E premte, 19.04.2024, 02:30 AM (GMT+1)

Kulturë

Nasho Jorgaqi: Poeti i Itakës arbëreshe

E marte, 09.09.2008, 03:01 PM


Nasho Jorgaqi
Poeti i Itakës arbëreshe*     

Nga Prof. Nasho Jorgaqi  

Të lëvrosh letërsi në një  të folme arkaike, që vjen nga ishuj gjuhësorë mesjetarë, me një leksikë të kufizuar dhe frymëmarrje të lektisur linguistike, për të komunikuar në radhë të parë me një lexues brenda komunitetit etnik është një akt krijues jo i zakonshëm. Një akt, që dëshmon, nga një anë, se talenti i vërtetë është si ajo fara e shëndetshme dhe e fortë që mbin dhe në tokë të huaj dhe nga ana tjetër tregon se ç'është në gjendje të bëjë një shpirt artistik kur frymëzohet nga ideale liridashëse dhe humane.
 S'ka dyshim se ky përbën një proces të vështirë, që lyp kurajë e vetëbesim e, mbi të  gjitha, angazhim dhe përkushtim shpirtëror, që nuk kalon pa thekse e përjetime dramatike. I tillë ka qenë dhe është edhe në ditët tona fati i poetëve arbëreshë, komuniteti i të cilëve, ndonëse ka hyrë në shekullin e gjashtë të ekzistencës, vijon të flasë e të këndojë në gjuhën e mëmës. Këto mendime më vijnë ndërmend sa herë lexoj vargjet e magjishme të trinisë së shenjtë të poezisë arbëreshe të Rilindjes, vjershat e De Radës, Darës apo Serembes. Po ndjesi të fuqishme më zgjohen dhe kur lexoj poezinë bashkëkohore arbëreshe, D. Vetmon e Ll. Peronen, V. Belmonten e K. Cukaron, P. Napolitanon e M. Belucin, Xh. del Gaudion e Buzëdhelprin. Një plejadë e tërë, ku në mes tyre do të thosha shkëlqejnë e dallojnë Vorea Ujko dhe Xhuzepe Skiro di Maxhio, si figura qendrore të kostelacionit poetik arbëresh të kohëve moderne.

Në qoftë se i pari doli nga mjedisi i arbëreshëve të Kalabrisë, i dyti vjen nga vatra arbëreshe e Sicilisë. Po pavarësisht nga distanca gjeografike, ata kanë të njëjtat rrënjë, shkruajnë me të njëjtën gjuhë, janë zëri i një komuniteti të përbashkët etnik. S'ka dyshim se emri dhe veprat e poetit Xhuzepe Skiro di Maxhio janë pjellë e drejtpërdrejtë e Sicilisë arbëreshe, e katundeve të saj të përhapur nëpër ishull e në radhë të parë të Horës aq të njohur Piana degli Albanesi. Në këtë katund me histori dhe vlera të shquara atdhetare dhe kulturore lindi, u brumos dhe u formua poeti ynë. Është kjo vatra nga na vijnë vargjet e para të poezisë shqipe, ato të Lekë Matrangës, është vendlindja e një çete të lavdëruar personalitetesh në zë si e iluministit Gj. Guxeta, e dijetarëve Dh. Kamarda, P. Skiro, N. Borxhia, G. Petrotta, e gjuhëtarit M. La Piana, e poetëve N. Brankati e Z. Skiroi. Tradita poetike e krijuar nga L. Matranga në vitet e largëta të Gjashtqinshit, do të shtegtonte nëpër shekuj, për të arritur kulmin e saj me poezinë e Zef Skiroit në dekadat e para të shekullit XX.

Por për arsye social-politike do të ndodhte një pauzë afro gjysmë shekullore, që poezia e kësaj vatre arbëreshe ashtu si gjithë letërsia arbëreshe të binte në fashë, për t'u marrë stafeta poetike nga një brez i ri krijuesish të talentuar aty nga vitet '60. Pikërisht këtij brezi i takon dhe Xhuzepe Skiro di Maxhio. Duke u renditur në krye të zërave poetikë të Pianës, ai iu bashkua asaj gjenerate, që vërshoi në letërsinë e re arbëreshe dhe realizoi kthesën dhe ringjalljen e saj. Dhe tani që ka kaluar afro gjysmë shekulli prej asaj kohe, ne mund të flasim me plot gojën për Xhuzepe Skiro di Maxhion si një nga përfaqësuesit më eminentë të botës letrare arbëreshe. Poet lirik, epik e satirik, dramaturg, përkthyes, publicist, veprimtar i dalluar i lëvizjes gjithëarbëreshe, një emër simbol i bashkësisë së tij etnike. Autor i njëzetë përmbledhjeve poetike, i disa poemave epike-satirike, i pesëmbëdhjetë dramave e komedive, i pranishëm në sa e sa antologji letrare brenda dhe jashtë Italisë, drejtues dhe botues i revistës "Mondo Albanese".

Eshtë ky bilanci i përgjithshëm i peshës që mban figura e Xhuzepe Skiro di Maxhios në letërsinë dhe kulturën e sotme arbëreshe. Sigurisht, në radhë të parë Xhuzepe Skiro di Maxhio është poet, jo vetëm se krijimtaria e tij kryesore i takon fushës së poezisë, por dhe sepse ai me talentin e vet përbën një individualitet krijues të fuqishëm, me vokacion origjinal dhe diapazon të pasur artistik. Duke qenë një poet shumëplanësh, ai do të lëvrojë me sukses si poezinë lirike, ashtu dhe atë epike dhe satirike.

Që në dhjetëvjetëshin e parë të krijimtarisë së vet, ai do të shkruajë krahas poezisë lirike (përmbledhjet "Sunata" dhe "Më parë se të ngriset") dhe poema epike të natyrës tregimtare ("Nëpër udhët e Parrajsit shqiptar dhe arbëresh" dhe "Fatosat"). Në qoftë se me të parën, ai këndon në unison me poetët arbëreshë të kohës së tij, me të dytën vijon traditën epike të De Radës e të Darës, veçanërisht atë të Zef Skiroit. Bile pak më vonë, shmanget nga traga e traditës dhe shkruan e boton librin "APKLPS" (Fotofjalë), ndoshta e para vepër moderniste eksperimentale në poezinë shqipe, ku fjala dhe piktura krijojnë lidhje dhe interferenca me njëra-tjetrën. Në dhjetëvjeçarët që do të vijnë, Di Maxhio do të përqendrohet e do të lëvrojë kryesisht poezinë lirike, një poezi me frymëmarrje të gjerë, ngritur mbi motive ekzistenciale dhe mjete shprehëse plot variacione. Kryetema e tij do të jetë mbijetesa dhe jetesa arbëreshe, qëndresa e bashkësisë që triumfon mbi kohën dhe hapësirën. Është ky miti i qëndresës, por që në poezinë e tij bashkëjeton në simbiozë me mitin e rreziqeve të bjerrjes, të ngrysjes së ditës arbëreshe e njëkohësisht  me mitin e përpjekjeve për ringritjen e të ringjalljes arbëreshe në kushtet e reja. Vërtetë historia është themeli i ekzistencës arbëreshe, por poeti nuk merret me të ose e bën që ajo të ndjehet për aq sa ia lyp angazhimi atdhetar e qytetar.

Miti i së kaluarës vështrohet në optikën e së tashmes, historia jepet në fokusin e të sotmes. Gjithë vëmendja e tij është përqendruar te koha e vet, te realiteti bashkëkohor i bashkësisë, një realitet plot probleme e i mbushur me rreziqe. Janë këto motet moderne ku veprojnë si mola dhe ndryshku shoqëria e konsumit, globalizmi, kurbeti, gjuha e kultura vendase, prej të cilave duhet të ruhet e të mbahet gjallë komuniteti etno-linguistik arbëresh. Dhe për poetin është gjuha e katundit, gjuha e mëmës shprehja e identitetit; vërtetë ajo nuk u jep bukë si gjuha e vëndësve, por u jep shpirt dhe i bashkon arbëreshët, i bën të ndjejnë peshën e dinjitetit dhe individualitetit. Sepse, sipas poetit, "gjuha jonë sado e prerë dhe e përçmuar është kryevepra e qytetërimit tonë"; ajo e bën arbëreshin të ketë të drejtën "të kem fjalën time". Por për Di Maxhion, kjo gjuhë, sado e varfër dhe e lodhur, jo vetëm nuk mund të përçmohet, as të mbetet thjeshtë gjuhë komunikimi, por ç'është më e rëndësishme, me tharmin e mjetet e saj mund dhe bëhet art.

Ai vet jep një provë të lavdërueshme që duke kënduar me gjuhën e nënës shpreh në vargjet e tij psikologjinë dhe reflekset e botës arbëreshe, përcjell te lexuesi ndjesinë dhe mençurinë autentike të bashkësisë. Dhe këtë e realizon jo vetëm falë frymëzimit arbëresh, por dhe shprehjes gjuhësore, leksikut e frazologjisë karakteristike. Vetëm kur hovet e frymëzimit dhe përmasat e mendimeve dhe emocioneve, kërkojnë hapësirë më të gjerë, ai i drejtohet për ndihmë gjuhës letrare. Në këtë vështrim, poeti çon më tej traditën e afrimit gjuhësor të nisur nga Zef Skiroi dhe i bashkohet prirjes së përgjithshme të poezisë së sotme arbëreshe. Në poezinë e Di Maxhios katundi është simboli kryesor, mëma e simboleve, ai përbën mikrokozmosin arbëresh, ku gjallojnë sa e sa simbole të tjerë si kroi, ulliri, pleqtë, udha, rrënjët, të cilët bartin kuptime ekzistenciale, ide dhe mesazhe humane, të vërteta historike e jetësore. Katundi është djep i identitetit, që kthehet në një figurë kolektive, në një metaforë gjithëarbëreshe nga buron poezia e Di Maxhios.

Të gjithë katundet arbëreshe poeti i mbledh e i bashkon nën një çati të përbashkët (përmbledhja poetike "Metaforë") të cilët përftojnë Arbërinë e vogël, atdheun shpirtëror të gjakut arbëresh. Një atdhe që ka sfiduar tërmetet e historisë dhe përballon sfidat e shoqërisë moderne. Në Evropën e bashkuar, Arbëria e vogël për Di Maxhion, sado rreziqe që e kërcënojnë, nuk do që të jetë muze, por një organizëm i gjallë, me "një kurm të vetëm", larg "qelizave të huaja".

I animizuar nga poeti, katundi arbëresh shndërrohet në një qenie njerëzore, me botë të sajin që ndjen e mendon arbërisht. Në përfytyrimin e tij ai paraqitet dhe si një mozaik plot variacione dhe kontraste ngjyrash, me drita dhe hije të qarta, me silueta të së kaluarës, me realitete të gjalla të së tashmes dhe konture të së ardhmes. Di Maxhio, si këngëtar i bashkësisë, ka një vizion bashkëkohor, kur në motet moderne e shikon katundin, jo të mbyllur e të veçuar, por në një plan të gjerë, të lidhur jo vetëm me atdheun mëmë, por dhe me botën. Nëpërmjet  zërit të tij, katundi zbulon vetveten, shpall e përcjell aspiratat e veta liridashëse, këndon këngët e saj njerëzisht e burrërisht, duke bartur dramën e jetës dhe epikën e qëndresës, optimizmin dhe besimin, larg toneve qaramane. Të gjitha këto na bëjnë të mendojmë se poezia e Di Maxhios karakterizohet nga perceptimi dhe konceptimi modern i historisë e i jetës arbëreshe, nga abstragimi dhe përgjithësimi i një lëndë njerëzore, që e shprehur poetikisht i jep asaj veti të çmuara estetike. Heroi i përbashkët i poezisë së Di Maxhios është arbëreshi i të gjithë kohërave, ai që vjen nga moti i madh, po akoma më shumë si i moteve moderne, me rrënjë e fizionomi të vetën, me individualitet të spikatur , i mençur dhe i urtë, punëtor dhe trim, bartës i së resë dhe i vlerave, por dhe individualist e herë-herë i çartur e shpërthyes.

Në poezinë e tij gjejmë portrete të goditur të brezave e të shtresave të ndryshme, të plakut e të vajzës arbëreshe, të fshatarit e të qytetarit arbëresh, të burrit e të gruas të Horës, të gjithë të dhënë me penelata të sakta dhe të motivuara psikologjikisht. Poeti arrin të krijojë dhe të japë me bukuri e realizëm, karaktere të fuqishëm, tepër mbresëlënës siç është fjala vjen plaku i urtë Mas Rushi në poemën omonime ose arbëreshi disa herë i mërguar apo vajza arbëreshe, plot hire dhe dritë, veshur me kostum "të qëndisur nga dielli vetë". Poezia e tij, duke rrokur në tërësi historinë dhe jetën arbëreshe e zbulon fatin e kësaj bashkësie si një dukuri njerëzore. Është drama e përjetshme e mërgimit, drama e ikjes dhe e shpresës utopike të kthimit, e largimit me vela apo me motora, por që bart njësoj dhimbjen dhe s'ka vend më për atdhe fizik.

Atdheu mbetet ngaherë shpirtëror dhe kthimi një ëndërr e përjetshme. Aq e vërtetë është kjo, sa fatin e arbëreshit poeti e lidh dhe e përgjithëson me fatin e figurave të lashtësisë, të Odisesë e të Leartit, që Arbëria shndërrohet në Itakë. Itaka pret Odisenë të kthehet, Learti është në pritje të përhershme të të birit. Hidhen paralele në mes botës homerike dhe botës arbëreshe. Kështu arbëreshi është alteregoja e Leartit dhe Odisesë, kurse Arbëria e Itakës. Përmasat e gjera në kohë e në hapësirë, portreti kolektiv i bashkësisë arbëreshe, vetëdija e tyre se ata vijnë nga perënditë pellazge, përfytyrimi i katundeve, përkëdhelur nga flladi i Jonit, veshur me mjegull e tis malli e melankolie i japin poezisë së Di Maxhios një imazh madhështor. Në dy dekadat e fundit poezia e Di Maxhios, jo vetëm është pjekur e ngritur cilësisht, por është pasuruar në brendi me elementë të rinj, si refleks i ndryshimeve social-historike. Pikëtakimet shqiptaro-arbëreshe, kontaktet me Shqipërinë e Kosovën, rrethanat e krijuara me emigracionin e ri nuk mund të mos depërtonin dhe të jenë të pranueshme në poezinë e tij.

Ata do të ndihen që nga mezi i viteve të 80-ta me ciklin "Udhëtimi i parë" për t'u shtrirë e për të zënë vend në vargun e përmbledhjeve poetike të dy dekadave të fundit. Është kjo një poezi me një brendi komplekse, plot kontraste, me batica e zbatica shpirtërore, me laryshi idesh, me gjendje shpirtërore të trazuara, me tonalitete e ndjeshmëri të të gjitha shkallëve. Poeti përpiqet të bëhet zëdhënës i këtij realiteti të ri, ku drama arbëreshe merret në kontekstin e gjerë të dramës shqiptare, veçanërisht të asaj kosovare ("Kosova lule"). Në këtë rast zëri i tij është i fortë e i bukur, dinjitoz dhe i vërtetë, me imazhe sa delikate aq dhe tronditëse, me mendime e gjykime të mprehta, plot detaje të goditura dhe sinteza realiste. Ndaj mund të konsiderohet një kontribut origjinal në poezinë mbarë shqiptare që sjell poeti ynë nga Hora e largët. Xhuzepe Skiro di Maxhio është tanimë nga personalitetet me peshë të letërsisë arbëreshe e më gjerë. Një pinjoll e vazhdues i denjë i Serembes e Skiroit, që duke ecur në vazhdën e tyre, në kushte e nivele të reja, lëvron e vitalizon fjalën poetike arbëreshe, me një individualitet krijues të thukët.

Frymëzimi i vetvetishëm dhe angazhimi shpirtëror, ndjeshmëria e lartë artistike dhe vështrimi i gjerë i jetës dhe i historisë arbëreshe, njohja e thellë e psikologjisë së bashkësisë së vetë, pasuria tematike, portretizimi i brendshëm dhe i jashtëm i njerëzve të një gjaku kanë përftuar një poezi me vlera të veçanta, të kënduar bukur dhe me zë të fuqishëm. Poezia e tij është thellësisht lirike, lirizëm ky që rrok një gamë të gjerë të jetës njerëzore në përgjithësi e të asaj arbëreshe në veçanti. Ajo shquhet për thellësi ndjenje dhe delikatesë e përkorje, për figuracion të pasur dhe goditës, për një ligjërim të gjallë poetik, fjalë të kursyer dhe stil lakonik. Nga ana tjetër, poezia e Di Maxhios nuk mund të merret me mend pa frymën e humorit, që lëviz në mes ironisë e sarkazmës, pa tonet polemike dhe notat optimiste që burojnë nga vetë natyra arbëreshe. Pa dyshim kjo përbën një nga vlerat e tij më të qenësishme, po të kemi parasysh dhe mendimin e V. Hugoit se "Liria fillon nga ironia" dhe këtë liri e gjejmë, jo vetëm në frymëmarrjen e çlirët poetike, po sidomos në mendimet dhe mesazhet liridashëse, në shpalljen dhe afirmimin me guxim të së vërtetës, në talljen dhe përqeshjen që u bën të këqijave njerëzore dhe sociale.

Prapa kësaj poezie qëndron poeti qytetar, njeriu me zemër tepër të ndjeshme, artisti me ndërgjegje të lartë shoqërore, këngëtari i bashkësisë së vet. Krijimtaria poetike e Di Maxhios, ndonëse me rrënjë në traditën letrare të Horës së tij i vjen lexuesit si një poezi me zë madhor, me modernitet evropian në shprehje dhe frymë bashkëkohore për realitetin dhe problematikën që trajton. Një figurë e tillë e fuqishme, i bën nder poezisë arbëreshe dhe asaj shqiptare në përgjithësi. Vëllimi që ka në dorë lexuesi është një dëshmi e qartë e kësaj të vërtete të bukur. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora