E premte, 29.03.2024, 02:36 PM (GMT)

Faleminderit

Vilhelme Haxhiraj: Ç’duhet të dimë për Skënderbeun?

E diele, 21.01.2018, 04:17 PM


Ç’duhet të dimë për Skënderbeun pas 550 vitesh mungese?

Fragment nga dorëshkrimi” Elitat janë krenari Kombëtare”

“Nuk është sipërfaqja e vendit ajo që bën një fron të respektueshëm, por aftësia e atij që ulet mbi të.” Gjergj Kastiot Skënderbeu.

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj - ''Mjeshtre e Madhe e Penës''

Çdo komb ka një Hero Kombëtar. Por rrallë i ndodh një vendi të vogël si Shqipëria të ketë për të tillë, një figurë si Gjergj Kastriot Skënderbeu. Gj.Kastrioti lindi në Dibër, më 6 maj 1405. Vdiq në qytetin e Lezhës, më 17 janar1468. Më 17 Janar 2018 është 550 vjetori  i vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gj. K. Skënderbeut, të cilin e kujtojmë me veneracion për heroizmin që tregoi për kombin dhe më gjerë. Në mësymjen e Perandorisë Osmane në brendësi të Europës, ishte djali i Gjon Kastriotit dhe Vojsavës, Gjergji,fëmija i fundit midis 4 djemve dhe 5 vajzave. E morën peng pas thyerjes së të atit nga Sulltan Murati më 1421 dhe u dërgua në oborrin e tij në Adrianopojë.Në Stamboll studioi artin ushtarak. Ishte njohës i gjuhës osmane, latine e shqipe dhe shkruante në këto gjuhë. Gjithashtu dallohej për një oratori të lindur. Zgjuarsia dhe shkathtësia e çuan Gjergjin në shkollën e sulltanit (içogllanëve),e cila përgatiste komandantë e nëpunës.Për dhuntitë e tij mendore e fizike, mori emrin Iskënder (Aleksandër).

Skënderbeu është figura më e shquar në historinë e Shqipërisë.

Gjergj Kastrioti u martua me të bijën e Princ Gjergj Arianitit, Donika Arianitin e cila doli nuse nga Kanina( Vlorë, martesë që mundësoi bashkimin e princërve shqiptarë të përçarë e në grindje me njëri-tjetrin. Kjo martesë u arrit fal diplomacisë së Gjergj Arianitit.

Vlera më e lartë e tij ndaj kombit, është se për 25 vjet ai mbajti larg Shqipërisë ushtrinë turke, duke e thyer thuajse në çdo betejë

Gjergj Kastriot mban titullin Hero Kombëtar që nga viti 1965, titulli më i lartë dhe i vetëm që mban një shqiptar për vlerat kombëtare të pamohueshme.  Historianë e personalitete të huaj, i kanë venë disa epitete si, “Atlet i Krishtit”ose “Ideatori i Aleancës së Parë Euroatlantike”, që e ngrenë në piedestal figurën e Heroit tonë Kombëtar. Por si përgjigje them se,Skënderbeu s’ka qenë as prift, as hoxhë, por ka qenë shqiptar, i cili luftoi kundër një fuqie të huaj që vinte  pushtonte tokat e tij.  Sot në botë emrin e Gjergj Kastriot Skënderbeut e mbajnë sheshe të shumta në kryeqytetet më të rëndësishëm të botës, që nga Tirana, Prishtina, Zyrihu, Parisi, Roma, Çikago, Shkupi, etj. Buste dhe shtatore të Skënderbeut ndodhen në Londër, Spanjë, Buones Aires, New York, Kanada, Kosovë, Tiranë, ku në secilën vepër arti, Heroi Kombëtar paraqitet i hipur mbi kalë si simbol luftëtari. 

Heroi ka adhuruar Pirron e Epirit dhe Aleksandrin e Madh dhe ka deklaruar se, “unë jam pasardhës i Pirros së Epirit”. Ndaj përkrenarja e tij me kokën e dhisë që mbante mbi krye ishte një simbol me origjinë nga legjendat e Pirros së Epirit dhe të Aleksandrit të Madh. Sipas Barletit: “shpatat dhe kali i Skënderbeut janë simbole që e kanë shoqëruar heroin”. Pas vdekjes së tij, kali nuk pranoi t’i hipte njeri tjetër deri sa ngordbi. Nga 30 beteja, ai ka humbur vetëm 1(një). Skënderbeu gëzonte dashurinë dhe nderim nga bashkëkombësit e vet, jo vetëm sa qe gjallë, por edhe pas vdekjes.

Emri tij kaloi kufijtë e Gadishullit Ballkan, gjë që i detyroi të gjitha kohërat të flasin për Skënderbeun.

*Historiani dhe shkrimtari francez Volter(Voltaire) ka thënë se, “sikur Perandoria bizantine të kishte pasur njerëz si Skënderbeu, Perandoria e Lindjes do t’i kishte shpëtuar pushtimit turk”.

*Bashkëjetesa fetare përherë ka qenë tolerancë e shqiptarëve në harmoni dhe si një vlerë thuajse unikale kombëtare fetare. Kjo u krijua ndër shekuj, paralelisht dhe pazgjidhshmërisht me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, nën kujdesin e rilindësve tanë, si dhe në kushte veçanta e të ndryshme nga kombet e tjera të Ballkanit.

Ndryshe nga sa e sa shtete që në ushtri kishin mercenarë, Skënderbeu u mbështet mbi një ushtri shqiptare, të armatosur lehtë, me lëvizshmëri të madhe e aftësi të lartë goditëse. Sipas strategjisë dhe taktikës së tij ushtarake, Ai krijoi idenë se fitorja nuk varet nga numri i ushtarëve.

*Marin Barleti ka vënë në gojë të Skënderbeut, se “kush nuk është në gjendje ta mundë armikun me një ushtri prej 8 -12 mijë vetash, nuk do të mund ta bënte këtë edhe me një ushtri shumë më të madhe”.

*Lidhur me këtë, Gjenerali anglez Xhejms Wolfe (heroi i Kuebekut ) kishte deklaruar se “Skënderbeu ua kalon gjithë oficerëve, të lashtë e të sotëm, për drejtimin e një ushtrie të vogël mbrojtëse”.

*William Temple, burrë shteti e shkrimtar anglez i shekullit XVII, në veprën e tij mbi "Virtytin heroik", e vë Skënderbeun “si një nga shtatë kapedanët e mëdhenj të pakurorëzuar (jo mbretër) të Evropës”.

*** 

*Skënderbeu është njohur si Mbret i Shqipërisë dhe Maqedonisë që në vitin 1458. Fakte që publikohen për herë të parë...

*vo:nacionalalbania.com - 22 tetor 2013  Violeta Murati:  Në Vatikan zbulohet një dëshmi sekrete e historisë shqiptare. Për herë të parë në vitin 2000 del në dritë dokumenti, ku Skënderbeu është shpallur mbret. Ekziston një akt diplomatik,mandat, në të cilin emërohet ambasador i Skënderbeut, Martin Muzaka. 

*Është gjetur e shkruar letra origjinale, në pergamen me një vulë shtetërore të varur, që ruhet në Arkivin Sekret të Vatikanit në fondin; Miscellanease, volumi XXXIX, dokumenti 2398, i vitit 1458.

Dr.Musa Ahmeti, një studiues i arkivave të Vatikanit ka publikuar kohët e fundit, mandatin e mbretërisë shqiptare.Pikërisht sipas këtij mandati Skënderbeu quhet “mbret”. 

*Si u gjet vula e mbretit Gjergj Kastrioti? 

Hulumtimet e kohëve të fundit nëpër arkiva e biblioteka

kanë bërë zbulime të reja. Në vitin 2000, Musa Ahmeti, studiues nga Zagrebi Arkivin Sekret të Vatikanit, në fondin: Miscellaneae, zbulon një mandat (akt diplomatik) origjinal të Skënderbeut që i takon vitit 1458, me të cilin emërohet Martin Muzaka si përfaqësues i tij “legjitim dhe legal”. Sipas tij, “Dokumenti është i shkruar në pergamen. është ruajtur mjaft mirë”dhe ka përmasa  68 x 92.5 cm, ku janë  varur dy vula origjinale: 1- vula shtetërore e Skënderbeut dhe 2- e noterit Johannes Borcius de Grillis. “Një kopje e këtij mandati e saktë dhe besnike, pa asnjë lëshim nga ana e përshkruesit, ruhet në Arkivin Sekret të Vatikanit, në: Diversa Cameralia, vëll. 30, f. 134- r-v.) . 

*Kur u bë Skënderbeu mbret?...

 Vo: Ky zbulim hedh poshtë datën farse të hamendësuar nga studiuesit shqiptarë, sipas të cilëve Skënderbeu u bë mbret në vitin 1463, e cila nuk vlen më. 

Studiuesët shqiptar pa kurrfarë dokumenti thonë se Skënderbeu u bë mbret më 1463. Kurse studiuesi Musa Ahmeti, nga Zagrebi, thotë, se sipas origjinalit, mandati është lëshuar me 28 tetor të vitit 1458. I drejtohet Papa Piut të II-të, i cili kishte më pak se dy muaj që ishte Papë, nga 3 shtator të vitit 1458 dhe vdes më 15 gusht 1464. ”Papa Piu njihej si luftëtar i rreptë për mbrojtjen e fesë krishtere edhe kur ishte Kardinal”. Me vlerë është edhe pohimi i noterit publik Johannes Borcius de Grillis se ai “me urdhër dhe autorizim të mbretit…” në këtë dokument e quan  Skënderbeun  “Mbret” dhe është tepër domethënës, pasi edhe në vulën shtetërore të varur që e shoqëron këtë dokument gjejmë të shkruar tekstin: “Sigil (um)o Regni(ae) o Macedonia(e)o et oAlbania(e)”, që në gjuhën shqipe do të thotë: “Vula e Mbretërisë së Shqipërisë dhe Maqedonisë”. Gjithashtu aty shkruhet: “Skënderbeu trashëgon zyrën nga i ati, Gjoni”, e cila i përket shek XIV dhe fillimi i shek. XV. “Natyrisht që kancelaria e Skënderbeut ishte shumë më moderne dhe u ishte përshtatur rrethanave dhe kohës kur vepronte. Sipas hulumtimeve, kemi një të dhënë interesante, se nga zyra e Skënderbeut, ka ndodhur që brenda një dite të dalin n 13 akte të ndryshme diplomatike, të shkruara në 5 gjuhë. Kjo tregon komunikimin e Heroit tonë kombëtar me shtetet e tjera mjesjetare dhe me fqinjët, si dhe rolin e rëndësishëm që luante kjo diplomaci në ruajtjen e pavarësisë shtetërore dhe teritoriale”. 

*Një vlerë e patjetërsueshme e kohës së Skënderbeut janë kancelaritë shqiptare.

Ky dokument, si pjesë e historisë, tregon se në mesjetë, sundimtarët dhe princërit shqiptarë kishin zyrat e tyre të kancelarive në nivele të ndryshme, pajisur me noterë, sekretarë apo përkthyes. Këto zyra ishin mjaft të zhvilluara dhe mund të renditen në radhën e kancelarive të ngjashme më të njohura në Europë. Nga këto zyra dolën akte, diploma, mandate dhe dokumente nga më të ndryshmet, në disa gjuhë që në atë kohë ishin në përdorim zyrtar. Por për fat deri më sot ka pak njohuri rreth dokumentacionit.

Pjesa dërmuese e tyre siç janë zhdukur përgjithmonë. Ndoshta presin studiuesit që t’i nxjerrin në dritë dhe t’i botojnë. E rëndësishme është se dokumentet e zbuluara deri tani, si akte diplomatike nuk ndryshojnë nga ato të sundimtarëve të tjerë, fqinjë apo europianë. Zakonisht në këto kançelari janë përdorur gjuhët kulturore të kohës si: latine, greke, sllave, italiane osmane dhe ndonjë tjetër.

Ky zbulim hedh poshtë datën farse të hamendësuar nga studiuesit shqiptarë, sipas të cilëve Skënderbeu u bë mbret në vitin 1463, e cila nuk vlen më. Me daljen e mandatit të Skënderbeut nga Vatikani kjo datë kalon rreth pesë vite përpara, pra më 28 tetor1458,Skënderbeu u bë mbret.

***

*Ku konsistojnë vlerat e këtij heroi që bëri epokë?

Pas mbretërisë së Arbërit, Skënderbeu njihet si burri i vendosur që krijoi shtetin e parë dhe bashkoi shqiptarët e përçarë.
*Gjatë sundimit të tij u shuan mosmarrëveshjet dhe përçarjet e principatave shqiptare. Lidhur me pajtimin mes feudalëve shqiptarë një rol të madh luajti Gjergj Arianiti, i cili e martoi vajzën e madhe Donikën me princin Gjergj Kastrioti, që ishte gati i një moshë me të.
*Për herë të parë Shqipëria si një komb që mbrohet u bë e njohur me luftrat romake, më pas me Rugjina Balshën, me Kryengritjet e famshme të Gjergj Arianiatit, që për famën e tyre e për aftësinë e tij si strateg luftarak,bota e quajti Princi Gjergj Arianit “Madhështori”.
*Fitoret e Skënderbeut treguan se Shqipëria ka pasur zot dhe përherë ka mbrojtur të drejtat e saj kombëtare për liri.


Kali i bardhë, një simbol i Skënderbeut, që nuk lejoi njëri t’i hipte, i cili ngordhi pas vdekjes së heroit. (Marin Barleti). 

Pas mbretërisë së Arbërit, Skënderbeu njihet si burri i vendosur që krijoi shtetin e parë dhe bashkoi shqiptarët e përçarë.
*Gjatë sundimit të tij u shuan mosmarrëveshjet dhe përçarjet e principatave shqiptare. Lidhur me pajtimin mes feudalëve shqiptarë një rol të madh luajti Gjergj Arianiti, i cili e martoi vajzën e madhe Donikën me princin Gjergj Kastrioti, që ishte gati i një moshë me të.
*Për herë të parë Shqipëria si një komb që mbrohet u bë e njohur me luftrat romake, më pas me Rugjina Balshën, me Kryengritjet e famshme të Gjergj Arianiatit, që për famën e tyre e për aftësinë e tij si strateg luftarak,bota e quajti Princi Gjergj Arianit “Madhështori”.
*Fitoret e Skënderbeut treguan se Shqipëria ka pasur zot dhe përherë ka mbrojtur të drejtat e saj kombëtare për liri.
*Një vlerë kontinentale është quajtur suksesi i luftës së Gjergj Kastriotit, pasi ndaloi pushtimin e Europës nga P. Osmane.
Për trimërinë e tij si ushtarak dhe strateg i zoti, Sulltan Mehmeti –i –II-të është shprehur: “Kurrë s’ka për të dalë më mbi tokë një luan i tillë si Skënderbeu”. 

*Fjalimi i Gjergj Kastriot Skënderbeut para princërve shqiptarë në çastet e fundit të jetës. 

*vo:Gazeta ‘Mapo’- 04 August 2016: Studiuesi Aurenc Bebja (Francë), vitin e shkuar ka zbuluar një tekst të botuar 238 vite më parë në Gjermani me fjalët e fundit të Gjergj Kastriotit në shtratin e vdekjes, që është marrë nga libri me 131 fq- Stephan Zannowich- “Le Grand Castriotto d’Albanie, Histoire”-Sh.Botuese: J. J.Kesler, Frankfurt-v.1779- fq70-89.

Gjergj Kastrioti, para se të fillonte fjalimin, urdhëroi që djali i tij i vetëm, Gjoni, dhjetë vjeçar, të ndodhej mes të ftuarve. Pjesë nga fjala e tij …

“Jam në prag të varrit. Po ju lë një mbretëri me forca të afta për ta mbrojtur, por me një pasardhës të paaftë nga mosha për ta drejtuar. Megjithatë, në qoftë se në të ardhmen ju bëheni trima dhe të virtytshëm, ju mund të përballoni të gjitha sulmet e armiqve tuaj.

*Nuk është sipërfaqja e vendit ajo që bën një fron të respektueshëm, por aftësia e atij që ulet mbi të. Në qoftë se ju jeni të djallëzuar, shërbëtor të ministrave tuaj, dhe naiv të lajkave të oborrtarëve tuaj, atëherë asgjë nuk do të jetë më e lehtë sesa përmbysja nga maja më e lartë ku ju ndodheni.

*Duhet të jetë virtyti themel i fronit: Virtyti nuk është fantazi. Duke pasur virtytin si udhërrëfyes, lajkatarët dhe të pabesët do të largohen prej jush…

*Krijoni vendshkrime të paçensuruara në të gjithë sipërfaqen e mbretërisë, ku mund të publikohen të gjitha padrejtësitë dhe dhuna që mund të ushtrohet nga drejtuesit e krahinave tuaja. Bëni këtë edhe për miqtë apo familjarët e tyre që jetojnë në oborrin tuaj, të cilët i fshehin këto shkelje apo i përdorin nën pretekstin e drejtësisë dhe të domosdoshmërisë.

*Shqyrtoni gjithçka nga ju vetë, dhe nëse magjistrati, ushtari apo kleriku janë mashtrues dhe të padrejtë, atëherë pa mëshirë varini në shtyllë në vendin e krimit: ju do të vini re se pasardhësi i tij do të bëhet i drejtë dhe i njerëzishëm…Kur sapo të keni marrë drejtimin e pushtetit, ju do të kujdeseni për Drejtësinë, e cila është themeli i të gjitha virtyteve.

*Ju do të mbroni artizanët, si njerëzit më të dobishëm të zonave të pushtetit tuaj, dhe do të parandaloni shtypjen e tyre nga pasanikët. Krenaria dhe luksi i bën pasanikët të pandjeshëm ndaj fatkeqësive të të varfërve, të cilët nuk kanë as tituj (grada) e as mbështetje.

*Duhet të jeni të butë dhe të dashur me njerëzit tuaj ; dukuni shpesh mes tyre, bisedoni me ta, pyesni ata nëse dëshirat tuaja për drejtësi janë ekzekutuar nga ministrat tuaj.

Princi që qëndron i mbyllur me oborrtarët e tij shikohet nga populli i tij si armik dhe tiran…Dëgjoni ankesat dhe kërkesat e popullit tuaj me qetësi sa që t’i frymëzoni besim tek ai, që t’ju ndihmojë të korrigjoni abuzimet dhe fatkeqësitë e shtetit.

*Kujdesuni që Kombi juaj të rritet nëpërmjet fesë katolike, por mos persekutoni asnjeri që ta ndjekë atë me detyrim. Dielli, që është shëmbëllimi i Perëndisë, shkëlqen pa dallim për turkun ashtu si për të krishterin.

*Kushdo që këshillon për të luftuar për hir të Perëndisë, është një mashtrues, i cili dëshiron të sakrifikojë të vërtetën për interesat e tij. Zoti është i fuqishëm, ai mund të bëjë gjithçka vetë, pa ndihmën e askujt…Në qoftë se fati ju bën endacak, të varfër apo nevojtar kurrë mos e ndryshoni fenë për interes. Mbyllini që në origjinë mosmarrëveshjet e teologëve dhe hipokritëve, të cilat janë më të rrezikshmet për lumturinë e një shteti. Kemi parë perandoritë më të lulëzuara të përçahen dhe të tronditen nga këta fanatikë…

*Shihni Perandorinë e Konstandinit të rrënuar dhe princin Gjon Paleologu të shkelur nga kuajt e Arabëve. Ai ishte supersticioz, priftërinjtë e tij ambiciozë dhe injorantë, oborrtarët e tij të rremë dhe të shthurur nga luksi, dhe tani princi, priftërinjtë dhe oborrtarët kanë vdekur dhe po vdesin në skllavëri.

*Nëse keni fat të mjaftueshëm për të pasur filozofë në vendqeverisjet tuaja, të cilët janë të ndriçuar nga drita e arsyes dhe jo nga sistemet e rreme, le të shkruajnë në paqe dhe të reagojnë ndaj paragjykimeve dhe makinacioneve të kujtdo që flet në emër të Zotit me qëllim për të heshtur mbretin dhe drejtësinë. Ju do t’i mbroni ata kundra zellit të tepruar të drejtuesve hipokritë duke i shpërblyer me vende pune në gjykatat dhe oborret tuaja.

*Kur të ju flasin keq për dikë, ju do ta dëgjoni me gjysmë veshi… Ju do të jeni të sjellshëm me të gjithë shtresat popullore. Si arsye e dallimit të gradës që do të keni së shpejti në shoqëri, ju duhet të dalloheni nga të tjerët nëpërmjet bujarisë, i cili është karakteri dallues i princave. Një monark, edhe i varfër, duhet të jetë bujar…

*Mbroni meritën dhe shpërblejeni atë kudo që ajo ndodhet. Mirësia duhet të shoqërohet me një zemër bujare. Njeriu ndërton tempuj, ngre altarë për Zotin falë mirësisë së tij. Evitoni për gjithmonë shekullit(në kohë), rrethit dhe racës tuaj turpin për të pasur njerëz të dëshpëruar nga mizoria, krenaria apo injoranca juaj.

Mos harroni se njeriu lind për lumturinë e njëri-tjetrit…

*Armatosuni nga guximi dhe vendosmëria në mjerim, me maturi në mirëqenie. Mos u zhytuni në përtaci, ajo është nëna e të gjitha veseve…Mos mbyllni sytë ndaj fqinjëve dhe traktateve të tyre: ata do të presin çastin kur ju do të jeni të brishtë për t’ju akuzuar dhe do të pohojnë pretendime të rreme mbi trashëgiminë që po ju lë. Mos përdorni spiunë për të ditur se çfarë thonë njerëzit në lidhje me administrimin tuaj. Bëni punën tuaj ashtu si duhet, njerëzia le të flasin dhe të shkruajnë çfarë të dëshirojnë…

*T’i jepet mundësia gjithsecilit prej rrethit tuaj që t’ ju shkruajë. Ju do të punësoni sekretarët tuaj që të përgjigjen për çështje të ndryshme ose publike, por sekretet e shtetit duhen të mbeten mes jush…

*Mos përbuzni askënd. Më i vogli dhe më i varfëri mund të ju rrëzojë, ashtu si dhe mund të ju ndihmojë me këshillat dhe kurajon e tij.

*Duhet të jeni të durueshëm në çështjet e luftës. të patrembur në rreziqe, të butë e humanë,por kurrë mizorë dhe gjaknxehtë. Fshihni dhimbjen që fatkeqësitë tuaja mund të ju shkaktojnë.

*Armiqtë tuaj do të jenë gjithmonë të gatshëm të ju fyejnë për fatkeqësitë, dhe ministrat t’u tradhtojnë. Ftoni mes jush të huaj të arsimuar duke u dhënë një rol këshilltari edhe në rast kur ata nuk janë fisnikë e të pasur. Kompetencat që i akordohen fisnikërisë janë prodhim i politikës.

*Ju mund të përdorni fisnikët si të dëshironi. Pasanikët injorantë do t’i ledhatoni, kështu do të kurseni pasurinë tuaj për mirëmbajtjen e ushtrisë, dhe do të keni një oborr të shkëlqyeshëm falë krenarëve por dhe budallenjve, që nuk kanë asnjë lloj virtyti përveçse floririt.

*Nuk duhet të jeni të ndrojtur ndaj ndjenjave tuaja. Deklaroni haptazi oborrtarëve tuaj, se ai që do të ju gënjejë dhe do të ju dërgojë në rrugën e gabuar në administrim, pa asnjë falje do të varet në shtyllë.

*Poetëve që do të ju thurin vargje, për të ju bindur se jeni më i madhi, më bujari, më i mrekullueshmi, luftëtari më i madh ndër të gjithë mbretërit, u dërgoni në këmbim një copë letër, bojë dhe një pendë nga një oborrtar i panjohur, me urdhrin për të dëshmuar të vërtetën e asaj që shkruajnë, dhe në qoftë se nuk mund të bëjnë një gjë të tillë, të kufizojnë veten në dhënien e këshillave, duke u lënë të kuptohet së nëse vazhdojnë të shkruajnë marrëzira të tilla të rrezikshme, ata do të mbyten nga vetë ju si person i shenjtë i së vërtetës.

*Kujdesuni që të keni gjithmonë ushtarë të mirë dhe të disiplinuar. Që ushtarët tuaj të mos bëhen përtacë, t’i stërvitni dhe t’i trajtoni jo si skllevër por si shokët tuaj. Kur të jeni në luftë, ju do të udhëhiqni ushtrinë si gjeneral dhe në betejë do të luftoni si ushtar. Emri i mbretit është një titull shumë i nderuar, por ky titull ka peshë të madhe dhe detyra të vështira për të realizuar.

*Kryesorja është të pranohesh e të respektohesh në rrethin tënd. Zoti s’ka dhënë fuqi supreme që të zhytemi në llumë, por që të jemi mbrojtës të çështjes publike. Për një zemër të butë dhe një shpirt të virtytshëm, mirëqenia e përgjithshme e popullit tënd është kënaqësia më e madhe që mund të përjetohet. Neglizhenca dhe një lloj mirësie që e thërrasim « mendjelehtësia e një princi », u shkaktojnë dëme njerëzve.Ju e dini se roli i mbretit është t’i mbrojë.

*Dëboni larg jush astrologët gjykatës dhe kimistët prodhues ari dhe diamantesh. Një princ është gjithmonë i pasur, kur ai është i mençur dhe i lartësuar shpirtërisht.

*Emri juaj do të jetë i shkruar në një pllakë prej mermeri të bardhë me shkronja të zeza mbi dyert e kështjellave tuaja të destinuara për të burgosurit. Mjerim për guvernatorin që i fsheh mbretit pafajësinë, përkeqësoi nga koprracia dhe zelli i tij, dënimin e fajtorëve…

*Mbroni njerëzit e dashur dhe të mirë, ndëshkoni shpirtrat e këqij. Jeni të ndjeshëm ndaj lëndimit, por akoma dhe më shumë ndaj shërbimit të popullit tuaj dhe miqësisë të njerëzve të ngjashëm me ju.

*Pika kulmore e një lufte është çorientuese, duhet ndjerë pasiguria (rreziku). Atëherë kujdesi dhe guximi do të ju shërbejnë më mirë se sa pasuria. Duhet të dish të fitosh, por mos harroni se edhe mund të mposhtesh. Sfidoni veten tuaj!Mos e humbisni toruan nga zemërimi, sepse atëherë i thjeshti bëhet i keq dhe mbreti një përbindësh…

*Mos harroni se politika turke është për të mbjellë përçarje mes princave të krishterë. E gjithë madhështia e tyre gjendet në këtë politikë të shkëlqyer, e cila bën më shumë pushtime sesa armët e tyre. Së fundi, në qoftë se jeni xheloz se po ju lë një trashgimtar që ju pengon për të marrë fronin, mos harroni se kam qenë babai juaj, dhe shpatën do e përdorni vetëm për të rrëzuar armikun.

*Ju do të keni lidhje të shumta me oborrin e Romës, që unë kam qenë deri tani mbështetës dhe mbrojtës. Interesat e mia më kanë detyruar të përshtas politikën time me të sajën. Rrethanat në të cilat kam gjetur veten, s’më kanë lejuar të luftoj uzurpimet turke dhe pretendimet e papës.

*Për të mirën e krahinave të mia kam qenë gjithmonë i lumtur me veprimet që kam ndërmarrë. Roma është fodulle vetëm me princat e dështuar. Roma, duke më pasur frikë, më ka bërë gjithmonë lajka.

*Ajo ndryshon maksimat(politikat synuese) dhe pozicionet sipas rasteve, por frika se humb tokat e saj ndaj sulmeve të Muhamedit, e ka detyruar atë të qëndrojë modeste ndaj meje, duke më njohur të gjitha të drejtat, titujt, dhe zotërimet e realizuara gjatë betejave të mia. Papët nuk kanë arritur kurrë të manipulojnë një ushtar të vjetër si unë, por nuk do të hezitojnë të bëjnë një gjë të tillë ndaj jush si arsye e moshës së re dhe mungesës së eksperiencës për të qeverisur dhe për të shërbyer.

*Mos harroni, se me praktikat e shumta që ata përdorin për të arritur qëllimet e tyre, më e forta, është rrëfimi. Por është e lehtë ta kuptoni, kur prifti do të dojë të dijë më shumë sesa mëkatet tuaja, kthejeni si një mashtrues në vendin e tij, dhe dënojeni si të tillë, që të shërbejë si shembull për pasardhësin e tij.

*Megjithatë, është me shumë e rrezik të kundërshtosh hapur Papën, këtë idhull të madh të fesë sonë. Ai është një njeri si të tjerët, me pasionet dhe dobësitë e tij… Nëse Papa ju dërgon faljet, reliket, bekimet, merrni ato me respekt, dhe i nderoni me njerëzit tuaj duke e dhënë ju shembullin kryesor… Por në qoftë se Papa përpiqet të rrisë numrin e priftërinjve dhe murgjve për të nxjerrë para nga krahinat tuaja…ose ju nxit që të hapni luftëra në emër të Zotit, rrufeja hakmarrëse rëntë mbi ju dhe pasardhësit tuaj në rast pranimi.

*Zoti hakmerret ndaj fyersve të tij, pra nuk ka nevojë për ndihmën e njeriut. Mos kërcënoni Romën, kur ajo nuk ju kërcënon. Por shpallni luftë ndaj kujtdo që mundohet të prishë harenë e popullit, dhe legjitimitetin e fronit.

*Ju do të ndaloni çdo banor i cili ndodhet nën qeverisjen tuaj, që të mos bëhet as prift e as murg pa arritur moshën dyzet vjeçare. Për t’u ushqyer nga puna e të tjerëve, duhet më parë që njeriu (mashkulli) të ketë kontribuar në mbështetjen e komunitetit, prej të cilit dëshiron të ndahet për të shijuar jetën e tij…

*Këta priftërinj dhe murgj duhet të ju ndihmojnë të mbroni kombin në kohë lufte, sepse në kohë paqeje është po ky komb që i ushqen pa i përdorur.

*Nëse Papa kundërshton, bindeni atë me butësi, dhe vetëm në qoftë se është e nevojshme përdorni shpatën… Një politikë e tillë do të ju pajtojë me dashurinë atërore të pasardhësve të tij, dhe do të bëheni shembull dhe lider për të gjithë mbretërit, që janë frikacakë, të dobët, injorantë, budallenj, uzurpohen nga Papa dhe ministrat e tyre, fuqia që Zoti u ka dhënë për të përhapur lumturinë e Kombeve, ku ata duhet të jenë zotërit dhe etërit.

Heroi Kombëtar Gj.K.Skënderbeu, me amanetin që la para vdekjes, tregon se është modeli i Atit  kombit, i një kohe moderne, pa llogaritur se këto porosi janë thënë para 550 vitesh.

Duke kujtuar me nderim këta burra të shquar, si Skënderbeun, Ismail Qemal Bej Vlorën dhe gra të shquara si Mbretëresha Teuta, Rugjina Balsha, Donika Kastrioti, Nënë Tereza etj, politika e sotme shqiptare, e majtë apo e djathtë, duhet të ketë parasysh, se bashkimi kombëtar bëhet kur i lë pas mëritë, mllefet dhe hakmarrjet. Kur sajohen pretekste të kota, që pengojnë zhvillimin dhe integrimin e vendit në familjen e madhe europiane, është e kotë që përmënden këto figura të ndritura të kombit, pasi u hidhet baltë dhe nëpërkëmben vlerat e tyre kombëtare të pallogaritura. Grindjet apo pengesat për të ecur përpara kombi ynë i vuajtur, janë turp dhe fyerje për këta njerëz të shquar që përdorën mençurinë, forcën e gjykimit, madje edhe jetën për Shqipërinë, kundër të huajve.

Përderisa ky komb u mbijetoi kohërave, tregon se ne kemi forca për të qenë pjesë e pandashme e familjes së madhe europiane me të drejta të barabarta, gjë që varet nga vullneti i politikës shqiptare, synimet dhe bashkëveprimet ndërpartiake, të cilat janë me bollëk në Shqipëri (Vivra). 



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora