E enjte, 25.04.2024, 07:51 PM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Tarelli: Një vend për Aleksandër Moisiun!

E diele, 21.01.2018, 12:11 PM


Kadri Tarelli

 

Një vend për Aleksandër Moisiun!

 

- Moisi artisti, Moisi i ndritur!

Brenda po qëndron, pse je i mërzitur?

- Duke pritur mbeta, në Pallat i mbyllur,

Dua të shoh dritë, shpirti më rri ndrydhur.

 

Me lot, të krip detin, me sy të ngroh diellin,

Me krah pulbardhe, të ngjyros dhe qiellin.

Me frymë puth erën, gjoksin për stuhinë,

Njerëzit t’i kem afër, pranë të më rrinë.

 

Me emrin krenohem, më nderon qyteti.

E mban lart Teatri dhe Universiteti.

Në Trieste larg, bust e shesh i kam, (1)

Po shqiptar me rrënjë, në Durrës unë jam.

 

Unë heroi i skenës, që botën çudita.

Brenda më le nata, mbyllur më ngrys dita.

Erësira më vret. Më ngushtohet zemra,

Miqve t’u shtrij dorën e t’i thërras me emra.

 

Pse mos jem në shesh, të shoh anembanë?

Dua të kem shokë, mos të rri mënjanë.

T’i  bëj zë qytetit, të shikoj shtëpinë,

Të flas me durrsakët, të takoj rininë.

 

Në koncerte e shfaqje, shtyhem të nxjerr mallë.

Takoj me të rritur, fëmijë, pleq më rrallë.

Nuk lëviz nga vendi, jo të gjith më njohin.

Shqiptarët ku t’i gjej, t’i shoh e të më shohin?

 

Pse mos kem shtatore, porsi si ky në sallë?

Unë jam i bukur, ndaj po dal në shkallë.

Sheshi ka ndryshuar, s’është më i vjetër.

Mua s’ më pëlqen, po s’kam se ç’bëj tjetër.

 

Ve dorën mbi sy, shoh ç’kam përballë!

Një copë llamarinë, s’di se nga ka dalë! (2)

Si një vepër arti, po më rri karshi,

Fort po më mburret, ç’ka bërë s’e di!

 

Xhon Lenon, Tina Tërner, po më shesin mend!

Për mua durrsakun, nuk u gjet një vend?!

Ata nga larg ardhur, në qytetin tim.

Unë famëmadhi, mbeta si jetim?

 

Do shkoj pranë detit, për trim Ulqinakun.

Heroin e çartur, që s’kurseu gjakun.

Të shaj luftëtarin, me armën drejt Tiranës,

I bën shenjë hasmit, që t’i biem nanës.

 

Gladiatorët pranë, ardhur nga lashtësia,

Një fjalë po na thonë: Kujdes nga historia!

Unë mjeshtër i fjalës, i dëgjoj dhe dridhem,

Nuk kam çfar t’u them, në heshtje po kridhem.

 

Shënim:

1. Në Trieste. Itali. Ka një shesh me emrin e Aleksandër Moisiut dhe një bust të derdhur në bronx.

2. Llamarina, Mujo Ulqinaku, Xhon Lenon, Tina Tërner, Luftëtari, Gladiatorët, kanë vepra arti, të vendosura në sheshet kryesore të Durrësit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora