E enjte, 25.04.2024, 10:37 PM (GMT+1)

Kulturë

Xheladin Mjeku: Monumenti i poezisë

E marte, 09.09.2008, 06:17 PM


 

MONUMENTI I POEZISË

Nga Xheladin Mjeku



1. POST FESTUM NJË TAKIMI
 Derisa po kërkoja librin e tregimeve “Ura mbi oqean” të Albana Mëlyshit- Lifschin, për të cilën më kishin informuar nga Nju Jorku se ishte botuar dhe këtyre ditëve pritej të arrinte edhe në libraritë e Prishtinës, para sysh m’u shfaq një sihariq tjetër, që nuk besoja se do ta gjeja fare, meqë ende çalon rrjeti i shpërndarjes së librit në formë të organizuar, me një shtrirje në të gjitha trojet shqiptare. Ishte e shtuna e 19 prillit të këtij viti, kur pikërisht atë ditë ishte konfirmuar lajmi në shtypin e ditës se po bëhej promovimi i Antologjisë poetike ”Itaka e fjalës” dhe përveç gëzimit se tashmë kisha në pronësinë time një libër voluminoz dhe shumë të vlefshëm, në një formë sikur ndihesha se edhe unë jam njëri ndër pjesëmarrësit e këtij manifestimi madhështor të fjalës së bukur artistike, fizikisht nga largësia, por me zemër e mendje në mesin e krijuesve dhe adhuruesve të poezisë gjithandej nëpër botë, që kishin marrur mundimin të bëjnë një festë poetike. Pa u hamendur po e shfletoja ngadalë duke takuar njërin pas tjetrit gjithë ata krijues nga shumë kontinente të botës. Kisha informacionin për hartimin e një antologjie me një shtrirje të gjërë prezantimi të poetëve shqiptar të kudondodhur nëpër mërgatën shqiptare, por se do të kisha fatin ta kem në duar këtë eveniment nuk kisha guximin as të mendoja. Do të më “torturoi” gjatë ky thesar poetik i rreth njëqind e dyzet autorëve në mbi pesëqind faqe sa ka ky libër, për të më lënë gjurmë me fuqinë imagjinative dhe përkushtimin emocional të krijuesve dhe poetëve që aderojnë në brendinë e kësaj antologjie voluminoze me poezi që rrezatojnë shkëndia shprese për vendlindjen, për jetën, për lirinë...


2. ANTOLOGJI ME BAROMETRA PËRMASASH TË SHUMËFISHTA

Është hera e dytë që merrem me shkrimin e përshtypjeve, mbresave dhe rëndësinë e antologjisë së poezisë. Ka kaluar kohë e gjatë që kur kisha në shqyrtim Antologjinë poetike “Sytë e gurit”, përgatitur nga Esad Mekuli, ku i bëra një “sy” vështrimi dhe tash kur përjetova çaste të papërshkruara me lëndën e prezantuar në “Itakën e fjalës” të përgatitur nga krijuesi entuziast Nase Jani, sikur më pushtoi një ndjenjë shpresëdhënëse për një të ardhme premtuese për këtë komunitet krijuesish me rol të shumëfisht. Raujtja e gjuhës, traditave dhe zakoneve, kultivimi i gjuhës amtare tek pasardhësit e tyre që i janë nënshtruar kthetrave asimiluese në vendet e ndryshme të botës, duke u ndikuar në kulturën dhe gjuhën e tyre, mbetet padyshim roli kryesor dhe vendimtar i krijuesve letrar të kudondodhur nëpër vende të ndryshme të botës. Shqetësim më vete ishte fakti se një shkapërderdhje gjithandej nëpër kontinente të botës e një pjese kaq të madhe intelektualësh e krijuesish flet shumë për pasojat në një të ardhme për atdheun. Një zbrazje në këtë masë rrezikon dukshëm ruajtjen e nivelit të kënaqshëm të botës intelektuale, që padyshim do të influencoj edhe në zhvillimet shoqërore dhe kulturore të vendit. Kjo në një masë është një barometër shqetësues për të ardhmen. Poashtu kohë më parë kisha provuar me hartimin e një Antologjie poetike të një grup autorësh që aderonin në një faqe letrare elektronike, duke hartuar një Platformë mbi të cilën do ta ndërtonim këtë projekt të përbashkët, por për shumë shkaqe, si financiare, prezantuese, e deri edhe te sjellje pa përgjegjësi e ndonjërit prej të përzgjedhurve, duke aluduar në arsyetime të ndryshme, deri edhe në reflektim prepotence e krekosjeje të ndonjërit, kjo inisiativë mbeti vetëm si projekt-ide duke ruajtur një lëndë të mirë të propozuar për mundësinë e përfshirjes në libër të përbashkët dhe një titulli pune që edhe tash kur po ballafaqohem me “Itakën e fjalës” më kthen kujtesën në arsyeshmërinë e emërtimit të saj “Monumenti i fjalës”, e që pa hezituar fare këtë titull të transformuar në Monumenti i poezisë ia dhurova këtij vështrimi, duke e pagëzuar me këtë titull, dhe përfundimisht përjetova zbrazje emocionale në të mirë të kësaj vepre madhore. Sidoqoftë, kjo Antologji përveç vlerave letrare dëshmon edhe përpjekjet e mëdha dhe shumë herë edhe të mundimshme të njeriut tonë larg atdheut që të kultivoj gjuhën, kulturën, traditën kombëtare, të ruaj në masë të mirë atdhedashurinë dhe mbi të gjitha të mbajë zgjuar kurreshtjen tek brezat që vijnë, duke u lënë në trashëgimi një bagazh të mirë vlerash letrare dhe kulturore që do t’u kthejnë kujtesën në trungun e lashtë ilir, në Itakë-Atdheun e tyre stërgjyshor. Kështu, ky barometër matës në përmasa të gjëra flet për vlerat e komunitetit krijues në njërën anë, dhe për rrezikun e shkapërderdhjes së trurit intelektual, si potencial i fuqishëm për të ardhmen e atdheut të tyre, në anën tjetër. Por, sidoçoftë borgjin ndaj kulturës, gjuhës dhe traditave në një formë e kryejnë me sakrifica dhe mund të madh duke investuar vlerat e tyre morale dhe intelektuale.


 3. PESHA E FJALËS POETIKE PËRGJITHMONË MBETET MONUMENT

 Ilirjana Sulkuqi, Vitore Stefa, Albana Mëlyshi-Lifschin, Kozeta Zylo, Ardita Jatru, Eva Rudi, Eglantina Kume dhe Armela Hysi janë disa nga emrat e autoreve femra të prezantuara në Antologjinë poetike “Itaka e fjalës”. Rreth tridhjetë arrin numri i tyre, të përfshira në këtë libër, e që flet bindshëm për ndjeshmërinë shpirtërore të tyre, për dhembjet dhe vërragët shpirtërore për atdheun, për familjen, shokët, miqtë dhe farefisin, të cilat janë preokupim i temave që shtjellojnë në shkrimet e tyre. Një përfshirje kaq e madhe e femrave krijuese nënkupton lidhshmërinë e tyre për vendlindjen, për mallin e pashuar për dheun e të parëve, për ngrohtësinë e diellit arbëror. Në Parathënjen e Antologjisë në fjalë Robert Goro ndër të tjera shkruan: “Një numër autorësh janë emra të njohur që në Shqipëri, të tjerë e “kanë shtruar” muzën e tyre në mëgrim. Kategoria tjetër, e konsideron të marrët me vjershërimin, si një lloj psikoterapie për të harruar vështirësitë e stërmundimet e mbijetesës në ditët tona”. Pikërisht në këto relacione e takojmë edhe krijuesin e kësaj lënde poetike, të ndruajtur, të mallëngjyer, shpresëthyer, por edhe krenar dhe të virtytshëm në raste të tjera, kur gjen forcë dhe guxim të këndoj për atdheun dhe lirinë e popullit të vet.
 
Poashtu veçojmë edhe autorët, si: Kolec Traboini, Roland Musta, Ndue Hila, Nase Jani, Robert Goro, Primo Shllaku, Agim Basha, Aristotel Spiro, Romeo Çollaku, Filip Panajoti, Hiqmet Meçaj, Shpëtim Kurti, Zeqir Gërvalla, Rrustem Geci, e shumë të tjerë për të cilët nuk do të marrim mundimin t’i radhisim në këtë shkrim, ngase që të gjithë tashmë kanë lënë gjurmë të thella dhe të pashlyera në kolanën e letërsisë kombëtare, duke sjellur vepra të qëndrueshme dhe me interes për lexuesin dhe studiuesin e pasionuar. Një numër jo edhe i vogël i autorëve të prezantuar janë të panjohur ose fare pak të njohur për auditorin e gjërë, por që prezenca e tyre në mesin e kësaj armate krijuesish të lartëtheksuar dhe tashmë të dëshmuar, u krijon mundësi të mira të daljes nga anonimiteti, të ngritjes së adrenalinës krijuese me intensitet dhe përkushtim të shtuar. Ky konstatim vjen nga faktet që takojmë në lëndën e përzgjedhur, ku sikur është vënë një sistem zingjiror i temave dhe mesazheve nga akcili autor, me mundësitë, stilin dhe motivin që ata kanë shtjelluar në lirikat e tyre. Përballja me numër kaq të madh krijuesish të imponon të mendosh për epilogun e gjithë këtij rrugëtimi, me plot metafora, mesazhe, shqetësime, ëndërra dhe shpresë, me mallin që djeg për atdheun, lirinë, dashurinë e mbetur peng diku larg në dherat e të parëve me letrat pa adresë që u drejtohen të dashurave që në rininë e hershme, etj. Dhe në situata të këtilla mund të ndihesh ngushtë nga pamundësia të ngushëllosh ndonjërin që ka humbur shpresat për një kthim në atdheun e tij, tek miqtë, familja, e dashura që do ta ketë lënë përgjithmonë. Me dhembje do të përkujtosh çastet e ndarjes nga vendlindja të ndonjërit nga poetët, i cili nuk do të ketë kursyer fjalët dhe lotët në poezinë e tij për atdheun, për rrugën e gjatë dhe të mundimshme të mërgimit. Por takojmë edhe poezi që të entuziasmojnë për përkujdesjen e e autorëve të shumtë që kanë guximin të nisen si zogu në qiellin e kaltër që të shijojnë ajrin, ujin, diellin dhe gjithë gëzimin e atdheut, ngrohtësinë atërore dhe ëmbëlsinë e lirisë së shumëpritur. Laryshia e këtillë e temave që shtjellojnë poetët gjithandej kontinenteve deri në Amerikë dhe Australinë e largët krijojnë një imazh të jetës së tyre të përditshme, me mallin ndryrë në shpirt dhe me dëshirat dhe ëndrrat e pashuara për vendlindjen, duke gjetur ngushëllimin tek ditët e ardhshme të lumturisë së imagjinuar në vargun e tyre. Një shkëndi mbijetese ushqejnë në shpirt në çdo çast e në çdo stinë këta krijues, bashkë me pjesën tjetër të emigracionit shqiptar, që përkundër vështirësive dhe ballafaqimeve me peripetitë e jetës, gjithmonë gjejnë arsye të hetojnë një dritë në fundin e tunelit të gjatë të quajtur mëgrim. Këto lirika, që sado bukur tingëllojnë si krijime artistike – letrare, nuk u shpëtojnë edhe defekteve të herëpashershme gjuhësore. Tashmë është prezent një fenomen i papranueshëm, por që po imponohet nga shumë krijues, studiues dhe intelektual të ndryshëm, të cilët në shkrimet e tyre përdorin edhe fjalë dhe shprehje nga gjuhë të huaja, duke aluduar në internacionalizimin e mendimeve dhe studimeve të tyre, por që tek lexuesi ynë vështirësojnë kuptimin dhe shumë herë edhe humbasin vlerën që pretendojnë vetë autorët. Në kontest të kësaj çështjeje gjuhësore është folur gjatë, por ndikimet e gjuhës tashmë kanë bërë efektet e saja, varësisht përkujdesjes dhe parapërgatitjes profesionale të autorëve dhe hartuesve të librave dhe dokumentave të ndryshëm. Përkundër një shpërndarje nëpër vende të ndryshme të botës, nën ndikimin e gjuhëve dhe kulturave të shumta, tek autorët e “Itakës së fjalës” ky fenomen është fare pak i pranishëm, dhe atë në rastet e veçanta ku mund të merren edhe si fjalë e shprehje “stoli” që i japin një ngjyrim të ambientit ku vepron autori, por duke ruajtur embrionin dhe strukturën e poezisë në të mirë të gjuhës amtare. Kjo përkujdesje e autorëve të kudondodhur nëpër botë dëshmojnë për seriozitetin dhe obligimin që i kanë parashtruar vetes për të kultivuar gjuhën e çiltër shqipe, përkundër vështirësive me të cilat mund të përballen.

4. NË VEND TË POST SKRIPTUMIT

Rrugëtimi shterrues nëpër faqet e kësaj Antologjie të veçantë dhe ndër të rrallët e kësaj përmase, duke absorbuar gjithë atë nektar poetik që takon brenda kopertinave të “Itakës së fjalës” është një gjysmë veprim pa mos i thënë edhe pak fjalë për Kryeautorin, përkushtimi dhe puna e palodhshme e të cilit të gjason në një skulptor të rryer, që di të gdhend gurin deri në formën e një monumenti që përjetësohet në vendin dhe kohën përkatëse. Puna me ngulm e Nase Janit që të takoj në një projekt kaq të madh këtë dyzinë krijuesish është një vepër kapitale që meriton respekt të veçantë. Nase Jani prej kohësh ka dëshmuar peshën e fjalës së tij krijuese, por me hartimin e kësaj Antologjie poetike argumentoi përfundimisht se i është dhënë me tërë qenjen shpirtërore prej krijuesi letrave shqipe, duke treguar përkujdesje të veçantë në zbulimin, ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të saj. Në një rilexim të kësaj Antologjie do të preferoja vargjet e Himnit të Flamurit Kombëtar me përshtatje në poezi programatike: “Rreth poezisë të përbashkuar/Me një dëshirë e një qëllim…”, ashtu si është edhe dëshira dhe qëllimi i të gjithë poetëve në këtë përzgjedhje antologjike, që pastaj të vazhdoj rrugëtimin në brendinë e librit, duke kuptuar mesazhin e vargjeve të lartëcituara si moto e përgjithshme e gjithë lëndës përmbledhëse. Kështu do të lidheshin të gjitha fijet e poezive në një të vetme, si një fjalë me peshë të rëndë prej gurit të trollit që përfundimisht të mbetet Monument i një epoke që po jetojmë dhe përjetojmë njëkohësisht.
 



Kthjelltësia është vuajtja që ndodhet më pranë diellit - René Clair  BLOG-PORTA 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora