raport me popullsinë. Ato zënë një vend të rëndësishëm në panteonin e personalitetëve më të shquara atdhetare shqiptare.

Shkolla shqipe e Trieshit me një histori 100-vjeçare plot veprimtarie kulturore dhe atdhetare, u bë një vatër e ngrohtë dhe përparimtare e arsimit dhe kulturës shqiptare..

Trieshi gjatë shekujve përveç intelektualëve, ka nxjerrë edhe shumë burra e trima patriot me famë e me zë, të mirënjohur në tërë Malësinë e Madhe e përtej saj, duke u përmendur gjithnjë si shembull i mirë e burim frymëzimi, në luftrat historike, që ka zhvilluar ndër shekuj Malësia.

Në Gjurashaj të Trieshit e në mbarë Malësinë, kanë gjetur mikpritjen dhe bujarinë shqiptarë e shtegtarë, duke treguar me shembuj konkret, se janë bij të denjë të tokës së Arbërit. Gjurashajt e Trieshit, kanë ruajtur brez mbas brezi doket dhe zakonet e lashta shqiptare.

Gjurashajt trieshianë dhe malësorët e tjerë, me heroizëm të pashoq përballuan furtunat e jetës, që dallgët e kohës i përplasen në këtë krahinë martire. Shumë bij të shquar trieshian i dhanë emër e lavdi të madhe krahinës, duke mbetur të përjetshëm në analet e historisë së paharruar të Gjurashajve të Trieshit dhe të popullit shqiptar.

Sipas shumë studiuesve, poetëve dhe shkrimtarëve tanë dhe të huaj pema gjeneralogjike e të parëve të Gjurashajve fillon me Nikë Marashit, i cili ka ardhur shumë shekuj më parë. Ky katund ndahet në disa fise barqe dhe është i përbërë nga dy vëllezër: Vëllai i parë e kishte emrin Marash Nenad Pati, ndërsa vëllai i dytë e kishte emrin: Cur Nenad Pati.

Kështu prej Nikmarashit, e mori emrin katundi i Nikmarashit, ku më pas u krijuan bajraqet: Markgilajt, Arapajt dhe Cacajt.

Po ashtu prej vëllai të dytë Cur Nenad Pati edhën Mark Gjurashaj, ku u krijua kështu i miënjohur fisi i Gjurashajve. Prej vështrimeve antropologjike mund të vihet re se ky emër kaloi nga antroponim (emër njeriu) në patronim (mbiemer njeriu) dhe me vonë në emër vllaznie dhe së fundi në emër fisi. Por, etimologjia e kësaj fjale, duket se i ka rrënjet edhe më thellë.

Me kohë familja e Mark Gjurashaj kishte katër djem: Leka, që nuk la trashigimtar; Gjeka, që sot quhen Gjekaj, Gjoni që njihen si Gjonaj, dhe Nikolla, të cilët sot quhen Nikollajt. E përbashkëta është se të gjithë e kanë prejardhjen e pemës gjeneaologjike nga Gjurashaj.

Sipas dokumentëve të kohës dhe statistikave historike dhe gojëdhanave të transmetuar brez mbas brezi, thuhet se Mark Gjurashi jetonte rreth viteve 1479-1500. Në ato vite ishte koha kur Shkodra dhe gjithë Shqipëria kishte rënë nën sundimin e egër të Perandorisë Otomane.

Për trimin me emër Mark Gjurashaj thonë se ai ishte një burrë e luftëtar i madh, i cili gjithnjë luftonte kundër ushtrisë turke dhe pushtuesve ardhacak sllavë. Ky luftëtar trim ishte organizuesi i kryegritjeve antiosmane, që bërë trimat e pushkës nga Trieshi për të ruajtur të pandarë komb, fe e atdhe.

Sipas burimeve historike del se Mark Gjurashaj ishte i pari në Triesh, që ndërtoj kullën e gurit, të gjatë deri në 40 m, me gur të latuar dhe gëlqere, me një mjeshtëri të madhe. Sipas gojëdhënave, thuhet se kulla e Mark Gjurashit, ishte ndërtuar për 3 vjet, ku punuan me përkushtim mjetërisht më të mire të kohës.

Çatia (pullazi) e tij ishte e mbuluar me rrasa guri. Kulla kishte 3 hyrje, dhe ishte shumë e lartë, me disa frenxhi, duke i përngjarë shumë një fortifikese tipike ushtarake të kohës, për tu mbrojtur nga armiku. Ajo është e dalluar dhe krahasohet me kështjellat e pamposhtura.

Kjo shtëpi ka qenë një vatër e atdhetarizmit, ku kanë dalë burra me famë dhe zë gjatë historisë së, Malësisë. Familjet  Gjekë Markut dhe Vuksan Dedës (Gjurashaj) ndër shekuj u dalluan si burra të fjalës, nderës, besës, shpatës dhe Kanunit, ku i njohu dhe nderoi mbarë Shkodra, Malësia e Madhe dhe Peja e Kosovë, ku zëri i tyre shkoj larg në të gjithë trojet shqiptare.

Po tregojmë një ngjarje historike të përjetuar në familjen Gjurashat të Trieshit. Kështu trimi i pamposhtur dhe shumë guximtar Vuksan Deda me të vëllain e vet Preçot Dedën, shkuan në Pazarin e Madhe të Shkodrës për të bërë tregti. Porsa hynë në Pazar, sipas ligjeve otomane ata duhet të dorëzonin armët. Por trimat e Gjurashajve të Trieshit Vuksan Deda me të vëllain e vet Preçetën nuk i dorëzuan armët.

Nëpunësi turk asokohe ishte një shqiptar i turqizuar. Ai duke parë kundërshtimin e vendosur të dy vëllezërve malësorë, ai menjëherë shkoj tek komandant Pasha në zyrën e tij. Ai i tha, se dy persona nga Trieshi Vuksan Deda dhe Preçot Deda  nuk i kanë dorëzuan armët. Komandanti menjëherë lajmëroi shoqëruesit e tij ushtarë dhe i nisi  për ti kapur të gjallë dy malësorët. Mbasi i arrestuan trieshianët në Pazarin e Shkodrës ato i nisën menjëherë lidhur me hekura drejt burgut. Kjo ngjarje për Malësinë dhe Trieshit ka ndodhur vitin 1880. Në burg ata iu nënshtruan torturave barbare turke.

Mbas tre muajve, në burg vëllai i Vuksanit Preçetës u bë i sëmurë. Mbas tre muaj ai pa një ëndërr të keqe, se ishte duke vdekur. Ai tregon: “Unë vëlla i dashur jam i vdekur dhe nuk kam shpëtim. Të lutem si vëlla dhe pash gjinin e nanës që kemi pi, me çdo kusht të thesh burgun dhe të ikësh në shtëpi. Të paktën të shpëtoi dikush prej nesh.”

Vuksani i drejtohet të vëllait Preçetës, se nuk të lë vetëm asnjë minut, por do të vdesim këtu së bashku në burg. Duke parë vendosmerinë e të vëllait ai vendos: “Unë do ta thej burgun dhe do iki prej këtu. Po të jap besën e Zotit, se do ta marr gjakun dhe do ta vras trathtarin shqiptar të turqizuar.”

Mbas 6 muajve Vuksan Deda trim si zana merr armët dhe niset për në Shkodër. Ai kërkon shtëpinë e trathtarit., ku ai ishte duke punuar në arë së bashku me gruan e tij. Ai i thotë: “Ti je armiku i shqiptarëve që ke shit vetën për pare tek pushtuesit turq. Ti kriminel, më le vëllain tim të vdekur në burg…”

Vuksan Deda i Gjurashajve nxjerr armën dhe e vret në vend trathtarin e turqizuar, ku i thotë: “Ma përshndet vëllait tim Preçot Dedës!” Kur u kthye në Malësi, të gjithë Gjurashaj, Trieshi dhe mbarë Malësia kishin dalur për t’a përgëzuar trimërinë e heroizmin e tij.

Gjithashtu nga kjo derë e famshme, lindi dhe u rrit trimi i mirënjohur Mal Vuksani, të cilin e njohu malësorët, Malësia, krahinat e Kosovës dhe Shqipëria për trimëritë dhe bujaritë e tyre.

Po japim një ilustrim historik. Kështu Mal Vuksani në moshën 20-vjeçare merr vesht se disa cuba kishin grabitur një vajzë malësore të Trieshit. Midis çabanëve ishte edhe një vajzë e re me emrin Tole Smajlja prej fisit Cacaj të katundit Nikmarashi. Të gjithë ishin të një gjaku.

Në Triesh të Malësisë vjen një çetë cubash nga qyteti i Pejës, të udhëhequr nga Bajram Begu, i cili ka plaçkitur, vrarë, djegurt e pjekur fëmijë, gra e pleq në Malësi. Fatkeqsisht ai e grabiti edhe çobaneshën trieshiane Tole Smajlja e cila ishte me dhentë e saj në mal. Krimineli Bajram Begu, kur e grabiti vajzën malësore me të gjithë shoqëruesit e tij u nisën për në Pejë.

Qëllimi i Begut të Pejës, ishte që vajzën e grabitur ta mbante për vete si grua. Kështu Mal Vuksani një trim si zana, të nesërmen shkon në shtëpinë e Luc Gjon Matit dhe u thotë se Bajram Begu i Pejës, ka grabitur bijën tonë, vajzën trieshiane çobaneshën Tole Smajlen. Edhe pse nuk ishte motra e fist të Gjurashajve, Mal Vuksani me Luc Gjomatin, në ditët e para të pranverës, dolën në Rrafshin e Pejës, ku ato kërkojnë informacion nga banorët vendas se ku është shtëpia e Begut të Pejës.

Dy sokolat trima si zana i dalin përballë grabitësit dhe shoqëruesve të tij dhe menjëherë i thonë: “Unë jam Mal Vuksani dhe Luc Gjon Mati i Trieshit. Na jena vllaznit e Tole Smajles. Ju na keni grabit vajzën e Malësisë sonë. Këto plumba janë për ju nga Malësia dhe familjet tona.”

Prej derës së Gjurashajve lindi trimi i malëve të Malësisë Maluk Vata, një burrë i burrit, luftarë e trim si zana. Ai ishte një ndër luftarët më të dalluar në Luftën e Lemajës. Maluk Vata, ishte i pari që filloi pushkën në Urën e Limajës, me vjetin 1907, kundër ushtrisë mizore azitiake turke. Në këtë luftë të përgjakshme u dalluan edhe trimat e Trieshit, midis të cilëve u dallua edhe Gjon Ujk Prela Gjurashaj i cili çan rrethimin në kalanë, duke vrarë shumë turq dhe të tjerët të tmerruar ikën në drejtim të qytetit të Shkodrës. Trieshianët, kapën rob shumë turq dhe një numër të madh armësh dhe monicione të tjera luftarake.

Ky trim i pamposhtur, i cili u dallua shumë për heroizmin e tij në Luftën e Lemanjë, ishte i pari qe filloi emigrimin nga Italia në Gjermani dhe më vonë vendoset ne vitin 1908 vendoset përfundimisht në SHBA, në shtetin Oregan. Aty punoi dhe jetoi për 12 vjet deri në vitin vitin 1920. Këtë vit ai rikthehet në vendlindjen e tij në Nikmasharin e Trieshit, ku punoi dhe jetoi me nder e ndershmeri si një derë bujare fisnike.

Sot nipat dhe stërnipat e tij Gjurashaj, qe punojne dhe jetojnë në SHBA i kanë ngritur një permendore në shenjë nderimi për luftën heroike kundër pushtuesve turq. Prej fisit të Gjurashajve lindi edhe Sokol Mixha Pali një burrë i hijshë, atdhetar, i cili ishte i mirënjohur në të gjithë Malësisë, për nder, besë, bujari dhe mipritje. Ai ka pasur një dhunti nga Zoti për të shëruar njerëzit e sëmurë. Edhe vëllai i tij Gjon Mixha Pali ishte i mirënjohur në Malësi për humorin e tij në sofrat e malësorëve, si dhe ka nderuar malësorët në raste vdekjes së të arëfrmve të tyre, duke i vajtuar sipas traditës së hershme shqiptare.

Lufta e Lemanjës, është një ngjarje e rëndësishme e historisë së Malësisë dhe e tërë popullit shqiptar. Trimat malësorë, gjithmonë me pushkë në dorë i dolën zot fateve të brishta të trojeve shqiptare.

Këto episode historike, janë të rëndësishme për faktin se janë pikënisja e luftrave të njëpasnjëshme kundër barrierës turke, deri me aktin final të ngritjes së flamurit kuq e zi në istikamin e Deçiqit të Malësisë, më 6 prill 1911.

Trimat e Gjurashajve e trieshianët ndër shekuj, u kanë dalë zot me besë gjithmonë këtyre malëve kreshnikë, që ishin çerdhe e ngrohtë e jetës së tyre. Ato kanë luftuar kundër taborreve mizore të ushtrisë turke, duke shkruar faqe të lavdishme në historinë e krahinës. Po prej kësaj dere lindi dhe u rrit patër Lul Vuksani 1874-1912, vëllai i Mal Vuksanit.  Ai qysh në fmijëri dallohej për zgjuarësi dhe si një njeri i dashur me të gjithë. Luli i ri përfundoi shkollën e mesme për meshtari në Zader të Kroacisë, kurse fakultetin filologjik dhe teologjik i përfundoi në Romë të Italisë. Patër Luli ka pagëzuar në Kishën e Larjes, Patër Zefin, i cili, bëhet famullitar i Hotit, të cilin e  vranë komunistët në vitin 1945, në Lugjet e Thella.

Të gjithë ata që e kanë njohur nga afër e mbajnë mend si një djalë i zgjuar, dhe kishte një adhurim të veçantë për librat dhe Kishën. Ai u dallua në shkollë për rezultate të shkëlqyera deri sa u bë një meshtar i përkushtuar për Fe e Atdhe dhe një njeri shumë i dashur me të gjithë malësorët.

Sipas zakoneve dhe rregullave të Kishës ai mori emrin e ri patër Andrea Gjekaj, ku për disa kohë punoi si famullitar vendlindjen e tij ku u rrit dhe u edukua në Kishën e Trieshit, si qendër kryesore e Ipeshkvisë së Tivarit.

Mbas disa kohe, duke parë përkushtimin e tij të madh për fe, kryeipeshkvi i Tivarit më vonë e dërgoi për mision baritor në Kishën e Ljarës në Ulqin. Ai për disa kohë shërbeu edhe në disa kisha të tjera si: Kishën e Laçit dhe në kishat e tjera në rrethinat e Shkodrës.

Meshtari zemër mirë atë Andrea Gjekaj, ishte një bari i dalluar në aktivitetet fetare e kombëtare të kohës.

Kështu ai u dallua shumë në bashkëpunimin me intelektualët e shquar apo elitën kombëtare shqiptare, si: atë Gjergj Fishtën O.F.M, patër Anton Harapin, dom Ndre Mjedën. Ai bëri shumë pagëzime, rrëfime, kungime, kunora shenjte në popullin shqiptar.

Patër Andrea ishte në sytë të keq nga ushtria mizore turke, sepse u lidhte plagët malësorëve, të cilët kishin luftuar kundër ushtrisë turke. Ai kryente shërbesat fetare në qytetin e Shkodrës. Në moshën 38 vjeçare ushtria turke e vret me kryqin e Krishtit në duar, në Pazarin e Shkodrës në vitin 1912, pak kohe para Pavarësisë së vendit tonë.

Sot për fat të keq nuk dihet as vorri i tij, familja e afert dhe njerëzit nuk dinë se ku të vendosin lulet te njoma e të freskëta në përkujtim të jetës dhe veprës së meshtarit të dashur në shërbim të grigjës së tij. Ipeshkvi i Tivarit, franceskanët e Malësisë së Madhe dhe populli shqiptar i gjithë krahinave e përkujtojnë sot me lutje, urata dhe një permendore, për fratin e dashur tonin, meshtarin e paharruar patër Lulin. Prej fisit të Gjurashajve, ka qenë edhe një djalë i ri Nikë Shabani, i cili ka shkuar në shkollë për tu bërë prift. Për fat të keq ai ndërron jetë herët për arsye të një sëmundje.

Ky fis i mirënjohur ka nxjerrë edhe meshtarë të tjerë. Pikërisht nga ky fis, kanë dalë edhe kleriku e bashkëatdhetari ynë patër Prelë Kola Gjurashaj.

Mbas shumë dekada dhe në shekujt që do të vijnë Malësia dhe Shqipëria do t’ i kujtojnë me nderim dhe respekt jetën dhe veprën e madhe të gjithë fisit të Gjurashajve dhe luftetarët trima, që nuk kursyen asgjë për të mirën e popullit dhe Atdheut të tyre të shtrenjtë.

Së fundi, dua të them, se me këto burra që përmendem më lart, janë sot në altarin e kombit shqiptar, ku pasurohet historia, lartësohet dhe nderohet me shembuj konkret ngjyra e shenjtë e flamurit tonë, rritet dhe madhështohet në liri simboli i përhershëm i shqiponjës dhe shqiptarizma e kulluar e bijve tanë bashkëatdhetarë të fisit të madh të Gjurashajve në Trieshin kreshnik.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora